Miho Gjini – NIKOLINË XHOJA,-NJË HISTORI DASHURIE TRAGJIKE

0
16

Kujtime:

Çdokush ka një histori, e shënjon atë.Një histori të vërtetë. Dhe e vërteta është edhe më e bukur, sado e trishtuar që është e thuhet. E vërteta është e thjeshta. Dhe ky artist gjenial ishte i tillë: i thjeshtë, i vërtetë , i bukur…me një histori tragjike jete. Historia vetë është një mit, ose thënë më me elegancë, miti riprodhon brenda materies së vet histori nga më të përveçmet e nga më të habitshmet. Një nga këto histori që fqinjëron me mitin për nga habia, e veçanta, e rralla dhe tragjikja është edhe ajo e prindërve të Nikolin Xhojës që do të zinte fill në qyterin italian të Brindizit në vitin 1920.
Aty do të shkelte këmba e një vajze shqiptare me origjinë vllahe dhe me emrin Parashqevi Bushi, së bashku me disa emigrantë të tjerë nga Durrësi. Rastësia, po ndofta edhe bukuria e saj fizike, do ta sillte që këtu ajo të njihej edhe me pronarin e disa kinemave të këtij qyteti, me Teodor Gioia, i cili do të bëhej edhe burri i saj, pa kuror, e do të lindëte fëmijën e parë, si nëpër histori filmash. Fëmija do të quhej Ugo e do të kishte edhe ai historinë e vet të trishtuar të ritjes në një institucion Bamirësie, për vet rrethanat e krijuara të asaj kohe. Dy vjet më pas, më 12 maj 1926, do të lindte edhe djali i dytë, Nikolini, një fëmijë e mbarë, i bukur dhe i shëndetshëm. E frikësuar se mos e humbiste edhe këtë djal, Parashqevia e braktis të shoqin, ikën fshehtazi, me traget nga Brindizi, bashkë me foshnjën e dytë, për të nisur edhe një herë, kalvarin e një jete të dhimbshme, ca më të vështirë nga ajo e të parëve të saj , që e mbartnin jetën mbi samarin e mushkave , nga njëri vend në tjetrin, mbi tokë e nën qiellin e hapur…Krejt e vetme vendoset në një kthinë mbi kodrinën e Sefer Efendiut në Durrës dhe nis të punojë si robalarëse për të nxjerrë bukën e gojës për vete e fëmijën e saj që po rritej përmes këtij fukarallëku të tejskajshëm. E gjithmonë , si nëpër skenare filmash, do të shfaqet një bamirës fisnik, sikundër qe punonjësi i legatës Angleze Profiri Gllatkin, i cili do të zbuste këtë jetë të vrazhdër së gruas së re e të vetmuar. Po nata zë ditën e dita zë natën dhe gjërat përsëriten. Varfëria e ashpër e pasiguria e jetës, i detyron ata që ta sistemojnë Nikolinin në “Strehën Vorfnore” të Tiranës, ku djaloshi do të hidhte shtat si ai filizi i pemës, i rimbjellë pranë gurishteve të një lumi…Gjersa u bë për në shkollë e kthehet pranë së ëmës në Durrës. Me mësime shkolle, me shoqërinë e rrugës e me ndonjë punë që bënte si korjer në Bankën e Qytetit, nën statujën madhore e të hijshme të Mbretëreshës Teuta. Mirëpo do të vinte nga Mati një njeri tjetër që do të shpallej “Mbret i Shqiptarëve”, i cili u hapi “dyert” edhe Italianëve. Pas pak aty mbërritën edhe ushtarët e tyre, me vapore, tanka e avione.
