Më 9 prill 1961 NMT Mbreti Zog ndërroi jetë në moshën 66 vjeçare.

0
105

Princ Leka
Të dashur Miq,
Më 9 prill 1961 NMT Mbreti Zog ndërroi jetë në moshën 66 vjeçare. Sot, 60 vjet më pas, familja jonë kujton me nderim jetën dhe veprën e tij në shërbim të Kombit.
Bashkëngjitur mund të gjeni një jetëshkrim të përmbledhur për njeriun që jetoi me një thënie në zemër: ”Atdheu mbi të gjitha”
Ahmet Zogu lindi në Burgajet të Matit më 8 tetor 1895. Ai ishte djali i Xhemal Pashë Zogollit dhe Sadije Toptanit. Familja Zogolli për 500 vjet ishin udhëheqësit e krahinës së Matit, ndërsa familja Toptani të Shqipërisë së mesme.
Pas ndërrimit jetë të babait në vitin 1908, Zogu u bë trashëgimtari i krahinës së Matit, duke u zgjedhur nga këshilli i pleqve të fisit. Nëna e tij – Sadije Toptani, do të këmbëngulte që ai të arsimohej në gjimnazin Gallata Sarai në Bejoglu, Stamboll. Arsimimi i tij jashtë vendit e mbajti atë të sigurtë nga intrigat politike klanore.
Në vitin 1912, Zogu u rikthye në Shqipëri dhe udhëhoqi lëvizjen kryengritëse të krahinës së Matit ndaj xhonturqve. Gjatë kësaj kohe Zogu do të luftonte gjithashtu edhe kundër një ushtrie tjetër pushtuese, asaj malazeze, në zonën e Kakarriqit, duke fituar reputacion si lider ushtarak.
Në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912, Zogu mori pjesë si përfaqësues i krahinës së Matit. Në fillim të viteve 1913, Zogu ndali me armë një inkursion serb në krahinën e Dibrës dhe të Matit. Zogu e mbrojti zonën deri më tetor 1913, kur një ultimatum austriak në 18 tetor kërkoi që serbët të largohen nga Shqipëria.
Shqipëria u njoh nga Fuqitë e Mëdha si një shtet i pavarur, duke e kthyer atë në principatë dhe duke zgjedhur një monark. Në vitin 1914 një princ protestant gjerman, Vilhelm Vid, u zgjodh si Princ i Shqipërisë. Gjatë këtyre zhvillimeve Zogu do të mbështeste mbretërimin 6-mujor të Vidit. Atij iu ngarkua detyra të luftonte rebelët dhe të rimerrte qytetin e Krujës, duke e kthyer atë nën kontrollin e qeverisë. Kjo periudhë do të shënohej nga një rivalitet i fortë me Esad Pashë Toptanin. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Vilhelm Vidi nuk u rikthye në fron, i cili mbeti vakant dhe funksionoi si regjencë.
Në vitin 1916 Zogu shprehu mbështetjen e tij për Perandorinë Austro-Hungareze. Si vlerësim atij iu dha grada e Kolonelit në Kalorësinë Austriake.
Në shkurt-mars 1916, Zogu u përpoq të organizojë Kongresin Kombëtar të Elbasanit, me shpresën për të konfirmuar pavarësinë e Shqipërisë dhe stabilizuar vendin pas lirimit të pjesës më të madhe të Shqipërisë së Mesme nga forcat pushtuese. Megjithatë, Kongresi dështoi, kur austriakët ndërhynë dhe e shpallën atë të paligjshëm.
Kur Kajzeri Franc Jozefi I i Austrisë vdiq në 21 nëntor 1916, Zogu mori pjesë në kurorëzimin e Perandorit të ri të Austrisë dhe Mbretit të Hungarisë, Karli I. Para se të kthehej në Shqipëri, atë e informuan se rikthimi i tij konsiderohej si pengesë për interesat ushtarake austriake. Për pasojë, ai do të mbahej në Vjenë nga fundi i vitit 1916 deri në fund të Luftës së Madhe. Gjatë kësaj periudhe ai vazhdoi studimet dhe ndoqi Akademinë Ushtarake Austriake.
Pas kthimit të tij në Shqipëri, Zogu u përfshi në jetën e brishtë politike të vendit, që u krijua pas Luftës së Parë Botërore.
