Miho Gjini – ARTISTË E DHËNDURË ARTISTË…

0
26

Përse të mos krenohemi edhe për këtë gjë: që kemi edhe ne artistët tanë, të mëdhenjë e të vegjël, të lindur në këtë fshat, apo të ardhur si nuse e dhëndurë, të cilët e kanë lezetuar e hijeshuar Piqerasin. Ca me këngët e vallet e ca të tjerë me aktrimet në skenën e vogël të estradës në sheshin e “Shën Thanasit”.Xheç kemi thënë për ta, po ja që artistët nuk mbarojnë asnjëherë, me shkollë e pa shkollë, këtu e atje, ndër skena të tjera. Se jemi nga ky çikë fshat që e ka parë herët botën dhe , së toku me kulturën e jetesës, është dashuruar edhe me të bukurën. Disa nga bijat e këtij fshati , si Raimonda Çeçi (Reçi) ka mbaruar Akademinë e Arteve për violinë, ndërsa Vitoria LLaçi për violinçel, Aleks Llazari e Kiço Veçi, me talentin e tyre në aktrim, janë ngjitur deri në skenën profesioniste të Teatrit e të Estradës së Durrësit. Jo thjeshtë si figurantë, po edhe ndër role episodike. Disa prej roleve të tij i kam parë edhe në skenën e Estradës, tek ai lozte natyrshëm e pa asnjë tepërim e grimasa,bile me njëfarë elegance të admirueshme. Sa qe gjallë Kryekomiku Nikolin Xhoja, Alekua përfitonte edhe nga shoqëria e tij dhe, kur unë promovova në Teatrin “Aleksander Moisiu” monografinë e artistit në fjalë, Lekua errdhi aty i pikëlluar e foli, duke rrëfyer edhe ndonjë episodë të veçantë nga turnet që bënin fshatrave të Durrësit, së toku edhe me të ndjerin…Po ashtu, Niko Nino, me talentin e tij regjisorial mbajti gjallë ndër vite edhe estradën amatore të fshatit, ndërsa Filip Prifti u ngjitë të këndojë edhe në skenën e Estradës Profesioniste të Sarandës. Nipi Piqerasiot Valter Lazëri (i biri i Katinës e Qesare) , ishte njeri nga aktorët më të mire të Teatrit të Kukllave të Sarandës. Po ashtu, edhe një pinjoll tjetër nga Qesarajt: Arjani, i cili mësoi të interpretoj me kitarën e tij e të imitoj edhe Elvis Prejsin. Një eveniment artistik ka shënuar edhe i biri i Niko Ninos, Spiro Nino, si producent e regjisor videokliptesh të realizuara shumë bukur, me këngëtarë të njohur e me talent, ku është i pranishëm edhe imazhi shprehës i artit të mirëfillt. Kjo “panoramë” artistike u pasurua, kur në fshatin tone, shkelën këmbët e tre artistëve, nga më të mirët e kombit, nusja e Thoma Ninit Vitore Nino, njera prej themelueseve të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, si edhe bashkëshorti i Amalisë e LLaçe, mbesës së Heroit, Artisti i Merituar Spiro Strati, si edhe dhëndëri i Margës së Vranare, Kompozitori Aleksandër Lalo, që u pasua me dhëndërin e Katinës së Nake , kinooperatorin Stefan Gajo. Një fshat i bukur , që edhe vajzat i ka të bukura, s’kishte si mos të tërhiqte këtu edhe artistë me vlere Kombëtare, si këta të mësipërmit , për të cilët duhen thënë edhe pesë fjalë më shumë….Pasi jemi shprehur edhe përnjë artist famoz ,me origjinë piqerasiote, për Olen Qesarin, volinistin e cilësuar gjer në superlativ, si “Gjigand i Muzikës” nga kritika e huaj muzikore!Gjatë këtyre tre ekadave të mia në Greqi (Athinë) kam dëgjuar të flitet edhe per atin e Olenit, Fane Qesarin, me prirjen e një aktori të vërtetë, që gjatë viteve të luftës, e dergoi familjen në fshat e vetë emigroi në Amerikë, në rrethinat e Hollivudit, tok me ëndërrimet e tij për aktrimin.Si edhe për një piktor me origjinë nga Piqerasi, me emrrin Vangjel Vranai, i cili ishte i punësuar në një shoqëri tregëtare greke, i cili kishte si profesion ekonominë dhe si pasion amatoresk pikturën, duke realizuar kështu edhe disa vepra të shitura prej tij e të mbetura më pas në “mëshirn e fatit”!
