Metamorfoza e dështuar e Lulzim Bashës

0
97

Nga Lisandër Hoxha – 07:22, 20/09/2021
Që prej vitit 2009, Lulzim Basha shihej si dishepulli i Sali Berishës në politikë. Ai ishte i kujdesshëm të ishte gjithmonë ne krah të tij, i qeshur dhe besnik në aparencë.

Gjatë mandatit të dytë të Qeverisë Berisha, Basha mori bekimin për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës. Ishte një hap i madh, i cili do i siguronte atij, jo vetëm mbështetjen absolute të Berishës, por edhe një rol të fort në PD. Kjo pasi Basha nuk kishte lidhje me Partinë sepse nuk vinte nga rradhët e opozitarëve 1997-2005.

Gjatë fushatës elektorale të vitit 2011, u vu re një mosbesim i Bashës ndaj Partisë Demokratike. Ai nuk pranoi që shtabin e tij zgjedhor ta vendoste në zyrat e Partisë, por e zhvendosi atë në një ambient privat, vetëm 100 metra nga selia. Kjo solli shumë pakënaqësi tek drejtuesit politik, të cilët duhej të punonin për një njeri që nuk kishte besim tek kjo parti. Kjo ishte shenja e parë që shfaqte hapur urrejtjen e Lulzim Bashës ndaj njerëzve të Partisë Demokratike.

Me suportin e madh të Sali Berishës, Basha ia doli të merrte Bashkinë e Kryeqytetit dhe për rrjedhojë edhe drejtimin e Shtabit të Tiranës. Tashmë, Lulzim Basha nuk ishte vetëm një njeri me suport politik nga Sali Berisha, ai ishte edhe njeriu me pushtetin më të madh pas tij, sa i përket administrimit publik.

Ky rol do të testohej në vitin 2013, ku PD humbi në Tiranë me rreth 40 mijë vota diferencë PD-PS.

Pas humbjes së zgjedhjeve politike të 2013, Sali Berisha mbajti premtimin dhe u dorëhoq nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Une, bashkë me Z. Basha dhe nipin e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, nisemi nga zyrat e Shtabit të Tiranës, në drejtim të selisë së vjetër të PD. Në krahun tim të majtë, brenda sallës së konferencave, kisha Bashën, i ngrirë, pa asnjë reagim përballë njeriut që bëri historinë e PD dhe solli demokracinë në Shqipëri. Dorëheqja e Sali Berishës ishte një ngjarje që prodhoi jo pak emocione në atë sallë të katit të dytë, në selinë e vjetër. Kjo nuk ndodhi për njeriun që kisha në krah, i cili nuk jepte asnjë sinjal për sa po ndodhte. Të gjithë ishim mësuar tashmë me idenë se pas Berishës do të kemi Lulzim Bashën Kryetar dhe kjo u konkretizua në po atë vit.

Basha erdhi në PD dhe gjeti një Parti me struktura funksionale. Veprimi i parë i tij ishte ndërrimi i kartave të anëtarësisë, duke riprodhuar ato me emrin e tij sipër dhe duke vendosur kontroll absolut me statusin e anëtarit.

Koha kalonte dhe opozita u përball me nje Qeveri, e cila e nisi mandatin e parë me dhunë policore ndaj qytetarëve të saj. Opozita e Bashës kishte në mendje vetëm luftën e brendshme, e cila fokusohej në zëvendësimin e figurave politike me njerëz të tij. Gjatë mandatit Rama 1 u arrestuan për mosshlyerje detyrimesh për energjinë elektrike rreth 28 mijë qytetar. Lulzim Basha nuk deshi kurrë që kjo kauz madhore të shfokusonte aksionin e tij për të rrëzuar rivalët në PD.

Kjo, edhe pas takimit me George Soros në vjeshtën e 2014 në selinë e PD, ku me pas u ndalën protestat kombëtare, të cilat sa vinin dhe rriteshin.

Lulzim Basha filloi operacionin ‘të rinj dhe të vjetër’ në PD duke mbushur selinë me punonjës të Bashkisë Tiranë, të cilët, pa asnjë lidhje me demokratët, sorrollateshin në oborrin e Partisë, duke provokuar me këto terma këdo që mundeshin. Vetë Basha shpalli ripërtëritjen e PD dhe filloi të krijonte organe absurde, të tipit: Koordinator Kombëtar i PD, etj. dhe hidhte parulla si: 35% e listës me të rinj dhe të reja. U vu re edhe afrimi me grupin anti Berisha të Universitetit të Henri Çilit, nga të cilët erdhën me dhjetra njerëz si drejtues politik të Bashës. Lufta mes PD dhe Lulit u be evidente gjatë garës së FRPD të 2015. Zoti Basha projektoi një skemë me anëtarësi fiktive për të fituar një strukturë jetike për PD, siç është Forumi Rinor. I preferuari i Bashës nuk arriti të fitonte mandatin sepse shumica e demokratëve u vunë në lëvizje, duke arritur të mundin skemën e paraqitur si garë mes rinisë.

