Muzeu i Kujteses: Pjeter ARBNORI: Letrat e mundimit!….

0
95

Risjellim ne kujtese ne ditelindjen e “Mandeles se Ballkanit”, Pjetër Arbnorit, botimin e një tufë letrash familjare dhe disave, shkruar nga qelia, si dëshmi për deformimin e të drejtave të njeriut shqiptar nën diktaturë.
Nga Burreli më 1983, në grevë urie, ai i drejtohet Ramiz Alisë mbi kequshqyerjen dhe vjedhjen që u bëhej të burgosurve. Më në fund, del në dritë, edhe traktati politik “Pse duhet të rrëzohet Komunizmi” që i kushtoi Arbnorit vite izolim
“Shumë e dashuna Nanë, Netë e Margeritë”. Nga Tirana, më 20.12. 1962, në Laç, 25 mars 1965, Fushë-Krujë, 30 prill 1966, Elbasan, 15 prill 1967, Burrel, 30.9.1967,… e deri tek e fundit letër nga Burreli, më 21.7.1989″.
Të gjitha letrat të shkruara në 29 vjet burg, Pjetër Arbnori i ka filluar po njëlloj, e në të gjitha u drejtohet tri grave, nënës Gjystinë dhe dy motrave: Antonetës e Margaritës.
Ato janë shkëputur nga Arkivi i Kujtimeve të tij, i dorëshkrimeve, tregimeve, fletëve të ditarit, dhe botohen të përmbledhura në librin “Shumë e dashura Nanë” (Nacional, 2009), me rastin e 75-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe politikanit shqiptar.
Letrat i ka qëmtuar, mbledhur dhe renditur nga Arkiva e Familjes Arbnori, Novruz Shehu.
Thonë më tepër se çdo kujtim, fjalë, apo mendimet klishe, “njeriu që mbetet legjendë”, “modeli i qëndresës”, “një shembull i disidencës shqiptare” që u lakuan dje në Muzeun Historik Kombëtar, nga miqtë, bashkëkohësit, njerëzit e politikës.
Të gjithë në përpjekjen e mundimshme për kujtimin më të zgjedhur nga koha e burgut, për frazën më goditëse për të pranishmit, për ligjëratën më të spikatur ndër të tjerët. Skicimi me laps i portretit të mendimtarit me penë në dorë, realizuar nga Naxhi Bakalli, dukej sikur ironizonte gjithçka. Kësaj i shtohej edhe qëndrimi i së motrës, Antonetës, gruas me flokë gri, që me zor e çoi fjalinë deri në fund: “Zemra ime pikon gjak. E kujtoj çdo ditë. S’do ta harroj deri atë ditë që të shkoj tek ai”.
Përveç letrave drejtuar familjes, në këtë përvjetor për herë të parë prezantohet edhe Traktati Politik “Pse do të rrëzohet komunizmi”, shkruar me majë lapsi në letra cigareje nga Pjetër Arbnori në izolim, më 1964. Një libërth me teza kapituj dhe 58 pika, të mbështetura në Programin e Partisë Social Demokrate, që ai përpiloi në vitin 1961.
Ky program, në një kohë kur regjimi komunist nuk lejonte mendimin ndryshe, u bë shkak që të riut 26-vjeçar t’i jepej dënimi kapital, me pushkatim, që më pas u zbut në 25 vjet burg në Tiranë, Laç, Elbasan, e në fund në burgun famëkeq të Burrelit, ku qëndroi për 22 vjet (1967-1989).
“Puna e detyrueme asht çfaqja ma e shëmtueme e sistemit të dhunës. Ajo është e afërt me socializmin aq sa asht e afërt dashunia e pastër me përdhunimin e femnës. Katër të pestat e “Veprave të mëdha” me të cilat krenohen komunistat, janë ba nga puna e detyrueme e të burgosunvet, të interesuemvet dhe të ushtarëvet të punës. Pjesa tjetër me punëtorë mëditës”, shkruhet në pikën 8 të tezës “Karakteri i pushtetit të sotëm, nevoja dhe domosdoshmëria e përmbysjes së tij” të traktatit politik të Arbnorit. Teza që “janë shkruar me maji lapsi në letër cigare, në të dyja anët”.