VITORE NINO
Edhe pasi kisha parë në skenë e në ekran shumë role të saj,vetëm kur qarkulloi filmi gazmor me skenar të mikut tim nga Fterra Sheri Mita, do të mësoja se Vitoria ishte martuar me një oficer “nga ana jonë”, pra nga Piqerasi. Dhe ky do të ishte një kushëri imi i largët, nga të parët që mbaroi shkollën e lartë të oficerëve dhe u emërua në Shkodër e do të kurorëzohej me këtë artiste, që gjer atëhere kishte punuar si mësuese e gjuhës shqipe në Kosovë e në Tiranë, pas mbarimit të Institutit Pedagogjik. Me origjinë nga Shkodra, e lindur aty në vitin1924 dhe me mbiemrin e vajzërisë Ujka. Tashmë është e vështirë që të qartësohen rrethanat e njohjes e të bashkimit të saj me Piqerasiotin Thoma Nini, por hamëndësojmë se duhet ta ketë njohur kur ajo shkëlqeu si vajzë e talentuar në skenën e Teatrit “Migjeni” , kur interpretoi një rol në pjesën “Portreti” me regjisor Andrea Skanjetin dhe që pastaj u mbajt aty, për të themeluar edhe Teatrii Profesionist të këtij qyteti të kulturuar e artdashës, ku ajo do të ishte njera prej artisteve me repertorin më të rëndësishm, me 10 role kryesore në Teatër dhe me 20 role në kinematogafi.
Duke ushtruar specializimin tim edhe si Kritikë i Teatri, po edhe si Inspektor i Përgjithshëm i Teatrove dhe Estradave të Repubblikës (1966-1978), kam ndjekur shumë role të saj në skenë e në ekran dhe kam shkruar për disa nga rolet e saj më të spikatura, sikundër qe Lokja në dramen e Kolë Jakovës “Toka e Jonë”, Sossia në dramën e Fadil Krajës “Fisheku në Pajë”, Loken e dramës së Loni Papës “Cuca e Maleve” dhe sidomos Nënë Bjeshkën në dramën “Baca i Gjetajve”. I impresionuar nga forca burrërore e ketyre grave stoike të malësisë së veriut, si karaktere të paepura, do të befasohesha mandejë kur e pashë atë edhe në një rol të kundërt, sikundër qe personazhi i saj në komedinë “Këshilli i Ndrikullaave” të Sheri Mitës, ku ajo qe e barabartë edhe me Tinka Kurtin e Antoneta Fishtën, po kaq e skalitur si karakter i komedisë te Halla,në komedinë “Çifti i Lumtur”, ku ajo interpreton krahas Nikolin Xhojës, Bep Shirokës e Niko Kanxherit. Do ta quaja një vlerë të madhe këtë transplantim të figurës dramatike, me nuanca tragjizmi në një figurë tërësisht gazmore, të komedisë satiro-humoristike. Duhet që të pranojme kështu se Piqerasioti Thom Nini ka qënë një njeri i emancipuar, bile edhe fort i duruar me artisten shkodrane, Artisten e Merituar, nusen piqerasiote, e cila ja kushtoi jetën artit , për kohë të tera…
SPIRO STRATI
Ishte njeri nga aktorët më të përshtatshëm të Estradave Shqiptarre, njëherësh edhe miku im, bashkëshorti i Mjekes Amalia Llaçi, vajzës së motrës së vetme të Vasilit, Eftiqisë e LLaçe, që më shoqërnte sa herë veja në Durrës edhe tek e ëma e Heroit, e cila ende mbahej gjallë , e përthyer nga trupi e më thoshte :”Errdhe Jeto?!”, sikundër thonin që të gjitha nënat zemërvrara të Piqerasit!Edhe dhëndër përsëmbari ky aktor-tip që krijoi karakterin e mëvetshëm të bredharakut Kiu-Fiu, që dinte të bënte humor të natyrshëm me serjozitetin e tij, i lirshëm kurdoherë dhe i aftë , në atë përshtatje organike, me skeçin, monologun, parodinë, me