Marcel Hila – Dhitë në mur

0
89
  • Hë mo, e ke caktuar atë që do të arrestonet?
  • Po, po,
  • Kush është?
  • Një piktor – iu përgjigj oficeri i sigurimit Zigur Malaj kryetarit të degës së punëvë të brendshme të qytetit N. Fiçorr Brataj.
  • Pse vendose për të? Është i duhuri?Piktor?
  • Së pari, më thanë se flet kundër, pastaj, se pëlqen modat e huaja në art … Ishte në përpunim 2B.
  • Ahha, mirë, mirë, po pse nuk zgjodhe një muzikant a shkrimtar?
  • Se këtij ia kam gjetur akuzën lehtë.
  • Çfarë? – pyeti me kurreshtje eprori i frikshëm.
  • Pyeta se kush mund të ishte më i përshtatshmi …
  • Po, – tregoi interesim përsëri kryetari.
  • Më thanë se është e lehtë fare akuza për të, është e dallueshme, sa për ta arrestuar, se pastaj shtojmë ç’të duam
  • Ashtu? Ç’akuzë?
  • Ky ka bërë një pikturë në sallën e turizmit, me male e fusha …
  • Edhe?
  • Ka tek ajo piktura disa dhi,
  • Dhi?
  • Po dhi, janë trembëdhjetë
  • E çfarë do të thotë kjo?
  • Kjo na e bën të lehtë ta zemë në lak, sepse do t’i themi se ke dashur të bësh gjoja byronë politike si të ishte një kope me dhi …
  • A thua? Shkon kjo? Besohet?
  • Do të ngul këmbë te fakti se ka bërë 13 dhi, do të ndaloj tek numri dhe pastaj del vetë se …
  • Se çfarë?
  • Se ka dashur të bëjë anëtarët e Byrosë Politike, t’ poshtërojë.
  • Ashtu? – mori të qeshte kithët kryetari – Vlen kjo? Mendon ti?
  • Ku ka këtu! Ma tha informatori imi, ma ka shtënë në mendje. Punon në turizmin e qytetit. Ka mundësi se ka thënë ndonjë ironi ky kur pikturonte dhe e ka dëgjuar ai. Ka folur diçka e ja tani. Me këto lojëra fjalësh do ta arrestojmë. E shtrëngoj unë ta pranojë se ka dashur të bëjë gjoja anëtarët e Byrosë si dhi. Është e mbaruar kjo punë!
  • Jemi vonë. Është kërkuar kohë më parë të arrestonej një artist!
  • Epo, më thanë për një muzikant, është fakir fare. Nuk ka shfaqje të huaja borgjeze, ndërsa shkrimtari që rri te lagja B, ai merret me bejte. Ia kam lexuar ca shkrime; nuk ka gjë që e akuzon. Nuk kisha kë të gjeja. Kurse ky … është e lehtë, shihet në mur … trembëdhjetë dhi, verifikonet lehtë!
  • Vepro pra, se nuk kemi kohë! – e mbylli bisedën kryetari.

  • Pse zgjodhe dhi për të paraqitur anëtarët e byrosë poltike si të ishin kope? – pyeti hetuesi piktorin.
  • Nuk është e vërtetë fare. Kush tha se e kam bërë me këtë qëllim?
  • Lërë atë se e di unë, ajo bën muuu, dallohet lehtë, mua kujton se do të ma hedhësh?
  • Ju betohem se jo, – u përgjigj i terrorizuar viktima e gjorë, që kishte ditë që merrej në pyetje e i kërkohej me dhunë e me tortura të shumta që të pranonte akuzën që ia kishte vënë para xhelati i tij.
  • Pse trembëdhjetë? Pse?
  • Po nëse është ashtu, ju lutem më krijoni mundësinë dhe unë shkoj dhe e heq një dhi!
  • Jo more, dashke ti të heqësh një anëtar byroje? Do të nxjerrësh një tjetër armik nga gjiri i partisë? Kush je ti që arsyeton kështu?
  • Jo, jo, ju betohem nuk është e vërtetë, atëherë, po shtoj një, – tha artisti me zë lutës, në një pozë që kërkonte mirëkuptim – dhe dalin katërmbëdhjetë …
  • Po kush je ti që shton numrin e anëtarëve të byrosë? Deri këtu të ka vajtur çmenduria?
  • Jo, ju betohem, mos më keqkuptoni … Unë,
  • Nuk ka këtu …

Gjykata e rrethit gjyqësor N, sot, me datën 25 maj 1973, pasi mori në shqyrtim materialet … dënon me shtatë vite burg të pandehurin Agim A. me akuzën e agjitacionit dhe propagandës, të kryer në arte, në pikturë, ku shihet qartë prania e shfaqjeve të huaja, kamufluar me elementë të urrejtjes ndaj pushtetit dhe partisë sonë …


E sollën në Spaç. Shtatë vitet i kreu deri në fund. Por pak para se t’i vinte afati i lirmit, gjykata e rrethit Gjyqësor Mirditë, i dha një dënim të dytë për agjitacion e propagandë dhe e dënoi me dhjetë vite të tjera. Ky dënimi tjetër qe më i rëndë sei pari, sepse i jepej si përsëritës.


I burgosuri Pajtim Sulaj e pa se shoku i tij i kapanonit po shpejtonte drejt telave me gjëmba të rrethimit të burgut të Spaçit. Ishte Agim A. I shkreti, ka kohë që humbur çdo qetësi. Nëna i vdiq, ndërsa babai dergjet i vetmuar në shtëpi, në mjerim dhe braktisje të plotë. Këtij i duhet të bëjë edhe tetë vite të tjera. Shoku e kuptoi se ai donte të bënte një çmenduri. I vrapoi pas që ta ndalonte nga kjo tentativë vetëvrasëse.
Agimi e pa se Pajtimi po e ndiqte që ta ndalonte, kështu që e shpejtoi vrapin.
U dëgjua një thirrje e fortë: “ndal!”. Piktori nuk ndaloi. Iu afrua telave. U hodh mbi ta. U dëgjua një breshëri e zgjatur automatiku.
Artisti i pafat u bë shoshë nga plumbat. Ra për tokë, i grirë, me gjakun që po ia mbulonte trupin.


Një skuadër policësh burgu, bashkë me katër të burgosur ordinerë, ia ngarkuan trupin e copëtuar në një karrocë dore.
Diku, në një vend të paditur, hapën një gropë dhe pa asnjë shenjë dalluese e kallën brenda.

Burimi/Facebook