Traktati i tij politik zë fill me shpjegimin e defekteve të regjimit komunist, përafrimi me ngjarjet politike nëpër botë “gjithë bota tenton drejt Socializmit. Në forma të ndërgjegjshme ose të pandërgjegjshme, me demokraci ose me dhunë, me evolucion ose me revolucion, me luftë edhe me paqe popujt ecin të sigurtë drejt këtij sistemi të ri shoqnor”, ndryshimet në formën e ushtrimit të pushtetit midis Social Demokracisë dhe Komunizmit, “Rrugët që duhet të ndiqen”, të drejtat dhe detyrat në një regjim demokratik “të kesh liri demokratike nuk do me thanë që njerëzit janë të lirë me përdorë dhe dhunën”.
Në tezën me numër 5, shkruhet “Programi Social Demokrat”, përkufizimi i plotë dhe i saktë i koncepteve: liri, pushtet, pronë, barazi, ekonomi, opozitë, zgjedhje. Në këtë program guxohet edhe më: “Udhëheqësit duhet të heqin dorë nga çdo pasuri. Llogaritë e tyre personale duhet të pasqyrohen imtësisht në shtyp”, “Populli duhet të mësojë me duartrokitë shumë pak. Ai ma mirë do ta bënte me i besue më pak herojvet”, apo “Komunistat, duke mos pasë asgja, i premtuen popullit 1000 gjana e nuk realizuen asnji gja të saktë. Ne duke mos pasë asgja, i premtojmë popullit pak dhe jemi të ndërgjegjshëm se pa ndihmën e kontrollin e tij edhe “premtimi i saktë” realizohet me shumë vështirësi”. Në këtë përmbledhje të Novruz Shehut, janë 6 faksimile, të këtyre tezave në letër cigareje.
Në librin “Shumë e dashuna nanë”, ku përmblidhen letrat e pafunda drejtuar familjes, në pasthënie shihen dy letra ndryshe nga të tjerat, njëra drejtuar “Zotit Shuaip Panariti, kryetar i gjykatës së naltë Tiranë” (26.XI.1964), ku Pjetër Arbnori përshkruan dhunën psikologjike, fizike, kërcënimet, presionin për hakmarrjen ndaj familjes, torturat që i janë bërë në burg. Letra e dytë, drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, dhe “për djeni Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia (22.9.1983) , ku ai flet për grevën e urisë për shtatë ditë. Këtë të fundit po e botojmë të plotë. Është një raport me rëndësi të dorës së parë jo vetëm për kushtet ku është shkruar, po edhe si dëshmi për deformimin e të drejtave të njeriut shqiptar nën diktaturë.

Letra drejtuar
Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Tiranë
Për dijeni Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia
Duke shkelur në mënyrë sistematike, ligjshmërinë dhe rregulloren e brendshme të burgut të Burrelit, komanda më detyroi të filloj grevën e urisë që prej shtatë ditësh e s’dihet kur do të përfundojë.

  1. Zëvendësdrejtori i kampeve e burgjeve, Mitat Bare, në prani të kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme dhe komandantit Ismail Musta na lexoi vendimin e 28 majit 1983 “Mbi heqjen e gatimit personal (na ndalohet të ziejmë një çaj me gazeta kur jemi me grip) dhe kufizimin e ushqimeve (1-2 kg) dhe fruta zarzavate (3 kg në muaj) nga familja. Na u lehtësua se kjo bëhet për “lehtësimin e familjeve tona”.
    Ai lexoi shprehimisht: “I burgosuri lejohet të marrë nga familja vetëm 1-2 kg sheqer, ose gjalpë, ose marmalatë, ose hallvasi, ose biskota etj., si dhe pranë burgut do të hapet një dyqan ku do të ketë për konsum ditor sallam, byrek, konserva, kafe të përgatitur etj.
    Mbas pak ditësh komandanti na lexoi dhe na afishoi një rregullore të re, ku përmbysej kokëtatëpjetë vendimi i 28 majit, sigurisht në dëm të të burgosurit. Aty thuhej “Lejohet të marrësh nga familja 1-2 kg sheqer, gjalpë, marmalatë, hallvë e biskota (u zhduk fjala e tjerë) si dhe pranë dyqanit të burgut do të blejmë për konsum ditor sallam, byrek, konserva, kafe të përgatitur, kur ka mundësi.