komedinë dhe operetën gazmore. Për të cilin shkrova një portret krijues që në vitin 1971, për ta përfshirë në librin tim “ESTRADA”, së toku me Aishe Starin që ai e kishte njerën nga partneret më të këndëshme e më të sigurta, Sikundër qe edhe me Nikolin Xhojën, Fadil Hasën, Muharem Hoxhën, Enver Likmetën, Ramazan Njalën etj, po edhe per Artistin e Popullit, regjisorin Gjergj Vlashi, i cili e “superngarkonte” Spiro Stratin me “trarët” që mbanin spektaklet e tij , me plotë variacione e ngjyra. I paharuar edhe për mua, si shkrova për të komedin një aktëshe “Dhëmballa e Kalbur” dhe që ai i bëri një interpretim brilant personazhit të Stathi Gozhdës, të cilit në vënd që t’i hiqnin “dhëmballën e kalbur” i prenë “gjuhën e gjatë”, me të cilën merrte nëpër gojë gjithë sa shihte udhëve të jetës…
Spiro Strati, aktori i mrekullueshm i roleve të karakterit, nuk kishte shkollë aktrimi. Po ai erdhi direkt nga jeta në skenën profesioniste. Fillimisht, ai ra në sy, tek lozte me aq vërtetësi e humor në Estradën e Ndërmarjes së Peshkimit të Durrësit, ku punonte si tornitor, duke tërhequr vëmëndjen e regjisorit Gjergj Vlashi, si krijues tipash që në shfaqjen e parë të tij. Për të fshatari nuk qe më leshko po një tip i zgjuar, gjithashtu edhe punëtori, jo në tipin e pllakateve, me figura muskuloze, por njerëz me thjeshtësinë e shkathtësinë e tyre. Edhe në komedinë e Çajupit “Pas Vdekjes” ai krijoi një Adhamudh të besueshm, si gjithë ata tipa të fantaksur që duan të dine që në gjallje se çdo të flasi njerëzia pas vdekjes së tyre. Ndërsa në një tjetër komedi ai na dha tipin e Miço Sevdalliut që “dashurohet” me çdo femër që i del përpara, tepër i këndshëm e me një vërtetësi të jashtëzakonëshme. Po edhe me një vokal prej këngëtari në të dy operetat që realizoi në skenë, miku i tij i rrallë, regjisori Gjergj Vlashi. Për ta merituar titullin që i është dhënë si Artist i Merituar.
ALEKSANDËR LALO
Një dhëndër me tipare të jashtzakonëshme, si kompozitor e si njeri, që u dashurua marëzisht me Margën e Koço Vranait e të Gones,-Yllit të Piqerasit për nga bukuria e një gruaje, që ndriste në fuajen e Postës Qëndrore të Tiranës, ku punonte dikur e që kushdo që hynte aty për të telefonuar në vitet e diktaturës, e mbante syin e mëndjen, kthyer nga ajo! Ky artist i rrallë që dinte të bënte muzikë e këngë të mrekullushme , për të gjitha moshat, kishte lindur në Tiranë në muajin prill të vitiit 1949, me origjinë familjare nga Leskoviku i largët, u dërgua nga burokratët e administratës së atëhershme, të mësonte për tokën, bimët e për lopët në Institutin e Lartë Bujqësor, edhe pse e dinin se ai lozte me fisarmonikë melodi rinore, për ta braktisur atë më pastaja, gjersa e “gjeti shpirtin” e të arthmen në Institutin e Lartë të Arteve e që do ta përfundonte shkëlqyeshm në vitin 1973, për ta çuar sa më largë, këtë “tip me flokë të gjata”, gjer në Kukësin e Vjetër, që do të përmbytej pas vajtjes së tij atje, si Dirigjent i Estradës së atjeshme. Mirëpo, sikundër thonë që: “çdo e keqe e ka të mirën mbrapa!”, ai do të gjente aty shoqen e jetës, mjeken dentiste, Margën e