Mohimi i gjenocidit është thikë pas shpine viktimave!

0
72

Plani i gjenocidit nëpërmjet ushtrimit të dhunës seksuale nuk ka mbetur vetëm si “përpjekje”, por është realizuar nga forcat serbe me pasoja shumë të mëdha në njerëz!
Prandaj cilësimi si “përpjekje për gjenocid” ndaj mbi 20 mijë femrave të dhunuara shqiptare në Kosovë është mohim i gjenocidit

Shkruan Mr.sc Bardhyl Mahmuti

Në prononcimin e parë publik të Enver Hoxhajt, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, ai mohoi gjenocidin dhe krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke i ulur ato në nivel të “masakrave dhe krimit kundër njerëzimit”.
Si njëri nga themeluesit e PDK-së reagova kundër qëndrimit të tillë dhe i kërkova që si ushtrues i detyrës së kryetarit të partisë të respektojë qëndrimet zyrtare të PDK-së dhe të institucioneve të Kosovës dhe të përdorë terminologjinë e saktë, GJENOCID, sa herë që i referohen asaj që ka bërë Serbia në Kosovë. (Këtë reagim e kanë publikuar disa media më 8 nëntor 2020, por meqenëse i referohem Gazetës Express, po e sjell atë të botuar në këtë gazetë https://www.gazetaexpress.com/bardhyl-mahmuti-i-kerkon-kryetarit-te-pdkse-ti-referohet-me-gjenocid-krimeve-te-serbise/).

Pas bërjes publike se në librin e tij “Ngritja e një shteti…” Enver Hoxhaj mohon gjenocidin që Serbia ka kryer kundër shqiptarëve në Kosovë duke e cilësuar si “Përpjekje për gjenocid”, prita me interes të madh ballafaqimin e tij televiziv në Pressing/T7.

Ishte moment i volitshëm që ai të tërhiqej nga terminologjia e gabueshme dhe të kërkonte falje publike për mohimin e këtij gjenocidi. Mirëpo jo vetëm që nuk kërkoi falje, por, përkundrazi, në këtë ballafaqim televiziv Enver Hoxhaj shpërfaqi një arrogancë të pashoq.
Duke rrahur gjoks se ai përfaqëson me dinjitet interesat e PDK-së, Enver Hoxhaj, me një “fizkulturë akademike”, u përpoq të zhvendosë çështjen në rrafshin akademik dhe, shprehu gatishmërinë të debatojë për këtë temë “kurdo që Akademia e Shkencës ka dëshirë të mblidhet dhe të diskutojmë rreth librit” të tij.
Fillimisht po tërheq vëmendjen se “të përfaqësohen me dinjitet interesat e një partie politike”, nuk mjafton që dikush të jetë ushtrues detyre i funksionit më të lartë partiak, apo i çfarëdo funksioni tjetër partiak apo shtetëror, por duhet të prezantojë koherencë me vijën që ka përcaktuar partia.
Edhe në reagimin tim të 8 nëntorit të vitit të kaluar ia kam tërhequr vërejtjen se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si figurat emblematike të luftës së UÇK-së dhe themelues të PDK-së përdorin terminologjinë e saktë: GJENOCID sa herë që i referohen asaj që ka bërë Serbia në Kosovë dhe se në të ardhmen ai duhet t’i harmonizojë qëndrimet e veta me qëndrimet zyrtare të PDK-së dhe do të përdorë terminologjinë e saktë për gjenocidin në Kosovë.
Nëse Enver Hoxhaj nuk kërkon falje publike për mohimin që i bën gjenocidit të shtetit serb, atëherë ai nuk është përfaqësues i denjë i PDK-së, ai nuk është, ashtu siç pretendon, “adresa e duhur për t’i zgjidhur problemet që ka Kosova”!
Ndërsa sa i përket “fizkulturës akademike” për ta tërhequr debatin gjetiu, po them se Enver Hoxhaj ka fat të madh që shteti i Kosovës ende nuk i ka përkufizuar qartë me ligj masat ndëshkuese kundër atyre që mohojnë gjenocidin, se nuk do të mund të sillej me fodullëk para kamerave.
Nuk ka njeri normal që mund të imagjinojë një ministër të Jashtëm të Izraelit të deklarojë se Gjermania naziste ka bërë “përpjekje për gjenocid” kundër hebrenjve. Nuk ka njeri normal të imagjinojë një ministër të jashtëm të një shteti demokratike që kanë të përkufizuar në mënyrë të qartë ndëshkimin me ligj të mohimit të gjenocidit të kryer ndaj hebrenjve ta kualifikoj këtë krim të shëmtuar si “përpjekje për gjenocid”!

