Miho Gjini – Kujtime: Shoku im i klasës SERAFIN FANKO

0
12

“Artisti i Popullit” Serafin Fanko, që u nda nga jeta 15 vite më parë, në kulmin e arritjeve të krijimtarisë së tij të frytshme shumëvjeçare, ishte një artist poliedrik (aktor, regjisor, dramaturg, skenograf, njohës i muzikës dhe i baletit), njëkohësisht një nga miqtë e mi më të afërt e më të dashur, shok i bankave të shkollës së aktrimit. E, kur të ikin shokët e miqtë njëri pas tjetrit, doemos që të afrohet trishtimi nga bota e asgjësë…
Ishte viti 1960, kur ai u kthye nga Praga, ku studionte për kinematografi, tok me studentët e tjerë, që u dëbuan prej vendeve të Lindjes, pas prishjes së koniukturës politike. Kursi ynë po përfundonte vitin e dytë dhe ishte Shkolla (e parë) e Lartë për Aktorë, e cila mbante emrin e Aleksandër Moisiut dhe funksiononte pranë Teatrit Popullor. Serafini, bashkë me Viktor Bruçetin, po nga Shkodra, hynë direkt në vitin e tretë. I zgjuar, i shkathët,shumë i dashur dhe me një paraqitje elegante, duke “hyrë” po kështu në zëmrat e të gjithëve, duke përfshirë këtu edhe pedagogët.
Në mënyrë të veçantë u afrua me mua, për dy arsye: e para, sepse pedagogu Andrea Malo na “shtyu” që të dyve t’i kushtoheshim edhe regjisurës dhe, e dyta, sepse në sajën time Serafini u afrua me… njerëzit e vet. Për origjinën familjare ai nuk fliste kurrë dhe kjo gjë na habiste të gjithëve. Por asnjëherë nuk e ngacmonim për këtë. E paraqiste veten si shkodran të mirëfilltë. Mirëpo, kur vajtëm për vizitë te kushëriri i nënës sime, Pavllo Qendrothanasi, bashkë me Serafinin, ai u ndodh aty para një të papriture: bashkëshortja e kushëririt tim, Evridhiqi, qënkësh kushërira e parë e Serafinit. Vetëm atëherë do të mësoja se babai i tij, Stefan Adhamidhi, ishte nga Përmeti, ndërsa nëna nga qyteti i Manastirit. Mbiemrin Fanko do ta merrte disa vjet më vonë, po nga emri i të atit: Ste – Fan (Fanko), kur ai shërbente si ushtarak në Garnizonin e Shkodrës. Më pas do të mësoja, se nga ana e nënës, që i vdiq shpejt, ai do të kishte edhe një kushëri të parë, aktorin e Estradës Profesioniste të Sarandës, Theofil Haxhijanin.
E tërë periudha e vegjëlisë dhe e rinisë së këtij artisti të lindur do të kalonte nëpër peripeci të jashtëzakonshme, nëpër konviktet asaj kohe të errët. Serafini do të mbetej përfundimisht jetim dhe do të bëhej vetë zot i fatit të tij.
Që në vitet e shkollës Serafini shquhej për prirjet e tij në tri drejtime: si aktor, si regjisor dhe si balerin, cilësi këto të dorës së parë, për një artist të skenës së teatrit. Në zhvillimin e lëndës së “Mjeshtërisë së Aktorit”, binte në sy për zgjedhje etydesh e fragmentesh dramatike me kulturë profesionale e shije estetike. Ato i trajtonte me një zbërthim logjik dhe i interpretonte me një elegancë të dukshme. I pëlqenin shumë Çehovi dhe Ibseni. Prej tyre, në skenë, dëshironte të interpretonte role të karakterit psikologjik. Ndërsa, duke interpretuar edhe në një komedi të Shekspirit (“Shumë zhurmë për asgjë”) rrëfeu vitalitet të jashtëzakonshëm e një virtuozitet skenik.
Prej këndej e tutje, Serafin Fanko do të ishte një nga figurat qëndrore të Teatrit Shqiptar. Tanimë nuk i takonte vetëm Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku ishte emëruar, por edhe Teatrit Kombëtar në Tiranë, Teatrit Kombëtar në Shkup, Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, Teatrit Popullor të Gjakovës, Teatrit të Strugës dhe Teatrove Dramatike “Bylys” të Fierit dhe të atij “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Që të gjitha këto trupa profesioniste e donin per vehte Serafin Fankon.
Në “thesarin” krijues të Fankos numërohen 150 projekte në teatër dhe kinematografi, me afro 100 role të spikatura. Vepra të tilla artistike si “Gjaku i Arbërit” e “Quo Vadis” (në teatër) dhe “Fije që priten” e “Shembja e idhujve” (në kinema) shënojnë kulme në artin e aktrimit dhe të regjisurës. Fanko e mbylli karrierën artistike me regjinë e dramës “Babai” të Ruzhdi Pulahës në Teatrin Kombëtar.