Në vitin 1920, në 10-ditëshin 21- 31 janar, Zogu organizoi dhe mbrojti Kongresin e Lushnjës, prej ku u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme. Kongresi i Lushnjës kontribuoi fort për të krijuar qeverinë e parë të qëndrueshme shqiptare dhe përfaqësimin e parë legjislativ nën drejtimin e Sulejman Delvinës.
Në 11 shkurt 1920, si Ministër i Brendshëm, Zogu shpalli Tiranën kryeqytet të përkohshëm të Shqipërisë në emrin e qeverisë. Ai mbështeti “Kryengritjen e Vlorës”, më 4 qeshor 1920, duke dëbuar forcat italiane nga qyteti i Vlorës dhe duke i detyruar ato të tërhiqen në ishullin e Sazanit. Nga 26 korriku deri më 21 gusht 1920, Zogu udhëhoqi forcat shqiptare në luftën e Koplikut duke detyruar ushtrinë pushtuese jugosllave të tërhiqet në kufijtë e konferencës së Londrës të 1913. Zogu gjithashtu parandaloi një rritje të tensioneve me Jugosllavinë, ndërsa rimori qytetin verior të Shkodrës, ku do të emërohej nga qeveria si përfaqësues fuqiplotë i saj (1920-1921). Në prill 1921, Zogu u zgjodh deputet i Parlamentit dhe më pas drejtues i Forcave të Armatosura Shqiptare. Në tetor-dhjetor 1921, atij iu ngarkua detyra si komandant i operacioneve kundër rebelimeve me tendenca separatiste. Ai asgjësoi përpjekjet për shkëputje të së vetëshpallurës “Republika e Mirditës” më 20 nëntor.
Zogu ishte përfaqësuesi i vetëm që u zgjodh në dy krahina, duke mbajtur njëkohësisht dy të drejta vote në një mandat legjislativ. Ai përfaqësonte zonat e Kavajës dhe të Durrësit, ndërsa vëllai i tij më i madh, (nga ana e babait), Xhelal Zogu, përfaqësonte krahinën e Matit.
Në fillim të vitit 1922, Tirana u sulmua nga rebelë anti-qeveritarë të drejtuar nga Bajram Curri dhe Elez Isufi. Ndërkohë që Qeveria u largua nga qyteti, Zogu qëndroi vetëm dhe arriti ta zmbrapste sulmin. Ambasadori britanik arriti të ndërmjetësonte një armëpushim mjaftueshëm të gjatë, që mbështetësit e shtetit ligjor të arrinin të merrnin nën kontroll kryeqytetin, Tiranën.
Nga 2 dhjetori 1922 deri në 25 shkurt 1924, Zogu kishte njëkohësisht postin e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Gjatë nëntorit dhe dhjetorit 1923, Asambleja zhvilloi zgjedhje të përgjithshme, ku Partia Popullore e kryesuar nga Ahmet Zogu, mori shumicën e votave. Ata morën gjithashtu mbështetjen e deputeteve të pavarur dhe formuan një koalicion të përbashkët.
Në 23 shkurt 1924, Zogu u qëllua me armë zjarri në Parlament nga Beqir Valteri, duke mbetur i plagosur. Në përpjekje për të çtensionuar situatën dhe për t’u shëruar nga plaga që kishte marrë, Zogu dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Në 10 qershor 1924, grushti i shtetit i organizuar nga Fan Noli rrëzoi qeverinë jetëshkurtër por legjitime të Iliaz Vrionit dhe e shtrëngoi Zogun të largohej në mërgim për 6 muaj. Zogu e përdori këtë periudhë, për të kërkuar mbështetjen e faktorit ndërkombëtar kundër qeverisë së Fan Nolit, që mbështetej nga bolshevizmi sovjetik.
Pasi mori mbështetjen e Britanisë së Madhe, Italisë, dhe Austrisë, Zogu u rikthye në Shqipëri, duke hasur fare pak rezistencë dhe rivendosi qeverinë legjitime. Data 24 dhjetor vazhdon ende të nderohet nga zogistët si dita e “Triumfit të Legalitetit”.
Më pas, me anë të Asamblesë Kushtetuese, ai ndryshoi sistemin duke hequr regjencën dhe vendosur republikën. Më 31 janar 1925 u zgjodh si President i Republikës së parë shqiptare. Më vonë, më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Mbretëri të Trashëgueshme Kushtetuese Demokratike me NMT Zogu I- Mbret të Shqiptarëve.