Një dualitet i dhimbshëm zhvillohej tani në shpirtin e Nikolinit: I ati i të cilit kishte kombësi Italiane dhe nuk qe bërë më i gjallë!Megjithatë Banka herë mbyllej e herë hapej. Kishin ardhur kohë të vështira…Diku , aty afër u dëgjuan krismat e mitrolozit të Mujo Ulqinakut,si edhe u ndje në gjithë vëndit një rezistencë spontane. Ndërkohë që Mbreti Zog, me suitën e tij po ikte në drejtim të Jugut. Ç’po ndodhte kështu?! Nikolini qe ende i hutuar atë ditë kur korrierin e nisën të shpërndante letrat me njoftimet e reja dhe në derën e Bankës trokiti një djalosh tjetër, i veshur me uniformën e ushtrisë italiane që kishte po atë fytyrë, po me ato flokë të zeza e me onde valësh. Dhe që tha se kërkonte Nikolin Xhojën! Nëpunësve iu dukë një shaka e rezikshme, ngaqë Nikolini po kërkonte Nikolinin! Befasimin e njerëzve të mbetur gojëhapur do ta sqaronte vet ushtari italian se nuk ishte Nikolini , po i vëllai i tij Ugo Xhoja! Ai përmëndi edhe nënën e tyre, se donte t’i takonte patjetër që të dy, po që koha nuk e priste asnjë sekondë, për të mos i “flururuar koka”, nëse nuk do t’i bashkohej kollonës ushtarake që marshonte në drejtim të Gramshit. Dy orë me pas, nënë e bir, do të niseshin edhe ata në drejtim të Gramshit, me makina të rastit , përmes rrëmujës, krismave e frikës. Italia i kishte shpallur luftë Greqisë dhe teritori shqiptar qe bërë “shesh lufte”. Fatet e luftës përziheshin me fatet e njerëzve! Dhe nëna do ta gjente të birin Ugo të vrarë. Dhe vëllai nuk do ta përqafonte dot më vëllain e madh të shpuar nga plumbat….Të kujt? Kush e vrau Ugon?! Qe ditë e premte. Dhe nënën e tyre e quanin PREMTE,- Parashqevi në gjuhën Greke, nga ku kishin zbritur vllehët në shtegëtimet e tyre, për të ardhur gjer këtu, gjysma të gjallë e gjysma të vdekur!…
I gjithë vëndi u kthye në “Shesh Lufte” e djaloshi 19 vjeçar duhej të zgjidhte “udhën e vetë” të jetës. Dhe e zgjodhi, duke hedhur pushkën krahut e të delte malit, tok me iluzionin se këto “kohë të turbullta” do t’i davariste komunizmi, i cili fillimisht kishte disa ide e mesazhe të krishtere, për vëllazërim e dashuri njerëzore! Eshte fjala për “zjarrin” e brendshëm të një të riu, kur e rrëmbeu “furtuna” e luftës partizane. Askush nga partizanët nuk e besonte se në rradhët e tyre do të kishin edhe një djalosh me origjinë italiane, që ishte aq i gatshëm të luftonte kundra bashkëkombësve të vet që zbarkuan në Durrës. Po ai do tu thoshte atyre se e ndjente veten “shqiptar të vërtetë” dhe se qe kundra kësaja lufte që i “mori” vëllain , si “mish për top” në luftën Italo-Greke. Mirëpo, partizanët nuk mund të mos çuditeshin me këtë njeri që, bashkë me pushkën , kishte marrë me vete edhe kitarën e tij. Qe pasioni i tij i hershëm kënga që fëmijë, po edhe geni (do të thoshnja) nga i atit që projektonte në kinemat e tij në Brindizi të gjithë filmat e botës së kulturuar. Shoqëruar me ndijesinë e aktrimit, tek lozi në mal skeçin e Besim Levonjës për prefektin e Tiranës,-një rol që do ta interpretonte të plote edhe pas çlirimit të vëndit, pas suksesit të bujshëm që pati me këtë rol edhe Mihal Popi e disa vite më vonë Robert Ndrenika, për tu bashkuar me ta në Durrësisn e çliruar, në një shfaqje të përbashkët, kur atë e “rrëmbeu” Teatri i këtij qyteti , me emrin e Aleksandër Moisiut.
