Lezha letrare në katedrën e prozës së shkurtër

0
79

Preç Zogaj
Është kënaqësi e veçantë për mua të jem një ndër lexuesit e parë në dorëshkrim të kësaj përmledhjeje në prozë të shkurtër, ku janë përfshirë krijimet e një numri të konsiderueshëm autorësh lezhjanë, të cilët i bashkon dashuria për letërsinë, pasioni i të shkruarit, apo i krijimit letraro-artistik.
Një antologji si kjo, ekspozon një Lezhë letrare më të pasur se ajo që njihet deri më sot: Lezhën e prozës. Nga kjo pikamje, duke patur parasysh faktin se Lezha letrare është identifikuar herët me poezinë, e vlerësoj këtë botim si një projekt origjinal të atyre që ideuan dhe e realizuan.
Në fakt Lezha ka patur e ka prozatorë të talentuar. Disa prej poetëve të shquar të kësaj treve njihen si lëvrues të të dy gjinive. Le të përmendim këtu Rudof Markun, romanet e tij “Kësulkuqja vjen me trenin e dhjetës ”, “Tre divorcet e zotit Viktor K” apo romanin e mrekullueshëm “ Pritrja” , botuar vitin e shkuar.
Edhe në këtë përmbledhje, disa prej autorëve të përfshirë shkruajnë e botojnë rregullisht poezi, janë autorë vëllimesh poetike dhe kanë një vend të respektuar në letrat shqipe. Mjaft të tjerë kanë debutuar si poetë dhe ngjajnë të jenë sot e kësaj dite të dyzuar: të shkruajnë vertikalisht ( poezi) apo horizontalisht ( prozë), siç thuhej me shaka në klubet e surealizmit francez? Ka ndërkaq autore dhe autorë që i janë dedikuar vetëm prozës. Të gjithë bashkë, premtojnë dhe po bëjnë secili të vetën, për ngjitjen e Lezhës në katedrën e prozës gjithashtu.
Në këtë përmbledhje lexuesit do të gjejmë një shumëllojshmëri tekstesh, që nga tregimi klasik, te rrëfenja klasike, parabola, skica, e të tjera. Tematikës së larmishme nga historia, aktualiteti apo edhe e ardhmja , i përgjigjet një larmi stilesh përgjithësisht të thjeshtë, ku sekush shpalos mënyrën e tij të të shkruarit.
Shijet janë subjektive – kjo është një sentencë elementare. Ndaj kam evituar, në këtë shënim përcjellës, që të përmend autorë dhe tituj. Por dua t’i njoftoj lexuesit se këtu do të gjejnë tregime të shkruara me mjeshtëri, që të mbajnë të mbërthyer emocionalisht deri në fund e të japin kenaqësi esetike, çfarë është qëllimi i letërsisë.
Vetmia është fati i shkrimtarit, por shoqëritë letrare janë shumë të rëndësishme. Ato krijojnë mjedisin që nxit kompeticionin, për rrjedhim cilësinë. Besoj se ky botim, do të jetë një nxitës kësioj, për çdo autore dhe autor.
Së fundi, do të doja ta mendoja këtë antologji si një homazh për poetin e shquar lezhjan, Ndoc Gjetjen dhe për romancierin e ndjerë, Ndue Gasprin, i cili ka lënë kujtimin e një punëtori të palodhur e të realizuar të penës, ashtu siç janë zakonisht shkrimtarët e vetëdijshëm për misionin e tyre.

Burimi/Facebook/Klubi i letrave shqipe – Lezhe