Vranare, që ai do ta dashuronte çmëndurisht dhe që, Zehrudin Dokle , regjisori i estradës së atjeshme, do të “sakrifikonte” një dhëmballë të shëndoshë , për ta shkulur, për t’i krijuar mundësin e kohën e duhur që Sandri t’i “godiste telat e shpirtit” me vajzën Piqerasiote, e cila do të bëhej më pas një bashkëshorte ideale dhe që, sikundër e thotë bukur miku i tij Mevlan Shanaj, mbeti “një burr i përkushtuar në shërbim të Margës gjithë jetën e vet”! Jo vetëm që do të kompozonte me frymëzim edhe këngë për të, po edhe do të përkushtohej që ta ndihmonte atë, si nikoqir i rrallë, do t’i pastronte asaj klinikën me kujdes , ndërsa në shtëpi do të gatuante gjellët më të shijshme. Si një Master Shef i shkëlqyer! Dhe ky njeri i jashtzakonshëm do të dukej në Piqeras çdo behar e do të ngrinte edhe një shtëpi karshi detit, mbi ca shkëmbinjë të fshatit tënë, ku unë do ta gjeja Lalon po aty , në atë rëmujë të bukur të ngritjes së “folesë bashkëshortore” , do të pija një kafe me të, ndërkohe që tenxherja e gjellës valonte…Nuk kisha parë e njohur asnjë artistë të tillë, krejt të veçantë, që ta respektonte kaq shumë gruan e tij dhe që, më pastaj të kompozonte këngët më të bukura ndër festivale, ku gjithmonë do t’i jepnin mjeshtrit vetëm çmime të dyta(?!), si edhe të krijonte një muzikë me melodi të rralla në 22 filma artistikë. Muzikë që shprehte “botën filmike” , po edhe gjëndjen shpirtërore të publikut , duke e emocionuar atë e duke e bërë pjestarë të ngjarjeve e të personazheve…
“Po, me Margën,-thotë regjisori Dokle, ata plotësonin njeri tjetrin. Ishin si një duet i mrekullueshm, sejcili në mënyrën dhe pasurinë shpirtërore që dispononin si njerëz të dashuruar”,-duke shtuar se, edhe Bashkëshortja e tij Kleopatra Skarco, që u ngjitë nga Narta në skenën e Estradës Profesioniste të Vlorës, me këngët popullore, aq shumë të ngrohta e melodjoze, do të ishte mirënjohtëse ndaj këtij kompozitori që krijoi për të një cikël këngësh me motive të veriut, me sukses të plotë në vokalin e saj të natyrës jugore, me këngët erëndjellëse të limonave e portokalleve. “I papërtuar Lalua, në shërbim të muzikës dhe të Margës,-thotë Mevlani…Vite më vonë,-shton ai,-rastisi të punonim së bashku në filmin “Të shohë në sy”,-një ndër arritjet e Lalos pas “Dimrit të fundit”. Lalo, me shpirtin e një liriku të klasit të parë,-kishte krijuar portretin e artistit të çliruar, që nga flokët, me ndonjë konjak të përhershëm si kënaqësi dhe si kompozitor i formacioneve rinore. Di të them se Lalo ishte nje artist i lindur, me një botë shpirtërore qiellore! Mik i së bukurës, i melodisë së shpirtit…”. “Dhe një njeri i thjeshtë,-shton Dokle.Njeri social. Në Kukësin e vjetër jetonte e kompozonte vetëm në një dhomë… I pazëshëm. Dhe me shumë humor. Po edhe i prerë me medioakritetin, inkopetencën e madhështinë e rreme të drejtuesve të djshëm e të sotshëm që nuk mundej t’i duronte e ua “plaste fytyrës” dackën që ata meritonin”…”Sandrin e kam pasur kompozitorin e dy filmave të mia, përfundon regjisori Saimir Kumbaro,-Qe njeri i mrekullueshm. Vdiq i varfër, po me me një shpirt shumë të pasur dhe të bukur!”
