Marcel Hila – Në Amerikë apo në Qafë të Barit?

0
76

Xhaxhai i Sokol Mulës, Kadri Mula, kishte vite që qe arratisur. Jetonte në Amerikë. Familja e Deli Mulës u dërgua në internim. Pastaj pas tre viteve u lirua. Fëmijët e vëllezërve të Kadriut nuk morën shkollë të lartë, edhe pse shkëlqyen në mësime. Ishin nga fshati N i Tropojës. Për shkak të kësaj biografie, bashkë me djalin e xhaxhait të tij, Dritanin, Urimi u dërgua ushtar në repartin e xhenios. Bënin bunkerë. Xhaxhai larg, Kadriu, i punës e i leximeve, atje, bëri, po themi, ‘karrierë’: figurë e rëndësishme e organizatës Shqipja Dykrenare. Publikonte, fliste në zërin e Amerikës e mbante kontakte me krerët e rëndësishëm të diasporës politike kudo.
Një ditë, oficeri i repartit, komandanti, i thirri e u tha të dyve, Urimit e Dritanit, se mund të shkonin me leje treditore në shtëpi. Ata u çuditën, sepse nuk e kishin kërkuar. Ua mbushi letrat e i nisi. Të rinjtë u habitën. U duhej tani të shkonin deri te agjencia e kamionëve të gjenin makinë e të iknin. U ra ky gëzim si prej qielli. U nisën. Nuk ishte larg, pak kilometra. Të rinj ishin, e hanin rrugën.
Sapo morën një kthesë, kur dy burra, të veshur e të mbathur, i dolën para dy ushtarëve.