Kjo ishte beteja e parë direkte e Bashës me PD për të matur forcat dhe për të rritur pushtetin e tij personal.

Kjo vërtetohet edhe me listën e vitit 2017, ku Basha vendosi i vetëm se kush duhej të mos ishte kandidat i PD. Perveç emrave si Znj. Topalli, Z. Imami, Z. Ruli, etj., që vinin nga garda e vjetër e PD, Basha vendosi të mos kandidonte asnjërin nga Kryesia e vogël, si Z. Bozdo apo Z. Kadilli, të cilët ishin bashkëpunëtorët e tij me të afërt. As Sekretarin e Përgjithshëm, z. Ristani nuk e kandidoi si kryesues liste. Kjo, si një hakmarrje personale për betejën e humbur të vitit 2015, ku ata nuk pranuan të luftonin kundër PD. Ai nuk kandidoi as z. Kelliçi, i cili arriti të fitonte përballë të perferuarit Salianji.

Beteja e Bashës për të fituar PD kishte filluar të acaronte atë dhe i ndjerë nën presionin e demokratëve për fitore perball qeverisë më të dobët të 30 viteve, ai bëri një marrëveshje me Ramën për 6 orë në Kryesinë e Kuvendit, në 2017, duke vulosur humbjen me vetëdije.

Sali Berisha nuk e sulmoi publikisht Lulzim Bashën, duke krijuar idenë se ai vazhdon të jetë i preferuari i Doktorit dhe për pasojë edhe demokratët vendosën të ndjekin atë sërish.

Edhe pse humbi në mënyrën më të turpshme, duke marrë nga Rama gjysmën e qeverisë si garanci, Basha nuk kishte hequr dorë nga dëshira për të përvetësuar PD. Kjo, jo përmes respektit dhe militantizmit të demokratëve, por me skema makiaveliste të kapjes së vendimmarrjes.

Gjatë Kuvendit Kombëtar të Prillit 2018, u shpallën armiq politik e gjithë garda e vjetër e Sali Berishës dhe të gjithë ish drejtuesit e degëve që kishin simpati për të.

Në 2018, modeli i Bashës arriti deri në nivelet më të larta të PD, duke vendosur gara fiktive përball njerëzve personal të tij. Emërimet politike të burokratëve, si Gazment Bardhi, sigurisht që do të kishte rezultate negative, pasi baza nuk arriti kurrë te krijonte lidhje dhe të identifikohej me të. Të gjitha energjitë u fokusuan në denoncime publike, video përgjime, të cilat, përveç konsumit të përditshëm të dozës politike nga qytetarët, nuk solli rritje të pelqimit për PD. Nisur nga këto rrethana, Basha ndoqi dy strategji, të cilat i kishte planifikuar në detaje. Se pari, të mos ndryshonte asgjë në organizimin e PD, duke mbajtur si drejtues të gjithë me profil të ulët publik dhe të dukej vetëm ai si ‘Shinig Star’. Se dyti, të bënte gjithçka për të mundur Berishën dhe Berishizmin në PD, jo më duke larguar njerëzit e tij, por duke larguar atë vetë.

Kjo skemë e Bashës, duket e vështirë për t’u besuar pa ndjekur të gjithë kronologjinë e ngjarjeve që ndodhën që prej vitit 2013.

Lulzim Basha hyri në një rrugë të rrezikshme për demokracinë e vendit dhe krijoi një konflik të madh me faktorin ndërkombëtar, i cili nuk ishte parë që prej vitit 1997.

Lulzim Basha, pas një proteste në Shkurt të 2016, vendosi të nxjerrë PD nga sistemi, duke u premtuar, nën mashtrim, deputetëve dhe aleatëve se kishte mbështetje të plotë të Kancelares Merkel dhe administratës Amerikane.

Ky veprim i Bashës, jo vetëm që nuk ishte i rakorduar me ta, por i kushtoi shumë shtrenjtë vendit duke i dhënë Ramës mazhorancë kushtetuese në tepsi. Sot, pas kësaj ngjarje, e kuptojmë se Basha kishte vetem hall imazhin e tij, i cili shihej si tradhëtar dhe i shitur nga të gjithë votuesit e djathtë. Ai kuotohej me rreth 19% pikë pëlqyeshmërie ndër të djathtët, ndërkohë që PD ishte shumë më lartë. Ai ishte këshilluar të ndërmerrte akte të forta revolucionare për të rritur besimin e të tjerëve tek lidershipi i tij. Pasojat e lënies së madateve i keqësuan marrëdheniet me SHBA dhe BE duke e vënë Bashën përball tyre si një njeri pa të ardhme. Ky ishte momenti ideal që ai priste. E shiti gjithë këtë histori si një kërkesë e Sali Berishës, i cili kishte në dorë akoma shumë vendime në PD.

