Me u lind për lumni

0
72

2 shtatori përkon me ditën e lindjes së dy martirëve të Kishës Katolike. Një prifti dhe një laik, një intelektual i rrallë dhe një djalë 20 vjeç, por Lazër Shantoja dhe Gjelosh Lulashi nuk kanë të përbashkët vetëm ditën e lindjes, por edhe ekzekutimin me plumbat e diktaturës, bashkë me qëndrimin e patundur deri në çastin e fundit të jetës

Në historinë e krishtërimit, martiri i parë është Shën Stefani. Në historinë e komunizmit shqiptar, konsiderohet të jetë Lazër Shantoja.

Sipas disa të dhënave, Lazër Shantoja është lindur më 2 shtator, edhe pse disa të dhëna të tjera e shënojnë 7 korrik ditën e tij të lindjes. Cilado qoftë data e saktë, kur e pushkatuan nuk kishte mbushur 54 vjeç. I kishte shërbyer kishës, por edhe letërsisë shqiptare me krijime dhe përkthime, të mohuara e të anashkaluara gjatë gjithë diktaturës.

E pushkatuan në fillim të marsit 1945, pasi e kishin saktuar në tortura, duke nisur kështu vargun e përgjakshëm të ekzekutimeve të klerikëve që do të vazhdonin po atë mars me Ndre Zadenë, prift, por njëkohësisht edhe dramaturg dhe me shumë të tjerë, që tani janë shpallur të lumë nga Kisha Katolike.

Lazër Shantoja njihej për oratorinë, gjuhët e shumta që njihte, përfshirë edhe esperanton. Ishte poet e përkthyes autorësh të mëdhenj si Gëte, Shiler etj., por edhe muzikant, siç e tregon emri romantik “famullitari i pianofortes” me të cilin e kishin pagëzuar komunitetet ku shërbente. Kishte studiuar, jetuar e predikuar në disa nga vendet më të zhvilluara të Evropës për t’u kthyer pastaj në Shqipëri, ku u ngul kryqi i tij. Simbolik.

Ai u vra në rrethinat e Tiranës dhe u hodh në një gropë, bashkë me trupin pa jetë të Sulço Bej Bushatit. Eshtrat e tij nuk janë gjetur as sot. “Pusho nën rrasë të vorrit – o e mjera vasha ime,/ Porsi një ditë e vogël, – t’nanës sate nën shikime,/ N’djep u përkundshe, e mjer’! – Pusho në ket vorr pa droje:/ Ké n’shej t’dashtnís, t’përdlimit – krygjën e Zotit n’roje…//”. Këto vargje i përkasin një prej poezive të Lazër Shantojas, “Vorri i harruem”, që simbolin e kryqit nga mbajti shikimin gjatë gjithë jetës së tij, e sheh edhe si një shenjë dashurie e qetësie, një shenjë që ai vetë nuk mundi ta ketë.

Në listën e martirëve është edhe Gjelosh Lulashi, i lindur po më 2 shtator. Ai u ekzekutua një vit pas Lazër Shantojës. Nuk kishte mbushur ende 21 vjeç. «Thoni babës të më falin se e kam trazue. Nanës të fala dhe t’m’i puthin vllaznit. Borxhet që më kanë mbete të m’i paguejnë prindërit. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rroftë Shqipënia»,-ishin fjalët e tij të fundit. Kuptohet edhe nga këto fjalë, mosha e tij e re, në kontrast ama, me maturinë e tij si patriot dhe i krishterë. Nuk habitesh se pse, megjithëse jo prift, ky djalë i ri, i formuar në shkollat katolike të Shkodrës, është shpallur martir i Kishës.

Ai u pushkatua bashkë me priftërinjtë Daniel Dajani, Xhovani Fausti, Gjon Shllaku, xhakonin Mark Çuni dhe laikun tjetër, Qerim Sadiku.

Pas shkollës së Fretërve Minorë dhe Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër, studio në Itali. I biri i bajraktarit të Shkodrës zgjodhi karrierën e ushtarakut, duke nisur punë si sekretar në Spitalin Ushtarak të Shkodrës, por duke qenë që u përfshi në organizatën antikomuniste “Bashkimi Kombëtar”, u arrestua dhe u burgos.

Aktiviteti, rrezikshmëria dhe anëtarët e kësaj organizate u ekzagjeruan me qëllim në sallën e gjyqit duke çuar në pushkatim një grup njerëzish pa faj, të cilët megjithatë i falën ata që po u merrnin jetën, duke shkuar nga kjo botë me të vetmen qetësi të mundshme, atë që shpirtin po ia dorëzonin Zotit.

Duhet edhe të kenë besuar që persekutorëve do t’u hapeshin sytë, do të pendoheshin dhe ndërgjegjet e tyre do të kërkonin faljen. Por për këtë ishin gabuar!

Burimi/Kujt.al