  • Ju, hyni në makinë! – i urdhëruan. Një si ambulancë gjendej e parkuar pranë kanalit, buzë rrugës.
    Të dy kushërinjtë i kapi frika. Edhe pamja e atyre dy njerëzve, që flisnin me ton kërcënues, i terrorizoi. Hipën. Brenda kishte perde të trasha, të lëshuara e që nuk lejonin të hynte drita. Mjeti u nis. Të rinjtë nuk e dinin se për ku i nisën. I kapi paniku. Udhëtuan kështu rreth një orë. Pastaj, ambulanca ndaloi.
  • Zbrisni! – i urdhëruan. Djemtë zbritën. E panë veten në një oborr. Nuk kishin qenë kurrë më parë këtu. Ku gjendeshin? I futën në dy dhoma të ndryshme qe kishin nga një krevat, një tryezë, por pa dritare. Ndriçimin e bënte një llambë në tavan.
    Dera u mbyll. Pas rreth dy orësh, që nuk kalonin kurrë, dikush e mori Urimin. U çuan diku, në një ambient të mobiluar, me kolltukë, me një tryezë të madhe. Zyra kishte dritë, që hynte nga dritaret. Ai, si i tromaksur, nuk po e merrte veten.
  • Hë, djalë, si je? – ia bëri njëri, që dukej se ishte i rëndësishëm, por që nuk u prezantua.
  • Mirë! – u përgjigj fakiri i tulatur e me ndrojtje.
  • Çfarë do të hash?
  • Ë? Asgjë! Veç më tregoni ku jam e pse më keni sjellë këtu?
    Dy burrat nuk treguan. Filluan gjoja të bënin shaka, por edhe papritur zymtësoheshin e mrrulleshin. Herë bënin si hokatarë e herë rrinin seriozë e kërcënues. Nuk iu përgjigjen pyetjes së tij. Djali u frikësua pa masë. Donte të dinte ku gjendej. Edhe rrëmbyesit, duke deshifruar ankthin që i lexohej nga sytë, sepse orbitat e kokërdhokët nuk po i gjenin qetësi, si dhe nga lëvizjet e pakontrolluara, e kuptuan se ai po përjetonte ankth.
  • Qetësohu! – i tha ai që dukej se ishte më i rëndësishmi, sepse bënte poza e përpiqej të përdorte një mënyrë autoritare komunikimi. – Dëgjo! Je këtu se do Partia. Ju njohim mirë. Vërtetë që jeni të deklasuar, si familje keni qenë në internim, por Partia mendon edhe për ju, ju edukon, ju mbron, dhe … edhe ju duhet t’i përgjigjeni asaj, kur ju kërkon apo ju beson një detyrë.
    Urimi ishte i tromaksur. Dëgjonte, por nuk po dinte të kapte thelbin e fjalëve të atij që i fliste shtruar e me pak kërcënim brenda.
  • Ti e do partinë? – i erdhi pyetja, si për ta sjellë në vete.
  • Po! – u përgjigj ai instinktivisht e krejt konfuz.
  • Ashtu, shumë mirë. Je këtu se të pret një detyrë e rëndësishme. Partia beson se ti mund ta kryesh, e mirë madje. – Urimi shihej lehtë se vazhdonte të ishte i tronditur.
  • Mos kij frikë. Do të kesh ndihmën tonë për çdo gjë. – Dhe pyetja bombë: – ti ke një xhaxha në Amerikë?
  • Po! – përgjigj automatikisht, pa menduar dy herë Urimi.
  • Kadri Mulaj, xhaxhai i jot, është anëtar i një organizate të rëndësishme atje … ti, domethënë ne, të dërgojmë atje, dhe ti, duke qenë pranë tij e … përkrah dhe – Urimi vazhdonte të mos kuptonte gjë. Burri hijerëndë vazhdoi: – duke qenë i nipi i tij e duke i qëndruar pranë, edhe ti bëhesh i rëndësishëm.
  • Çfarë duhet të bëj? – i doli pyetja e ua lëshoi para.
  • Ti? Asgjë! Veç do të marrësh pjesë në mbledhjet e organizatës, në diskutime, se … mbledhjet ata i bëjnë në salla të mbyllura, ku marrin pjesë shumë pak veta. Dokumentet që do të hartosh, do t’i bësh në dy kopje. Për shembull proces-verbalin e mbledhjeve, atë që tregon se çfarë është biseduar e kush ka diskutuar … – dhe demoni autoritar po e shikonte ngulazi – njërën kopje ia dorëzon Partisë … kemi njerëzit tanë atje. Ua jep atyre. Vijnë ata e të kërkojnë … do t’i njohësh, nuk është aspak e vështirë …
    Ushtari i shkretë po rrinte i ngrirë, pa fjalë, në heshtje, plot frikë. U tmerrua kur mendoi se sigurimi i shtetit kishte njerëz që vepronin lirisht në Amerikë dhe survejonin xhaxhanë e tij. Urimi s’kishte pasur rast ta njihte axhën e vet, por nga diskutimet në shtëpi, kishte formuar një ide shumë të mirë për të.
  • Këta janë maskarenj! – i edhi në mendje. – Unë të jem spiuni i axhës tim? Deri këtu ta uli veten? Jo, jo, punë që nuk bëhet. As që bëhet fjalë.
  • Hë? – i erdhi si çekan pyetja e njërit prej tyre – pranon?
  • Ti – ia mori fjalën tjetri – do të firmosësh këto letrat dhe për të fituar besueshmërinë tonë, do t’i dalësh dëshmitar kushëririt tënd, atij që erdhe këtu me të.
