Në përkujtim të figurës së ish-Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori – Nga ROMEO GURAKUQI

0
110

Paraqitja e vepres së tij, “Martirët e Rinj në Shqipëri“, realizuar me shume se 13 vjet me pare, me 30 mars te vitit 2005, para bashkeqytetareve shkodrane.

Libri “Martirët e Rinj në Shqipëri” asht nji përmbledhje interesante ligjeratash, që autori i ka mbajtë në kohë të ndryshme të ushtrimit të funksioneve shtetnore, brenda dhe jashtë Shqipnisë, por edhe dokumente dhe korrespondencë e periudhës gati 30 vjeçare të vuajtjes së dënimit. Ky botim asht nji sintezë e shkurtër e nji jetë dhe epopeje të gjatë, të dhimbshme, por të lavdishme, të heronjve të lirisë bashkëkohore shqiptare, shkrue nga njëri prej tyre, që i mbijetoi rastësisht betejës. Nji nga ata që “përjetoi stuhinë e vdekjes që ra mbi aq bashkëvuajtës” që ditën ta mbanin nalt idealin kombëtar dhe demokratik. Bahet fjalë për “nji epope tragjike, por të jashtëzakonshme”, që ndodh si rregull në vende të prapambetuna, ku përparimi dhe forcat që e mbështesin atë, e që përbajnë pakicën, ndodhen përherë nën trysninë, deri dhe në luftën e hapur dhe të pamëshirshme të forcave të errësinës e të prapambetjes, që për fat të keq, për periudha të gjata, përbajnë shumicën.
Në qoftë se ngjarjet e verteta që përshkruhen në faqet e këtij libri janë për ne shqiptarët, thjesht një sistemim mjeshtëror i një epopeje të jetueme, për mendjen e njeriut bashkëkohor të botës perëndimore, ato ngjarje janë krejtësisht të pakuptueshme dhe të paimagjinueshme. Libri pra është epopeja e njerëzve që e donin dhe e njihnin lirinë, e qytetarëve që e donin Shqipninë dhe shqiptarët pa dallim prejardhjeje krahinore, fetare dhe ideologjike, e njërezve që e konceptonin atdheun e tyne, nji e të pandamë, të lirë dhe demokratik, nji lule të vockël e të ndritun mes vendeve të përparueme të Europës së Re.
Kemi të bajmë me epopenë e njerëzve ma të shkolluem e ma të pathyeshëm të Shqipnisë, që pushtimi komunist i 29 nandorit 1944 i rrethoi me telat e nji blloku të hekurt gjakatar, që do të rezistonte, për fatin tone të keq, për 45 vjet në Europën Lindore. Së bashku me epopenë e heronjve tanë, ne këtë libër shohim të përshkruem me mjeshtëri analitike, fatin tragjik të të gjithë Shqipnisë dhe shqiptarëve të thjeshtë, fatin tragjik të harresës së Kosovës martire, dramën e nji populli të tanë, viktimë e fatit gjeopolitik dhe e manipulatorëve batakçinj e të paskrupullt, gjysmëintelektualëve të vënë në funksion të ideologjive absurde.