    Kështu, për çudi u hoq fjala “e tjerë” dhe u shtua një fjalë magjike “kur ka mundësi”, që për komandantin do të thotë “kur dua unë”.
    Veç kësaj na doli një klauzolë tjetër e palexuar nga Mitat Bare që thotë se “në dyqan mund të blesh vetëm 3 kg fruta, zarzavate në muaj, po të mos i kemi marrë nga familja, gjë që më duket se nuk ka të bëjë fare me lehtësimin e familjes që u përdor si motiv i vendimit të 28 majit. Për javë të tëra dyqani mbeti me biskota, kafe e reçel. Një herë në 15 ditë na ndanin nga 100 gr sallam, i cili zhdukej përsëri. Nga 2 kilogramshi i lejuar, shitej vetëm sheqeri, të tjera thonin nuk ka. Unë e kuptoj se mund të ketë mungesa në treg; po si qëlloi që në listën tonë të vihen vetëm artikujt që nuk gjindeshin, me gjizë, djathë apo një çikë vaj sa për t’i hedhur supës së kazanit, por komandanti na u përgjigj; S’kini për të ngrënë kurrë “gjizë, djathë, e vaj”. Rojet talleshin me ne: “Hani reçel e biskota, pini kafe!”
    Po ka njeri në Shqipëri që të jetojë me biskota e reçel. Sa herë e kam lexuar në shtypin e librat tuaj fjalën e Mari Antuanetës më 1789! “Ç’ka populli që bërtet? – Duan bukë! – Po pse s’hanë biskota?!”
    Për mua sistemi i furnizimit që ka vendosur komandanti është një grabitje e të ardhurave tona minimale, me anën e shitjes së detyruar të artikujve, që nuk shkojnë në treg. Rregullorja i lejon konservat. Komandanti lejon vetëm reçel molle dhe speca turshi. Kombinati “Ali Kelmendi” prodhon mbi 100 lloje konservash. Ja që nuk të vikan të gjitha, ja as gjysma, po 10-15 lloje (groshë në kavanoz, fërgesë, gjizë, ullinj konservë, kuti sardele, kuti mishi) a nuk mund të vijnë?
  2. Në këto kushte familjet dërguan pako. Mua më nisën një kile qumësht pluhur, një gjysëm kile djathë e dy kile qepë. Pakoja mu kthye mbrapsht, si shumë të tjerëve sikur qumështi, djathi e qepët të ishin lëndë radioaktive. Si ka mundësi që qumështi i kondensuar të lejohet në dyqan e të mos lejohet nga familja? Në takim ka ndodhur që një shalqi të ndahet përgjysmë, gjysma t’i kthehej familjes, gjysma të burgosurit. Lëkura futej në peshën e tre kilshit.
    Një tjetri i pruni e shoqja 3 kg ullinj dhe ia kthyen, duke thënë që ullinjtë qenkan rreptësisht të ndaluar. Hapa fjalorin e gjuhës shqipe dhe doli se qenkësh fryti i një peme gjithmonë të gjelbër. Çfarë e konsideron komanda ullirin, mineral që nxirret nga nëntoka, apo prodhim deti që s’e lejon të futet në kapitullin e 3 kg fruta-zarzavatesh? Mua më kthyen dhjetë qofte dhe tri vezë të ziera, që m’i kishte sjellë nëna në takim, megjithëse ishin brenda peshës 2 kg në muaj.
  3. Prej 23 vjetësh që jam i burgosur, në bazë të normativës kemi pasur një ditë supë orizi, një ditë supë makaronash, një ditë supë fasulesh. Prej një viti komanda na i ka prerë fasulet. Në magazinë ka pasur gjithnji fasule (ndoshta më me pakicë) por s’ua kanë dhënë kuzhinierëve tanë dhe kohët e fundit e kanë fshehur fare. Nuk është e drejtë që racionet tona t’i hanë policët. Ku do t’i siguroj unë si i burgosur proteinat minimale që më siguron ligji?