Talenti i këtij aktori (të pashkollë), do të shpalosej katërcipërisht në këtë teatër profesionist e do të ishte aktori më në zë, me një shtrirje të gjërë, në komedi,estradë,dramë e në operetë , po edhe në film. Unë do të mrekullohesha me rolin e Podgolisinit nga komedia “Martesa “ e Gogolit e kjo do të ishte nga shkrimet e mia të para si Kritik i Teatrit, që do të vijoja me interpretimin humoristik e fort të besueshm që i bënte tashmë Qazim Mulletit të Levonjës. Paskëtaj ai do të lozte në disa pjesë teatri nga dramaturgjia ruse e asaj kohe e do të ishte shumë origjinal në 25 vepra të repertorit nacional, për të ndritur në dramatizimin e një romani të Dritëro Agollit, me rolin e Komandantit Rrapo, me po atë shkëlqim që pati edhe në komedinë “Karnavalet e Korçës”, me një personazh proverbial si Nikollaq Jorganxhiu, ndonse kryevepra e interpretimeve të tij do të mbetej Gorodniçi i Gogolit. Po nuk do të binin më poshtë as rolet mjeshtërore nga komedia klasike , me Shekspirin, Molierin , Goldonin etj, ku humori i tij ishte më se i këndshëm e i natyrshëm. Suksesi i tij do të ishte i menjëhershëm në skenën e Estradës, ku e kthenin me duartrokitje disa herë edhe nëpër skeçet , si edhe në operetat që u realizuan në Durrës , me vepra të Dunajevskit , Dungut e Marës, tek të cilat qe brilant edhe si këngëtar e instrumentist. Pa lënë mënjan edhe filmat e tij gazmor, sidomos me personazhin simpatik të Xha Beqos aq të natyrshëm, me organicitetin e një shkalle superiore.
Nikolin Xhpoja ishte e mbeti një personalitet i pazëvëndësueshm artisik. Ai sillte diçka të vetën në skenë, edhe nga trashëgimnia e artit italian të “Comedia dell’Arte”, si edhe nga “neo realizmi” italian i interpretimit të rrugës, ashtu vetiu, me plot inprovizime e befasira të natyrshme, si askush tjetër. Me një larmi e gjërësi interpretuese. Kurdoherëi papërtuar e vital.Me një lirshmëri skenike e sens inprovizimi të jashtzakonshëm, pa i fiksuar rolet asnjëherë e duke e ndjerë proçesin e krijimit gjitmonë si në premjerë. Aktor me një shpirt të madh njerëzor, i dashur e i domosdoshm, shembëlltyrë klasike, e veçantë, për Teatrin Shqiptar e sidomos për brezin e ri të aktorëve që e nisin “udhën e aktrimit” e shkollimin e tyre profesional, me shumë dëshirë e pastaj përfundojn si figurantë teatri a si kamarjerë, pjatalarës a shitës benzine jashtë vëndit të tyre….
Njëherësh, Artisti i Popullit Nikolin Xhoja qe një komik i mrekulluashm në skenë e në ekran , si edhe tragjik në jetë. “Nikolin Xhojën e kishte krijuar ZOTI për teatrin, me një pamje simpatike,-më thoshte shoqia ime e klasës e partnere e tij në po këtë teatër,-Qe i bukur në jetë, i bukur në skenë dhe i këndshëm në shoqëri. Por, kur shkelte në pragun e teatrit, bëhej serioz, i përmbajtur dhe i vëmëndshëm”. Partia e Qeveria e asaj kohe i afronte këta njerëz të talentuar, u jepte tesërën e Partisë së tyre, si edhe tituj të lartë, po nëse të “rrëshqiste këmba” e të delje nga “vija e kuqe e oborrit të tyre”, të bënin edhe “gropën”,-sikundër do t’i ndodhte edhe Nikolinit komunist. Atë e degraduan menjëherë për djalin e tij Ugo, me të cilin ringjalli emrin e të vëllait të vrarë në luftë, që e akuzuan për “një fjalë goje” për “Agjitacion e Propogandë” dhe e rrasën brenda hekurave të burgut. Nikolini dhe e shoqia e tij Meropi,-aktore edhe ajo, kaluan ditët më të zeza të jetës së tyre. Po ç’kishte bërë vallë i biri i tyre? Qe habitur, se si qe vendosur në krye të partisë në Durrës një karrocier i pashkollë e injorantë! Dhe pas këtij “akti” e përjashtojnë nga partia dhe e ndalojnë që të hypte në skenë. Aktori i madh sëmuret dhe shtrohet në spital me diagnozën “cerrosi epatica”, me mëlçinë e shkatërruar nga alkoli i teprët që pinte, për të ngushëlluar veten në atë vetmi tragjike, kur të gjithë i kthyen kurizin e nuk e pranuan në teatër as të vdekur në arkivol, për t’i bërë homazhet e rastit këtij Artisti Gjigand që nuk i vjen më Shqipërisë. Duke e përfunduar këte histori tragjike të trishtuar edhe me marrjen e shtëpisë pas vdekjes, duke i nxjerr në rrugë familjen që la pas, fëmijët, mobiljet e varfëra dhe tekstet e roleve të tij të pavdekshme, që i merrte era e detit të trazuar…..
