Në Kishë, në Parlament dhe në burg

0
242

Personalitet i fesë Ortodokse, deputet i Parlamentit Shqiptar, kryepeshkopi i parë i Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, Visarion Xhuvani provoi për 15 vjet burgun e rëndë të Burrelit, ku e çuan pasi kundërshtoi reformën agrare. Ishte një goditje shkatërruese për një burrë në moshë, që i rënduar nga vitet dhe mbi të gjitha vuajtjet u shua më 15 dhjetor 1965, pesë vjet pasi kishe dalë nga burgu

Në kishë, në parlament dhe në burg…Është sigurisht e jashtëzakonshme jeta e një njeriu që kalon nëpër këto institucione dhe faza, siç ka ndodhur me kryepeskopin e parë të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, Visarion Xhuvani. Xhuvani zgjodhi t’ia kushtonte jetën kishës, pa lënë jashtë vëmendjes çështjen kombëtare, por me t’u vendosur regjimi komunist, ajo jetë do të merrte një kthesë të papritur duke e çuar klerikun e lartë ortodoks në burgun e armiqve të popullit në Burrel.

“Nuk kisha veçse dy javë që ndodhesha në burgun e Burrelit, kur një mbrëmje dallova në sfondin e korridorit një njeri me raso të zezë, fytyrë dhe flokë të bardhë si dëbora, një Abat Faria i gjallë, që ecte i kërrusur nga pesha e viteve dhe e vuajtjeve”, ka shkruar Agim Musta, në librin e tij “Mandelat e Shqipërisë” për Visarion Xhuvanin. Vite, kishte 72 atëherë mbi supe Visarion Xhuvani. Ndërsa vuajtje pa masë. Viti 1962, kur u dënua Agim Musta ishte i pesëmbëdhjeti dhe i fundit në burg për Visarion Xhuvanin. Kishte bërë disa muaj hetuesi, nga vera në dimër gjatë vitit 1946 dhe pasi kishte marrë dënimin, ishte çuar në burgun e Burrelit.

Sigurimi i Shtetit i ishte vënë pas Mitropolitit të Beratit, Myzeqesë, Vlorës dhe Kaninës që në vitin 1945, kur fillimisht tentoi ta godiste duke bashkëpunuar me elementë brenda kishës që nisën të bënin shkresa e deklarata që e akuzonin klerikun e lartë për abuzime në detyrë në formë përvetësimi mallrash e parash. Këto shkresa nuk shkonin vetëm në Kryesinë e Kishës, por edhe në Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar. Kur u njoh me akuzat, Visarion Xhuvani kërkoi emrat e të gjithë atyre që kishin nënshkruar këto shkresa dhe kopjet e deklaratave për t’u ballafaquar me ta, por kjo kërksë nuk u realizua kurrë. Kështu që Visarion Xhuvani, vazhdoi detyrën e tij në krye të Mitropolisë së Beratit, Myzeqesë, Vlorës dhe Kaninës. Por vetëm edhe për pak kohë. Në vitin 1946, ai ngriti zërin kundër reformës agrare e cila parashikonte pasoja ekonomike edhe për kishën. I rreshtoi shqetësimet e tij kundër këtyre shpronësimeve në një letër që ia dërgoi Këshillit të Përhershëm Ekonomik të Kishës në gusht të atij viti dhe, meqë nuk mori asnjë përgjigje, përpiloi një letër të dytë pak ditë më pas. Ndonjë nga njerëzit që lexuan përmbajtjen e atyre letrave bënte pjesë në grupin e atyre që kishin pranuar tashmë ofertën e Sigurimit të Shtetit për bashkëpunim, kundër Visarion Xhuvanit, kështu që i dërguan menjëherë letrat në Ministrinë e Drejtësisë. Nuk vonoi fare çasti kur operativët e Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës do t’i vendosnin pranga në duar burrit të veshur me rrobën e shërbimit fetar. Tashmë për akuzën kundër tij se dëshironte përmbysjen e pushtetit popullor mund të përdoreshin si prova letrat e dërguara kundër reformës agrare dhe ky ishte një krim që nuk u la pa u ndëshkuar. Rëndë, madje.

Më 12 dhjetor të vitit 1946, Visarion Xhuvani u dënua nga Gjykata Ushtarake e Vlorës me 20 vjet burg.

Nga këto, 5 iu falën dhe 15 të tjerat i kreu në burgun e Burrelit, nga u lirua në vjeshtën e vitit 1962, pasi kishte kaluar të 70-at.

Njeriut që ishte përpjekur për vite me radhë për fenë, që kishte këmbëngulur me guxim për arritjen e autonomisë së Kishës Ortodokse shqiptare, që kishte qenë aktiv në zhvillimet kombëtare si një nga pjesëmarrësit e Kongresit të Lushnjës dhe më pas senator e deputet, tashmë i duhej të jetonte si një armik i mëshiruar nga regjimi që e kishte dënuar ta kalonte pleqërinë në burg. Përkthyesit të disa teksteve fetare dhe oratorit të njohur të disa predikimeve në kishë dhe fjalimeve në Parlament, tani i duhej ta mbante gojën mbyllur.

Ditën që doli nga burgu, nuk pati asnjë mbështetje veç asaj të disa njerëzve besnikë nga kisha, si prifti Erazmi Jorgo që i dha veshjet e veta klerikale, siç shkruan Andrea Llukani në një shkrim të publikuar në elbasaniad.org. Me siguri pas 15 vitesh, ajo rasoja e zezë për të cilën shkruan Agim Musta, pavarësisht që jo e përdorur rregullisht, nuk ishte më në gjendje për t’u veshur. Visarion Xhuvani u kthye pranë vendlindjes, Elbasanit, në manastirin e Shën Gjonit. Kishte vuajtur gjatë, por të paktën feja ishte ende e lejuar në Shqipëri dhe ai kishte mundësinë e një strehe të veçuar, ku shërbëtorët e pushtetit nuk mund t’ia ngacmonin plagët e ku mund t’i kushtohej besimit, lutjeve e ndonjë shërbimi që i lejonte mosha. Atë goditjen përfundimtare që regjimi komunist i dha fesë në Shqipëri, pasi kishte pushkatuar dhe dënuar me burg dhjetëra klerikë, nuk arriti ta shihte sa qe gjallë. U shua më 15 dhjetor 1965.

Burimi/kujto.al/