Mark Palnikaj – Libri që po ju praqesim është një dorëshkrim i pjesës së parë të shekullit XVII.

0
59

HYRJE
Libri që po ju praqesim është një dorëshkrim i pjesës së parë të shekullit XVII. Sipas shënimeve në krye të shumicës së faqeve të tij dhe disa datave të shënura në vende të veçanta besojmë se materiali që përfshihet në të duhet të ketë filluar të shkruhet në vitin 1634 dhe duhet të ketë përfunduar në vitin 1650. Është i ruajtur në Bibliotekën e Bashkisë së qytetit të Fermos në Itali të quajtur Biblioteca Civica “Romolo Spezioli” me skedën 4-E-7, n. 58, sec. XVII ndjekur nga titulli “GIACINTO P. Da Sospello – Relatione Universale dell’origine, e successo della Missione Apostolica de Frati Min.ri Oss.ti Rifor.ti Del serafico P’rè S. Francisco nel Regno d’Albania.
Da diversi relationi d’alcuni P’rì Missionarij di detta Miss.ne raccolta, ordinata, et aumentata.”
MBI DOKUMENTIN
Autori i librit, materialin e mbledhur e ka përfshirë në një fletore me format A5 ose 21X15 centimetra, duke e shkruar me dorë me mendimin për ta pregatitur për botim. Fjalën hyrëse ai e ka shkruar në fillim të tij, gjithsej 4 faqe, të nominuar me germa A, B, C dhe jo me numra. Në fund ka të shënuar vendin e shkrimit, Kotorr dhe datën 12 qershor 1652.
Më poshtë vazhdon shkrimi i librit i numëruar jo siç veprohej zakonisht në atë kohë, ku shënohej numri i fletës nga ana e përparme dhe shënohej një numër i caktuar në mënyrë të vazhduar. Nëse kërkohet identifikimi për të shkruar fusnota kur citohet dokumenti, për të identifikuar faqen nga ana e përparme, mbrapa numrit të fletës shënohet një r që ka kuptimin në origjinal recto që në gjuhën shqipe ka kuptimin faqja tek ose faqja përballë duke nënkuptuar anën e përparme të fletës. Në anën e pasme të fletës nuk shënohej numri i faqes. Për të identifikuar faqen nga ana e pasme shënohej numri i fletës që është i vendosur në anën përballë e ndjekur nga gërma v që ka kuptimin verso ose në gjuhën shqipe faqja e pasme e fletës së numëruar.
Në këtë libër nuk është ndjekur ky rregull por faqet janë shënuar në vijimësi para dhe prapa çdo flete duke filluar nga faqja 1 deri në faqen 506 pa asnjë shkëputje. Duke llogaritur edhe 4 faqet e para që po i konsiderojmë si hyrja e librit, janë gjithse 510 faqe.
Formati i fletës është 14cm x 20cm, pra pak më i vogël se formati standard i sotshëm A5. Është shkruar tërësisht me dorë, me shkrim të imët. Materiali nuk është i dëmtuar, është i ruajtur mirë dhe është e mundur të lexohet edhe pse me një farë vështërsie. Gjuha e përdorur në përgjithësi është gjuha italishte e kohës por në shum raste ka të shënuara fjalë në gjuhën latine, shqipe, kroate dhe rrallë në ndonjë gjuhë tjetër.
PËRMBAJTJA E LIBRIT.
Përveç fjalës hyrëse, libri është i ndarë në 6 kapituj që vijojnë:
Në faqen numër 1, në krye ka shënimin “Relatione delle missioni dell’Albania dhe më poshtë shënohet kapitulli i parë.

Kapitulli i parë me titull: Cap.o P.o Del sito estato dell’ Albania, sue Provincie e Cristianità. Faqe 1.
Kapitulli i dytë: Cap.o 2 Della Christianità delli monti d’Albania. Faqe 8.
Kapitulli i tretë: Cap.o 3 Dell’origine, qualità e costumi delli Albanesi. Faqe 19.
Kapitulli i katërt: Cap.o 4 Della necessità che tieni l’Albania dell’ Apostolichè Missi.ni Faqe 24.
Kapitulli i pestë: Cap. 5 Dell’origine delle Miss.ni Apostoliche mandati nel Regno di Albania. Faqe 30
Në këtë kapitull përfshihet historiku i 16 Misioneve të kryera nga viti 1634 deri në vitin 1649 të shkruar nga faqja 35 deri në faqen 477. Në faqen 35 misioni i parë është i titulluar “Relatione delle difficoltà, sucssi, gesti, frutti, travagli, e persecutioni occorse nella missione d’Albania dall’anno 1634 sino all’anno 1650.” Këtu fillon historiku i misionit të parë dhe vazhdohet me historikun e 16 misioneve që përfundojnë në faqen 477 me shënimin përmbyllës në gjuhë latine “Laus Deo, et Beata Maria”.