Nga viti 1928 e gjatë gjithë dekadës në vazhdim, Shqipëria hyri në një periudhë stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik. Mbreti Zog aplikoi një kod civil progresist (1929), i cili dënonte skllavërinë dhe garantonte liritë civile, pavarësinë institucionale, lirinë e fjalës, pronën private, harmoninë fetare. Mbreti Zog ndërmori gjithashtu shumë reforma në sektorin e bujqësisë, ku u hodhën hapat e para në reformën agrare. Vlen për t’u përmendur që ndër familjet e para që dhuruan një pjesë të tokave të tyre në shërbim të kësaj reforme, ishte Familja Zogolli.
Monarkia mbështeti projektet infrastrukturore, si ndërtimin e rrugëve dhe të urave, porteve detare dhe aeroporteve, ndërtesave të reja qeveritare dhe qendrën e qytetit të Tiranës. Arsimi u bë një prioritet. U ndërtuan shkolla të reja dhe qeveria filloi të jepte bursa për studentët. Viti 1930 solli gjithashtu një periudhë të emancipimit social, duke përfshirë të drejtën e grave për të votuar, si dhe rritjen e tregtisë me vendet europiane. Pasaporta e Mbretërisë së Shqipërisë mundësoi lirinë e lëvizjes, ndërsa monedha shqiptare këmbehej në nivel ndërkombëtar. Mbreti Zog arriti të ishte i suksesshëm edhe në kufizimin e impaktit në ekonomi të shkaktuar nga kriza e viteve 1929-1939. Pas shekujsh ndarje sipas fiseve, Mbretëria Shqiptare arriti të konsolidojë me sukses Shqipërinë dhe Mbreti Zog ngriti ura lidhëse mes ndarjes kulturore lindje-perëndim.
Më 27 prill 1938 Mbreti Zog u martua me Konteshën Geraldine Apponyi në Tiranë.
Më 5 prill 1939 Mbretëresha Geraldine solli në jetë Princin Trashëgimtar Leka I. Vetëm dy ditë pas lindjes së Princit, më 7 prill 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Xhandarmëria shqiptare dhe mbështetësit e qeverisë arritën t’i ndalnin forcat italiane për disa orë, por u zmbrapsën për shkak të superioritetit të armatimeve dhe numrit të lartë të forcave pushtuese. Në të dyja anët pati humbje. Për të mbrojtur sovranitetin e vendit në mënyrë që Kurora Mbretërore të mos binte në duart e pushtuesit, Asambleja Kombëtare e Shqipërisë, në përputhje me kushtetutën, vendosi që Mbreti Zog dhe Familja Mbretërore të largohej nga Shqipëria. Mbreti Zog nuk abdikoi asnjëherë. Tri ditë pas pushtimit, pak para mesnatës, më 9 prill 1939, Mbreti Zog kaloi kufirin me Greqinë, për të vazhduar udhëtimin në Turqi në 2 maj 1939.
Qeveria mbretërore u detyrua të mërgonte, e shoqëruar nga parlamentarë e shumë njerëz besnikë. Mbreti Zog vendosi të shkojë në Francë, ku do të mund të koordinonte më mirë mbështetjen e aleatëve për të çliruar Shqipërinë. Që të shkonte në Francë, ishte i detyruar të udhëtonte nëpërmjet vendeve europiane ende të lira, duke kaluar nga Rumania (1 korrik 1939), Polonia (7 korrik), Letonia (12 korrik), Suedia (18 korrik), Norvegjia (23 korrik), Belgjika (7 gusht) dhe duke e mbyllur udhëtimin në Paris, Francë (8 gusht 1939), ku u vendos në kështjellën “La Maye” në Versajë.
Më 27 qershor 1940, Familja Mbretërore u largua nga porti i Bordosë, Francë, në drejtim të Anglisë,së bashku me 35 anëtarë të Oborrit Mbretëror. Ata arritën të shpëtojnë vetëm tetë orë para se nazistët të merrnin atë pjesë të Francës. Britaniku që koordinoi udhëtimin ishte Komandanti Ian Fleming, i cili më pas do të bëhej autori i librave të njohur ndërkombëtarisht “James Bond”.