Unë ecij këto ditë nëpër kalldrëmet e rrugës të fshatit tim, ku miku im Xhoja ka xhiruar rolin famoz të Xha Beqos në filmin “KAPEDANI”, me partner Alber Verrinë, shokun tim të klasës së aktrimit, dhe më rrëmbejnë kujtimet e trishta per artin, thjeshtësinë e humorin e përveçëm të këtij njeriu që bujti edhe në shtëpinë time, me gjithë ekipin e xhirimit. E,-të më besoni,- e ndjej veten të bekuar që shkrova për të një libër monografilk, pa më ndihmuar askush, as për atë vit pune (me ec e jake të panumurta Athinë-Durrës!) e as me dy promovimet në Durrës e Athinë, rrethuar nga indiferenca e zyrtarëve, e vet Teatrit, bile edhe e të afërmëve të tij, që e kishin lënë ta mbulonin ferrat varroshin e artistit të madh, që duhej të qe një vënd peligrinazhi i nderuar për të gjthë. Kur, edhe në këtë promovim që u zhvillua brenda Teatrit, në “Odeonin” me emrin e artistit , nuk u pa e arsyshme që të merrte pjesë edhe trupa e teatrit, si të vazhdonte “mërria” me këtë personalitet të Artit Shqiptar(!?).Po ashtu sikundër më kishte ndodhur, për fatin e keq timin, për të gjashtë librat që pata shkruar e botuar, për Kollosët e Aktrimit Shqiptar : Mihal Popin, Naim Frashërin, Margarita Xhepën, si edhe portretet krijuese për Kadri Roshin, Sandër Prosin, Kujtim Spahivoglin, Besim Levonjën, Mihal Stefën, Tano Banushin, Bexhet Nelkun, Robert Ndrenikën, Yllka Mujën e për 15 artistë të tjerë që lanë gjurmë në skenë e në kinematografinë tonë, për të ikur i qetë, edhe unë, në “banesën e përjetshme!” e për tu takuar aty me shumicën e tyre. Mandejë, është e trishtë të mendosh se Institucionet e interesuara, teatrot e as të afërmit e këtyre personalitetve, nuk i kërkojnë për t’i promovuar e blerë këto libra, për t’i patur ndër arshivat e tyre. Edhe në promovimin e bërë në Akademin e Arteve me interesimin e profesor Milto Kutalit e Rektorit Kastriot Çaushi, shumica e studentëve të aktrimit, preferuan më mirë ta kalonin kohën në Kafenen Shkollës!Medet!Preferohet vetëm që t’ua dhurosh ato, librat studimore për aktrimin, për t’i patur nëpër rafte e çanta, se sa të dëgjonin se ç’farë thonin profesorët e tyre rreth këtyre botimeve, pa menduar se gjer këtu arihet me një punë të madhe krijuese, sakrificash e mundimesh të pallogaritëshme në kohë e asnjëherë të paguara. Parimi i djeshëm i “vullnetarizmit” kudo e ngado, ka mbetur si ato “pullat postare” me figurën e Udhëheqësit të dikurshëm.Ndërkohë që vlerësohen e përjetësohen figurat me të rëndësishme të Kombit, kultura e ndërgjegjia e tij.Të paharuarit e përjetshëm…Sikundër qe për ne të gjithë, edhe Shqiptaro-Italiani NIKOLIN XHOJA. I mëvetshëm edhe ky… Se mund të harrohen ministra, deputetë, Kryeministra e presidentë, po jo këta, që i shkruan emrat në “ALTARIN E KOHËS”…

Shkruar në Piqeras, sipas monografisë time “Artisti i Popullit Nikolin Xhoja”, më 22 shtator2022.

Burimi/Facebook