“Mundohu t’ia dalësh mbanë e vetme!” Mesazhet e Michelle Obama që çdo femër duhet t’i lexojë

0
5

Autorja dhe ish zonja e parë amerikane, Michelle Obama ofron disa këshilla nga jeta e saj për vajzat dhe gratë e reja në barë botën.

“Jam shumë krenare për të gjitha ju,” – i tha Obama auditorit të vajzave të moshës 11-16 vjeç. – “Ju lëvizni dhe më frymëzoni.” Ajo foli me studentet për arsimin, karrierën, marrëdhëniet dhe jetën, si dhe u dha këshillat e mëposhtme grave dhe vajzave të reja:

1- Mundohuni t’ia dilni të vetme

“Unë kam qenë gjithmonë studentja që donte të merrte A nëpër provime, e cila donte të bënte mirë, të ishte më e mira. Duke qenë një nga ata fëmijë në një komunitet ku jo të gjithë i kishin ato synime, e gjeja veten duke menduar ‘Si mund të mësoj kur jam e rrethuar nga njerëz që kanë pritshmëri të ndryshme nga unë?’ Kur i thashë këshilltarit tim të shkollës së mesme se doja të shkoja në Princeton për studime, këshilltari më tha: ‘Unë nuk mendoj se ti je materiali i duhur për Princeton.’

Kjo më mërziti në njëfarë mënyre, që edhe pse vazhdova dhe hyra në Princeton, më kujtohej ajo ndjenjë dyshimi që një i rritur tjetër më nguliti në mendje. Unë, si shumë të tjera, hyra në atë shkollë me një stigmë në kokën time.

Unë ia dola shumë mirë në Princeton, rezultatet e mia ishin të shkëlqyera dhe kjo tregon se sado barriera t’ju vendosin në jetën tuaj, sërish mos dyshoni në ëndrrat tuaja. Mund t’ia dilni. Ju duhet vullnet dhe të mos lëkundeni nga fjalët e të tjerëve. Edhe të vetme, ju jeni të forta dhe mund të arrini gjithçka”.

2 – Zbuloni se kush doni të bëheni, jo çfarë dëshironi të bëheni

“Një nga sfidat që arsimi formal u vë të rinjve është se ju thuhet të kuptojnë se çfarë duan të bëhen kur të rriten. Ju jepen tituj. Avokat. Mësues. Studiues. Ju i mësoni ata tituj dhe pastaj ju bëni punën për të arritur tek ata tituj.

“Ajo që mësova në jetë, nuk kishte lidhje me këto çfarë na mësojnë. Për çfarë më intereson një titull, kur ajo që ka rëndësi është se çfarë më sjell gëzim? Çfarë më bën të trishtuar? Ne nuk i mësojmë këto gjëra në shkollë. Këto unë i mësova gjatë jetës, kur edhe kuptova se nuk doja të isha një avokate, pavarësisht viteve të studimit dhe dedikimit. Këtë jua këshilloj edhe juve, mësoni, kaloni kohë me veten për të kuptuar se kush dëshironi të bëheni, jo çfarë dëshironi të bëheni. Pyetjes se çfarë, do t’i japë koha përgjigje”.

3- Gjeni modele të forta femërore

“Modelet e grave janë kritike nëse dëshironi të bëheni të suksesshme. Unë isha e rrethuar nga gra të forta dhe forca shfaqet në shumë mënyra. Gratë e forta në jetën time ishin nëna, hallat dhe gjyshet e mia, njerëz që ngriheshin çdo ditë, punonin dhe sakrifikonin, më tregonin dashuri dhe më mbushnin me kaq shumë njohuri bazuar vetëm në sensin e shëndoshë dhe personin që përfaqësonin.

Nëna ime është padyshim gruaja më e rëndësishme në jetën time, dhe ajo është një burim force. Ajo e zhvendosi jetën e saj në Shtëpinë e Bardhë – diçka që kurrë nuk do të kishte dashur ta bënte. Ajo e bëri atë zgjedhje, sepse edhe një herë sakrifikoi për të më mbështetur mua dhe për të mbështetur vajzat e mia në një mënyrë që ajo e ka bërë gjatë gjithë jetës sime.

Nëse doni të ecni larg në jetë, dijeni se ju duhen modele femrash me karakter të fortë dhe të suksesshme. Ato duhet të jenë modele shembulli që t’ju nxisin edhe ju të ecni të vendosura në jetë. Nuk ka rëndësi në çfarë fushe i zgjidhni modelet, rëndësi ka të jenë femra që t’ju frymëzojnë dhe nxisin drejt sukseseve.”

4 – Zgjidhni edhe modele të forta mashkullore

“Burrat në jetën time luajtën një rol të rëndësishëm për të më bërë një grua të fortë. Unë kisha një baba dhe një vëlla që më respektonin dhe nuk më trajtonin si princeshë. Ata më trajtuan si të barabartë që në moshë të re. Vëllai im më mësoi boksin, unë mësova të bëja boks bashkë me të. Isha e barabartë dhe e ndieja këtë gjë. Mos e nënvlerësoni rëndësinë e meshkujve që kanë respekt të lartë për vajzat e reja.

“Ndonjëherë burrat mendojnë se vajzat e forta krijohen nga gra të forta. E vërteta është se vajzat e forta bëhen të tilla, edhe nga burra të fortë gjithashtu, dhe kjo luajti një rol të madh tek mua që të ndihesha e sigurtë dhe e vendosur dhe gjithashtu të kisha një standard të lartë për llojin e burrit që doja në jetën time. Ndaj mundohuni që siç zgjidhni modelet femërore, të shihni edhe modelet e meshkujve që ju frymëzojnë, por edhe që ju bëjnë të krijoni standardet tuaja për mashkullin që do të doni të keni në jetë.

5 – Zgjidhini marrëdhëniet tuaja me mençuri

“Dashuria nuk i rregullon problemet që keni përbrenda. Ju duhet të jeni partnerja më e mirë e vetes suaj. Nëse e dini se kush jeni; nëse e dini se si të siguroni jetesën tuaj dhe të kujdeseni për veten, atëherë kërkoni persona të tillë edhe në jetën tuaj. Nuk ka pse ju të zgjidhni persona të ndryshëm, për t’i ndrequr, pasi marrëdhëniet nuk janë krijuar për të rregulluar apo ndrequr boshllëqet që kanë individët.

Mos e mendoni këtë çështje si pak të rëndësishme, personi i jetës duhet të ketë një rëndësi të madhe për të gjitha ju. Ndaj, zgjidheni me kujdes. Nuk keni pse të nxitoheni, apo të mahniteni pas një personi me pamje të bukur. Zgjidhni karakterin, ai nuk vdes kurrë dhe as ju nuk keni për t’u zhgënjyer kurrë.”

Burimi/bota.al/