Nizar Kabani – Ah nënokja ime.

0
22

U rrita nënoke… dhe kam filluar të të ngjaj gjithnjë e më shumë…
Tashmë zgjohem herët…
dhe flej para të gjithëve…
Trafiku ka filluar të më mbysë…
e fjalët më lodhin…
U rrita nënokja ime dhe kam filluar të pij më shumë çaj…
më pëlqejnë barishtet… dhe aroma e qelibarit…
U rrita nënoke dhe gjithçka e lexoj vetëm…
qaj në heshtje vetëm… dhe përmallem krejt vetëm…
U rrita nënokja ime,
të gjithë largohen…
dhe miqtë janë pakësuar shumë…
Më pëlqen më shumë qetësia, e imagjinon dot…?
kurse zhurmat m’i shterojnë energjitë…
U rrita nënoke dhe s’e shijoj qëndrimin natën vonë…
dhe krejt si ti, tashmë është deti ai që më fal qetësi…
Nuk jam më ajo që ëndërronte fustanin…
bota është bërë kaq e komplikuar…
e thjeshtësia gjithnjë e më e vështirë…
Sot, njerëzit u ngjajnë më shumë kukullave…
e unë nuk di të luaj më…
Jeta nuk është siç më pate thënë… plot ngjyra…
kurse udhët, kryesisht, gumëzhijnë nga njerëzit e shumtë…
të gjithëve, nënoke, u rëndojnë halle mbi supe…
Gjithnjë e më shumë, nënoke, më merr malli për veten…
Kam mall për thjeshtësinë e atyre ditëve në shtëpinë e gjyshit…
Kam mall për atë kohë atje, kam mall për ty…
Kam mall për veten time të vogël, si dikur…
Kam mall për qortimin tënd spontan, të sinqertë, të butë dhe lotues…
Tashmë është jeta që më qorton, nënoke…
janë ditët e padrejta që kritikojnë…
të gjithë ua hedhin fajin të gjithëve…
Nuk ka më dashuri pa interes…
dhe mirësjellja është shndërruar në një kompliment me kosto…
U rrita nënoke dhe pashë që isha plakur…
thinjat mi pushtuan flokët e mi të errët, të cilët i doje aq fort…
e që dikur u thurrje këngë e luaje me to…
U rrita shumë…
e bota nuk është aq interesante sa mendoja…
U rrita nënoke që ta kuptoj se unë jam ajo vogëlushja jote, sado të rritem… dhe se përqafimi yt është e gjithë bota ime…
Ah nënokja ime.
Nizar Kabani
Përktheu:
Elmaz Fida

Burimi/Facebook/Teona Bushati/Gegnisht