Mos lejoni të ndizet zjarri i marrëzisë/ Shqipëria, parajsë që duhet transformuar

0
160

Nga Arbi Fortuzi -13/04/2021

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinj në Librazhd, u ka bërë apel atyre të mos lejojnë të ndizet zjarri i marrëzisë së një njeriu, që me skemën më jep një votë të jap dy, përvëloi një komb.

Sipas Ramës, Shqipëria është një parajsë, që duhet transformuar.

“Shqipëria është një parajsë. Na takon ne ta transformojmë atë në një realitet që krijon punë; në një realitet që krijon të ardhura; në një realitet ku dielli nuk është i mrekullueshëm vetëm për turistët dhe për ata që janë të pasur; në një realitet ku dielli shkëlqen për ata që janë në Tiranë apo që janë në qytetet e mëdha; në një realitet ku dielli është i ngrohtë dhe për ata që janë në majë të malit. Nëse ata nuk zbresin dot nga maja e malit për të sjellë prodhimet poshtë, janë turistët që shkojnë lart, janë vizitorët që shkojnë lart për të shijuar majën e malit, për të shijuar ushqimet e tyre, mikpritjen e tyre. Nuk janë ëndrra që unë i kam parë në gjumë”, – tha Rama.

“Njerëzit nuk ktheheshin as këtu, por iknin dhe kthenin kokën nga tjetër kur vinte Librazhdi. Për ata emigrantë që duan të kthehen tek shtëpitë e gjyshërve për t’i rindërtuar, për t’u hapur dyert, për të ofruar shërbim e mikpritje, ne do të japim 5000 euro e do të bëjmë amnisti fiskale për të gjithë investimet e tyre, pa pyetur fare se i kanë lekët në bankë apo i kanë poshtë jastëkut, por thjesht duke garantuar që nuk janë lekë krimi”, tha ai.

“Shkoni në Theth, shkoni në majë të malit në Theth, shikoni si shqiptarë krejt të zakonshëm në një vend krejt të izoluar kanë ndërtuar bazat e të ardhmes së tyre. Shkoni, shikoni, pyesni kudo, ku në këto katër vitet e fundit kanë ka lindur embrionet e para të agroturizmin, shkoni pyetini, janë njerëz të cilët jetojnë me kursimet e tyre. Pyesni ata emigrantë që kanë ndërtuar shtëpi, shkoni në Tepelenës, në majën e Nivicës, një mrekulli, ku jo vetëm nuk shkelte kush, por ku t’i falnin shtëpitë. Ku të thonin më jep 1 milion lekë të vjetra vetëm merre dhe askush nuk e merrte, sot nuk blen dot më as rrënoja, sepse njerëzit po kthehen, po investojnë, sigurisht kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe ne do ua japim këtë mbështetje”, – tha Rama.

“Hajdeni të shikoni me mua, vajza e djemtë si ju, në Tiranë apo në Korçë, që kanë dalë nga ato kthinat e tyre në shtëpi ku me talentin e tyre, me forcën e tyre, përmes kompjuterit dhe dijeve që kanë marrë kanë hyrë në tregun e madh botëror pa patur nevojë të dalin nga shtëpia. Ne po ndërtojmë tani qendra në çdo bashki, do të bëjmë një qendër, apo do nisim nga qendrat e qarqeve, dhe ju në Elbasan, do të keni qendrën për t’ju trajnuar me metodat e sotme të kohës, që në pak muaj, të njihni gjuhën e kodimit, të njihni gjuhën e kompjuterit për t’u bërë dhe ju aktorë të tregut online, një treg i madh sa bota, ku nuk është e nevojshme të ikni jashtë shtetit për të fituar 1000 euro, 2000 euro apo 5000 euro, por këto euro nuk vijnë duke ardhur këtu ‘aman dua votën’. Më jepni votë, t’ju jap 5000 euro. Më jepni votë dhe ju mos kini asnjë gajle. Martohuni sa më shpejt, se jam unë këtu e do ju jap 20 000 euro. Më jepni votën e bëni sa më shumë kalamaj se do ju jap 50 000 euro dhe do ju blej shtëpi. Këto janë më jep 1, t’ju jap 2. Më jep 1 të jap 2, është historia më e dhimbshme e Shqipërisë. Nuk ka nevojë të shkojmë shumë thellë, pyesni prindërit tuaj, çfarë ndodhi duke rendur pas marrëzisë së një udhëheqësi, që sot e gjithë ditën është njeriu që kontrollon Lulzim Bashën, dhanë 1 e morën 2. Dhe në fund u përvëluan të gjithë në zjarrin e asaj marrëzie, zjarrin e marrëzisë në këtë tokë është gjithmonë gati që të ndizet, historikisht ka një arsye pse ne sot kemi ende shumë për të bërë për të kapërcyer prapambetjen popullore, se zjarri marrëzisë është gati për t’u ndezur, mos lejoni të ndizet zjarri i marrëzisë”, bëri apel Rama nga Librazhdi.

/r.e/

Burimi/http://ata.gov.al/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.