Olga Schweizer, gruaja daneze që shpëtoi nga pushkatimi 100 burra Shqiptarë!

0
110

Historia e rrallë e gruas daneze, e rritur në mondanitetin parisien, e dashuruar në Stamboll me shqiptarin Myfit Libohova, ish-ministrin e Brendshëm të qeverisë së parë të Ismail Qemalit, përfundon në Shqipëri e përndjekur nga persekutimi, internimi brez pas brezi. Olga Schweizer, edhe pas vdekjes së të shoqit, nuk braktis Libohovën, fshati ku u vendos të jetonte duke ngritur një prej ngjarjeve të rralla, si shpëtoi 100 burra nga pushkatimi gjerman në vitin 1944.
Nëse ka një histori që duhej të rrëmbente nervin e ndonjë shkrimtari këtu, pa dyshim do të ishte ajo e gruas së lindur në Danimarkë, me emrin Olga Schweizer. Një vajzë e re, e rritur në mondanitetin e Parisit, por që fati e solli rrotull: nga Stambolli në Tiranë, në këtë të fundit, duke prehur eshtrat përgjithmonë me një sakrificë sublime, më shumë se histori dashurie.
Olga e re, një vajzë e talentuar në piano, dashurohet me shqiptarin Myfit Libohova, një nga firmëtarët e pavarësisë së Shqipërisë. Është e rrallë kjo histori. Gjatë studimeve në Stamboll, Olga takon shqiptarin dhe dashuria për të e bëri të vinte në Shqipëri, në vitin 1909.
Myfit Libohova u emërua në qeverinë e parë të Ismail Qemalit si ministër i Brendshëm dhe më vonë ministër i Jashtëm dhe i Financave. Edhe pse Libohova “e ndërpreu” historinë e dashurisë më 1927, vit kur ndahet nga jeta, Olga nuk u largua nga Shqipëria. Ajo qëndroi në Libohovë, ku u nderua dhe u respektua nga i gjithë fshati. Ndërsa pas kësaj gruaje, Fatbardha Saraçi në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, – ku janë të mbledhura jetët e grave që vuajtën dhe si i rezistuan ato torturave të diktaturës, – na rrëfen një episod të panjohur, të rrallë për nga vetëmohimi. Ne i kushtojmë një dedikim të veçantë për të rizgjuar jo thjesht ndjeshmëritë e grave të huaja, si zonja të dashuruara me burrat e tyre apo që shpesh atribuohen kujtimet si zonja të edukuara e mondane, – ky lloj impresioni përmbys ngjarjet kur historia vjen e pamëshirshme në cilëndo anë qoftë.
Kjo histori lidhet me vitin 1944, kur gjermanët rrethuan fshatin Libohovë dhe tërhoqën për të pushkatuar 100 burra. Olga, tashmë një libohovite, hyn midis tyre, të cilët gjermanët donin t’i pushkatonin tek rrapi i madh, në qendër të fshatit. Ajo e kërcënoi oficerin se nëse do t’i vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të.
“Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, që i foli gjermanisht, u shpëtuan nga vdekja 100 burra, ndërsa dënimi pse kishin strehuar partizanë, ishte djegia e fshatit, por konsideruar më e rëndësishme jeta”. Më pas, me vendosjen e regjimit të komunizmit, për Olgën dhe familjen e saj, në paradoks të historisë, nis kalvari i vuajtjeve, dënimeve e persekutimit deri në vitin 1990, kur pinjolli i fundit Myfiti i ri tregon se si nuk pushoi së përndjekuri nga sigurimi.

Burimi/Facebook