Paraqitja e vetes si viktimë e tij dhe apeli i vazhdueshëm për ndihmë, bëri që SHBA ta merrte në konsideratë këtë kërkesë.

Ai duhej shpëtuar nga Berisha, i cili shpeshherë denonconte edhe afera brenda sistemit të ri të drejtësisë, për të cilat amerikanët nuk kishin shumë dëshirë t’i degjonin. Ndodhur në këto kushte, armiku i ri i stabilitetit politik dhe institucioneve demokratike do të identifikohej Sali Berisha, edhe pse nuk kishte asnjë rol në vendimmarrje.

Kjo ndodhi edhe me ndihmën e Edi Ramës, i cili përsëriste apelin për të shpëtuar artistin Lul nga Sali Berisha.

Shoqatat e kontrolluara nga Soros, Fico, Fuga, Veliaj, etj., nisën një mal me raporte kundër Sali Berishës, në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Tashmë ai ishte armiku i vetëm i stabilitetit politik të vendit, i treguar me gisht nga të dyja palët PD-PS.

Me këtë veprim Basha mendonte se do siguronte 100% kontrollin mbi PD, si e vetmja shpresë për demokratët.

Basha imagjinonte se përmes shpalljes si armik të SHBA-ve, të Berishës, do të mund të paralizonte Berishizmin në PD. Kjo do ishte mëse i mjaftueshëm si argument për të mos u komentuar ky veprim nga askush.

Plani i tij, për të fituar PD dhe jo zgjedhjet, po afrohej drejt konkretizimit, kur me 19 Maj të 2021, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi vendimin e Sekretarit Blinken.

Që prej asaj dite dhe deri më datën 9 Shtator, Lulzim Basha ishte në garë me kohën për të fituar kontroll absolut të vendimmarrjes së PD. Ai nuk kishte kohë për analiza humbjesh, por menjëherë zhvilloi një garë fallco dhe direkt mblodhi Kuvendin Kombëtar ku kandidoi për Keshill vetëm me besnikët e tij. Edhe gara për Kryesinë ishte një ngjarje e çuditshme për demokratët. Shumica e anetarëve të saj u zgjodhën pa garë dhe pa rival. Njerëz anti Berishist, si: Jonila Godole, Flutura Açka, Agron Gjekmarkaj, etj., u shfaqën në intervistat e para që pas marrjes së detyrës, të pozicionuar qartë kundër Sali Berishës në grupin Parlamentar të PD. Basha zgjodhi heshtjen si armën e tij më të fortë, deri në limitet e kohës. Një strategji e vendosjes para faktit të kryer, të cilën e kishte përdorur edhe herë të tjera.

Kështu, Basha mendonte se më në fund ëndrra e tij për kontroll absolut të PD po realizohej dhe se askush nuk e pengonte dot më. I gjendur pa rival në parti, ai tashmë priste vetëm largimin e Berishës dhe kështu mendonte se do të trashëgonte një parti pa lodhje.

Vendimi antistatutor i tij dhe reagimi i fortë i Sali Berishës bëri që Luli tte rishikonte pozitat pas ngjarjes.

Sot, i gjendur përballë disafatës, ai po fshihet pas flamurit të aleatit tonë strategjik, duke hedhur në treg pro tij të gjithë mendimtarët e Çilit, aleatët e Republikës së Re të 2017, bashkë me analistët e Edi Ramës.

Kjo luftë e re politike nuk është mes SHBA dhe PD, por është mes Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe të gjithë demokratëve.

Basha ngre teza të tipit ‘Me Amerikën, apo me Sali Berishën?!’

Këto janë vetëm pretekste pa ngjyra ndaj aktit të tij prej makiavelisti politik.

Partia Demokratike nuk është peng i Berishës, por është peng i egos së sëmurë e Lulzim Bashës. Të gjitha sakrificat e demokratëve për 8 vite kanë qeneë vetëm për të kthyer krimbin nze flutur. Metamorfoza e një majmuni që nuk u bë dot kurrë njeri.

Këtë e kanë kuptuar demokratët, të cilët çdo ditë kërkojnë rimarrjen e Partisë Demokratike. Sali Berisha sot, përmes staturës së tij politike, po bën një akt të jashtëzakonshëm demokratik në shërbim të vendit dhe fitores së ardhshme të PD.

Vetëm përmes folëtores dhe debatit të brendshëm politik ne do ia dalim të rifitojmë besimin e humbur të bazës së demokratëve nga lideri i thyer Basha.

Këtë ëndërr metamorfoze të deshtuar po e paguajmë me 12 vite opozitë.

Sot duhet të jemi të gjithë pro amerikan dhe me Sali Berishën, për të risjellë demokracinë brenda PD.

Vetëm me nje opozitë demokratike do të kemi në krah shumicën e shqiptarëve kundër regjimit të Edi Ramës.

Demokratët janë sot të bindur se, pas çdo alibie të Bashës fshihet nevoja e krimbit qe nuk u be dot kurrë një flutur politike.

Burimi/SYRI.net