Lundrimi “ilegal” drejt Virpazarit, 2006

0
89

Nga Filip Gurziu

Mospërfillja e Qeverisë Shqiptare për projektin e sistemimit të Bunës me objektiv lundrimin e ndalimin e përmbytjeve ( 1996) nuk ma hupi shpresen se nji ditë, dikush tjeter me ma shumë vizion e ndjejë përgjegjësie për dekadencën ekonomike të Shkodrës , do ta përkrahte atë projekt! Në pritje të asaj dite duhet të fillojshim lundrimin në liqenin e Shkodrës e ndoshta ky fillim, do t’ishte hapi i parë drejt andrrës së madhe…!
Në vjetin 2000, Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Itali-Shqipni, dott..Elio Rossi mbrrijti me organizue dy takime me filozofin e shquem italian, Prof. Massimo Cacciari me detyrë Kryetar i Bashkisë i Venezia. Sindaco Cacciari-in e takuem në zyrën e tij, ishim dott.Rossi, unë dhe Ing. Stefo (Drejtor i PUSH). Na priti me shumë mirësjellje e patëm mirëkuptim të plotë në drejtim të bashkëpunimit institucional ndërmjet Bashkive respektive ( në atë kohë unë isha anëtar i Këshillit të Bashkisë Shkodër) si dhe ndërmarrjeve respektive të transportit pasagjer; ( ACT-Venezia e PUSH-Shkodër) në fushën e transportit pasagjer, ujor e rrugor. Në ato takime u vunë bazat e nji bashkëpunimi serioz; fillimi ishte premtues, pati takime të drejtuesve të bashkive, pati financim në fushën e kulturës, Bashkisë së Shkodrës iu dhuruen 18 autobusa e dy anije për lundrim liqenor ma kapacitet deri 157 pasagjerë.Mori seriozitet edhe “Projekt ideja e restaurimit të kështjellave të Adriatikut” etj., mirpo akti i bashkëpunimit “merr jetë e zhvillohet”, kur janë së paku dy palë që kontribojnë sinqerisht për realizimin e objektivit, kurse, kur qëllon që njena prej tyne nuk asht serioze, nuk ka interes, ka mungesë vizioni e dhe nuk i kryen detyrat që bashkëpunimi t’i ven mbi shpatulla, atëherë ai bashkëpunim asgjasohet. vdes, bahet NUL. Fatkeqësisht kështu përfundoi ajo përespektivë aq e ndritshme e me interes e bashkëpunimit me Bashkinë e Venezia! No coment, për mos me thanë ato që duhet me thanë !
Sidoqoftë dy anijet lumore për transport pasagjer, mbas shumë sakrificash, mundi e pengesash, të gjata për me i tregue në pak rreshta, mbrrijtën “shndosh e mirë” në liqenin e Shkodrës ( Anija e parë, “Venezia” gjeti rrugën e liqenit, falë financimit të Z.Agron Çela, kurse e dyta, ” Scutari” kaloi Adriatikun ” në barkun” e anijes ushtarake “San Marco” e me rritjen e nivelit të ujit në lumin e Bunës lundroi deri në liqenin e Shkodrës).
Objektivit i ishim afrue, anijet për lundrim liqenor ishin të gatshme për veprimtari turistike rreth liqenit të Shkodrës si dhe për hapjen e linies së transportit pasagjer liqenor Shkodër-Virpazar dhe anasjelltas. Mungonte vetem organizimi e marrëveshja ndërshtetnore midis Shqipnisë dhe Malit të Zi. Simbas Drejtuesit të Agjencisë Turistike Malazeze, “KIngs”-Podgorica, Z. Ilija Aleksić, veprimtaria do të kishte sukses edhe në sensin financiar, sepse n’atë kohë, tregonte ai, në kulmin e sezonit turistik, jo njizet apo katerdhetë autobusa, por 300 autobusa me pasagjerë hyjshin çdo ditë në territorin e Malit të Zi prej Kroacie për turizëm 1-2 ditor. Sikur 5 % e tyne (simbas paketave turistike), llogariste ai , të merrte rrugën e Virpazarit e të lundronte nëpërmjet liqenit drejt Shkodrës, do t’ishte nji sukses i jashtëzakonshëm turistik e me fitime dy palëshe!
