Marina Shestani-Brushtulli – Ernest Koliqi

0
41

Prof. Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903, në familjen e famshme fisnike qytetare të Koliqëve, që do t’i jepte Shqipërisë një bir tjetër të madh, kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqi e jo më pak, dëshmitaren e fesë së krishterë, motrën saleziane Luçia Koliqi.
Mësimet e mesme i kreu në Bergamo e Milano, studimet e larta – në fakultetin e letërsisë pranë Universitetit të Padovës, ku janë shkolluar e vijojnë të shkollohen jo pak shqiptarë, duke filluar nga i famshmi Imzot Pjetër Bogdani.
Ernest Koliqi botoi disa revista, ndërmjet të cilave “Shkëndija” – në Shqipëri dhe “Shęjzat” në Romë. Tek Shęjzat ai bashkoi penat më të forta të mërgimtarëve shqiptarë, të arbëreshëve e të shqiptarëve të Kosovës: poetë, prozatorë e studiues të talentuar, që krijuan një pasuri të vërtetë letrare, kulturore e historike, në një kohë kur në Shqipëri kishin heshtur muzat. Prandaj mund të themi me plot gojën se kjo revistë, botuar në bashkëpunim të ngushtë me shkrimtarin tjetër gjenial, vazhdues i shkollës veriore të letrave shqipe, Martin Camajn, mbetet më e mira, pas Albanisë së Konicës, LEKA-s, së jezuitëve e “Hyllit të Dritës ” të françeskanëve shqiptarë.
Ernest Koliqi shkroi e përktheu shumë, në prozë e poezi. Krijime poetike të tij janë “Gjurmët e stinëve”, “Simfonia e shqipeve”, “Kangjellat e Rilindjes” e shumë vjersha, botuar ndër revista të ndryshme. Si kryevepra të tij poetike njihen “Ditë Shëngjergjash”; “Kova” e “Bijës sime”.
Sidoqoftë majat e krijimit i arriti në prozën e mesme, duke i dhuruar letërsisë shqipe përmbledhjet me tregime e novela, ” Tregtar flamujsh” dhe “Hija Maleve”. Sprova e tij në prozën e gjatë me romanin “Buka e mbrume”, botuar kohët e fundit edhe në Shqipëri, nuk e pati suksesin e përmbledhjeve të para.
Ernest Koliqi iu kushtua edhe shqipërimit të kryeveprave të letërsisë botërore e sidomos të asaj italiane. Përktheu poetët e mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston Tason, Karduçin, Paskolin e poetë të tjerë të kohëve më të vona. U shqua për mbledhjen dhe botimin e folklorit, sidomos të atij arbëresh. Me nismën e tij si ministër arsimi filloi botimi i “Vizareve të Kombit” e i “Shkrimtarëve shqiptarë”, që konsiderohet si një nga tekstet më të mira të Historisë së Letërsisë Shqipe, të cilën e pasuroi edhe me studimin e tij mbi dy shkollat letrare veriore: shkollën e fretërve e të jezuitëve.
Është e pamundur të përmbledhësh në pak rreshta kontributin e atij që vdiq i zhuritur për Atdhe e që, edhe në varr, në dhe të huaj, ëndërron ditën e kthimit, që s’e arriti sa qe gjallë. I sulmuar rëndë nga shteti diktatorial dhe muzat e tij, Koliqi edhe sot vijon të njihet pak në Shqipëri, ku riduket me botime sporadike, kryesisht në Shkodër; ndërsa Kosova ia ka botuar tashmë një pjesë të mirë të veprës në serinë e veprave të zgjedhura e arbëreshët pagëzojnë fëmijë e shkolla me emrin e tij.

Burimi/Facebook/Pro Gegnishtes