Jeta e çdo artisti ka të veçantat e veta, spikatje mbi gjithë arritjet, njëfarë kurore me dafina. Është fjala për spektaklin “Quo vadis”, dhënë në Teatrin Kombëtar, ku Serafin Fanko e kurorëzon veten plotësisht: si dramaturg, si regjisor dhe skenograf. Kjo shfaqje tingëlloi si një klithmë stërgjyshore, që vjen gjer në ditët e sotme, për të grishur vetëdijen e njerëzve për plagën e pambyllur të gjakmarrjes. Miti e legjenda bëhet pjesë e veprimit, e tragjizmit dhe e figurshmërisë së spektaklit, jo vetëm nëpërmjet korit, po edhe të paraqitjes së disa elementëve magjikë e hipnotikë në skenografi. E gjithë shfaqja ngjan me një ritual ekspresiv. Kemi të bëjmë me pushtetin absolut, që ushtron artisti mbi publikun e vet, kur forca e artit të tij bëhet e padiskutueshme. Në Festivalin Kombëtar të Teatrove të vitit 1977, ky spektakël fitoi Çmimin e Parë.
Afirmimi i Serafin Fankos ka karakter poliedrik dhe spikati si një personalitet artistik. Nëpërmjet shfaqjeve skenike, Ai, ngrihej mbi realitetin e zakonshëm, me guximin e mprehtësinë e një intelektuali. Si njeri i emancipuar, me shije estetike e bagazh filozofik, dinte të shprehej mbi rutinën dhe natyralizmin e teatrit të vjetër dhe jepte shembëlltyra të një teatri, herë epik, herë poetik dhe herë simbolik. Me shijet e tij të përparuara estetike, Serafini i përkiste një Teatri të Avangardës..Dhe, në brendësi ruante anën njerëzore, prirjet e përparuara dhe emancipuese. Shuarja e tij sikur prishi “hapin e mëtejshëm” për një Teatër Modern, që vazhdimisht eksperimentonte, me syrin nga e ardhmja..Artistja Popullit Tinka Kurti, veterane në këtë teatër, thotë se, gjatë atyre viteve të arta, ne kishim gjetur “kodin Serafinian”!. Sipas Grotovskit ekziston një hapësirë e lirë ndërmjet hapësirës së jashtme dhe të brendshme, ndërmjet trupit dhe shpirtit ku mund të arrihet përmes diçkaje që është e pranishme në aktorin dhe mund ë thuhet se është shënuar në kodin tonë gjenetik…E pikëriht, në përvojën e krijimtarisë artistike të Serafin Fankos, qe përvetësur ky “kod i fshehtë” nëpërmjet talentit prej artisti të lindur, të një shpirti krijues e me fantazi të pasur, si edhe të mjeshtërisë profsionale të përftuar nga studimet, akumulimet vetiake, eksperienca botërore dhe vëzhgimet e mprehta të realitetit ku bënte pjesë…
Pas ikjes nga jeta të Serafin Fankos, në shtypin e shkruar shqiptar, por edhe në atë elektronik, qarkulloi edhe një përcaktim i shtrembër për krijimtarinë e këtij artisti të madh, si “nxitës dhe pionier i Teatrit Absurd!”, gjë që s’ka të bëjë fare me prirjet dhe talentin konceptues dhe interpretues të këtij artisti të madh. Serafini, në të gjitha rolet dhe në regjisurën e tij është shquar për një realizëm të kulluar, të ngrohtë e me tendenca bashkëkohore. Në këtë drejtim ai ishte i ndërgjegjshëm e racional, duke bërë edhe “shartimet” e veta me artin modern, gjë që e vuri artin e tij në një pozicion të përparuar dhe pse jo: të lakmueshëm…
Që në vitin 1967, kur ai vë në skenë dramën e Fadil Krajës “Fishku në pajë”, duke zbërthyer me ralizëm botën psikologjike të gruas malësore, të ndrydhur nga shekujt e gjatë, me zakonet e ashpëra të patriarkalizmit tragjik, ai arrinë të evitojë paraqitjet e dikurshme patetike, euforike të melodramave. Bile t’i tejkalojë ndjeshëm ato.E paskëtaj hidhet menjëherë në gjininë e komedisë, ku e njëjta pamje e tipareve të psikologjisë së gruas zhvillohet në rrethanat e reja emancipuese, në komedinë e Sheri Mitës “Këshilli i Ndrikullave”, ku diagrama e re e veprimtarisë së grave, ka nevojë që të vihet edhe në “sitën kohës”, ndërkohë që shprehja e normave të reja emancipuese arrinë theksime krejtë befasuse, me simbolikën e së arrthmes. Prandaja , jo më kot Serafini, do të rivërë në skenë edhe një drame klasike të repertorit të vjetër, si ajo e Kolë Jakovës “Toka Jonë”, si edhe do t’i ofroj publikun edhe një drame krejt ndryshe , të shkruar dy-tri dekada më mbrapa, nga Stefan Çapaliku, ku e kaluara regresive mund të shprehet dhe në