Gjatë blicit nazist (fushata gjermane e bombardimit të Londrës), Mbreti Zog dhe Familja Mbretërore ndodheshin në Hotelin Ritz në Londër. Më pas ata qëndruan për pak kohë në “Forest Ridge”, një shtëpi në lagjen “Sunninghill” në zonën e Askotit jugor në Bërkshir. Në fund të vitit 1940 ata u zhvendosën në “Parmoor House”, një vilë në rrethin Bakingamshir. Këto zhvendosje ishin të domosdoshme për të shmangur bombardimet e shpeshta.
Gjatë viteve të luftës në Angli, Mbreti Zog do të vazhdonte punën për lirimin e Shqipërisë nga fashistët, nazistët dhe më pas nga instalimi komunist. Qeveria mbretërore në mërgim mbështeti dhe koordinoi operacionet nëpërmjet Major Abaz Kupit dhe forcave legaliste në Shqipëri. Mbreti Zog forcoi miqësinë e tij me Presidentin Charles de Gaulle të Francës së Lirë, me Gjeneralin Wladyslaw Sikorski të Polonisë, si edhe me liderë dhe mbretëri të tjera në mërgim.
Në vitin 1946, Familja Mbretërore u zhvendos në Egjipt, nën kujdesin e Mbretit Faruk. Ata jetuan në periferinë lindore të qytetit të Aleksandrisë përgjatë gjirit në Ramleh . Në vitin 1949, pak para luftës arabo-izraelite, Mbreti Zog kërkoi mbështetjen e Ligës Arabe, për të kundërshtuar regjimin komunist në Shqipëri.
Në vitin 1951 Mbreti Zog vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe bleu pronën “Knollwood” në Muttontown, Long Island në Nju-Jork. Familja Mbretërore e shiti më pas këtë pronë në vitin 1955, pasi nuk jetoi ndonjëherë aty.
Grushti i shtetit i vitit 1952 në Egjipt ndryshoi situatën. Presidenti Gamal Abdel Nasser e vështirësoi qëndrimin e Familjes Mbretërore në Egjipt. Nëpërmjet mbështetjes së drejtpërdrejtë të Mbretit Faisal bin Abdulaziz të Arabisë Saudite dhe të Ligës Arabe, Mbreti Zog u mor në mbrojtje pasi rrezikohej nga Unioni Socialist Egjiptian.
Në vitin 1949, Mbreti Zog u përfshi në organizimin e operacioneve të fshehta me mbështetjen anglo-amerikane, kundër regjimit komunist në Shqipëri. Tragjikisht, misionet ishin sabotuar nga agjenti britanik, Kim Filbi, i cili punonte si agjent i dyfishtë për sovjetikët. Për pasojë, shumë mbretërorë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje.
Në korrik 1955, Mbreti Zog dhe Familja Mbretërore u rikthyen në Francë dhe u vendosën në Kanë. Gjendja e tij shëndetësore filloi të përkeqësohej, ndaj shpresat për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bënë të pamundura.
Mbreti Zog ndërroi jetë në spitalin “Foch” në Syren, Paris, më 9 prill 1961, në moshën 65-vjeçare. Ai u përcoll në varrezat “Thiais” në Paris. Më 15 nëntor 2012, në praninë e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, eshtrat e Mbretit Zog u morën nga Franca për t’u riatdhesuar në Shqipëri. Në këtë ceremoni solemne, Presidenti i Francës, François Hollande, vuri në dispozicion rojën e nderit, legjionarët francezë në nderim të Mbretit të Shqiptarëve.
Më 17 nëntor 2012, shteti shqiptar zhvilloi një ceremoni zyrtare për rivarrimin e eshtrave të NMT Zog I Mbret i Shqiptarëve, në mauzoleun e sapondërtuar të Familjes Mbretërore në Tiranë. Kjo u bë në kuadër të përkujtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Presidenti i Kosovës, së bashku me ministrat e qeverisë si edhe personalitete të huaja dhe liderë nga të gjitha trevat shqiptare. Pas 73 vitesh, Mbretit Zog iu përmbush amaneti për t’u rikthyer në atdhe.
https://albanianroyalcourt.al/sq/zog-i-mbret-i-shqiptareve/

Burimi/Facebook