LUTJE E DËSHPRUEME

0
83

Ju qi keqas t’vorrosun, keq fleni ndër murana
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi
deshmorë, q’emen t’lavdishem keni thadru n’gojdhana,
nen dhe me gjak tuej t’rimun idhnin nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq fleni e nuk pushoni
e as deka varrt e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi eshtnat vrik ju dridhen kur del nji za nga pylli,
a kur nji zhapllimë hapash përbri murans ndëgjoni,

Ju qi n’msime fisnike t’Lahutës jeni rritun,
ju qi burrnin jetike e patët si mësuese,
ju qi lirin kreshnike zgiedhë e kishi për nuse,
ju qi n’mprojen e nderit boten keni çuditun,

Sot n’murana t’harrueme kërkoni kot pushim:
ju qi epope t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tuj bluem idhnimin,
fatosa orzes, për flijen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tuj rrokun armen dhe rrzue me ju fisi;
Ato q’atdheut i kjene ndër mote gardh çeliku,
parzmat vigane tueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por nama e fatit, nama qi befas mbi ne krisi.

N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjohet kund za njirit,
pranë votres s’fikun nanat n’vajë nuk e njomin buken,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, struken
tuj pritë furin ahmarrse qi t’thejë t’primunt e mnerit.

Jo vaj por gjam e ahte prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim za-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’Atdheut palcet gjallnuesa ma t’mshefta po i a thanë.

O Perendi, na token pranuem qi Ti na fale,
n’te tash tridhet’ qindvjeta na u end e ndershme jeta,
jetuem n’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujue larg botës tjeter tuj ruejt dhen mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e breshni e mardha,
n’ksolla e stane t’brishta qi shperthejshin duhinat,
pa dijt qejfet e holla, pa dijt ç’janë miradinat,
pa njoftë doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
qi e zbutshin n’ujë të kronit, s’lypshim kurrgja ma shumë,
sepse bylmet na kishim nji liri t’fjesht, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bante gjakun t’lum.

Nanat me qumsht të paster andjet n’shpirt tonë dikojshin
me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendi, ndër shekuj uja buzen na e zverdhi,
shpesh u errem pa hangër, buken me e ruejt për fmin
E mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik ne shpin
na e msyni, ia vum para at bukë mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jeten me dhunë e me krajata ?
lirin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit, s’kishim tjeter,
kto dy t’mira zbutshin vobeksin tonë të vjeter.
po pse, o i Lumi i qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata ?

ERNEST KOLIQI

Burimi/Facebook