Ndue Lazri – SONTE ITALIA NUK MË DUKET E BUKUR

0
51

-I jep fund jetës heroina e luftës kundër prostitucionit, Adelina Sejdini-
Sapo lexova artikujt e gazetarëve Lorenzo Tosa e Massimiliano Cassano, mbi historinë e dhimbshme të shqiptares 47-vjeçare nga Durrësi, e cila pardje i ka dhënë fund jetës, duke u hedhur nga një urë hekurudhore në Romë. Çdo histori që përfundon me vdekje të tilla është e dhimbshme dhe e trishtë, por kjo e Adelinës, përveç dhimbjes ngjall edhe një zemërim të madh, përse kjo heroinë e luftës kundër prostitucionit u la e braktisur nga shteti italian derisa arriti në një fund të tillë tragjik. Një fund që hedh një njollë të madhe turpi mbi organet kompetente shtetërore italiane, të cilave ajo iu drejtua për ndihmë e të cilat i detyroheshin shumë për ndihmën që kishte dhënë Adelina në luftën kundër prostitucionit, duke rrezikuar seriozisht kokën e saj.
Adelina kishte arritur në Itali në moshën 22-vjeçare. Kriminelët e tregut të trupit femëror e rrahën dhe e torturuan, që ajo të dilte në rrugë e të shiste trupin e saj për t’u dhënë atyre fitime. Por Adelina u rebelua, bashkëpunoi me organet e policisë dhe ato shtetërore italiane, duke bërë që të arrestoheshin 40 kriminelë që merreshin me prostitucionin dhe denoncoi edhe 80 të tjerë. Një ndihmë kolosale për organet shtetërore italiane. Në këmbim ajo kërkoi fare pak: të merrej nën mbrojtje, sepse aktin e saj kurajoz kriminelët mund ta shpërblenin duke i marrë jetën dhe t’i njihej shtetësia italiane. Për këto dy kërkesa i kishte shkruar ministrit të brendshëm italian dhe Presidentit Mattarella. I ishin dhënë premtime për t’i zgjidhur këto kërkesa të saj. Por vetëm heshtje. Me sa duket shteti italian ishte më shumë i zënë me dhënien e shtetësisë në mënyrë edhe abuzive e të diskutueshme disa futbollistëve të huaj që vijnë në Itali të fitojnë miliona, duke lënë në harresë heroinën shqiptare të luftës kundër prostitucionit.
Ndërkaq, Adelina sëmuret, duke shkuar në invaliditet gati 100 për qind,me pamundësi për të punuar, pa shtëpi mbi kokë dhe me një ndihmë sociale mizerabël prej 285 euro në muaj që nuk i dilnin as për ilaçe. Në një kohë që refugjatët që vijnë nga Libia, anijet shkojnë e i marrin thuajse në brigjet e Libisë dhe për secilin prej tyre Europa jep 35 euro në ditë, domethënë mbi njëmijë euro në muaj, pa bërë asgjë.
E kishte ngritur zërin e saj Adelina për ndihmë, madje edhe në televizionin italian, tek gazetarja Merlino. Por asgjë, asnjë ndihmë. Përpara kësaj shurdhërie të shtetit italian, në fund të tetorit, ajo tenton t’i japë fund jetës duke e lyer veten me alkol e duke i dhënë trupit zjarr. Por edhe përpara një gjesti të tillë ekstrem, sërish qëndrimi ishte shurdhëri totale. E Adelina, në pamundësinë ta përballonte jetën, sepse një shtëpi popullore ia kishin mohuar meqë ishte shqiptare, se 285 euro nuk dalin as për një javë në Itali, e lodhur nga heshtja e indiferenza e një shteti që e kishte tradhëtuar ndihmën e saj, i jep fund jetës duke u hedhur nga ura.
Pas kësaj ngjarjeje tragjike mbase ndokush edhe do të flasë, mbase ndokush do të bëjë edhe ndonjë film, sepse është një skenar për çmim Oscar, por Adelina nuk do të jetë më, nuk do të dëgjojë fjalët hipokrite që mund të shprehin politikanët, nuk do të shohë nënqeshjen cinike të ndonjë politikani që antiemigracionin e ka flamur të politikës së tij.
Lexoja qindra e qindra komente të italianëve të thjeshtë, të cilët shkruanin me dhimbje e indinjatë të thellë, duke u shprehur se ndjenin turp që ishin italianë. Shprehja e dhimbjes së tyre të sinqertë i bën nder një populli që për emigrantët, ndër të cilët edhe për emigrantët shqiptarë, ka bërë shumë. Por është politika italiane, për të cilën ata me të drejtë shprehin përçmim e zemërim të ligjshëm, ajo ndaj së cilës duhet ngritur zëri me të madhe. Në emër të Adelinës e me emrin e Adelinës e të gjitha atyre grave e vajzave që krimi i prositucionit të organizuar u ka marrë jetën, apo u ka lënë plagë të rënda për tërë jetën.
Kam shkruar gjithnjë në këta 25 vite në Itali për bukuritë e këtij vendi që quhet nga të gjithë “Il bel paese”. Por sonte Italia nuk më duket e bukur. Është hieja e kësaj vdekjeje tragjike e të padrejtë e një femre shqiptare, që i dha shumë Italisë dhe nuk mori asgjë prej saj, ajo njollë që ma zbeh sonte bukurinë e këtij vendi.
Ndue Lazri

Burimi/Facebook