Mark Palnikaj – Dioceza e Pultit

0
95

FJALA HYRËSE
Mbas publikimit të librit tim mbi Dioqezën e Pultit, shum banorë të zonës së Dukagjinit më kanë telefonuar dhe kanë shfaqur interesin e tyre për këtë studim dhe për të patur informacione edhe më të zgjeruara. Gazeta DUKAGJINI organ i shoqatës atdhetare me të njëjtin emër, ka publikuar një numër të artikujve të mi mbi historikun e kësajë treve dhe kanë shfaqur interesin për të patur informacion të tjera më të thelluara. Me ndihmën e intelektualit nga Shoshi i Dukagjinit, Prof. Dr. Zef Gjeta, u bë e mundur të pregatisim për botim disa relacione nga Arkivat e Vatikanit, të përdorura nga unë për studimin mbi këtë dioqezë, disa të publikuara në gazeta dhe revista të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë si tek Hylli i Dritës, Dukagjini, Mirdita, Vjetari, Nacional, Gazeta Shqiptare, Dielli, Dita etj. Në fund të çdo relacioni është shënuar edhe burimi i saktë i dokumentit. Menduam që ti paraqesim me disa plotësime, të bashkuara të gjitha, në një libër modest për personat e interesuar. Këtu janë publikuar 73 dokumente dhe kemi në proçes pregatitjeje edhe një numër akoma më të madh të dokumenteve kryesisht nga Arkivi Sekret i Vatikanit të cilët nuk janë publikuar më parë dhe janë me rëndësi për historinë e kombit tonë sidomos për shekujt XV, XVI, XVII dhe XVIII. Të dhënat e këtyre dokumenteve i përkasin kryesisht zonës veriore ku popullsia mbeti e besimit katolik roman mbas pushtimit turk. Për zonat e banorëve të besimit skizmatik dhe muhamedan, të dhënat janë minimale, megjithse të rëndësishme. Libri është i destinuar më së pari për publikun e gjerë kryesisht nga krahinat e Mbishkodrës, Tropojës dhe të zonave për rreth tyre.
Zakonisht studjuesit e dokumenteve, midis tyre edhe autori i këtij shkrimi, preferojnë që të punojnë direkt mbi dokumentin origjinal dhe jo mbi atë çfar kanë përpunuar të tjerët me rishkrim dhe përkthim. Gjatë punës time mbi dokumentat e rishkruara, kur i kam ballafaquar me shkrimet origjinale, më ka rezultuar që janë publikuar me gabime deri në tjetërsimin e idesë ose të fakteve të shkruara në origjinalet me shkrim dore.
Nëse e shikoni këtë publikim timin, është vetëm në gjuhën shqipe dhe i pa ballafaquar as me fotokopjet e origjinaleve as me rishkrimin në gjuhën italjane, prandaj ata që kërkojnë të kryejn një studim të bazuar mbi dokumentat e përkthyer duke shënuar edhe burimin e tij, është me vend që ti referohen origjinalit kur e kanë të mundur.
Personat të cilët e kanë të pamundur leximin e origjinaleve të shkruara me dorë, duhet të mjaftohen me atë që kam paraqitur në këtë libër.
Duhet të jetë e qartë për të gjith lexuesit që është bërë një përkthim i lirë, duke u përpjekur që të japim idenë që kanë dashur të na përcjellin autorët e relacioneve origjinale, pa i qëndruar besnik përkthimit fjalë për fjalë.
Kemi kërkuar në vijimësi ndihmën e institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare dhe të atyre fetare për të bërë një publikim dinjitoz të dokumentave të përpunuar nga ana jonë.
Deri më sot, nuk kemi gjetur mbështetje financiare as nga organizmat që përmenda më sipër as nga biznesmenët me origjinë nga këto zona. Ata që merren me këtë lloj punimesh, e kanë të qartë koston e publikimit të dokumenteve në dorëshkrim dhe është e tepërt të ndalem dhe të tregoj për vështërsitë që kemi.
Nëse do të na kishin mbështetur nga ana financiare, publikimet tona do të ishin shum herë më tepër dhe më cilësore.
Ju faleminderit
Mark Palnikaj, Tiranë me 17 janar 2022

Burimi/Facebook