Ndërron jetë gazetari i njohur Ymer Minxhozi

0
49


Nga Gjergji Mima

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Një emër i njohur i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare ka ndërruar jetë sot në Tiranë në moshën 91-vjeçare.

Ymer Minxhozi, gazetar, publicist e diplomat me stazh të gjatë, ka ndërruar jetë në banesën e tij.

Ymer Minxhozi është autor i mbi 20 librave me ese, satirë, shënime udhëtimesh dhe kujtime.

Pasi ka mbaruar studimet në Moskë për gazetari në vitet ’50, ai ka qenë korrespondent i shtypit shqiptar në Kinë dhe vendet e Azisë Juglindore, e më pas ka drejtuar gjatë jetës së tij për shumë vite revistën “Shqipëria e Re”.

Ymer Minxhozi ka përfaqësuar vendin tonë në disa kontakte diplomatike, kulturore e bisedime me vendet fqinje dhe ato europiane.

Gazetar aktiv dhe i përkushtuar në profesionin e tij, Minxhozi ka qenë prezent me shkrimet e tij edhe pas viteve ’90, kohë gjatë të cilës ka botuar vëllimet: “Avokati i djallit – fjalë fluturake”, “Borë e zezë”, “Shansi i humbur”, “Era e mykut”, “Ditari i tre kontinenteve” etj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Burimi/ata.gov.al/