konceptime të reja social-filozofike e artistike dhe ku ana tragjike jepet me një vizion krejt tjetër interpretativ, me simbolet e një metafore brilante, që përfshin harmoninë e nje spektakli modern, ku regjia, aktrimi, skenografia , kostumografia, muzika e publiku bashkë me to, shkrihen në një unitet artitik të vetëm.. Në një teater krejt të ri, ku modrnia ngrihet mbi simbolet , metaforat e sugjestionin, mbi atë që e quajtëm “arti i avangardës”, shprehur ca më qartësiht akoma me spektaklet “Baca i Gjetajve” të Fadil Krajës tradicional , si dhe të “Ftesë nga larg” të një dramaturgu të ri në skenën shqiptare, sikundër është Stefan Çapaliku, nëpërmjet të cilave, Serafini, si artist poliedrik i këtij Tetri të Avangardës, shkëputet njëhrë e mirë nga suaza e një teatri që , pse jo, kishte “vuajtur” edhe nga një trajtim anakronik , patetik, deklamativ, të linjës natyraliste. Pa hedhur poshte kursesi ato vlera interpretuese të këtij teatri solid të periudhës së parë , kur u hodhën themelet e që evidentuan njëherësh edhe artistët e padiskutueshm si Zef Jubani, Tinka Kurdi, Bep Shiroka, Tano Banushi, Roza Xhuxha, e tj., si edhe të një kontributi realist profesional të mëvonshëm prej një regjisori me emer si Esat Oktrova. Po një artist i kompletuar s’kishte si mos të imponohej e të bëhej një idhull i asaj trupe teatrore me tradita të hershme. Që rezatonte kulturën profesionale dhe estetikën e saj, etjen për të eksperimentuar dhe atë të bashkërendim me artin botëror të skenës e të ekranit. E pra, Kishte aq shumë të drejtë Tinka Kurti kur tha se, Serafini kishte në vetvehe “kodin e tij” në gjithë këtë “pushtet absolut” që i përkiste “magjisë skenike”!
Nisma e tij qe kinematografia dhe, sa herë që rrinim bashkë më fliste për Kinostudjon e Barandovit në periiferi të Pragës, me merakun e artistit që nuk i shpuri dot deri në finale studimet e tij , për të patur edhe ndonje ekranizim të tijën, si aktor e regjisor bashkë, si skenarist e skenograf bashkë, si edhe me atë plastikë virtuoze e elegance që ai e kishte organike në natyrën e tij. Ne e pamë atë se sa impresione krijonte në rolin e Zekthit që ne kishim mundur ta shihnim edhe në interpretimin e njerit prej aktorëve me të mirë rus, sidomos në atë shpërthim super kundër mashtrimit qiellor. Po edhe ne 9 filmat që interpretoi, me shumë natyrësi e profesionalizm, si tek “Fije që priten”, “Qortimet e vjeshtës”, “Emblema e dikurshme”e tj., ai kishte hijen e vet, si një portret i mëvetshëëm, që u imponohej partnerëve, i frymëzonte ata, po edhe spektatorëve që e shihnin në ekran. Sepse ai dinte të aktronte po edhe të përcillte pikëpamje e mesazhe, me atë çka bënte, si artist i ndergjegjësuar si i tillë. Përherë modest, tek thoshte se “unë jam njeri nga ata që kanë bërë diçka, sigurisht një gjë të vogël!”. Po realisht qe krejt ndryshe!Spektakli i tij ne Teatrin “Aleksandesr Moisiu” të Durrësit ,”Qytet pa dashuri”, është njera nga këto vepra që atij i pëlqente dhe që e kishte zgjedhur si një vepër të repertorit të vet, për të shprehur ato pikëpamje estetike e filozofike që e mundonin në atë “vetasgjësim të vetvetes”, -sikundër shprehej kur e kapllonte edhe pesimizmi. Ai ishte e mbeti vetvetja edhe këtu, përmes këtij spektakli, po edhe kur do të shprehej në njerën prej intervistave të tij se: “ne ballkanasit jemi viktimë e ruajtjes së një psikologjie arkaike e të mbrojtjes së saj, vetëm për hirë të zakonit, e kjo të çon në vetasgjësim, duke shkatërruar vetveten”
Serafin Fanko qe një reformator i guximshem i Teatrit Shqiptar, me sfond social, po edhe me një filozofi që shprehet në kohën e mbi kohën e vet, që i ka dhënë jetë të vërtetë e art të mirëfillt,skenave tona dhe që na iku kaq shpejte e kaq menjëherë. O mik i shtrenjtë, ku je?!
Athinë,22 qershor 2022

Mund të jetë një imazh i 1 person
Mund të jetë një imazh i 1 person
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe njerëz në këmbë
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti

Burimi/Facebook/Autori