Kapitulli i gjashtë: Cap. 6 et ultimo Cattalogo delli Miss.rij et Operarij ò Coad.ri che hanno fatticato nella Miss.nè d’Alb.a . Faqe 478
Në këtë kapitull ka një biografi të shkurtër të të gjith klerikëve që kanë punuar në Shqipëri gjatë kohës që është përshkruar në këto misione.
Në faqen 499 deri në faqen 506 dhe të fundit, ka një shkrim në gjuhën latine që nuk është pjesë e asnjë kapitulli me titull si më poshtë: “Die Xiiii Julij. In festa Sancti Bonaventure Episcopi, et Confessoris, et Ecclesie Dretorus Duplex Ad Vesperas Antephona.”
Në fund të këtij shkrimi ka një shënim me këtë përmbajtje: “Finès officij Perasti p.ma die August 1644 à P’re Paulo à Mantua”. Perasti është një vendbanimi në afërsi të Kotorrit në Malin e Zi ku në vitin 1652 ndodhej një qendër kishtare e rëndësishme e fesë katolike romane. Ky shkrim bëhet në nderim të martirit Padre Paolo nga Mantova, martirizuar në afërsi të lumit Cem. Fra Paolo nga Mantova dhe fra Salvatore nga Offida, janë masakruar duke u vrarë me shpatë, buzë lumit Cem, në Kelmend, më 14. 12. 1644. Siç shikohet, vrasja ka ndodhur rreth pesë muaj mbas kësaj liturgjie të mbajtur në famullinë e Grudës me 11 korrik të atij viti në stilin e predikimit të asaj kohe, që tashmë nuk praktikohet.
NGJARJE DHE TË DHËNA ME RËNDËSI TË PËRSHKRUARA NË LIBËR.
Një përshkrim sipërfaqsor të këtij libri e ka bërë studjuesi prof. Tadeusz Lewicki(1906–1992) i cili e ka shfletuar në vitin 1949 por mbasi dokumenti ishte jashtë sferës së studimeve të tij, ai pak është thelluar në përmbajtjen e këtij dokumenti. Biblioteka ku ruhet ky dokument ka mijëra faqe dorëshkrime dhe libra mesjetarë por ky dokument është i vetmi ku flitet për Shqipërinë. Gjatë 370 vjetëve që ky libër ka qëndruar në këtë bibliotekë, mund ta kenë parë dhe shfletuar shum studjues italjan dhe të huaj por askush nuk ka shfaqur interesimin më të vogël për publikimin e tij. Autori i këtij libri dorëshkrim, Fra Giacinto da Sospello, ka qënë disa vite Vikar Apostolik i Shqipërisë dhe përveç këtij libri, ka lënë edhe disa dokumenta dhe relacione të shkruara në Arkivin e Propagandës Fide dhe në Arkivin Sekret në Vatikan, në Arkivin e Shtetit në Modena dhe në disa arkiva të tjera të publikuar një pjesë e tyre nga studjuesi shqiptar Injac Zamputi dhe nga studjuesi italjan Lorenzo Tacchella.
Për praninë e këtij dorëshkrimi, informacionin e parë e kam marrë nga njoftimi i publikuar nga Lewicki. Jam interesuar pranë kësaj biblioteke dhe më kanë thënë që dokumenti nuk është publikuar asnjëherë dhe më kanë dhënë të drejtën e publikimit me disa kushte të vendosura në mënyrë zyrtyare midis meje dhe Bashkisë së qytetit të Fermos në varësi të së cilës ndodhet Biblioteka e sipërpërmendur.
Ata më dhanë të skaneruar me mundësitë teknike që ata kishin në institucionin e tyre por rishkrimi (transcribimi) mbi këtë kopje ishte gati i pa mundur për shkak të cilësisë së kopjes së realizuar nga ata.
Për këtë arësye, unë ju kërkova të më plotësonin njërën nga dy kushte:
Të më jepnin dokumentin për ta nxjerrë jashtë bibliotekës për skanerim në një studio të specializuar.
Të blija një skanër posaçërisht për këtë punë dhe të më lejonin ta skaneroja vetë aty.
Mbas këtyre dy kushteve të propozuara, ata më thanë se dokumenti nuk mund të nxirret jashtë institucionit në asnjë mënyrë.