N’atë kohë, Prefekt i Qarkut të Shkodrës ishte prof. Gjovalin Kolombi me të cilin kishim njohje që në bangat e shkollës. E trajtova me te problemin e hapjes së linies së transportit pasagjer liqenor Shkodër- Virpazar e anasjelltas e patëm mirëkuptim të plotë. Ai mori përsipër ndjekjen e problemit në rrugë institucionale si dhe punën për sistemimine infrastruktures ujore e tokësore të Pikëskufitare pranë ures sëBunës. Mbas pak ditësh më tregoi se Kryeministri Berisha e kishte përkrahë nismën e se kishte ngarkue Ministrin e Punëve të Mbrendshme, ( sot i ndjeri Olldashi), për ndjekjen e problemit me palën malazeze. Marrëveshjet kërkojnë kohën e tyne, ditët kalojshin, kisha info për takimet e drejtuesave të kufinit shqiptar me ato malazezë e në nji ditë të bukur, për kënaqësinë time e të tanve, ” molo” pranë urës së Bunës u transformue në “pikë ufitare”; me roje të policisë kufitare; me dy flamuj kombëtar shqiptar dhe malazez, me dy kioska per kontrollin e pasaportave dhe e rrethueme për mos kalim pa leje të qytetarve. Çdo gja ishte në rrugë të mbarë! Simbas marrëveshjes dypalëshe, në ditën e perurimit të pikës kufitare, nji grup prej 30 qytetarësh malazezë do të lundronte prej Virpazarit nëpër liqen deri në Shkodër për vizitë turistike me nji anije malazeze. Mbas ceremoniosë së perurimit të ” pikës kufitare lumore”, autoritetet shqiptare dhe malazeze u grumbulluen në hotel “Colosseo”; i nderoi edhe Kryetaria e Kuvendit shqiptar, u mbajtën fjalime për suksesin e marrëveshjes së hapjes së linies së re të lundrimit që do t’i shërbente rritjes së miqësisë e bashkëpunimit ndërmjet dy popujve etj. U çuen edhe gotat…, por askush nuk e “pati atë ndjesi pozitive njerëzore e nuk ia nxori goja nji fjalë” sa me kujtue dhe me falënderue Bashkinë e Venezia-s e Shoqaten e Miqësisë Itali – Shqipni për dhurimin e dy anijeve që do të lundrojshin në liqenin e Shkodrës, pa të cilat nuk do t’ishte ba marrëveshja! Kujtesa e mungesës së mirënjohjes së demostrueme prej drejtuesave vendore e qendrore në atë eveniment, sot më krijon “pështjellim ne stomak” ; ato dy, tre shkodranë që e kishin mundësue ate aktivitet prej ” A deri te Zh-ja” as që u ftuen në ceremoni…! No coment, për mos shprehe fjalë…!Nji shok n’atë kohë, kur ndigjoi argumentin, për humor më pat thanë: ” Kanë kujtue se anijet kanë ra prej hanës…!”
