Ndue Shabaku – Edhe një djep i vogël …

0
93

Fusha e sportit ishte poshtë. Në pjesën e sipërme të saj ngrihej një mur që mbante oborrin e shkollës. Në fushë ishin nxënësit që merrnin pjesë në një veprimtari artistike, ndërsa të tjerët ishin spektatorë bashkë me ne. Një nxënës i klasës së parë vuri në pozicion lart në gjoks çiftelinë dhe nisi t’i bjerë. Një kolege që po e shikonte, më tërhoqi vemendjen të shikoja djalin gjashtëvjeçar, Arbenin, i cili është kushëri i afërt i yni. Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada, kam parasysh qëndrimin e djalit të vogël. Mbante kokën lart dhe gjithë fytyra bashkë me sytë shprehnin një shndritje dhe i binte instrumentit si i madh, sikur dëshironte të transmetonte me çiltërsinë e tij pasionin. Sot ai është i rritur e baba familjeje, por pasioni mbetet i njëjti. Indirekt mësova se të shtunën, më 26 shkurt 2022, kishim pikëtakimin në të njëjtin event dhe kështu ndodhi.
Vendtakimi ishte në Lecco, në qytetin verior të Italisë mes spektaklit natyror buzë liqenit e në gji të maleve thikë të mprehta. Të rrallë janë edhe miqtë tanë që jetojnë prej vitesh në këtë qytet. Grupi i Valleve Shqiponjat dhe Sofra Nikaj-Mertur ishin organizatorët, por përsëri ishin familja Qokaj nga Tropoja që përgatitën eventin e radhës. Kishin menduar e organizuar dy festa bashkë; përkujtimi i ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe evokimi i vlerave të zonës Nikaj-Mertur.
Eventin e hapën Anton Mirditori dhe Ndue Pal Qokaj, të cilët kënduan Himnin Flamurit. Këta të dy rezultuan të ishin dhe kolonat e gjithë mbrëmjes artistike. Eventi ishte ideuar dhe u realizua në formë spektakli. Në skenë u sistemua grupi i instrumentistëve i përbërë nga Gjon Uka, Arben Marku, Arben Prenga, Gëzim Pepa, Zef Margjoni, Maksim Prenga, Emanuel Uka dhe i kryesuar nga mjeshtër Antoni. Ky grup ishte pjesë, thuajse, e çdo numri që u prezantua në skenë, qoftë si protagonistë, qoftë si sfond muzikor. Siparin e hapi një valle me tonalitet të lartë, me sens marrshi dhe e shoqërur me një interpretim vargjesh si ushtimë malesh, që të bëjmë kullat istikame. Më pas u interpretuan shumë valle nga shumë vallëtarë, ku protagoniste kryesore ishin tre vajza të reja. Spikatën koreaografitë e Stelës.
Në mbrëmjen festive ishin, domosdo, të pranishem disa këngë e disa këngëtarë. Me shumë pasion e mjeshtri kënduan disa herë pjesëtarët e orkestrës së instrumentistëve, Anton Mirditori e Gëzim Pepa. Edhe një nga vallëtaret e reja, Ana Uka, këndoi një këngë vetëm e më vonë një këngë me babain e saj Emanuelin. Nga Viareggio kishte ardhur këngëtarja Mariana Daçi dhe këndoi një këngë për heroin Adem Jashari. Befasoi kur në petkun e këngëtares u prezantuar vallëtarja e sa e sa skenave zonja e shtëpisë, e palodhura Drita Gega, që kondoi solo e në duet. Tepër prekëse fjalët e Presidentit të shoqatës Vëllezërit Arbëresh, njëkohësisht artist, Mimmo Imbrogno. Duke folur për vlerat e artit arbëresh, na tha që kënga “O e bukura More” është një këngë që të çan zemrën, apo qani, trima, se iku dielli, për vdekjen e Skënderbeut. Ai interpretoi sa me dashuri, aq me mjeshtri, të shoqëruara me kitarën e tij, dy këngë. Përgjithësisht, në këngët e sjella u evokua heroizmi i popullit tonë, në përgjithësi, e i popullit shqiptar në Kosovë, në veçanti. Tepër të bukura e tepër tërheqëse ishin meloditë me instrumenta idiofonë, të cilat ishin koordinuar me shumë përkujdesje.
Prezantimi në skenë i veshjeve popullore ishte tregues i larmisë së vlerave të etnografisë sonë. Vallëtarët, këngëtarët, instrumentistët krijuan një spektakël ngjyrash e kostumesh ku prezente ishte shqiponja. Shqiponja që ishte stoli edhe e disa shisheve e realizuar nga artizani i talentur Gazmend Meçe e prezantuar direkt në skenë.
Në trojet tona festa e Karnevaleve është shumë pak e përhapur. Ndërsa në disa vende me kulturë latine, festa e Kanevaleve është shumë e përhapur dhe tepër e ndjeshme, pasi është shprehja më popullore e alegorisë. Organizatorët kishin ftuar një grup nga Kolumbia që u shfaqen para nesh me një vallëzim tango ku kavalieri kishte simuluar një Sivia Perez. Më pas një stuhi shpërthimesh e lëvizjesh e me një dekor piroteknik e ekstavagant ngjyrash e kostumesh, që me efekte pushtoi skenën e rëmbyen duartrokitjet.
