Marina Shestani-Brushtulli – Gjon Buzuku

0
106

Më 5 janar 1555, Gjon Buzuku përfundoi përkthimin e mesharit katolik në gjuhën e atëhershme shqipe, të cilën punë e filloi më 20 mars 1554. Meshari përbëhej nga 110 fletë (220 faqe), mirëpo kësaj kopjeje i mungojnë 16 fletët e para (32 faqet), ndër to edhe ballina gjithashtu. Të 188 faqet e tekstit përmbajnë 154000 fjalë me një tërësi fjalori prej rreth 1500 leksemash, dhe janë një minierë ari e vërtetë për leksikografët dhe gjuhëtarët historikë. Portret në vaj i Gjon Buzukut nga Danish Jukniu.
Meshari përmban tekste nga Dhiata e vjetër dhe Dhiata e re, ai nuk është shumë i vështirë për t’u interpretuar, me gjithë ortografinë e ndërlikuar, gjuhën arkaike, gabimet e shumta të shtypit e mungesat e fjalëve. Të 188 faqet e tekstit përmbajnë 154 000 fjalë me një tërësi fjalori prej rreth 1500 leksemash, me vlerë të posaçme për leksikografët dhe gjuhëtarët historikë. Kjo përmbajtje flet për përdorim të gjuhës shqipe në shërbesat fetare, lidhur siç duket me përpjekjet për përdorimin krahas latinishtes edhe të gjuhëve amtare.[4]
Meshari është botuar me alfabetin latin të tipit gjysmëgotik, i zakonshëm në atë kohë në Italinë veriore. Kryesisht për tingujt e gjuhës shqipe që nuk i ka latinishtja (g, gj, th, dh, z, x, i) ka edhe pesë shkronja të posaçme, që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Autori shihet se ndjek një traditë mjaftë të konsoliduar të shkrimit të shqipes, të cilën do ta vijojnë edhe autorët pasardhës të Shqipërisë veriore. Qenia e një tradite letrare të mëparshme shfaqet edhe në gjuhën relativisht të përpunuar të veprës. Në pasthënie shprehen shkoqur ndjenjat atdhedashëse që e kanë frymëzuar, dëshira e tij për të ndritur mendjen e bashkatdhetarëve. Në veprën e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë të një proze tregimtare me vlera letrare, të shkruara me gjuhë të qartë dhe të kuptueshme. Bie në sy puna e tij, ose e traditës së mëparshme, për pasurimin e shqipes me fjalë të reja, në mes të cilave ka mjaft fjalë të sferave të jetës mendore. Si vepër e parë shqipe e njohur, “Meshari” ka rëndësi të madhe për historinë e kulturës, në mënyrë të veçantë për historinë e shqipes së shkruar dhe të letërsisë shqiptare. Është dëshmi e shqipes në shek. XVI, në një fazë kur nuk ishin zhvilluar ende një pjesë e dallimeve dialektore të mëvonshme. Me gjuhën në një masë të mirë të standardizuar e të kodifikuar, si koine letrare që u ngjit e u zhvillua me veprat e autorëve të Veriut në shekujt XVI – XVIII, vepra e Gjon Buzukut hapi një etapë të re në lëvrimin e shqipes si gjuhë e shkruar kulture.
@albanianvintagephotography

Burimi/Pro Gegnishtes