Ne vijmë.., ne edhe shkojmë..!

0
36

Sot, shkova në varrezat e qytetit. Një pafundësi profilesh të njohura e të panjohura njerëzish, disa prej të cilëve diç më kujtojnë e, disa, jo..! Një numër i madh emrash. Portrete të njohur, të tjerë të panjohur. Emra të shquar, të tjerë jo edhe aq.

Ishte edhe prof. dr. filani, edhe disa pedagogë pashë. Sa e sa mjekë të njohur, për të cilët, shumë kohë më parë, mendoja se ata nuk vdesin kurrë…

Pastaj pashë edhe ca sportistë, disa komshi, edhe një roje të veshur polic njoha, edhe një mik të njohur, që më pat falur një palë tesbihë të shtrenjtë për simbolikën e tyre, pashë…

Pastaj gjyshi me nanën, edhe motra ime e vogël, dy axhat e mi e ca njerëz të familjes, që kur i pashë varret e tyre se ç’ndjeva, se ç’përjetova, se ç’më erdhi ndër mend, teksa ulur pranë tyre u lexoja një “Fatiha”, bëja një duá e, si në një shirit me xhiro të shpejta, më vinin lloj-lloj kujtimesh, njëri më i bukur se tjetri…

Pastaj gjeta edhe një myfti e një hafiz, një sheh e një dervish, një muezin e një plak të urtë, që e mbaj mend sa hijeëmbël që ishte, teksa vinte në xhami, në heshtjen e moshës së tij plot paqe e dritë…

Muslimanë, të krishterë, ateistë e përtej tyre. Subhanallah, varrezat janë mbushur me emra e portrete, që patjetër që do të vinte një ditë dhe do pushonin në këtë prag…

Edhe mua do më vijë dita. Kur do më vijë dita ime? Ku do më vijë dita ime? A thua do më plotësohet lutja..?

Ne vijmë pa u pyetur dhe largohemi pa u pyetur. Ne vijmë që të ndërtojmë, por shpesh bëjmë të kundërtën! Ne vijmë që të mbjellim atë që do të korrim pas pragut të varrit..!

Ne vijmë.., ne edhe shkojmë..! (Subhanallah.., edhe shkojmë… Sa pak mendojmë..!)

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 22 qershor 2020

Burimi /Facebook