Një pjesë të rëndësishme të mbrëmjes festive zunë edhe oratorët. Mësuesi Ndue Shabaku foli për etnogjenezën e popullit shqiptar dhe padrejtësitë historike që u bënë me aneksimin e Kosovës autoktone tek shteti serb me popullsi të ardhur. Veprimtari Petrit Aliaj foli për gjendjen e krijuar me vërshimin e detyruar të popullsisë kosovare vetëm me shpresën se nëna do të zgjasë dorën. Ai solli disa statistika dhe evidencoi humanizmin e popullit tonë që i priti të dëbuarit nga represioni e gjenocidi serb. Më pas, poetja Trandafile Molla recitoi siç di ajo, dy poezi me tituj “Shqipërisë i bëre nder” dhe “Liria ka një emër”. Toni i interpretimit i ngjante kushtrimit të heroit. Imprenditori i suksesshëm dhe veprimtari i hershëm Klodian Cami përshëndeti të pranishmit dhe mikpritësit në emër të dy organizimeve shoqërore nga Reggio Emilia. Ai vlerësoi shumë angazhimin e shumë aktivistëve në veprimtaritë vullnetare dhe tërhoqi vëmendjen në një mentalitet të komunitetit tonë. Ai tha që më të ndjeshëm janë, po të kishte muzikë tallava e nuk do të gjendeshin bileta, ndërsa në shpalosjen e kultivimin e vlerave kulturore, nuk vijnë falas. Orator patëm rastin të kemi gjatë gjithë mbrëmjes festive drejtuesin Ndue Qokaj. Në ndërhyrjet e tij dhe prezantimet, tërhoqi vëmendjen në disa drejtime. Së pari, me shumë repsekt foli për shqiptarët që në emigracion punojnë dhe shprehin vlerat e tyre përmes punës. Me konsideratë foli për punën që bëjnë intelektualët të cilëve u ka rënë shorti të jenë larg vendlindjes, por nuk e ndalin asnjëherë veprimtarinë e tyre në dobi të komunitetit e të mbarë kombit. Ai vlerësoi shumë punën vullnetare e humane që bëhet në shumë zona të Italisë nga organizimet shoqërore. Me zë të fortë kërkoi që të ngulmojmë t’u mësojmë e kultivojmë vlerat tona kulturore e traditat tona brezit të ri, me qëllim që ato të mos humbasin në vitet e mëpasme.
Me shumë pasion e me shumë dashuri foli për vlerat e dy fiseve që kanë bashkëjetuar në vëllazëri prej më se 600 vitesh në zonën e Nikaj-Mërturit. Përmendi edhe Currajt e Epërm, amfiteatrin natyror, ku është bash vendlindja e tij. Me emocion përmendi faktin që bash prej aty ka prejardhen Plaku Ii Maleve, Heroi Bajram Curri. Përmendi dy data, 1910 dhe 1915, ku u dallua heroizimi i burrave dhe, krah tyre, i grave të Nikaj-Merturit. Dhe një copë Nikaj-Mërtur e kishin sjellë bash në mes të skenës. Simulimi i traditës më të ndjeshme, i vetë jetës, ishte sjellë përmes sofrës së rrumbullakët. Rreth saj ishin vënë ata që në zonat e Veriut i themi shkam dhe shërbenin për t’u ulur rreth sofrës. Një katrovë me raki e gotat janë simboli i mikpritjes. Aty pranë ishte një qilim i lashtë she dy shtrosa si atëherë. Në një kënd, një djep me shkrola …
Vështirë të përllogariten sa kilometra rrugëtime kanë bërë komplet për vite me radhë familja artiste Qokaj, për të marrë pjesë e për të qenë protagonistë në evetntet e shqiptarëve në disa zona e qytete të Italisë e disa shtete të Europës. Nuk mund të llogariten sa shpenzime janë bërë, për të hyrë këto në fondin e investimeve në dobi të komunitetit. Nuk përshkruhen sa gëzim kanë sjellë tek publiku e spektarorët me lojën e bukur të tyre në vallet tona burimore, të inskenuara në natyrë e të vëna skenat tona me pasion e me dashuri. Është e pamundur të gjendet një familje si kjo, që të ketë dhënë kaq shumë për kulturën, për traditat, për trashëgiminë etnografike e folklorike. Me siguri, nuk mund të marr hiret e gjithë komunitetit, por jam i bindur se shumica e mendojnë si unë. Ne do t’u jemi mirënjohës e do të përulemi me shumë respekt për familjen tuaj, duke filluar nga më i vogli, Endri, vallëtar e prezantues kostumesh tradicionale. Po ashtu, për Stelën, valëtaren si flutur e koreografen me talent. Ne do të falënderojmë djalin energjik, vallëtar e sportist, Florianin, përherë i pranishëm në grupin e valleve. Ne do të kujtojmë e nderojmë prijësen e valles Erionën. Me siguri, do të çmojmë shumë punën mbështetëse të bijës suaj stiliste, dr. Sandrina. E si të mos ngazëllehemi për faktin që mamaja e familjes, e palodhura Drita Gega Qokaj ka ngritur më këmbë me punë vetëmohuese veprimtari kaq të vlefshme shoqërore e artistike! E si të mos ekzaltohemi për babain e familjes Ndue Qokaj, që ka mbushur shtëpinë me instrumenta muzikore dhe ka kultivuar tek familja kaq vlera njerëzore, ka ngritur më këmbë organizime shoqërore e ka dhënë kontribut kaq të vlefshëm për të mbajtur gjallë e transmetuar tek brezat kulturën e traditat tona!
Ai djep, pa tjetër, do t’i përkundë ato ëndrra …

Burimi/Facebook/Autori