Mos ngacmo o mut

0
54

Hamdi Nuhiju

Slogani “Mos ngacmo o mut” është slogani më ngacmues dhe kreativ që nxjerr në shesh të bërat e të pathënat e një pjese dërmuese të meshkujve që gjithmonë nëpër labirinte kërkojnë botën e ngacmimit. Këtë slogan patëm rastin ta shohim në protestën e feministëve në Mitrovicë. Ndërsa këtë realitet, ngacmim, nuk e shohim vetëm në Mitrovicën tonë të ndarë e të përvuajtur, por edhe në Kumanovën heroike, në shkolla të mesme e fillore si dhe në çdo cep të shqiptarisë. Më thoni një moment shkollor në të cilin nuk jeni përball me një problem të këtillë? Mjafton ta lexojmë kronikën e zezë të çdo vendi në Ballkan dhe do ta kuptojmë këtë realitet.

Kjo gjetje kreative e feministëve të Mitrovicës kategorinë e këtillë të meshkujve, por edhe femrave, pasi që edhe nga femrat ka ngacmues, e bën që të struken prapa tastierës, të skuqen, të zgërdhihen, ndoshta edhe të shajnë e ofendojnë. Ajo që më ra në sy në protestën e feministëve të Mitrovicës ishte pjesëmarrja e politikanëve dhe politikaneve si dhe rrëfimet e panumërta për ngacmime seksuale në politikë.

Si shoqëri duhet ta themi hapur dhe pa doreza këtë problem i cili është në rritje e sipër. Kemi dëgjuar dhe dimë për profesor dhe arsimtar shqiptar ngacmues seksual. Edhe pse një gjë e këtillë është e njohur dhe e ditur thuajse nga të gjithë, ata profesor dhe arsimtar përsëri vazhdojnë të japin mësim si dhe t`i “edukojnë” gjeneratat e ardhshme duke kërkuar momentin e përshtatshëm toksik për të vazhduar me ngacmimet e tyre seksuale.

Vlimi i këtillë seksual dhe pandëshkueshmëria e këtij vlimi seksual nëpër shkolla dhe institucione publike, i bënë shoqëritë tona të varura nga vullneti i më të fortit si dhe i le derën hapur devijimeve të cilat kanë pasoja të mëdha për të ardhmen.

Në medie lexuam edhe për ngacmime seksuale nga një fallxhor që është paraqitur si hoxhë. Po në rrethet e brendshme, dimë plot raste të cilat nuk denoncohen e që kanë të bëjnë me këtë problematik.

Duhet hapur të denoncohen të gjithë, të mos kihet mëshirë për ngacmuesit seksual qofshin në institucionet shkollore, politike ose fetare. Në këtë pikë asnjë institucion nuk është imun!

Nëse flet hapur dhe denoncon rastet e këtilla, nuk nënkupton shtimin e pasigurisë në shoqëri, porse i mundëson organeve të rendit dhe hetuesisë për të kryer detyrat e tyre. Edhe nëse nuk beson në organet e rendit dhe hetuesisë, së paku prindërit i përgatit me informacione dhe zgjon tek to sistemin mbrojtës familjar.

‘Mos ngacmo o mut’, sepse edhe ti në familjen tënde ke gjininë më të bukur të cilën nuk dëshiron që askush ta ngacmojë. Mos provoko gjëra për të cilat nuk ke dëshirë të provokohesh dhe mos privo njerëzit nga e drejta për të qenë të lirë në ambientet publike, pa pasur nevojë për frikë. Paramendoji momentet kur ti në kohën kur ishe i fuqishëm nuk ke lënë vajzë ose grua rrugës pa ngacmuar dhe në momente të caktuara e kupton se vajza e gruaja jote ngacmohet nga të tjerët?

Përveç ngritjes së zërit dhe vetëdijes përmes protestave të këtilla të cilat në mënyrë të plotë kanë përkrahjen time, ne si shoqëri kemi nevojë që në shkollat tona t`i fusim dy lëndë edukative e që i mësojnë të rinjtë dhe të rejat të janë të kujdesshëm.

Është bërë e domosdoshme futja e lëndës së edukatës fetare, por edhe edukatës seksuale në të gjitha shkollat tona. Nuk mund që të frenojmë këtë fenomen pa marr masat e duhura institucionale.