Çështja e gjenocidit nuk është çështje numrash apo vendimesh të instancave të caktuara juridike. Çështja e gjenocidit është çështje e qëllimi që përkufizohet në mënyrë të qartë në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Në tekstin e titulluar “Elemente të krimeve”, që është dokument zyrtar i Asamblesë së Shteteve Anëtare të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, (Élément des crimes, Documents officiels de l’Assemblée des États Parties au Statut de Rome de la Cour pénale internationale, New York, septembre 2002) theksohet në mënyrë të qartë se kemi
krim të gjenocidit kur:

“1. Autori ka vrarë NJË APO MË SHUMË persona.

  1. Personi apo personat e vrarë i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar.
  2. Autori kishte për qëllim të shkatërronte tërësish ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racor ose fetar…”.

Siç shihet, edhe në rastet kur vetëm një njeri është vrarë në funksion të shkatërrimit të një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar si të tillë, me normat e të drejtës ndërkombëtare penale, akti cilësohet si gjenocid. Prandaj çështja e gjenocidit nuk ka të bëj me manipulim të statistikave, ku njerëzit shtohen dhe zbriten me veprime matematikore, me qëllim që të banalizohet “shtimi i krimeve” dhe “zbritja e jetëve të njerëzve të pafajshëm”.
Plani i gjenocidit i përpiluar nga Serbia nuk ka mbetur vetëm si “përpjekje”, por është realizuar me pasoja shumë të mëdha në njerëz! Prandaj cilësimi si “përpjekje për gjenocid” në rastin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës është mohim i gjenocidit!

Në tekstin e lartpërmendur “Elemente të krimeve” saktësohet se në cilat raste cenimi i integritetit fizik dhe mendor cilësohet gjenocid. Sipas këtij dokumenti zyrtar të së drejtës penale ndërkombëtare kemi gjenocid nëse:
“1. Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;

  1. Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;
  2. Autori i krimit kishte për qëllim të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial fetar…”
    Pa u kufizuar në format e shfaqjes, kjo sjellje përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese” (“Élément des crimes“, Publication de la Cour pénale internationale, f. 2).

Siç shihet, edhe në rastet kur vetëm ndaj një femre të një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar si të tillë ushtrohet dhunë seksuale me qëllim të cenimit të integritetit fizik dhe mendor kemi gjenocid!
Plani i gjenocidit nëpërmjet ushtrimit të dhunës seksuale nuk ka mbetur vetëm si “përpjekje”, por është realizuar nga forcat serbe me pasoja shumë të mëdha në njerëz!
Prandaj cilësimi si “përpjekje për gjenocid” ndaj mbi 20 mijë femrave të dhunuara shqiptare në Kosovë është mohim i gjenocidit.

Çështja e gjenocidit është çështje që godet tërë njerëzimin dhe si i tillë duhet të denoncohet kurdo qoftë.
Kualifikimi i denoncimit të gjenocidit gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë si “goditje ndër brez” është neveritës, sepse MOHIMI I GJENOCIDIT ËSHTË THIKË PAS SHPINE dhjetëra mijëra familjeve shqiptare që humbën fëmijë, gra, burra dhe pjesëtarë të të gjitha moshave; MOHIMI I GJENOCIDIT ËSHTË THIKË PAS SHIPNE për dhjetëra mijëra femra të dhunuara shqiptare dhe për një popull të tërë që përjetoi gjenocidin e planifikuar dhe të kryer nga Serbia.

P.S.
Për ata që nuk e dinë po u tregoj se akti themelues i kësaj partie ka vetëm dy nënshkrime: nënshkrimin e Hashim Thaçit dhe të Bardhyl Mahmutit, ndërkaq propozimi i emrit “Partia Demokratike e Kosovës” u bë nga Fatmir Limaj dhe u miratua në Konventën e parë të partisë.

  • Ish përfaqësues politik i UÇK në Zvicër, ministër i Jashtëm në Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës fill pas luftës, njëri nga politologët më të mirë të Kosovës, autor i studimit monumental mbi gjenocidin serb në Kosovë “Mashtrimi i madh” (2015) dhe romanit bestseler “Eskadronet e vdekjes” (2021)

Burimi/pamfleti.net/