Mesazh për festat e fund vitit nga z.Ibrahim Morina, për diasporen !

0
346

Përshëndetje shqiptarë kudo ku jeni, dëgjues të Radio Kopenhagen!
Viti që po mbyllim, nuk ishte më i miri, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë botën.
Pandemia e tejzgjatur është shkaku kryesor i kësaj situate jo të mire globale.
Për Shqipërinë përkeqësimi i situatës, ishte i dyfishtë…, për shkak të pandemisë nga Coronavirusi, por edhe për shkak të qeverisjes së keqe.
Në një analizë të shkurtër të vitit 2020, nuk të bie ndërmend ndonjë gjë e mirë e kësaj qeverie. Përkundrazi, nuk mund të mos evidentosh dështimin e saj në integrimin e Shqipërisë në BE. Në mënyrë të përsëritur, hapja e negociatave u refuzua sërish edhe këtë vit, ku nga partnerët europianë, u vu në dukje se shkak i këtij refuzimi, është krimi dhe korrupsioni. Si të mos mjaftojnë këto, nuk mund të rri pa përmendur dështimin e reformës në drejtësi. Dëshmi më e mirë e kësaj reforme janë mosfunksionimi ende i Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese.
Si për ti vënë kapakun, mbyllja e dosjes nr. 184, e lidhur me krimin elektoral në Dibër, dëshmon se reforma në drejtësi, është vetëm fasadë.
Viti 2021, padyshim do të jetë më i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 prillit, do të na sjellin një konfigurim tjetër politik. Fitorja e sigurt e PD-së, përveç rikthimit të besimit te shqiptarët, do të sjellë edhe vazhdimësinë e integrimit të Shqipërisë në BE, të ngecur prej 7 vjetësh. Përpjekjet për plotësimin e kushteve për integrim, sigurisht që janë të lidhura edhe me luftën ndaj krimit e korrupsionit, rezultatet ndaj të cilave, si një garanci e fitores së PD-së, nuk do të mungojnë.
Me këtë rast, duke ju kujtuar se kjo qeveri po e mbyll këtë vit, në mënyrën më të keqe të mundshme, me dhunë deri edhe vrasje nga policia, ju kujtoj shqiptarëve kudo ku janë se këto veprime janë dëshmi e një pushteti në ikje.
Për shkak të kohës së kufizuar, nuk mund të rri pa përcjellë edhe një mesazh, por më tepër një urim për shqiptarët në prag të Vitit të Ri që po troket.
Gëzuar Vitin e Ri 2021! Viti i fitores së Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare.
Viti i ndryshimit të madh.
Zoti i bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen!