Miho Gjini – GËZUAR DITËLINDJEN NIKO KANXHERI !

0
118

Si sot, më 17 shkurt 1947 lindi në Tiranë artisti Niko Kanxheri. Prindërit e tij me origjinë korçare, ishin vendosur aty, falë specialitetit që kishte i ati për antenat e “Radio Tiranës”, ku edhe punonte si teknik incizimi. Në vitin 1950 u transferua në Korçë me punë, në “Radio Korça”. Aty, në qytetin e vet, Niko Kanxheri, do të kalonte fëmijërinë e moshën e adoleshencës. Qe një fëmijë i mbarë, i sjellshëm e modest, nga njëra anë dhe disi i prapë, si të themi, kur i ndizeshin dëshirat fëminore, kërshëria e moshës për të panjohurën, etja për të parë sa më shumë filma në kinemanë “Majestik” të Korçës, ku për fatin e tij të mirë, një mik i të atit e fuste Nikollaqin pa biletë, aq sa t’i tekej e t’i pëlqente atij, deri në 20 herë, duke parë filmin indian “Vagabondi”, me atë lojë të këndshme të Raxh Kapurit. Dashur, padashur, i hyri pasioni për të bukurën, për kinemanë që ofronte kështu magjira të tilla marramendëse! Dhe, kur ishte duke vazhduar gjimnazin, një regjisor nga Tirana, kishte hyrë në klasën e tij dhe midis rinjëve të tjerë kishte zgjedhur edhe Niko Kanxherin si figurant për xhirimet e filmit “Vitet e para”, që zhvilloheshin në Maliq dhe kjo do të mjaftonte që aktorit të filmit “Vitet e Para”, sikundër kishin filluar ta quanin, t’i hapej udha pikërisht për në Shkollën e Lartë të Aktrimit.
Studenti i heshtur
Me hapin e ndrojtur të një djaloshi imcak, të zeshkët, u afrua në tryezën e komisionit të pranimeve për shkollën e aktorëve, Niko Kanxheri, duke na habitur të gjithëve sa ishim aty! Regjisorët Mihal Luarasi, Drita Agolli dhe mua, që përfaqësoja aty pedagogun e jashtëm dhe të dërguarin e Ministrisë së Arsimit e të Kulturës. Na u duk i trembur shumë, i kontraktuar dhe Drita u mundua që të bëjë me të ndonjë shaka, për ta çliruar prej kontraksioneve, duke e vënë që të rrëfejë se prej nga vinte e çfarë kërkonte që të bëhej. Kishte ama dy sy të ndritshëm e të thelluar, një ekspresion interesant të fytyrës, që përcillnin emocionin e tij të brendshëm drithërues. Dhe tha menjëherë se kishte përgatitur vetëm një poezi të Dritëro Agollit që titullohej: “Kjo grua bie erë çokollatë.” E befas, kapi sytë e Dritës dhe nisi të recitojë ngadalë e me një ton të butë erotik vargjet: “Kjo grua që binte erë çokollate, me mua bënte dashuri”, dhe vazhdoi me vargjet e tjera, që tërhoqën vëmendjen tonë për një dozë intimiteti, derisa arriti në vargun “jeton e lumtur me burrin flokërënë”, që e tha trishtueshëm dhe pastaj ngeci, duke më vështruar mua, që po mendoja se, me të vërtetë harroi që të vazhdonte vargjet e fundit, po ai e kapërceu këtë me një pauzë dëshpëruese, për të thënë vargjet e fundit, të cilat, i shprehu krejt spontanisht, thjeshtë e me një ndjesi evazive emocionale. Menjëherë reagoi Luarasi i cili tha: “Ore korçar, bravo!”, dhe me këtë e hodhi “drojën tej”, se e kishim pranuar automatikisht…
Në Radio-Televizion
Emërimin e parë, Niko Kanxheri do ta kishte në Radio Televizinin Shqiptar, ku do të punonte që nga viti 1969 e deri në vitin 1978, fillimisht për realizimin e regjistrimeve në emisionin e trashëguar “Teatri në Mikrofon”, që në atë kohë ndiqej me ëndje nga një masë e madhe dëgjuesish dhe më vonë, me vënien në funksionim të televizionit, nëpër realizimet e filmave dokumentarë televizivë dhe, për një mori emisionesh e intervistash që kërkoheshin për mbushjen e kohës televizive, që asnjëherë nuk ka “të ngopur!”. Ka qenë një periudhë 18-vjeçare që ky djalë kryente në heshtje një punë rraskapitëse, të cilën, as e donte e as e kundërshtonte dot, – me edukatën shembullore të një njeriu korrekt e pa asnjë fjalë!