Si zgjidhjen më të mirë ata më propozuan të më gjenin një specialist shum profesionist tek i cili ata kishin besim për të bërë skanerim profesional dhe pagesën e specialistit ta kryeja unë.
E pranova kushtin menjëherë dhe bëmë vërtetë një skanerim shum të mirë mbi të cilin mund të punohej në mënyrë shum komode dhe leximi të ishte i saktë.
Leximi dhe shkruarja në mënyrë korrekte e një dorëshkrimi kaq të madh është një punë mjaft e vështirë për një studjues. Zakonisht këtë punë e kryejnë persona që janë të specializuar në degën Paleografi, Arkivistikë dhe Diplomatikë. U munduam të merreshim vesh me dy specialistë që kishin mbaruar këtë shkollim në një universitet në Leçe të Italisë, por ata, mbasi kaluan 6 muaj hoqën dorë nga kontrata pa rishkruar asnjë faqe.
I ndodhur në këto kushte, gjetëm zgjidhjen duke u lidhur me një specialist në pension në Itali i cili pranoi më tepër për miqësi ta rishkruente librin në kompjuter me kushtin që të kryente rreth 98% të punës pa mbajtur përgjegjësi për ato fjalë ose rreshta që nuk mund ti lexonte ose do ti shkruente gabim. Korrigjimi do të bëhej nga unë dhe përgjegjësia do të ishte jo e atij por e imja. Rishkrimi zgjati rreth një vit dhe falë punës së palodhur dhe shum profesionale të mikut tim dhe të korrigjimeve të kryera nga unë dhe bashkëpuntorëve të mi në Shqipëri dhe në Kosovë, tani materiali i rishkruar është gati për përkthim dhe për botim.
Është habi e madhe se si ka mundësi që një dokument kaq i rëndësishëm dhe me një volum kaq të madh informacioni nuk u publikua për 470 vjet asnjë faqe e tij. Kjo ka ndodhur, ndoshta, nga fakti se personat që e kanë parë nuk kishin si objekt të studimeve të tyre të publikonin të dhëna për historinë e Shqipërisë.
I ndodhur në këto kushte, vendosa që ti hyja punës për publikimin e plotë të këtij dokumenti, pa marrë parasysh kostot financiare dhe mundimin e madh që do të më shkatonte ky publikim. Mbas një viti e gjysëm pune këmbëngulëse, sot libri është gati për publikun.
ÇFAR PËRMBAJTJE KA LIBRI
Siç e përmendëm edhe më sipër libri është i ndarë në gjasht kapituj dhe përshkruan historikun e 16 misioneve fetare të kryera nga autori nga viti 1634 deri në vitin 1650. Aty përshkruhen përpjekjet që bënin misionarët katolikë për edukimin fetar dhe social të popullsisë shqiptare ku ata punuan.
Libri, përveç anës fetare e cila përbën afërsisht gjysmën e këtij publikimi, dhe për këtë pjesë nuk do të flasim në këtë fjalë hyrëse, përmban anën sociale dhe historike për të cilën do të japim shkurtimisht disa njoftime.
Në kapitullin e parë ka një përshkrim të shkurtër mbi historikun e krishtërimit në Shqipëri. Në faqen 7 jepen të dhëna me rëndësi për krishtërimin në Durrës dhe zonat në varësi që shtriheshin nga Myzeqeja deri në Burrel.
Në faqen 10 përshkruhen Këlmendasit të cilët ai i vlerëson si “Më të fortët shqiptar të fushës dhe të maleve”.
Në faqen 12 flitet për Berishën dhe Sapën dhe për një betejë të tyre me turqit. Në faqet 16 dhe 17 flitet për zonat e Matit dhe përshkruan se ku ka lindur Skendërbeu. Në faqen 23, përshkruan se në kundërshtim me mësimet e fesë, banorët festonin festat fetare me abuzime të mëdha dhe me gabime që për fretërit katolikë ishin të palejueshme.
Në faqen 19 jepet një historik i shkurtër i Shqipërisë, bazuar mbi dokumente që sot cilësohen si të pavërteta në lidhje me origjinën e popullit tonë.
Në faqen 114 flet se si disa njerëz të këqinj, kishin vjedhur vulën e fretërve dhe kishin vulosur dokumente që i kishin hartuar vetë për të komprometuar dhe penalizuar fretërit në raport me sundimtarët turq. Kjo ju ka hapur atyre shum telashe sepse u arrestuan 14 priftërinj dhe u paguan shum para për lirimin e tyre edhe pse ishin të pa fajshëm.