STEFAN GAJO
Si në një “Kyç vapori” mbi det, përreth një tavoline rrethore, jemi ulur tre vetë, karshi kineastit STEFAN GAJO, që shumë kush e dallon me emrin e shkurtuar NAÇI. Na ka thirrur për një kafe, po vetëm kur do të uleshim aty, qe diçka shumë më tepër:një tryezë e mbushur me gjithë të mirat, meze pikante për raki , vere e uzo greke 12. Do të zgjidhnim uzon , kur edhe qelqurinat shkonin për të, po edhe pagaqet (në kovën e vogël me copra akulli), mezet e ujdisura me merak, po edhe hapësira e detit , gjer në ishujt e Korfuzit, në një det llamburitës që kufizohej me Porto Palermon. Na dukej se kishte një “hile”, në këtë ftesë, ndofta, edhe ngaqë e kishim ftuar Naçin të ulej me ne në “Bar Bufe Piqerasi”, a në ato lokalet e inprovizuara prej kashte të Bunecit, ndërkohë që asnjëherë ai nuk ulej ma ne, në njëfarë ngutje të vazhdueshme, i përpiktë kurdoherë me vetveten, po dhe me bahkëshorten Katina Nako (Gajo) qe e ngarkonte me punët e shtëpisë, dhëndrin piqerasiot. Realisht, ne jemi mburrur me këtë dhëndër, për të cilin të gjithë punonjësit e televizionit e artistët e filmit shqiptar flisnin me veneracion, ashtu sikundër flisnin edhe për dhëndrin tjetër, kompozitorin Aleksandër Lalo, bashkëshortin e Margës së Vranare, që na iku para pak vitesh nga sytë e nga jeta, duke na lënë një boshllëk në shpirt kudo e ngado ku i shkelte këmba e ku i dëgjoheshin këngët e kompozimet e tij te mrekullueshme….
Që të tre ne piqerasiotët e moshur:Vasil Gjivogli, autor i 10 librava me fabula e i “Thsarit” të bëmave të fshatit, Niko Nino, regjisori i estradës së dikurshme të fshatit dhe tani Kryeplaku yne i zgjedhur në të dyja legjislaturat e fundit, si edhe unë ” binadali” i vuajtjeve e i disa librave memorialistikë, letrarë e artistikë , si edhe i shkrimeve kritike, e kemi rrethuar me shumë dashuri Artistin e Merituar e Mjeshtrin e Madh Stefan Gajo,-njeriun më të thjeshtë e më të dashur të TVSH-së, si edhe të piqerasiotëve, që e njohin edhe ata me emrin Naçi dhe e kanë bile si fshatarin e tyre, ashtu sukundër quanin e dhe të ndjerin Aleksandër Lalo……
Ngadalë-ngadalë do të perëndonte dielli mbi det, diku pas ishujve të ngushticës së Korfuzit e gjuha e shkretë do të na vejë përsëri tek prona, e ndarë dhe e pandarë mirë, që ka tri dekada e s’vete dot akoma tek i Zoti, bile as te “çertifikatmbajtësit” (?!),tek shohim ngrehinën e Neço Konomit, gati për t’u rënuar, sherret e lindura për pronat tona të “varfëruara” e aq të pasura me agrume e ullinj që plaçkiten dimrave, kontradiktat e konfliktet pambarim, që zbresin gjer në familjet e vëllezëritë, po edhe për krijimet tona nepër vite…Mrekullohemi tek mësojmë nga Katina se bashkëshorti i saj e ka ngritur vet këtë “anije përmbi ullinj”,me xhamat anësore, shkallaret e parmakët e aluminit, me durimin e përvojën e një artisti duarartë. Po, do të ngazëllehemi kur Naçi reciton një poezi satirike të Fabulistit, si edhe kur rrëfen mbresat e tij, pas leximit të librit tim më të ri, me tregjime e rrëfime të zgjedhura “Një Natë e Ndyrë”. Dhe mua do më kujtohej një skenar për film dokumentar që e pata shkruar 10 vite e ca më parë, për Piqerasin, të cilin gati e pata harruar dhe nuk e dija pse e mbanin akoma nëpër sirtaret e atjeshme TVSH-ja, pa dhënë asnjë përgjigje, kur fshati ynë qe shtrire edhe në dy shtete të tjera, në Itali e në Greqi, duke përbërë kështu një event të jashëzakonshëm të identitetit etnik, kur shembëlltyra të tilla kërkoheshin me ngulm e “me qiri”, në errësirën e shekujve! Ndërkohe që vetë Naçi,-pa i thënë kush,- kishte xhiruar edhe vetë kushedi se sa akte, për fshatin tashmë të tij,Piqerasin a Artë , me një perlë-plazh të virgjër, që mbeti i”virgjër akoma”, ashu si Perëndia e tha dhe e bëri!
E do të kujtonim se si kamera e tjj kishte fiksuar me aq finesë, filmat ” I treti” që në vitin 1978, e me radhë: filmat “Goditja”, “Një telegram, një këngë”, “Çanta e zetë” , “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, si edhe një sërë fimash dokumentarë për: Tefta Tashko Koçon, Lasgush Poradecin, Marije Krajën, Vangjush Furxhiun , Guri Madhin, pa përmendur fiksimet në ekran të disa teledramave, midis të cilave “Zekthin” e me radhë.
Po ky artist i talentuar e i heshtur, që i urren lëvdatat e përgojimet për kolegët, sido qe të ishin ata,nuk fliste kurrë për veten, për krijimet e tij aq shumë dinjitoze, veç do t’i pëlqente të fliste per udhëtimet e tij , per çastet e punës krijuese në rrethana shumë të vështira , si edhe per teknikën e praktikën primitive të fillimit. Ai nuk pajtohej asnjëhëre edhe me dobësitë, amatoriizmin e praktikat spontane e të pa menduara mirë. Ish nxënësi im , regjisori e aktori Mevlan Shanaj , që e do aq shumë Naçin e mirë, e kishte fiksuar në ekran, shumë dokumentarë me të, më thoshte se Gajo përfaqësonte kamerën më profesionale te televizionit. Ndërsa Ermal Mulosmnai do ta quante Naçin si:”Simbolin e Televizionit Shqiptar, që vrapone me kamera në krahë në majë të malit, në zgrip të rënies, në zheg apo në të ftohtë”…I pasionuar si gjithmonë, me energjinë e një talenti të lindur, të forcuar e zvilluar më tej, prej instikteve vetiake, imazheve filmike të përvetësuara mrekullisht, kur shijet estetike vizive bëhen burimore, origjinale e bashkëkohëse. Pa bërë shkollë të lartë arti, në vendet e lindjes e të perëndimit. Dëshmi e shkëlqyer se artistin e bën puna e tij këmbëngulëse, e harmonizuar me talentin e tij, si edhe me atë “pikë të artë” që marrin përsosjet e artit modern….
Ne të tre do të harroheshim në bisedat tona të fundme, duke bërë “fajin” e largimit nga vëmëndja të zonjës së shtëpise, që kujdesej për ne,duke na sevirur pa rreshtur e të na mbushte gotat , kur gjysmerrësira e kishte bërë punën e vet , gjersa ta ngrinim dollinë edhe për këtë bashkudhëtare të Stefan Gajos që përcillte afro gjysmë shekulli bashkëjetesë me artistin e madh, tashmë edhe bashkëfshatarin tonë të dashur, dhëndër “për kokë të dhëndrit”, me të cilin kaluam edhe këtë mbrëmje të mrekullueshme, edhe pse ajo pati njëfarë “hileje njerëzore”, duke fshehur kështu ditëlindjen e tij të 12 shtatorit! Po ç’t’i thuash e si mund ta ” ndëshkosh” Naçin , këtë njeri e artist të mrekullueshëm?!….
Prezantuam kështu disa artistë e dhëndurë-artistë nga Piqerasi, sikundër bëmë në librin e parë “PIQERASIOTËT” me Mjeshtrin e Artit të Punimeve në Dru, po nga fshati ynë, Misto Qendrothanasin, i cili realizoi artistikisht të gjitha anijet, e vogëla e të mëdhe, që ka përdorur Limani i Bunecit, që në zanafillën e jetës së vet, gjeri tek Gjeniu i Violinës Olen Qesari, për të cilën ofruam disa ditë më parë edhe portretin e tij lavdimadh!
Athinë, më 28 maj 2022

Burimi/Facebook/Autori