  • Pse?
  • Sikur ka bërë agjitacion e propagandë. Ai do të hyjë në burg e do të bëjë ca vite, ndërsa ti mbërrin drejt e në Amerikë!
  • T’i dal dëshmitar kushëririt?
  • Po, dhe të hapen rrugët e jetës e shkon në Amerikë …
  • Jo, punë që nuk bëhet! – u përgjigj me vendosmëri Urimi.
    Dy burrat u egërsuan, u tërbuan, u nxinë. Njëri e kapi seriozisht situatën e ia nisi me metoda bindëse:
  • Pse nuk pranon?
  • Si të pranoj? – foli i trimëruar Urimi – Të tradhtoj xhaxhanë? Nuk bëhet! T’i dal kushëririt tim dëshmitar për gjëra që nuk i ka bërë? As që më shkon në mendje.
    Ai seriozi, që bënte kompetentin e që ndoshta ishte i rëndësishëm, por që nuk u prezantua, tha:
  • Mendo mirë, se nuk i lutemi kujt. Mendo. Ke rast, shkon në Amerikë, … por – dhe bëri një pauzë, – po nuk pranove, të pret burgu.
    Një ndjenjë ankthi dhe terrori e pushtoi të riun. Reagoi pafajësisht:
  • Nuk kam bërë asgjë, pse të hyj në burg?
  • Atë e dimë ne. Por, shko në dhomën tënde e mendohu. Jep përgjigje nesër. Zgjidh burgun apo Amerikën.
    E çuan te dhoma. U hap dera përballë, U dëgjua zëri i kushëririt, që plot frikë, bënte edhe ai pyetje, por që nuk merrte përgjigje. E çuan te dhoma ku kishte qenë pak më parë Urimi.
    Urimi pësoi një dalldi mendimesh. T’i dilte kushëririt dëshmitar? Punë që s’bëhej. Turp i madh. Qenë rritur bashkë! Skandal. As që bëhet fjalë. Nata qe e gjatë, e pafund, s’mbaronte kurrë.
    Të nesërmen në mëngjes e morën lart. Ishin po këta të dy. Në fillim u zgërdhinë, pastaj u bënë seriozë.
  • Ke ndërruar mendim apo jo?
  • Jo, punë që nuk bëhet! – foli me vendosmëri ushtari i bunkerëve.
  • Shiko, kushëriri yt është dakord që të të dalë ty dëshmitar e të shkojë ai në Amerikë …
    Sokolit iu duk trillim i pabesueshëm. “Seriozi po gënjen trashë!” – mendoi.
  • A do të shkosh në burg apo në Amerikë? Ne e kemi zgjidhur! Je ti që nuk po vendos si duhet.
    Kur thanë këtë, Urimi mendoi se qe gënjeshtër. “Pra as kushëriri nuk paska pranuar!” – mendoi.
  • Jo, nuk mund t’ia bëj një gjë të tillë kushëririt tim dhe as xhaxhait. Bëni si të doni!
  • Shiko, shko edhe njëherë e mendohu, pastaj, nesër flasim për herë të fundit! More vesh? Kur të mbërrish me auto-burg në Qafë të Bari, atëherë do ta kuptosh se ke humbur rastin! Po humbet Amerikën. Ik mendohu!
    E çuan përsëri në dhomë. Një trazim i madh e kapi. Të lozte rolin e nipit të mirë e të tradhtonte xhaxhanë? Apo të bënte tradhtarin e t’ia shkatërronte jetën kushëririt? Po familja? Po e mori vesh se kishte pranuar të hynte në këtë punë të ndyrë? Amerika e joshte keqas, me gjithë forcën e saj tunduese. Frika e Qafë Barit e masakronte. I silleshin të gjitha këto në mendje, i pështjelloheshin, e goditnin.
    U hap dera. Po e merrnin përsëri. Kjo duhet të ishte e fundit.
  • Hë – i thanë – a ke bërë mendim?
  • Nuk mundem as axhës t’ia bëj këtë e as kushëririt. Bëni ç’të doni!
    Dy veta të tjerë e morën Urimin e shkretë. Një makinë e mbyllur e sorollati disa herë diku, gjatë e pastaj, … pastaj i vunë hekurat. E çuan në Kukës. Aty i dolën tre veta dëshmitarë se kishte kryer krimin e agjitacionit e të propagandës. Mes tyre edhe kushëriri i tij, Dritani. E dënuan shtatë vite burg. E dëgjoi vendimin nga goja e gjykatësit. Pastaj, një ditë, një makinë e çoi në burgun e Qafë Barit.

  • Urim Mulaj – thirri roja i burgut.
  • Urdhëro!
  • Të kanë ardhur njerëzit e shtëpisë.
    Urimi doli. Eci e shkoi deri tek vendi ku bëheshin takimet me familjarët.
    Pa nënën, babanë dhe vëllanë e vogël. E pyetën. Pastaj edhe ky pyeti për njerëzit e tjerë të familjes, për motrat e xhaxhallarët. Edhe për kushërinjtë. Pyeti edhe për Dritanin, që ia bëri atë turp, i doli dëshmitar. Nuk ishte lojë. Por donte të dinte sesi përfundoi puna e tij. I kishte mbetur enigmë: A përfundoi edhe ai në burg si ai apo jo?
  • Po Dritani si është?
    Me një shenjë me dorë, i ati i tregoi se ai ishte arratisur. Kishte mbërritur në Amerikë.
  • Ashtu?
  • Po, Hamdija ka marrë letër që thotë se është atje shëndosh e mirë!

Burimi/Facebook