Në faqen 123 Sospello viziton Kishën e Deçanit dhe na jep informacione me rëndësi. Si përkthyes merr Ipeshkvin e Dioqezës së Shkupit, Dom Ndre Bogdanin, xhaxha i Pjetër Bogdanit i cili zotëronte gjuhën shqipe, serbishte, turke dhe italjane. Në faqen 131 ka përshkruar me detaje luftën e Kelmendasve me 700 burra kundra ushtrisë së Vuçi Pashës së Bosnjës me 30 mijë ushtar dhe humbjet e pabesueshme që këlmendasit i shkaktojnë kësaj ushtrie. Po aty, përshkruan edhe për sjelljen e këtij Pashai me banorët e fushës që përshkruhet si sjellje korrekte dhe fisnike. Në faqet 141 dhe në vazhdim, në tre faqe, përshkruhet me imtësi se si pajtoheshin gjaqet në Tropojë midis Gashit dhe Krasniqes. Çuditërisht, ajo metodë është përdorur deri në vitin 2000 në disa zona të Tropojës. Në faqen 142 përshkruan hollësisht se si kapërcehej Drini me rrëshiqa prej lëkure, metodë që është përdorur deri në vitet 1970 në fshatrat e Pukës. Në faqen 149 përshkruan shkollën që kishin hapur priftërinjtë në gjuhën shqipe për fëmijët 8 deri 10 vjeç por edhe më të mëdhenj. Aty tregohet se shkolla nuk kishte karakter vetëm fetar por edhe shkencor. Në faqen 154 përshkruhen ngjarje supersticioni, në kundërshtim të plotë me mësimet e Kishës Katolike, ku besimtarët në disa fshatra të Zadrimës, në mënyrë shum antihumanitare zhvarrosnin të vdekurit dhe i masakronin. Në faqen 155 përshkruhet se si fra Giacinto dhe Ndre Bogdani u munduan të bënin pajtimin e kishave të ritit latin me ato skizmatike serbe. Përshkruhet vizita e Sospellos në shtëpinë e Bogdanit dhe disa rrethana në të cilat ai punonte. Në faqn 216, përshkruan se si i persekutonin gratë në famullinë e Perastit në Mal të Zi duke i akuzuar si shtriga. Në faqen 239 përshkruhet se si fshatarët e Iballes pregatisnin litar nga lëvoret e drurit të blirit dhe kishin arritur të bënin kapërcimin e njerzve nga njëra anë e Drinit në anën tjetër me një pajisje që rrëshqiste mbi litar. Nga faqja 275 deri 278, përshkruhet me detaje si veprohej në Tropojë për pajtimin e gjakve midis fiseve Gash dhe Krasniqe. Në faqen 282 përshkruhet se si jetonin gabelët në komunitet me shqiptarët. Në faqen 302 dhe në vazhdim tregohet për ekspozitat që organizoheshin në Kishën e shën Aleksandrit në Orosh duke na dhënë detaje mjaft interesante për studjuesit. Në faqen 311 spjegon se si u transferue në Bytyç misioni i Gashit (nga Geghyseni i sotëm) në vitin 1643. Në faqen 337, përshkruhet vrasja e dy priftërinjëve të fshatit Hot nga Kelmendasit, duke sjellur të dhëna që plotësojnë ato që kemi ditur deri sot. Sospello ishte bashkëkohës dhe epror i tyre. Dëshmia e tij ka vlera historike. Në faqet 347 dhe 348 spjegohet me imtësi për supersticionin në fshatrat e Kthellës dhe Ndërfandës ku bëhej zhvarrosja dhe masakrimi antihumanitar i kufomave. Në faqen 366, duke folur për misionin në zonën e Hasit, përshkruan dimrin e ftohtë ku ngrihej vera në gotë dhe Drini në lëvizje ngrinte duke bërë të mundur kalimin mbi akull të njerëzve dhe të bagëtive. Në faqen 403 dhe 404 përshkruhet bashkpunimi i shqiptarëve katolik me një gjeneral Dalmatin në luftë për çlirim kundra turqve. Në kapitullin e 6 dhe të fundit jepet një biografi e shkurtër e personave që i shërbyen kishës në vitet kur Sospello punoi në Shqipëri. Këto informacione që përmenda shkurtazi këtu, e bëjnë këtë libër një burim me rëndësi për informacionet që përcjell për zhvillimet historike dhe sociale në Shqipërinë e asaj kohe.
Ju faleminderit
Mark Palnikaj, Tiranë 15 shkurt 2022
Burimi/Facebook