Më 6 shkurt 1967 Enver Hoxha mbante fjalimin famëkeq kundër fesë.

0
64

Titullohej “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe i pushtetit”. Dy ditë më pas gazeta “Zëri i Popullit” përshkruante me entuziazëm ‘nismën’ e nxënësve e të mësuesve të Shkollës së Mesme të Durrësit, duke u kushtuar kryeartikullin: “Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së Partisë, kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, bestytnive dhe zakoneve prapanike”. Jepej, kështu, sinjali i sulmit barbar kundër institucioneve fetare e etja për liri konsiderohej “zakon prapanik”. Ishte shkëndija e parë për ‘nismat’ ‘vullnetare’ të mbarë ‘popullit’, në të katër anët e vendit. Pikërisht atij popull i përkasin intelektualët e Tiranës, të cilët, vite më vonë, propozuan që shkurti të shpallej “Muaji i kujtimit të martirizimit të Kishës Katolike në Shqipëri” e të kremtohej me lutje, shtegtime në vendet ku u rrënuan kishat e u martirizuan katolikë, myslimanë e ortodoksë, dashuronjës të lirisë së vërtetë, në shërbim të ardhmërisë më të mirë të popullit shqiptar.
Fjalimi i 6 shkurtit, sinjal për rrafshimin e çdo gjëje, që të kujtonte fenë e njerëzit e saj, i hapi rrugën shpalljes së Shqipërisë “Vend ateist”. Ishte i pari, e i vetmi.
Njëri pas tjetrit u mbyllën, u rrënuan e u shndërruan gjithë tempujt e Zotit. U sulmua në mënyrë të veçantë Kisha katolike, së cilës, në të Premten e Madhe të vitit 1967, qeveria komuniste i ngarkoi mbi shpinë Kryqin e Krishtit.
Po Krishti i kryqëzuar mbi Kalvar ngjallet në të tretën ditë. E kështu edhe Kisha katolike shqiptare, pas kalvarit të vet.
Intelektualët e Tiranës patën propozuar të përkujtohet kjo ditë, me bindjen se nga tempujt e Zotit, kudo e kudoherë, nisin të gjitha rrugët e mira për përtëritjen e njeriut e të njerëzimit.
Por nuk duhet harruar se pati edhe njerëz guximtarë, si atë Pjetër Meshkalla, SJ. që nuk pritën zbritjen nga Kryqi, për t’u ndeshur ballë për ballë me diktaturën, duke ia kujtuar këtë të vërtetë, menjëherë pas atij 6 shkurti të akullt të vitit 1967.
Do të kalonin 23 vjet nga ajo ditë e zezë, e shumëkush do të besonte se Zoti nuk do të rikthehej më në Shqipëri. Por Ai u rikthye. Ai rikthehet gjithnjë e gjithkund, e më shumë se kudo, pikërisht atje, ku e mohojnë dhe e kryqëzojnë përsëri në bijtë e vet. E dëshmon historia e vendit të vetëm ateist në botë.
Ka shumë propozime për ditën përkujtimore të pasojave të kësaj fillese ogurzezë. Madje edhe kremtime. Kisha katolike i përkujton bijtë e saj të martirizuar më 4 nëntor, në përkujtim të 4 nëntorit 1990, kur Zoti u rikthye në Varrezën e Rrëmajit, rrënimi i së cilës kishte nisur pikërisht me sinjalin e 6 shkurtit e me ‘nismën’ e rinisë shkodrane. Të tjerë propozojnë që viktimat e komunizmit të përkujtohen më 29 nëntor, duke i dhënë ngjyrimin që meriton kësaj feste; të tjerë, më 16 nëntor, për të kujtuar këtë datë të vitit 1944, kur u vranë 37 intelektualë të Tiranës…Ndoshta një ditë të gjithë dëshmorët e vërtetë të lirisë do të përkujtohen, më në fund në një ditë kombëtare, që nuk të kujton nisjen e sulmit, por fundin e tij, falë atyre që derdhen gjak për këtë Ditë!

Burimi/archivioradiovaticana.va/