“Mosmirënjohja asht sjellje dënueshme dhe e paharrueshme në marrëdhanit shoqnore ! ”
Patëm kuptue se simbas marrëveshjes, ishte parashikue edhe nji lundrim me anije i qytetarve të Shkodrës drejt Virpazarit . Në zbatim të kësaj ideje, krejtësisht normale dhe logjikë , sepse lidhej edhe me kthimin e vizitës së malazezve të disa ditëve ma parë në Shkodër, organizuem lundrimin me të dy anijet deri në Virpazar, gjithësej 100 qytetarë të Shkodrës, 50 për çdo anije. Nuk kujtoj a i patëm vulosë pasaportat te pika kufitare pranë urës ëe Bunës… ?, por u nisëm për Virpazar të shoqnuem deri në vijën e kufinit ujor në mes të dy shteteve prej PolcisëKufitare Shqiptare me motoskafin e tyne. Ishte ditë historike, mbasi kishte gadi nji shekull që ajo linie lundrimi ishte ndërpre politikisht. Ai lundrim mbetet i paharruem për panoramën që na ofroi. Për herën e parë vizitojshim brigjet e liqenit të Shkodrës në anën tjeter të kufinit, gjelbrim i madh e ishuj shumë të bukur.Anijet që lundrojshin me shpejtësi rreth 20 km. në orë, rrugën deri në vendqëndrimin afër Virpazarit e përshkuen për rreth dy orë. Atje na pritshin miqt malazez.Gjetëm edhe nji panair të prodhimeve ushqimore, fol e qesh u shtruem me hangër dreken…, kur dy oficiera të Policisë Kufitare malazeze na e “zune buken në fyt”. Me shumë mirësjellje ato kërkuen me takue organizatorin e këtij lundrimi e u afruen të tavolina ku unë po qëndrojshe.Përkthyes ishte Z. Burhan Çuliq. Kuptuem, se ato konsiderojshin lundrimin tonë ne ujnat malazeze të liqenit si të paligjshëm , mbasi Policia Kufitare malazeze nuk ishte në dijeni të lundrimit tonë prej Shkodrës e rrjedhimisht nuk kishte dhanë leje për nji veprim të tillë. Pra, të gjithë na, kishim pasë hy ilegalisht në territorin e Malit tëZi , së bashku me dy anijet e kjo simbas ligjeve ndërkombëtare, kishte si pasojë sekuestrimin e mjeteve lundrues dhe burgosjen e organizatorëve…!
Jo vetem unë , por edhe miku malazez që na shoqnonte,z. Ilija Aleksić, u munduem me i sqaru për organizimin e lundrimit prej Shkodrës, tue argumentue marrëveshjen e dyanëshme ndërkufitare e cila kishte lejue anijen malazeze me lundrue deri në Shkodër para nji jave e se Drejtuesit e Policisë Kufitare shqiptare na kishin orientue për lundrimin e sotshëm. Mbas disa telefonatave me eprorët e tyne, na urdhnuen me lundrue deri te pika kufitare e Virpazarit për me vulosë pasaportat, pra ata na mirëkuptuen e na besuen. Grupi pati rast me vizitue edhe qendren turistike të Virpazarit e, kur çdo gja u krye në rregull, morëm rrugën e lundrimit drejt Shkodrës.
Sa u surprizuem e u gëzuem kur u hap pika kufitare për lundrim drejt Malit tëZi nëpërmjet liqenit të Shkodrës, aq patëm qenë çuditë e mërzitë prej faktit se ai lundrim paska pasë qenë i vetmi, i pari e i fundit ! Mbas asaj dite kurrë ma, nuk pat nji lundrim të dytë prej Shkodrës në Virpazar dhe anasjelltas e ajo që ma shton pesimizmin në lidhje me ket lloj transporti liqenor turistik me interes ekonomik të dy anshëm, asht fakti se për te, as që flitet ma.
Tashmë, plotësisht i bindun për mosinteresimin ( mosdashjen) e qeverive shqiptare për rizgjimin ekonomik të Shkodrës, gjej rastin me kujtue me keqardhje indiferentizmin e paspjegueshëm te qeverive vendore të Shkodrës për këtë veprimtari aq vendimtare për rritjen ekonomike të qytetarve shkodranë. Për mungesën e vizionit e indiferentizmin e treguem në drejtim të projekteve zhvilluese gjatë vjetëve të kaluem, drejtuesit e Shkodrës mbajnë përgjegjësi morale para brezave që vijnë. Ata do të na gjykojnë…

Burimi/Koha Jone