Personazhet martire të këtij libri janë klerikë të shquem të te tre besimeve fetare historike të Shqipnisë, ish ministrat ma të devotshëm të Shqipnisë së parapushtimit komunist, intelektualët ma në za të vendit, bijtë e personaliteteve që themeluan dhe e mbrojtën këtë vend, njerëz të thjeshtë viktima të politikës së ditëve të përgjakshme komuniste. Mes personazheve që autori ka përqendrue rreshtat e tij, unë do të dëshiroja të përmendja Imzot Gasper Thaçin, poetin Vinçens Prennushi, Dom Alfons Trackin, Padër Gjon Shllaku, Daniel Dajanin, Xhovani Faustin, Mikel Koliqi, Donat Kurtin, Pjetër Mëshkallën, Hafiz Dërguti, Hafiz Ali Tari, Imzot Irene Banushi e Imzot Visarion Xhuvani, Mirash Ivanaj, Xhevat Korça, Gjergj Kokoshi, Myzafer Pipa e dhjetra e dhjetra klerikë e intelektualë të tjerë.
Thanun shkurt, personazhet e masipërme dhe ato që nuk ua përmenda në këtë rast emrin, ishin thesari i vetëm intelektual që Shqipnia trashëgoi pas Luftës së Dytë Botnore, pikërisht ata që e krijuen Shqipninë, ato që vendosën mbi baza kombëtare sistemin arsimor dhe shkencor, themeluesit e jurisprudencës shqiptare, filozofët mendjendritun të vendit, ministrat ma të ndershëm të shtetit shqiptar, ata të cilët mbajtën nalt emrin e shqiptarit në rrethanat nga ma të vështirat. Kredot e tyre ishin Shqipnia, Demokracia dhe Liberalizmi. Ata besonin në lirinë: lirinë e fjalës, lirinë e organizmit, lirinë e besimit, lirinë e punës, të drejtat natyrore njerëzore. Ata shpresonin që pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria do të bahëj nji vend demokratik dhe i lirë europian. “Martirët, shkruan Arbnori, ishin të gjithë përherë shembull shenjtërie, dëshmitarë të një fryme tjetër në Shqipninë e prapambetun…. Martirët dëshmonin dritën e shpirtit e të mendjes. Ishin pothuajse të gjithë të gdhendun dhe të ditun, të pathyeshëm në shumë fusha të njohjes; teologë, filozofë, shkrimtarë, poetë, publicistë, piktorë muzikantë, politikanë, …. sociologë, profesorë, historianë, folkloristë, natyralistë, mjekë…”. Vendlindja e pjesës ma të madhe të martirëve të rinj ka qenë Veriu i Shqipërisë dhe Shkodra, djepi i kulturës shqiptare, i mendimit të lirë dhe qytetarisë. Dhe kjo goditje e diferencueme nuk ka qenë nji veprim i rastësishëm, por pjesë themelore e detyrës që komunistët e Zonës së Parë Operative kishin marrë nga Miladin Popovicët dhe Dushan Mugoshet, pjesë e urrejtjes që secili nga gjysmëintelektualët, mediokërit dhe gjysmakët e lidershipit që uzurpuan pushtetin me 29 nëntor 1944, kishin ndaj çdo zhvillimi elitë.
E në këtë goditje të pamëshirshme të ekipit të Enver Hoxhës, Kleri Katolik ka zenë nji vend të veçantë. Pikërisht për këtë arsye, Pjetër Arbnori i kushton një vend të veçantë martirizimit që pësoi Kisha Katolike. Pjetër Arbnori, bazue në dokumentacione që i ka pasë në dorë së fundmi, këmbëngul dhe akuzon gjithashtu se “pushkatimi i shumë klerikëve katolikë ka qenë i porositun nga komunistët jugosllavë dhe shteti jugosllav”. Kjo sepse, për të realizue lehtësisht procesin e aneksimit të Shqipnisë nga Jugosllavia, duhej zhdukun pikërisht kjo kolonë e patriotizmit që gjithmonë ka qenë për pavarësinë, për orientimin perëndimor të vendit dhe mbrojtjen shkencore dhe praktike të përkatësisë shqiptare të Shqipnisë Verilindore (Kosova) dhe Veriperëndimore (Hot, Grude, Triesh, Koje)……
Libri botohet në Shqipninë e vitit 2005, kur edhe pas 14 viteve të ranies së diktaturës, kur sipas profesor Sami Repishtit, nuk asht dokumentue e ndëshkue krimi i së kaluemes komuniste, kur “nuk asht ba “spastrimi shpirtnor”, rrefimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë të diktaturës. Pra ky libër vjen në një kohë e në një vend ku nuk janë “hedhë ende bazat e nji shoqnie të lirë e të qytetnueme, që nuk duhet të heshtë para krimit, ku krimineli nuk mund të shetisë lirshëm”, nji shoqni që nuk ka krye ende spastrimin ligjor të paligjshërisë së djeshme” (Sami Repishti, Nën hijen e Rozafës, Onufri Tiranë 2004 faqe 11). Thanun ndryshe, ky botim vjen në një kohë kur Shqipnia e sotme nuk e ka pranue ende fajin publikisht, e kësisoj ajo mbetet ende një shoqni me ndergjegje të randueme, thellësisht të traumatizueme nga zbulimi i pjesshëm i krimeve. Ndoshta këtu duhet të kërkojmë një pjesë të arsyeve pse e vjetra ka arritë të mbijetojë, të modifikohet, dhe të forcohet ekonomikisht e politikisht. Për mendimin tim kjo ndodhi sepse të vjetres iu dha frymë pikërisht në kohën e duhur, kur ajo duhej të jepte shpirt.
Por nga ana tjetër, libri asht nji histori e së djeshmes tragjike për të sotmen shpresëdhënese, që na vjen në nji moment shumë të randësishëm për të ardhmen demokratike dhe europiane të vendit. Këtë e them se Shqipnia e vitit 2005 ka edhe nji shans për ndryshim të njimendtë, në kahun e mirëfilltë demokratik, liberal dhe pro-perëndimor. Amaneti dhe gjaku i “Martirëve të Rinj të Shqipnisë” qendrojnë mbi ne të gjithë, e veçanarisht mbi ata që kanë marrë përsipër të ndërtojnë ekipet e reja administrative dhe ligjvanëse të Shqipnisë post-socialiste, si një thirrje e fuqishme për maturi, shmangie të diletantizmit, ndërtimin e strukturave të qendrueshme demokratike, të mbështetuna në arritjet ma të mira të Shqipnisë: “Ndjekjen e kultit të vlerave tradicionale”, “nderimin e personalitetit njerëzor” dhe “institutit familjar”, “të lirive shoqnore e politike”, “respektimi i të drejtës së pronësisë private”, “të të drejtës së popullit për vetvendosje politike”, “karakterin laik i shtetit dhe nderimi i lirisë së ndërgjegjes”, “ndalimi i hakmarrjes politike në procesin e ridemokratizimit të vendit”. Ekipet e reja administrative dhe ligjvanese të Shqipnisë së neserme nuk mund të jenë ma të nderthuruna me trashigiminë e diktatorëve dhe prokurorëve të së djeshmes tragjike, ashtu sikurse nuk mund të jenë të mbushuna me mediokër e meskninë që vlojnë nga hakmarrja.
I nderuem zoti Arbnori, duke iu përgëzue për këtë punë shembullore në sjelljen para brezit të ri të Shqipnisë së shekullit të XXI, të një pjesë të vuajtjeve të shqiptarëve të mirë e të ditun të shekullit XX, më lejoni të shpreh bindjen time të plotë, dhe jo vetëm timen, se Ju do të vazhdoni përpjekjet tuaja fisnike për një Shqipni ndryshe: të dekomunistizueme në thelbet e veta menaxhuese, të kjartë nga pikpamja strategjike, akademike në udhëheqësin legjislative dhe administrative, të qendrueshme nga pikpamja ligjore, të shkëputun nga primitivizmat ballkanike. Le të jetë ky libër Juaji një thirrje për të gjithë ata që duan të kuptojnë se Shqipëria e Re duhet të jetë tashma me të vertëtë ndryshe.

Burimi/voal.ch/