Musa Juka (Shkodër, 10 mars 1885 – Aleksandri, 13 nëntor 1955)

0
337

Musa Juka (Shkodër, 10 mars 1885 – Aleksandri, 13 nëntor 1955) ka qenë kryetar i bashkisë së Shkodrës për tetë vite, Ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhave 28 shtator, 1925 – 10 shkurt, 1927 dhe 11 nëntor, 1933 – 16 tetor, 1935 si dhe Ministër i Punëve Botërore i Shqipërisë gjatë periudhave 9 nëntor, 1936 – 7 prill, 1939 dhe 22 prill, 1931 – 7 dhjetor, 1932.

Musa Juka

Lindi në Shkodër, djali i katërt i gjashtë fëmijëve të Zyberit dhe Hava Bekteshit, rridhte nga të dy anët prej familjesh të vjetra qytetare, të kamura dhe shpesh të përfshirë në punët e parisë së qytetit. I ati i tij Zyberi me të vëllanë, Ibrahimin, merreshin me tregti, veçanërisht të mëndafshit dhe të leshit. Kishin magaza në pazar, zotëronin çifligje në fshat dhe jetonin në lagjen Parrucë – zemra politiko-administrative e gjithë vilajetit – ku kishin shumë dugaja që i jepnin me qira dhe dy hotele – njëri prej tyre shumë i shquar, i quajtur Europa, mbahej si një nga më të mirët e Rumelisë. Siç ia kërkonte sëra, kishin bërë pelegrinazhin në Mekë dhe thirreshin haxhí.

Në rininë e tij ishte kazaz (mëndafshdredhës).Rreth vitit 1905, në moshën 20-vjeçare, punësohet në Drejtorinë e Financës së vilajetit të Shkodrës. Në 1910 bëhet drejtor i saj – detyrë që e ushtron deri në dorëzimin e qytetit Malit të Zi nga Esat pashë Toptani. Pas largimit të malazezëve, Administrata Ndërkombëtare që mori në administrim qytetin e ftoi të ishte anëtar i Komisionit të Buxhetit. Por vëmendja e Musait u përqëndrua në fushën e propagandës politike.

Më 19 mars 1916, gjatë pushtimit austro-hungarez, Musa Juka bëhet Kryetar i Përlimtares së Shkodrës me 70% të votave (28 nga 40 zgjedhës të dytë). Rizgjidhet në detyrë më 10 mars 1920 kur Shkodra ishte ende nën administrimin e dytë ndërkombëtar të përfaqësuar nga guvernatori francez Bardi de Fortou. Si në të gjithë Shqipërinë, më 9 korrik 1922 u bënë zgjedhje të reja dhe Musai fitoi mandatin e tij të tretë si kryetar i bashkisë më të madhe të vendit.

Juka diti të mbante marrëdhënie të mira pune me cilindo autoritet në fuqi, duke e shfrytëzuar këtë bashkëpunim në dobi të punëve publike dhe shërbimeve ndaj qytetarëve. Nën kujdesin e Musait, u çelën dhe u shtruan rrugë të reja, u realizua ndriçimi i qytetit, u ndreqën urat mbi Bunën dhe Drinin, u sigurua një shërbim spitalor dinjitoz dhe shumë gjëra të tjera.Me rastin e Luftës së Koplikut qe treguar mjaft aktiv, veçanërisht përsa u përkiste furnizimeve të ushtrisë vullnetare dhe nxitjen e popullit për furnizimin e frontit.

Refuzoi bashkëpunimin me lëvizjen kryengritëse të Elez Isufit, Bajram Currit dhe Halit Lleshit të marsit 1922. Nën trysninë e ndarjes së thellë që po përvijohej ne skenën politike shqiptare, u rreshtua me Partinë Popullore të Ahmet Zogollit. Mbi Jukën vërshoi një lum i pafund kritikash dhe qortimesh. opozita, përmes organit Ora e Maleve, e akuzonte për braktisje të interesave të qytetarëve dhe kërkonte ja dorëheqjen nga posti.

Me Lëvizjen e qershorit Rexhep Shala, Xhemal beg Bushati dhe Ndok Gjeloshi u dyndën në Shkodër që të largonin Abedin Nepravishtën, prefekt, Ferit Frashërin, komandant i Xhandarmërisë, dhe Jukën, kryetar i Bashkisë, së bashku me forcat besnike qeveritare dhe me ndjekësit e tyre, u mbyllën në prefekturë dhe i bënë rezistencë lëvizjes së armatosur. Vrasja e Ferit Frashërit theu vullnetin e mbrojtësve dhe ata vendosën të dorëzohen.

Kaloi në Podgoricë. Atje, bashkë me Ceno bej Kryeziun, Hasan bej Bushatin dhe të tjerë formoi Komisionin e Podgoricës, i cili në bashkërendim me grupimet e tjera zogiste kishte për detyrë përgatitjen dhe realizimin e rikthimit në pushtet të autoriteteve të ligjshme. Triumfi i Legalitetit rezultoi veçanërisht i lehtë edhe në Shkodër ku mbështetësit e Zogut ishin në minorancë. Keqadministrimi i drejtuesve të dalë nga Lëvizja e qershorit dhe masat ndëshkuese arbitrare të ndërmarra nga Mustafa Kruja, i emëruar prefekt i Shkodrës, kishin ngjallur ndjesi jo të mira ndër shkodranët.

Për familjen Juka morri fund një nga periudhat më të errëta të saj. Nën terrorin e sundimit revolucionar, vëllezërit e Musait u shtrënguan në klandestinitet. Pas rikthimit te Legalitetit Musa Juka vendosi të pranonte ofertën e Presidentit të Republikës së saposhpallur. Hyri si deputet zëvendësues nga lista e Dibrës. Nga 1925 deri në 1939, përveç disa periudhave të shkurtra, luajti rolin e një viceroi dhe një mbështetësi të palëkundur të regjimit zogist. Si ministër i Punëve Publike, mania e Musait qenë rrugët dhe infrastruktura rrugore në tërësi. Ura e Matit është në këtë drejtim trashëgimia e tij më e shquar ndërsa në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme garantoi një rend dhe qetësi.

Pas një mërgimi të gjatë dhe të vuajtshëm në Stamboll (1939-1949) dhe në Aleksandri (1949-1955), Musa Juka ndërroi jetë më 13 nëntor 1955.

Burimi/Facebook – Pro Gegenishtes