  4. Sistematikisht komanda kursen në kurrizin tonë dhe në favor të buxhetit, rregulli financiar parashikon që mesatarja e kostos së zarzavateve gjatë gjithë vitit të jetë 1.8 lekë për kg, ndërsa ne na japin asosh, që kushtojnë zakonisht gjysmën e çmimit, teksa patatet dhe qepët, në dimër janë “eveniment”.
  5. Sistematikisht na janë ngrënë 2 orët e trajtimit që na i siguron rregullorja. Cilido roje, kur i teket, të ha 20minuta dhe po t’i ankohesh, të kërcënon. Ora qëndron e fshehur në zyrë, por ne na i tregonte altoparlanti që kemi në dhomë, minutat e humbura. Një meremetim i vogël, një vizitë, një nisje në spital, një takim, një thirrje në komandë, të gjitha këto janë shkaqe për të prerë ajrimin tonë jetik. (Jetojmë në një dhomë 8 me 5,
    22-24 burra, të ndriçuar nga një llampë 40 vatëshe, njëlloj me ato të nevojtoreve dhe të birucave. Nuk po përmend mbylljet me javë të tëra, kur komanda refuzon të na nxjerrë një orë në mensë, që të ajrohet dhoma dhe të shpihemi ne. Edhe kur bëjmë ajrimin, shumica e 60 minutave ikën me punë të tjera: pastrimi i dhomës, radha në nevojtore, radha për rruajtje e qethje, radha për furnizimin ditor në dyqan, banjo, larja e teshave. Kështu që ajrimi efektiv, po të jesh dorëgjerë në llogari, katandiset në 30 minuta. Kurrë s’mund të gjesh në oborr më tepër se 8-10 veta që shëtisin, të tjerët janë të zënë me punë antiajrosëse.
  6. Nevojtorja na lejohet 2 herë në 24 orë nga 20 minuta. Ka katër të ndara dhe dy çezma, 22-24 pjestarët e dhomës detyrohen të mbyllen të gjithë brenda. Po të nxjerrësh kokën a trupin te dera, për shkak të ngjeshjes së madhe të pamundësisë së lëvizjes, je nën kërcënimin e birucës dhe prerjes së korrespondencës 3 muaj, jo kërcënim teorik, por i praktikuar shpeshherë. Çdo njeri ka 1′ e 30″ në çezmë dhe tre minuta nevojtore. A mund të lajë këmbët, duart, dhëmbët, të mbushë ujë për të pirë, të derdhë, e të shpërlajë paguren e urinës për 90 sekonda? Komanda ka kohë të tepërt në darkë, nga ora 6 deri në 9, por refuzon t’i shtojë minutat. Të burgosurit detyrohen të kthehen me duar të palara nga nevojtorja, shkak i përhapjes së sëmundjeve të barkut në burg. Në dhomë, shumica përdorin pagure urine, dhe mbajnë te koka qese plastmasi, kur t’i zërë e keqja. Gjatë 23 viteve që jam në burg na e refuzojnë shpesh edhe daljen natën, duke i detyruar njerëzit të dalin në nevojë në sy të 24 burrave.
  7. Në rregullore kemi banjo, një herë në dhjetë ditë dhe larje teshash, një herë në dhjetë ditë. Në praktikë banjoja nuk funksionon me muaj, por edhe kur ndizet, jo të gjithë mund të bëjnë brenda një ore (24 vetë në tri gabina pa derë, për 60 minuta të dyshimtë). Komanda mund të gjejë kohë të lirë për t’i kryer këto punë jashtë kohës së ajrimit, siç ka qenë përpara, por nuk do.
  8. I kemi kërkuar komandantit që në korrik dizinfektimin për çimka e për miza. “Do të ketë”-tha. Vetëm në shtator, kur në dhomën 6/1 ra tifoja, një sëmundje ngjitëse, u dizinfektua vetëm kjo dhomë.