Kur vajti për të xhiruar një episod jete të këngëtares Vaçe Zela dhe i tha që të fliste lirshëm për jetën e saj, si u bë artiste kaq e njohur në gjithë vendin, ajo i tha: “Oh, jo! Nuk mundem!… Aman, çfarë thoni kështu?! Të flas për veten time?! Po, a ka më turp për njeriun që të flasë për veten e vet?!”. U vu kështu në një pozicion shumë të vështirë, sepse, për herë të parë po takonte një njeri, aq më tepër një artiste, që kishte të njëjtin karakter me të, që përtonin edhe të flisnin, aq më tepër për veten e tyre, që nuk mburreshin kurrë e nuk e kishin për zakon të “rrihnin gjoksin” e të rrëfenin se ç’kishin bërë e ç’kishin arritur. Nga ana tjetër, këtë punonjës-artist, që nuk dinte as të ankohej e nuk e ngrinte kurrë zërin për të kërkuar, të paktën një shtëpi, ku të fuste kokën e mandej edhe të martohej, po e lodhnin ngaherë e më tepër shërbimet nëpër rrethe, me aparate në krahë, dhe me trastën e bukës në dorë, ngado që vente, qyteteve e fshatrave, ngado që kishte ngjarje, spektakle e njerëz të dalluar të pararojës socialiste! Kështu që, bëri ç’bëri privatisht, por në heshtje, gjurmoi një skenar të Vullnet Musarait dhe realizoi filmin e parë televiziv të tij, me titullin “Goditja”. E megjithatë, meqenëse as nuk mburrej e as ankohej kurrë, “i ziu Niko”, nuk duroi dot më dhe “e prishi qetësinë” e vet, rregullin e etiketën e “njeriut të mirë” dhe hyri pa trokitur e pa marrë leje aty ku mblidheshin komunistët e Radio-Televizionit me organizatën e tyre dhe shpërtheu me këto fjalë, që i dolën nga thellësia e shpirtit: “As më thoni, ju lutem, kur do t’i jepni shtëpi Niko Kanxherit?! Vajta 20 vjet që po rropatem këtu, udhëve, pa strehë, pa grua e fëmijë! Ç’keni menduar për këtë njeri, që t’i jepni shtëpi pas vdekjes?!”. Më në fund kishte folur për veten një artist i përkorë e i talentuar, që nuk i reklamonte as ato filma televizivë që i kishte realizuar me merak, sikundër ishin: “Goditja” (1980), “Alo, Tekniku!” (1982) dhe “Viktimat e Tivarit” (1996).
Aktrimi në skenë
Aktivizimi i Niko Kanxherit në skenën e teatrit do të ndodhte sa herë kërkohej prania e tij si tip, si figurë e përafërt me personazhin, si në skenën e Institutit të Lartë të Arteve, ashtu edhe në skenën e Teatrit Popullor. Nuk janë më shumë se 8 shfaqje, ku ai do të merrte pjesë me një seriozitet e përkushtim të veçantë, duke krijuar karaktere të përafërta me individualitetin e tij. Kështu, mund të radhitim shfaqjet respektive dhe rolet nëpër vite, si më poshtë: “Rinoceronti” (1966) – në rolin e Zhanit, “Hijet e natës” (1974) – në rolin e Halitit, “Një shok i klasës time” (1975) – në rolin e Nikut, “Duke pritur Godonë” (1993) – në rolin e Lukit, “Shtrëngata” (1986) – në rolin e Prosperos, “Shfaqja e fundit” (1999) – në rolin e “Njeriut me Gazetë”, “Nata pa hënë” (2000) – në rolin e Gjyshit, “Babai” (2002) – në rolin e Babait dhe “Të fluturosh, ç’kënaqësi!” (2003) – në rolin e Doru Motok.
Në të gjitha rolet e tij në teatër, Niko Kanxherin e ka karakterizuar serioziteti krijues, jepet tërësisht në punën me rolin, pa rezerva, me patos, por pa e humbur logjikën. Sikundër dhe shprehet në një intervistë të tij, ka mendimin dhe përkushtimin që çdo personazh, në cilëndo vepër skenike tonën apo të huaj, duhet trajtuar nga këndvështrimi ynë, si aktorë shqiptarë që jemi. Por edhe i vëmendshëm që roli të mos jetë i njëtrajtshëm e gjithmonë të ketë një ngarkesë emocionale.
Në mënyrë të veçantë, aktori Kanxheri e befasoi spektatorin me rolin e Lukit në komedinë absurde të Ioneskos “Në pritje të Godosë”, ku interpretoi me gjithë shpirt, në një tension të vazhdueshëm pritjeje, që e mbysnin në djersë, duke hyrë kështu në thellësi të karakterit të personazhit. “Gjeta aty Nikon, – shprehet ai, – dhe e ngjiza me baltën tonë, si karakter shqiptar”. Kjo kredo artistike do të përshkojë edhe gjithë personazhet që do t’i besoheshin Niko Kanxherit, duke sjellë në skenë dhe në ekranin tonë personazhe të vërtetë që “bien erë Shqipëri!”, – rithekson aktori.
Me rolin e Gjyshit në dramën “Nata pa hënë”, realizoi me mjeshtëri një figurë njerëzore komplekse, ku dramaciteti i brendshëm ecën drejt anëve të tragjedisë, me një dualitet tronditës, deri në incest, si rrjedhojë e një marrëdhënieje të pavetëdijshme, por edhe të një ndëshkimi të egër të asaj kohe të errët. Në dramën e Strinbergut “Babai”, që aktori e interpretoi ne Teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, e pamë po në këtë figurë kryesore, në atë te Babait, të mbingarkuar me kontraste që ngërthehen psiqikisht, të cilat aktori i kalon organikisht, me vërtetësi, duke përballuar kështu një proces psikologjik dyplanësh të karakterit psiqik, në anën gjinore të njeriut, ku nuk mund të përjashtohen edhe motive të tilla, sikundër janë urrejtja e agresiviteti.Krejt ndryshe do të ishte në figurën e Doru Motokut, në shfaqjen “Të fluturosh, Ç’kënaqësi!”, me një romantikë të dukshme, plastikë interesante që do të rëndohet e deformohet paralelisht me ngjarjet e veprimet, të cilat komplikohen. E megjithatë, do të mbetet këtu një figurë e skalitur poetike, me ëndrrën drejt lirisë, me natyrën njerëzore.
Aktrimi në film
Angazhimi i Niko Kanxherit në kinematografi do të ishte edhe më i madh, sidomos me atë plasticitet e natyrësi të figurës që krijonte, me atë qetësi të admirueshme para kamerës, për portretin e veçantë dhe për atë veçori të jashtme e të brendshme që nuk e kishte askush tjetër. Por ai kishte edhe diçka tjetër, si vlerë të shtuar në karakterin e tij: nuk e kërkonte vetë angazhimin në kinematografi, por vinin vetë kineastët që gjurmonin pareshtur e i ofronin role. “Nuk kam lakmuar asnjëherë që të dukem!”, – thotë ai në njërën nga intervistat e tij që mezi ia merrnin. Dhe kështu ishte. Për një rol në filmin “Malet me blerim mbuluar”, që u xhirua në vitin 1974, i vardiset asistent regjisori, i ndjeri Qerim Mata, shoku i klasës sime, i cili nuk shihte asnjë kandidat tjetër për të realizuar rolin e robit italian Domeniko, përveç Niko Kanxherit. Ai e lexoi skenarin dhe pasi i pëlqeu personazhi, nisi të mendonte për disa detaje që e pasuronin rolin, sikundër qe “miqësia” e tij me pulat. Me përpjekje e mundim i afronte ato me grurin që e shpërndante rreth vetes dhe mbi trup, aq sa ato, pulat, mbeteshin aty dhe e çukisnin grurin, edhe kur mbeturinat e grurit kishin mbetur mbi kokën e tij. Vërtetësia ishte e jashtëzakonshme!
Le të radhisim të njëzetë filmat e tij, sipas tematikës, kohës e problematikës. Filma të kohës së luftës: “Malet me blerim mbuluar” (1971) – Domeniko, “Yjet e netëve të gjata” (1972) – Marko Bojalliu, “Në fillim të verës” (1972) – Ushtar Moreti, “Shtigje lufte”(1974) – I deleguari, “Tokë e përgjakur” (1976) – Miti, “Korrierët”, Film Televiziv (1976) – Sandri, “Militanti” (1985) – Refati, “I dashur armik” (2004) – Prifti, e të tjera. Janë figura artistike që aktori është munduar t’i ndërtojë si jetë njerëzore, me vërtetësi, si karaktere të mëvetshëm.
Marko Bojalliu s’ishte gjë tjetër, veçse një partizan që ka vetëm një mision: t’i bjerë tamburit para luftimit, ka një jetë të shkurtër në film dhe, kur vritet, po gjatë luftimeve, do t’i vënë tamburin mbi krye, aty ku varroset nga shokët e vet partizanë. E kishte marrë me dëshirë të jashtëzakonshme rolin e tij që i kishte propozuar shoku i klasës, regjisori Mevlan Shanaj, për filmin “Korrierët”, vetëm e vetëm se aty ka diçka të veçantë: përleshjen me qentë dhe Nikoja bëri stërvitje të mëdha derisa i realizoi këto skena, jo fort të zakonshme, edhe pse në dimër të ashpër, në një terren të vështirë xhirimi, me një metër dëborë! B.
Tek filmi “Tokë e përgjakur”, ai realizoi me mjeshtri të rrallë figurën e fshatarit Miti, aq sa kur ai vritet, mbetet një figurë e paharruar, e dhimbshme, emblematike, si personazh fshatari origjinal i shtresës më të këputur, shpirti i të cilit lexohej në çdo qelizë të trupit, në çdo hap që bënte, në çdo fjalë që thoshte e që nuk e thoshte.
Në filmat e tjerë pati një tjetër larmi, në përshtatshmërinë me rolet, por edhe me detajet e kontrastet që krijonte në të kundërtat e vlerave të njeriut, nga njeri krah mirësia e dashuria e nga ana tjetër, ligësia e urrejtja e pashembullt. Ky diapazon krijimi shihet nëpër filmat e mëposhtëm që i referohen të dyja kohëve që kemi jetuar, sikundër paraqiten në filmat e mëposhtëm: “Çifti i lumtur” (1975) – Dhëndri, “Vetmi” (1990), “Vdekja e burrit” (1991), “Vdekja e Kalit” (1992) – Estrefi, “Qind për qind” (1993) – Sandri. “Ngjyrat e moshës”( 2000), “Parullat” (2000) – Selman Tosku, “I dashur armik” (2004) – Prifti, “Trishtimi i zonjës Shnajder” (2008), “Në kërkim të kujt?!” (2009) – Mark Dobjani, “Pharmakon” (2012) – Sokrati.
Portretet e krijuara në këto filma paraqesin personazhe realë, nga jeta jonë e përditshme në kohë e epoka shoqërore të ndryshme, me karaktere krejt të ndryshme. Në qoftë se Dhëndri në filmin “Çifti i Lumtur” paraqiste djaloshin e mirë të asaj kohe, i cili duhej që t’i përgjigjej edhe krushqisë së prindërve të toj, personazhi i degraduar i Selman Tosku në filmin “Parullat” do të pasqyronte pasojat tronditëse të kësaj periudhe “të lumtur”! Meritojnë studime të veçanta edhe rolet në filmin “Vdekja e Kalit” dhe Sokrati në filmin “Pharmakon”. Ndërsa Estrefi, një figurë unike, komplet e ideologjizuar, deri në atrofizim të shpirtit, i cili për hir të bindjeve të tij partiake i shkatërron jetën edhe shokut të tij të klasës, Sokrati do të paraqitet nga Kanxheri në të dyja anët e karakterit të tij, nga ana e jashtme humanisti i një spitali që shëron njerëzit, njeriu i bluzave të bardha dhe, nga ana tjetër, mjeku që kujdeset edhe për kafshët e egra të një kopshti zoologjik, i cili ka marrë edhe tiparet e vetitë e brendshme të tyre, të papërballueshme në forcën e tyre shkatërrimtare, bashkë me instinktet që mbijetojnë brenda lëkurës së tyre. “Pjellë të çuditshme” e quan ai figurën e Estrefit! Po xhirimi i filmit përfundoi e Niko Kanxheri, i pakënaqur, i sugjeron regjisorit Kumbaro se mungonte aty skena finale! Dhe kështu do të xhironin skenën më të fuqishme të këtij filmi, atë të ballafaqimit të vrasësit me viktimën e tij, Estrefit me Agronin e sapo dalë nga burgu. Por tashmë me një Estref-Deputet të Partisë Demokratike! Një ballafaqim real, por i tmerrshëm që nuk do të kishte asnjë fjalë, veç buzëqeshjes false të kriminelit dhe syve që shkreptinin rrufe qiellore të Agronit që kishte humbur gjithçka: jetën, bashkëshorten, familjen dhe atë kalë-njeri që e donte me shpirt! “Unë kam bërë shumë filma, -më shprehet regjisori Kumbaro,-por atë më të tmerrshmin personazh që e interpretoi Niko Kanxheri, ma kujtojnë që të gjithë!”
Ndërsa personazhi tjetër, Doktori i Niko Kanxherit pati edhe një botë shumë më të gjerë si karakter njerëzor e jo më pak të rrezikshëm për familjen, shoqërinë që na rrethon, i barabitur sikundër thamë me kafshët e egra. Dhe përpara aktorit Niko Kanxheri do të vijnë vetiu, organikisht, dy nga monologët më të përkryera të karrierës së tij interpretuese: e para, përballë të birit, krejtësisht i hapur, i drejtpërdrejtë, me mllefin e urrejtjes e të poshtërimit, për ta përulur atë, për ta thyer, për t’i rrëmbyer edhe atë vajzë që ai e quan si pronë të tij, si plaçkë, si kurvë, me një tufan të vërtetë zemërimi e urrejtjeje derdhur bashkë mbi të! Këtu është si një tigër që sapo është lëshuar nga zinxhiri e ka dalë nga kafazi i hekurave dhe është në çastin e shqyerjes së viktimës, të deles së dalë nga shtegu e grigja e vet, ndërsa në monologun e dytë, në një mesnatë të qetë, gjysmë të errët, është brenda uniformës së bluzave të bardha, për të shpalosur gradualisht mllefin e zi të shpirtit të vet.
Dhe, që nga viti 2012 kur u xhirua ky film nga i biri i shokut të tij të klasës, Mevlanit, Joni Shanaj, Niko Kanxheri nuk pati rol tjetër të këtyre dimensioneve. Tashmë është në periudhë qetësie…
Kredo, kërkesa dhe disa pendesa
Kam afro 60 vite që shkruaj e u marr intervista për gazetën, për radio-televizionin, si edhe për librat e mia, aktorëve shqiptarë dhe, rrallë e tek prej tyre, kam dëgjuar të thonë se nuk duan ta shohin më krijimin e tyre, se ndryshe do të mbysin vetveten me kritika e mërzira të përjetshme! Një nga këta është Niko Kanxheri, modest, por edhe egzigjent i përjetshëm, kritiku i parë i vetvetes! Niko modesti e Niko mendjemadhi, – sikundër e quan edhe ai veten e vet! E ka të vështirë të të rrëfehet, ashtu sikundër e ka edhe më të vështirë akoma që të të mburret për atë që ka bërë vetë, edhe kur të tjerë njerëz e ngrenë në qiell!
“Nuk e kërkoj rolin, por shpesh ma sjellin atë, – nis ai të flasë, me kokën ulur, – por ama nuk e pranoj menjëherë. Skenarin e filmit “Çifti i Lumtur” fillimisht e refuzova. Sepse qe një komedi. Nuk është për mua komedia! Por këmbëngulën. Atëherë unë ndoqa linjën time, të një djali të ri që dashuron dhe s’ka përse të bëjë humor. Më pas, për një skenar të mikut tim Kiço Blushi, këmbëngulën përsëri të më impononin që ta merrja, ngaqë aty ishte roli i Migjenit. E refuzova kategorikisht, pasi e lexova skenarin, ku nuk kishte as dramë e as figurën e Migjenit! Por, kur më pëlqen edhe skenari, edhe roli, unë i dorëzohem regjisorit. Edhe skenarin e filmit “Militanti”, fillimisht e refuzova, sepse nuk dua që të luaj role të ngjashme. Se bëj dot! Nuk dua të ndodhë si me rolin tim që pranova ta luaj në filmin “Vetmi” dhe dështova! Edhe roli im në filmin “Një natë me hënë” nuk i përligjet realitetit. Jo! E ndjeva këtë gjatë leximit të skenarit, por edhe gjatë xhirimeve. U përpoqa që ta ndreq në disa variante provash në sheshin e xhirimit, por përsëri mbeti aty, një egërsirë. Luajta personin e keq dhe jo njeriun! Ngeli përgjysmë puna ime!
Po kështu do të më ndodhte, për fat të keq, edhe me filmin “Parullat”, tek i cili këmbëngula që kur lexova skenarin, që roli im të kishte konsekuencë logjike si figurë, të ishte i të njëjtit karakter të mëvetshëm e jo të ishin dy njerëz brenda një njeriu! Mirëpo, edhe ky rol që pëlqehet, ky burrë që quhet Selman Tosku është një dështim, sepse ka dy karaktere brenda së njëjtës figurë! Ndaj tani i refuzoj ato derisa të bindem nëse do të bie në ujdi me skenaristët dhe regjisorët, apo jo. Kur ma solli skenarin e filmit “Një natë me hënë” Mevlani, e lexova shpejt. Më pëlqeu aq shumë sa menjëherë nisa të stërvitem me qentë, si mund të luftoja me ta po të më vërsuleshin…, por kur mëdha skenarin “Pharmakon” të të birit si regjisor, i kërkova garanci për partnerët, – garanci që nuk i pata deri në fund! E megjithatë e bëra interpretimin tim përballë një partneri që nuk ishte aktor profesionist… Pra, nuk kishte një zgjidhje tjetër! Prandaj edhe unë bie në mendime kur më jepet roli. Dhe, kur e pranoj atë, iki dhe u them njerëzve të shtëpisë: “Ika! Po shkoj të humbas!” E, kur e kryej një punë, një rol, një gjë më shqetëson. Nuk bie dakord me atë që bëj! E, sa herë që i shoh në ekran, gjej aty gjëra të pabëra. Mungon karakteri i plotë. Prandaj, shpesh, nuk dua të punoj me oferta. Më quajnë modest disa, por jam më mendjemadhi se të gjithë”
***
Bën një jetë të qetë familjare. Bashkëshortja e tij është mjeke stomatologe e përkushtuar në profesionin e vet. Kanë dy fëmijë që kanë mbaruar shkolla prestigjioze jashtë shtetit, ku Nikoja shkon shpesh për t’i takuar e pushuar pranë tyre.
Aq i njohur dhe i dashur është bërë Niko Kanxheri nëpërmjet ekranit me portretin e interpretimet e tij të veçanta, saqë ndruhet të dalë shpesh në rrugë, të ecë i qetë, të hyjë në ndonjë lokal apo të hipë në autobus urban, se fatorinoja nuk pranon që t’i presë kurrsesi biletë Niko Kanxherit. Se ka policë trafiku nëpër udhëkryqe që menjëherë ndërpresin trafikun sa të kalojë Niko Kanxheri dhe pastaj, sapo hyn në një lokal të pijë një kafe, është e pamundur të mos ngrihen në këmbë persona të panjohur për t’i liruar karrigen a tryezën!
Dhe çfarë tjetër të themi për Niko Kanxherin? Po. Ka edhe diçka tjetër që duhet thënë me zë të lartë! Asnjë vlerësim e asnjë titull i lartë nuk i ka ardhur këtij aktori të madh! Jo certifikatë që bëhen si dikur stimujt moralë të shpërndara me thasë, për t’u tallur me njerëzit, por nga Institucioni i Presidencës, asnjë, asnjë e asgjë! Kur ato, përsëri nuk shpërndahen me kritere të larta e kanë humbur edhe vlerën e tyre elitare… Për Niko Kanxherin, s’ka patur nevojë të ndërhynte miku apo mikesha, ai apo ky zyrtar, sepse kanë folur mrekullisht rolet e tij, filmat, vepra artistike të qenësishme e të paharruara! Për atë PERËNDI, – më besoni, që më shkuan lot kur e mendova këtë paudhësi para tij, duke ia nxjerrë me zor, me kanxhë këtij njeriu të “mbyllur” që e ka mbiemrin Kanxheri. Se as që donte të ma thoshte, kur thellë syve të tij, si në një pus të errët iu duk edhe helmi i mospërfilljes, i harresës e brenga e mosmirënjohjes, sado e vogël, për artin e tij të madh!
(Marrë me shkurtime nga libri im “10 + 1. Portrete Artistësh.” Tiranë 2020)

Burimi/fgacebook