NJE MESHE LETRARARE E ATIT PER TE BIRIN

0
96

Luan RAMA (Paris)
Dëgjoj Mozart, lexoj librin e Zija Çelës «Për dashurinë shkruhet pas vdekjes» dhe çuditërisht fjalët e Atit për Birin më ngjizen në një me “Mesha në Si”, pasi dhe faqet e këtij libri i ngjajnë një meshe të vërtetë letrare. Siç shkruhet dhe në kopertinën e pasme të librit «Thonë se virtytet e talentet janë xhevahiret me të shtrenjta që zbukurojnë njeriun. Nëse është e vërtetë, atëherë mund të them se gjithë kohën sa rrojti, xhevahiret e tij Dritani i mbajti në mënyrën më të padukshme, nën këmishë. Vetëm njëherë shkëlqeu një diamant i zi dhe kjo ndodhi me mortin e tij…»
Në dukje të parë, vdekja e Birit nuk ka lidhje me Mozart, por kur ai është një letrar, një artist, fjalët për të na bashkohen me marshet funebre, pasi ndodh që edhe humbja, vdekja, të bëhet objekt arti vetvetiu, nga dhimbja, nga adhurimi për Birin nga agu i jetës gjer natën e errët të vdekjes. A nuk kishte thëne nena e tij: «Biri im, ty nuk të vrau sëmundja! Unë e kam fajin! Që kur linde, dashuria që provova për ty qe aq e madhe, sa e ndjeva se do të humbisja para kohe. Që nga ajo ditë ti rriteshe, të prisja, të përcillja, dhe unë qaja papushim çdo ditë nga dashuria e pamatë për ty! Biri im, biri im!…»
Nëse Dritan Çela nuk do kishte qenë njeri i letrave, nëse nuk do te kishte qenë ai përcjellësi i letërsisë si përkthyes e letrar i eseve të mrekullueshme, ky libër ndoshta s’do ishte shkruar. Por ai është shkruar në përkushtim të talentit të kryer, që tashme kishte marrë rrugën e madhe të letërsisë dhe artit, duke percjelle në shqip letërsinë e Buzzati-t, Calvino-s, Pirandello-s, Susana Tamaro-s, Eco-s, Moravia-s apo Abate-s… pasi ai ishte përcjellësi i pishtarëve të dritës dhe ndodh që në furtunat e mëdha flaka papritur të shuhet…
Duke qenë larg Tiranës, unë nuk e njihja birin e mikut tim të hershem, shkrimtarit të talentuar Zija Çela, thjesht kisha dëgjuarpër të dhe per përkthimet e tij te jashtëzakonshme. Por ky libër që lexova, jo vetëm më bëri të njohë «atë diamant të zi» që mbeti ne botën e përkthimeve shqiptare, por edhe të dëgjoj një meshë te rrallë përkushtimi të Atit për Birin, një libër për t’i thënë atij ato fjalë që siç duket Ati nuk i kishte thënë më parë, fjalë dashurie e malli që përcëllojnë çdo çast dhe përtej vetë kohës.
Po, «Per dashurinë shkruhet pas vdekjes» dhe në këtë ngjizje te muzikës së Mozart-it që dëgjoj dhe fjalëve të tij e kuptoj se sa te pakufishme janë nganjëherë dimensionet e dashurisë… (Gazeta Telegraf, 26 mars)

Burimi/Facebook