Një replikë me ish të përndjekurin politik Shpëtim Nazarko mbi rrëfimin e tij për mikun e tij të pas vitit 1992, Ramiz Alia

0
96

Shpëtim Nazarko, në një artikull të botuar disa ditë më parë Shpëtim në blogun e tij në portalin “Konica” dhe të ribotuar në gazetën “Panorama”, me titull “Përshtypje nga takimi me 90 vjeçarin Gorbaçov dhe historia e Katovicës” thotë e ç’ nuk thotë. Niset të shkruajë për njohjen e tij me Gorbaçovin, por më së shumti shkruan për Ramiz Alinë duke e portretizuar si homologu shqiptar i Gorbaçovit. Në pjesën tjetër të artikullit përpiqet të bindë lexuesit se Legjenda e “Katovicës” është një shpikje e ish-pushtetarëve komunistë shqiptarë dhe iu shërben atyre më shumë se të përndjekurve.
Pjesa më interesante e artikullit është ajo kur Nazarko tregon sesi, pasi lidhi miqësi me Ramiz Alinë pas vitit 1992, e mori këtë për një vizitë në shtëpinë e tij dhe e njohu me prindërit e tij. Ja si rrëfen Nazarko:
“Dikur pas 90-s, çova në kopshtin e shtëpisë, te dy prindërit e mi të moshuar, një ish-koleg të Gorbaçovit, Ramiz Alinë. -Ky njeri ju ka marrë më qafë për shkollën e djemve tuaj – u thashë. -Ju i shkruanit letra pa pushim, por ky nuk përgjigjej. Ja ku e keni, vriteni… – dhe qesha. Pleqtë e shihnin me çudi. Por pas nja dhjetë minutash gjithçka ishte zgjidhur; ime më i mbështolli gjysmë kile raki Skrapari, që ta pinte meqë ishte sëmurë nga zemra. Punë fatesh njerëzore!”
Babain e Shpëtimit, xha Seriun, e kam njohur edhe unë rastësisht, nëpërmjet një mikut tim kolonjar. Xha Seriu, një burrë fisnik kolonjar, të cilin diktatura komuniste e internoi që në moshë të re, arsye për të cilën Shpëtimi lindi në Myzeqe, ende përpiqej të kuptonte arsyen e përndjekjes së tij, pasi kur erdhën komunistët në pushtet ai kishte qenë vetëm 11 vjeç, ndërsa gruaja e tij, zonja Sulltane, vetëm 10 vjeç. Xha Seriu e pranonte se paraardhësit e tij kishin “faje” ndaj lëvizjes komuniste, por jo ai dhe gruaja e tij. Ende më të vështirë e kishte xha Seriu që të kuptonte se çfarë kishin bërë djemtë e tij Shpëtimi dhe Mentori që kishin lindur i pari në 1959, ndërsa i dyti në 1963.
Xha Seriu nuk e njihte ideologjinë komuniste, dhe si burrë i edukuar me tradita shqiptare e kolonjare edhe sa i përket mënyrës së sjelljes ndaj armikut, nuk mund ta kuptonte parimin komunist të përgjegjësisë kolektive në teorinë e luftës së klasave shoqërore si motorri lëvizës i historisë, sipas Marksit. Apo që lufta e klasave vjen duke u ashpërsuar dhe jo zbutur pas marrjes së pushtetit nga komunistët, sipas teorisë së Stalinit. Këto nuk i dinte xha Seriu. Në takimin me xha Seriun unë dëgjova një një shpjegim të gjatë në rrëfyeshmëri popullore shqiptare dhe kolonjare për traditën e moskeqtrajtimit të familjes së armikut. Unë nuk i përpoqa t’ i shpjegoj ato që thashë më lart sepse do të kishin qenë gjëra shumë të lodhshme për plakun e mirë që kishte punuar në bonifikimin e Myzeqesë.
A thua ta ketë pyetur xha Seriu edhe Ramiz Alinë për këto gjëra apo ka nguruar ta pyesë për shkak se djali ia kishte sjellë si mik në shtëpi dhe sipas traditës shqiptare edhe kur armiku më i madh të troket si mik në derë të shtëpisë, ai respektohet njëjtë si miku më i dashur.
Por Ramiz Alia, duke qenë i vetëdijshëm për vuajtjet që kishte pësuar kjo familje gjatë diktaturës komuniste, mund t’ u kishte kërkuar së paku falje dhe të kishte shprehur pendesën, qoftë edhe privatisht. Nga rrëfimi i Shpëtim Nazarkos nuk del që Ramiz Alia ta ketë bërë këtë gjë.
