Mentor Kikia – Një fund pa lavdi ky i Sali Berishës

0
70

Nuk mund të shkonte me keq karriera e një politikani, 30 vjet pasi u vu në krye të partisë së parë opozitare që ka hipotekuar meritën e rrëzimit të regjimit komunist.
President dhe kryeministër, pa asnjë dyshim, Sali Berisha është aktori më aktiv në 3 dekada politikë postkomuniste.
I akuzuar dhe akuzues, i rrëzuar nga pushteti me kryengritje të armatosur dhe i rikthyer me votë të lirë, i shtyrë nga SHBA për tu ngjitur në pushtet dhe i shtyrë po nga amerikanët për tu rrëzuar, ai është pa asnjë dyshim protagonisti më kontradiktor i historisë së politikës shqiptare post komnuniste. Ai është gjithashtu udhëheqësi dhe politikani më jetëgjatë në Europën Juglidore, nder ata që lindën nga revolucionet antikomuniste.
Pas shumë presionesh nga SHBA, fortesa e tij ra. Lulzim Basha nuk mundi ta mbronte më dhe e dorëzoi. Sali Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i partisë së tij. Askush nuk do të mund ta mendonte këtë zhvillim në shtëpinë e demokratëve, ku ai kishte marrë statusin e një “Ajatollahu”, apo një “Guru”-je.
Njeriu që për vite me radhë pushtonte foltoren e parlamentit duke qene zëri më potent i opozitës, tani do të duhet të ulet në një cep, i përzënë nga shtëpia prej djemve të tij.
Nga frymëzim, ai ishte bërë barrë për partinë e tij. Paralajmërimet tij për “ti kthyer identitetin partisë, nëse ajo e përjashtonte” nuk pinë ujë. PD duhej të zgjidhte, Berishën ose përballjen me SHBA-në.
Mbetet pa përgjigje deri tani se përse Berisha nuk shkoi në shtëpi të bëjë gjyshin e mirë dhe mësuesin politik nga zyra e tij, por donte të ulej sërish në karrigen e deputetit. Ishte thjeshtë karizma që nuk i vdes, apo mandati i duhej për të mbrojtjur njerëzit e tij (familjarë) nga ndonjë akuzë e mundëshme për abuzime financiare?
Nëse është kështu, nuk është çudi që fundi pa lavdi i karrierës politike të shoqërohet me një fund edhe më të palavdishëm, në përballje me ligjin dhe drejtësinë.
Vdekjen nuk e zgjedhim, por fundin e një karriere po, mund ta zgjedhim. Berisha bëri një zgjedhje vërtet pa lavdi!

Burimi/Facebook