  9. Zyrtarisht kemi tri infermieri. Praktikisht ato janë kot. Një herë në vit a dy vjet shtrohet një njeri, i vihet edhe një “shoqërues” për dhjetë ditë (fati i fukarait) dhe pastaj rrinë e pluhrosen, megjithëse këtu ka mjaft të sëmurë dhe të pashërueshëm. Një herë në vit a në dy vjet vjen një komision i shëndetësisë nga ministria e punëve të brendshme, në dhomë mjekët fusin kokat, shtrembërojnë hundët nga ajri i qelbur dhe ikin duke lënë një proces-verbal se çdo gjë është në rregull. Rrallë e për mall bëjmë nga një radioskopi: Të gjithë dalin shëndoshë. Një herë, ca vite më parë, na doli “shëndoshë” edhe Skënder Alia që kish ndenjur në Sanatorium shumë vjet, e që nxirrte gjak dhe ditën që bëri radioskopinë. Qëllonte që një ose dy prej vetave i jepej një raport për 10 ditë qumësht , i cili u pritej mbas shtatë ditësh. Kam lexuar mjaft, por s’di të ketë ndonjë sëmundje gjoksi që të shërohet me 7 lugë (250 gramshe) qumësht.
    I kam shkruar për disa nga këto komandës, jam ankuar dhe me gojë, por gjithnji kam marrë përgjigje negative.
    Në këto rrethana, u detyrova të shpall grevën e urisë , duke kërkuar respektimin e ligjëshmërisë e zbatimin e rregullores.
    Që ditën e parë sollën gjalp në dyqanin e burgut, i porositur muaj më parë dhe i refuzuar prerë nga komandanti.
    Më thirrën të nesërmen përsëri; “pse se prish grevën, ta sollëm gjalpin”, më thanë. “Unë skam bërë grevë për gjalp, s’jam zotëri që të jetoj me gjalp, biskota e reçel. Do të ishte turp për mua që të bëja grevë për gjalp. Atë ma keni imponuar juve, unë dua të bëj grevë për zbatimin e rregullores”.
    Ditën e dytë erdhën konservat e peshkut të zhdukura me kohë, ditën e tretë erdhën djathi (100 gr për njeri) dhe sallami i zhdukur prej 18 ditësh (500 gr për njeri) megjithëse komandanti kishte thënë; “S’keni për të ngrënë kurrë djathë e gjizë! Si ndodhi që u gjetën këto gjëra për tri ditë?
    Vetëm se nga rregullorja e afishuar në mur nuk është hequr ende shtrembërimi i bërë me qëllim të vendimit të 28 majit, gjë që më bën të dyshoj se mbas dy javësh komanda mund të tallet me parrullën; “pini kafe, hani bisktota e reçel”.
    -Infermieri i repartit, nënoficeri K. L, nuk të përgjigjet, as të viziton po nuk e thirre “zoti doktor”. Dy herë më ka shtruar në infermieri, më 1969-70 kur kisha bronkopulmoni dhe krizë zemre. Të dyja herët nuk më ka futur në forcë, por më ka lënë me supën e kazanit dy javë, në vend të ushqimit të infermierisë më futën provokatorin dhe dëshmitarin e njohur profesionist, M. K, i cili të gjitha fjalët që thoshte vetë (unë s’mund të flisja fare se isha me krizë zemre), i regjistroi në emrin tim dhe mbas 10 vjetësh më 1979, u dënova rishtaz me 12 vjet të tjerë, në bazë të dëshmisë së tij. Ja përse përdoren kryesisht infermieritë. E kam si sot parasysh fshatarin e gjorë Hilmi Gocaj, që kishte 19 vjet burg dhe i mbeteshin pak muaj për t’u liruar. E kishte zënë një bark dhe përditë i ankohej Lybesharit. Ditën e fundit i tha: “Po jam keq, zoti doktor, aman më bëj derman!” Do qumësht ti, do qumësht, prandaj bën kështu!” iu përgjigj me cinizëm Lybeshari. Në darkë ai u bë shumë keq. Dera trokiti gjithë natën me forcë (janë shenjat e qarta në derën e dhomës 10, sot mensa), por askush s’e hapi. Në të aguar Hilmiu vdiq. Erdhi Kamberi me infermierin e pastruesin dhe e çuan në infermieri, bënë një proces-verbal “të saktë” ku thuhej se vdiq nën kujdeset e shëndetësisë, thirrën karrocën e komunales dhe çdo gjë u mbyll mirë e bukur.
    Pjetër Arbnori
    Rep. 321
    Burrel, 22.9.198

Burimi/Facebook