Ndue Lazri – KUSH FITOI E KUSH HUMBI?

0
100

Mbaroi Festivali Folklorik i Partisë Demokratike
KUSH FITOI E KUSH HUMBI?
Pas tre muajsh spektakle folklorike në të gjithë vendin, nga ato që të kujtonin kohën e merhumit kur dilte vizita nëpër rrethe për të proklamuar fitoret e tij e për të anatemuar bashëpunëtorët e tij që i shpallte armiq të popullit, dje ra sipari i Festivalit Folklorik të Partisë Demokratike.
Një javë më parë ishte radha e krahut berishian të kësaj partie. Kuvendi i bërë në stadium i ngjante një ndeshje futbolli pa kundërshtarë, por vetëm me spektatorë dhe ku lojtari i vetëm, Sali Berisha shënonte autogola. E nga shkallët e stadiumit ovacione “Berisha! Berisha!”, që të kujtonin sërish kohën e merhumit dhe kultin e Njëshit. Edhe kur Berisha në mënyrë dhelpërake bënte ndonjë autokritikë me pambuk dhe pranonte ndonjë gabim, tifozët e duartrokisnin e thërrisnin në kupë të qiellit emrin e tij. Pastaj votime 99,99 për qind si dikur,vendime për përjashtime nga Partia si dikur, ku kryetari de facto përjashton kryetarin de jure. Kuvendi i i ashtuquajtur i rithemelimit zgjedh një komision prej 27 anëtarësh të komitetit qendror që do të punojnë për rithemelimin e partisë në 22 marsin e ardhshëm.
Festivali arriti kulmin dje, kur në njërën anë ishte krahu bashian i Partisë Demokratike për të rikonfirmuar Bashën e për të përjashtuar Berishën nga funskionet e PD meqë është shpallur non grata nga Amerika, kurse në anën tjetër referendumi i Berishës për të përjashtuar Bashën e për të sjellë në krye liderin historik. Në pallatin e kongreseve fillon kuvendi. Nuk do merremi me numura, se organizatorët e të dy krahëve i përpunojnë e i shpallin si të duan. Në kuvendin bashian dëgjuam të paktën ndonjë diskutim me mendime kundra Bashës, aq sa mendoje që kuvendi do e shkarkonte menjëherë për disfatat e vazhdueshme të PD në 8 vitet e fundit. Por pasi e bënin zhele me kritika, ia hidhnin fajin Berishës, meqenëse ishte ai që i luante gurët e vërtetë, kurse Basha ishte një beniamin i bindur i tij. E edhe diskutimet më kritike mbylleshin me fjalët “Mbështesim Bashën. Rroftë Basha! Basha udhëheqës me vizion euroatllantik. Basha! Basha!” Eh i shkreti popull. Nuk i shkon poshtë buka po nuk pati ovacione për Njëshin. Edhe këtu votime 99,99 për qind, si dikur.
Si mund të ndodhte ndryshe? PD ka lindur nga mitra e Partisë së Punës, e krijuar nga ish funksionarë e militantë të Partisë së Punës.
Kur Basha me kryesinë bënte konkluzionet e kuvendit, në selinë e PD arrin Berisha me sejmenët e tij për të shpalluar rezultatet e referendumit. Por në fytyrë nuk kishte entuziazëm. Kaq të lodhur e kisha parë vetëm atëherë kur humbi referendumin për Kushtetutën. Rezultatet e këtij referendumi: Kanë votuar 44 mijë vetë dhe 99.99 për qind e tyre ka votuar për përjashtimin e Bashës nga PD. Organizatorët e tij flasin për një rezultat historik. Ndoshta këtë fjalën historik e përdorin në kuptimin e një rezultati negativ historik. Sepse duke patur parasysh që PD ka në shkallë vendi të paktën 500 mijë vota, atëherë del se për përjashtimin e Lulëzim Bashës kanë votuar aty tek 9 për qind e kontigjentit të PD. Pjesa tjetër e elektoratit, 91 për qind nuk janë për përjashtimin e Bashës. Me sa duket Berisha nuk ka një raport të mirë me referendumet.
I egërsuar Berisha kërcënon deputetët e PD se po nuk e mbështetën do i përmbysë revolucioni i tij. Kërcënon Ramën se Revolucioni i tij do e fshijë përfundimisht. Kërcënon Vuçiçin se po erdhi në Tiranë jehona e revolucionit të tij do të dëgjohet deri në Beograd (e mira do te ishte që Vuçiç të mos vinte në Tiranë). Kërcënon Yuri Kimin se do ta çojë ambasadore në Filifistun, kërcënon Amerikën se do organizojë paradë ushtarake për të rrëzuar sekretarin e shtetit që e ka shpallur non grata. Kjo luftë e tij në shumë fronte njëherësh më kujton Hitlerin në kulmin e dëshpërimit kur i kishte shpërndarë forcat e tij nga Afrika, Europa e Azia e nuk ishte më në gjendje as t’i mblidhte ushtarët e vet kur sovjetikët i hynë në Raihshtag e forcat aleate i pushtuan pjesën tjetër të Berlinit.
Festivali folklorik mbaroi. Kush fitoi e kush humbi? Mendoj se nuk ka asnjë fitues, por dy humbës qesharakë, që prej tre muajsh japin spektakle qesharake, që e kanë katandisur Partinë Demokratike në një masë amorfe pa formë e pa kokë. Ka humbur populli që mbetet ende pa një opozitë të vërtetë. E pa një opozitë të vërtetë nuk ka pluralizëm politik, nuk ka demokraci të shëndoshë, ndonëse në tridhjetë vjet ende nuk kemi patur një demokraci të vërtetë.
Nëse ka një fitues, ai është Rama, i cili fërkon barkun nga kënaqësia, sepse me këtë opozitë copë-copë mund të bëjë gjumë të qetë e të hedhë nga ato batutat e tij, që më shumë se mbi këdo tjetër bien mbi popullin që mbeti nën regjime edhe atëherë kur gënjeu veten duke kujtuar se e përmbysi përfundimisht regjimin komunist.
Festivali folklorik mbaroi nën duartrokitje e ovacione të stuhishme. Spektakli tani do të vazhdojë nëpër media, ku gazetarë e opinionistë të paaftë, qesharakë, servilë e të shitur do vazhdojnë t’i shpëlajnë trurin një populli që tërë mbrëmjen e natën shan politikanët si shkaktarë të varfërisë e të halleve të tij të shumta, kurse ditën shkon e i brohoret dhe duartroket e kur vjen momenti i voton përsëri, ose ua shet votën për një thes miell.
Ndaj folklorizmi vazhdon të mbetet tipari kryesor i vendit tonë.
Berisha! Berisha!
Basha! Basha!
Rama ik.
E historia përsëritet.
Ndue Lazri

Burimi/Facebook