Lin Kiku – Fillimet e arsimit në Mirditë, Hylli i Dritës nëntor 1931!

0
79

…Austri – Hungarija, nëpërmjet t’Abat Doçit, hapi nëpër Mirditë tri shkollë shqype: N’Orosh në vjetë 1900, në Spaç në 1902, e në Kashnjet në 1903. Shkolla e Oroshit pat kenë ndërtue ngiat qele, e u msuenë shqyp vetun fmit e katunit t’Oroshit prej fillimit e deri në 1913, prej të cillës vjetë nuk u msue ma, për shkak të trazimeve politike. Pat deri në tridhetë nxansë, kje majtë me tri klasë fillore e nji msues.
Së pari kje si msues Dom Zef Marashi, famullitar i Oroshit, qi msoj me lexue e shkrue shqyp, numërtore e doktrinën e kshtenë. I dyti msues kje Z. Cin Gurakuqi, i shkodranë, e msoj për katër vjet shqyp e numërtore, doktrinën e kshtenë e msote famullitari. Në kët ndërkohë, Abat Doçi, prej ksaj shkolle, dërgoj në Bullgari për me xanë për oficer, Gjo Margjinin, i cili kje kapidan( kapiten) i Shqypnis. I treti msues kje Dom Ndre Simoni, qi msoj nji vjetë, e vendin e tij e xue Dom Prengë Brunga, kapelan i Abacis. Në vjetë 1909 shkoj prej Shkodre si msues Z. Kolë Dema, ku ndej katër vjet. Prej shkolles së ktij Zotni duel Preng Jaku, nip i Abatit të Mirditës, qi ma vonë duel kapidan( kapiten) aq i përmendun. Në vjetë 1921, Bajram Curri, qi pat ardhë prej Krasniqes n’ Orosh me luftarë të vet për me u përpjekë me ushtri shqyptare, xuni shkollën për te vet, dhe kta natën e dogjnë pa hiri. Thonë se Bajram Curri dha si shpërblim çka i qëlloj, 12 napoljona.
Në Spaç ka pas kenë msue shqyp në nji odë të qelës së priftit, ku u majtën tri klasë fillore, me nji msues, e pat deri në 24 nxansë. Pat kta msues me rend: Dom Zef Gjonalin, sot Ipeshkëv i Nënshatit, Dom Ndre Simonin e për shum vjet Zef Ndoc Ndrecën, i spaças. Vijoj prej vjetit 1902 – 1917.
Shkolla e Kashnjetit, si ndërtesë, kje e madhe si ajo e Oroshit. Për program msimi pat atë të shkollave tjera e vijoj prej vjetit 1909 – 1913. Pat për msues Z. Kolë Lacen, i shkodranë, e me 37 xasa. Në Fan, qeverija e jonë komtare hapi së parit shkollën shqype në vjetë 1926, ku msoj Z. Cin Gurakuqi ndër katër klasë kolektive. Pat 30 xas. Për shkollë kje xanë vetun nji odë poshtë e Krahinaris e s’pat orendi shkollore. Kjo shkollë u myll në 1930.
Tjetër shkollë, në të tanë Mirditën, nuk ka sot për sot, por i a xen vendin Konvikti “ Mirdita”
Qeverija shqyptare, tue kujtue se tue hapë shkolla për çdo katund të Mirditës, nuk gjetë msues të mjaftueshëm e të zott e msimi nuk do nepej me rregull, masi, prej vendit të haptë, fmit e kishin vshtir me ndjekë shkollën në kohën e dimnit e të shiut, dau me çilë nji konvikt qi të përmlidhte vetun fmit e pesë bajrakve të Mirditës. Tash ishin dy mende, a me e ngrehë Konviktin në Kallmet, tu ndërtesa e Prengë Pashës ( Preng Bib Dodës), apo n’Orosh? Atje do t’ishte ngiat qytetit të Lezhës, ktu qendra e Mirditës. Por qëllimi ishte dhe me i dhanë randsi ktij Konvikti, të cillit së pari mirditsit i a ndishin emnin e në tjetrën anë nuk i a dijshin vlerën. Së mramit u caktue të ngrehej n’Orosh. Pat kenë pleqnue prej Kshillit administrativ të Nenprefekturës me çue n’at konvikt ka tetë fmi për bajrak, pra dyzet nxansë. Edhe në prill të vjetit 1926 nëpër kujdes e mund të Zotni Kolë Demës, at herë drejtuer, u hap së parit konvikti” Mirdita”. Përnjiherit kje çue, me titull msues i shkollës së Bajrakut t’Oroshit, Z. Ndoc Ndoka, por prejse nuk kishte vend ku me msue e bajraku s’u lidh kurrë për godi të shkollës së djegme, aj muer pjesë në Konvikt, i cilli pranoj edhe ndo’i xas të jashtëm, por pa i dhanë ushqim. Zef M. Harapi ( botuar në revistën Hylli i Dritës, nëntor 1931 me titull: Mirdita në histori e gojdhanë deri në vjetë 1929.)
Lin Kiku

Burimi/Facebook