Ironia është se Shpëtim Nazarkoja, ndërsa niset të hedhë poshtë legjendën e “Katovicës”, siç e quan ai, në fakt nuk bën gjë tjetër veçse jep një shembull të vërtetësisë së zbatimit të Planit “Katovica”. Sepse ky ishte realiteti i synuar nga “Katovica”, pra që ish-diktatori të shkonte në shtëpinë e dy pleqve ish-të përndjekur politikë, i sjellë nga djali i tyre të cilin diktatura e kishte privuar nga shkollimi i lartë dhe ish-diktatori të mos kërkojë as falje atje, madje të largohet edhe me një dhuratë si mik i nderuar. Ana tjetër e realitetit të synuar nga “Katovica” është kjo që ndodh sot me Shpëtimin dhe vëllain e tij Mentorin, të cilët janë bërë të dy “gajde” politike të Edi Ramës, kryetarit të ish-partisë së diktaturës që përndoqi Nazarkot (Partia e Punës së Detyruar) dhe djalit të ish skulptorit të oborrit diktatorial dhe nënshkruesit të dënimeve me vdekje të kundërshtarëve politikë, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, pra të kryesisë kolektive të shtetit. Është në filozofinë e “Katovicës” që ish të përndjekurit Shpëtim dhe Mentor Nazarko janë sot avokatët politikë të pushtetit të partisë së ish-diktaturës me emër të ndryshuar.
Ndryshe nga ç’ thotë Shpëtimi, Ramiz Alia nuk ishte “Gorbaçovi” shqiptar, titull që u mundua t’ ia jepte vetes me anë të lakejve të tij në shtyp. Gjashtë muaj pasi Gorbacovi lejoi rënien e Murit të Berlinit, duke mos përdorur Ushtrinë Sovjetike kundër protestuesve gjermanolindorë, Ramiz Alia thoshte ende se “Shqipëria as nuk hapet dhe as nuk mbyllet” dhe se “Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim”. Ramiz Alia i bëri ndryshimet e detyruara në Shqipëri kur ekonomia socialiste e vendit falimentoi tërësisht dhe ai e kuptoi se nëse nuk vinin ndihma të huaja humanitare ushqimore do të shembej jo vetëm regjimi por do të shpërbëhej edhe partia e tij, të cilën ai donte ta ruante si mjet pushteti të ripërtërisë, çfarë edhe e bëri në qershor 1991. Por që të vinin ndihmat humanitare ushqimore duhej të bëheshin ndryshimet politike të dhjetorit 1990 dhe shkurtit 1991.
Nëse Ramiz Alia do të kishte qenë jo “Gorbaçov” por gorbaçovian së paku, ai do t’ I kishte nisur ndryshimet që në 1985, kur Gorbaçovi nisi perestrojkën dhe glasnostin, pra reformimin dhe hapjen.
Ramiz Alia sundoi deri në 1990 me maskën e Enver Hoxhës në fytyrë dhe kur diktatura nuk mund të mbahej më për shkak se asnjë diktaturë nuk mbahet dot pa funksionuar minimalisht ekonomia e ngritur prej saj, ai bëri të pashmangshmen, ndryshimet.
Shpëtim Nazarko i kupton pak a shumë të gjitha këto që thashë më lart, por I leverdis të bën sikur nuk I kupton sepse ka gëlltitur “lugën e çorbës së prishur” katoviciane. Shqiptarët kur duan të shprehin pëçcmim për një njeri, e quajnë “legen”. Në Kolonjë, vendin nga e ka prejardhjen Shpëtimi, madje thuhet “legen i shpuar” për “legenin” më të përçmuar.
Sa për “Katovicën”, Shpëtimi bën mirë të lexojë librat e ish-nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, profesor Servet Pëllumbi, së paku tre nga librat e tij:
1)”Përmbysja e komunizmit”, botim i UETPRESS, Tiranë 2015, f. 77-136
2)”Pluralizmi politik: përvojë dhe sfida”, botim i IS, Tiranë 2006, f. 22-30
3)”Etikokracia”, Botime “Morava”, Tiranë 2013, f. 93-110
4)”Midis realitetit dhe imagjinatës”, Botime “Morava”, Tiranë 2020
Meqënëse Shpëtimi e ka mik edhe profesor Servetin le të provojë ta bindë se “Katovica” është vetëm një legjendë.
Në artikullin e tij, Shpëtim Nazarko tregohet i sinqertë vetëm për një gjë, që Gorbaçovin e solli në Shqipëri me paratë e biznesmenit të naftës Rezart Taçit (ironikisht një oligark i afërt me familjen e Sali Berishës kur ky ishte kryeministër). Por Shpëtimi qëllimisht nuk e përmend vitin kur e soli Gorbaçovin në Shqipëri sepse kjo gjë ndodhi në kohën kur Berisha ishte kryeministër./Kastriot Myftaraj

Burimi/Facebook