Osman Metalla – Nuk kërkojmë cënimin e askujt por kërkojmë thjesht dhe vetëm të drejtën tonë

0
96

Të dashur miq!
Sot mediat Greke e konkretisht “Proto Thema“ citonte kryeministrin shqiptar duke theksuar se kryeministri i Shqipërisë Rama mbron hapur të drejtën e Greqisë për zgjerim në detin Jon. Nga ana tjetër kryeministri me epitete aspak te këndshme akuzon të gjithë ata që janë kundër këtij zgjerimi të Greqisë. Në këtë postim nuk dëshiroj fare të merem me këto, por thjesht dëshiroj të sqaroj dy momente:
Së pari krahasimi që bëni me rastin e Shqipërisë kur kaloi në 12 milje nuk është aspak i njëjtë me rastin e Greqise. Shqipëria ka patur të deklaruar gjerësinë e ujërave teritoriale pre 12 miljesh detare dhe ne vitin 1970 me anë të dekretit nr.4650, datë 9.3.1970 “Mbi kufirin e Republikës Popullore të Shqipërisë” përcaktonte se: “Ujrat territoriale të Republikës Popullore të Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregdetit të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare (22.224 m)
Ndërkohë me dekretin nr.5384, datë 23.2.1976 mbi një ndryshim në Dekretin nr.4650, datë 9.3.1970 “Mbi kufirin e Republikës Popullore të Shqipërisë” ndryshon gjerësinë e ujrave territoriale nga 12 milje të pranuara më parë, në 15 milje detare.
Pas hyrjes ne fuqi te Konventës së Montego Bayt të vitit 1982 e cila përcaktonte si gjerësine e detit territorial (neni 3) ashtu dhe të drejtën e kalimit paqësor (neni 17) SHBA i dergon një notë verbale Ministrisë tonë të punëve të jashtme nëpërmjet ambasadës Franceze me anë të së cilës i shpreh rezervat si më poshtë:

  1. Gjerësia prej 15 miljesh e ujërave tona territoriale,
  2. Menyrën e heqjes se vijave bazë përgjatë bregdetit,
  3. Ndalimin nga ana e RPSSH te kalimit paqësor të anijeve të huaja ushtarake.
    Dhe në fakt Republika e Shqipërisë reagoi duke rikthyer gjerësine e detit territorial në 12 milje sipas nenit 3 të Konventës.
    Rasti i Greqisë nuk ka paralele me këtë rast. Njëkohësisht nuk ka nevojë as per avokature nga pala Shqiptare pasi në Greqi ka aq shumë ekspertë detarë sa që në çdo gjykatë ndërkombëtare që do të përfundojmë, padiskutim që do të ketë me patjetër dhe gjykatës apo ekspertë Grek.
    Pyetja e thjeshtë që shtrojmë është: kur Greqia e ka patur këtë të drejtë nga Konventa, përse nuk e ka ushtruar deri tani? Dhe natyrisht kjo pyetje ka një pergjigje – pasi zgjerimi i Greqisë ka ndeshur në kontestim të një shteti të tretë. Atëherë a nuk është e tepërt të bëjmë avokatinë e Greqisë. A nuk është aspak diplomatike që Greqia të dergoje mesazhe gjetke nëpërmjet Kryeministrit tonë? Ndaj dhe besoj nuk ështe e nevojshme që ne ti themi vëndit të tretë se Greqia ka të drejtë…
    Së dyti, le të kthehemi pak tek problemi ynë? Kryeministri thotë se një zgjerim i tillë nuk na cënon. Greqia është në të drejtën e saj (këtë nuk harron kurrë ta thotë dhe mir bën se dhe mund të mërziten Grekët po harroi ndonjëherë), sepse Greqia nuk mund të zgjerohet aty ku gjerësia është më e vogël se 24 milje detare. Dakort zoti Kryeministër, por pyetja ime është: po në veri të ishujve Erikuza dhe Othonoi ku distanca ndërmjet vëndeve e tejkalon 24 milje detare, a cënohemi?
    Vetë ishulli Erikuza është rreth 7,3 milje në veri të Korfuzit, nëse do ti shtojmë dhe 12 milje të tjera të matura nga ky ishull, gjerësia shkon deri në 19 milje detare (nga 13 milje që është sot me gjerësinë e detit territorial prej 6 miljesh detare). Othonoi është afro 12 milje nga Korfuzi, shtoi dhe 12 milje të tjera, gjerësia e detit territorial shkon në 24 milje detare (nga afro 18 që është sot). Pra me këtë zgjerim, Greqia i bën dhurate vetes një fasho detare me nje gjerësi 6 milje detare duke e shndërruar brënda natës në territor sovran Grek (sot ajo hapësirë detare është me statusin e zonës ekonomike ekskluzive). Sa më sipër bëhet duke i dhënë efekt të plotë ishujve Othonoi dhe Erikuza.
    Në fakt mbështetur në doktrinën detare, ishujt në varësi të madhësisë së tyre dhe në varësi të jetës ekonomike që ata gjenerojnë mund të kenë nga zero efekt deri në efekt të plotë. Në të shumtën e rasteve ishujve u është dhënë një porcion i hapësirës së detit territorial (p.sh., një enklave me 3 apo 6 milje detare) dhe nuk i është dhënë fare hapësirë të ZEE. Të mos harrojmë efektin Cut off që një pjesë e ishullit të Korfuzit (pjesa veriore e tij) dhe ishujt Erikuza dhe Othonoi shkaktojnë duke ndërprerë hapësirat tona detare. Këto janë argumenta që shkojnë në favor të RSH. Në këto kushte, e gjithë kjo hapësirë duhet të pretendohet si zonë ekonomike ekskluzive e RSH. Po kur ju thoni se sna cënon zgjerimi, atëhere çdo të thonë ata që do na gjykojnë dhe çfar tjetër do të kërkojmë në gjykatë??? Ndaj dhe kam kërkuar vazhdimisht që këto deklarata duhet të jenë mjaft të kujdesëshme pasi na penalizojnë.
    Un i kam ndjekur etiketimet e fundit që janë bërë ndaj atyre që kundërshtojnë zgjerimin e Greqisë. Un do ta korigjoja pak këtë, pasi ne nuk jemi kundër askujt, por jemi në mbrojtje të interesave të vëndit tonë!. Më konsideroni të pafe, llum të kombit e çfar të dëshironi. Nuk do të më mërziste asnjë nga këto etiketime nëse ne arrijmë të marim atë që na takon. Ajo ç’ka un si qytetar Shqiptar dëshiroj, është që ne të mos humbasim asnjë metër katror det, ndaj dhe kërkojmë që të bëhet maksimumi. Në vënd që të harxhojmë energji duke sulmuar njëri tjetrin dëshiroj që kjo çështje të bashkojë kombin pasi është çështje kombëtare. U bë një marëveshje në vitin 2009 dhe ajo marëveshje nuk ekziston më. Fakti që nuk ekziston dhe që është rrezuar nga Gjykata Kushtetuese dëshmon se ajo nuk ishte më e mira që ne mund të kishim në një ndarje të tillë. Ajo marëveshje sot është NUL. Fakti që ajo marëveshje sot përdoret si gomardare shpëtimi, tregon se nuk jemi në pozitat që do të dëshironim të ishim. Fakti që nuk përmëndet Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili në fakt duhet të përbënte busullën e të gjitha veprimeve, dhe që nuk është zbatuar ai vendim në të gjithë ecurinë e negociatave është mjaft shqetësues. Fakti se nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese e deri më sot nuk është zbatuar asnjë pikë e këtij vendimi është domëthënës dhe gjithkujt i jep të drejtën të aludojë më të keqen. (mbase janë zbatuar por terri informativ lidhur me një çështje të tillë mjaft të ndjeshme flet ndryshe). Fakti që e kemi më të lehtë të tallemi, bëjmë gallatë me kundërshtarin dhe jo të bashkojmë energjitë dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për hir të interesit Kombëtar është i rëndë. Të gjitha këto dëshmojnë për një pozicion mjaft dëshpërues. Se po të kishte ndonjë arritje jam i sigurtë se nuk do na e kursenit. Por fatkeqësisht deri më tani, daulleve të fitores i kanë rënë vetëm Grekët….
    Do të ishte mjaft e udhës dhe demokratike që për një çështje të tillë të bashkëpunohej me të gjithë aktorët e rëndësishëm në vënd. Kjo politikë përjashtuese dhe hermetike ndaj një interesi të tillë kombëtar është mjaft e gabuar.
    Tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia e këtij viti e kanë varfëruar dhe më shumë ekonominë e vëndit tim, ekonominë e vëndit tënd! Të mos luftojmë maksimalisht për të përftuar hapësirat tona detare në të cilat ka rezerva të konsiderueshme të çertifikuara energjitike është krim! Jemi vënd që akoma spo e kapërcejmë kufirin e varfërise, dhe kemi nevojë që çdo burim, çdo hapësirë që gjeneron zhvillim ekonomik, ta mbrojmë fort. Nuk kërkojmë cënimin e askujt por kërkojmë thjesht dhe vetëm të drejtën tonë në një ndarje të drejtë dhe të ndershme! E që kjo të ndodhë duhet strategji për tu përballur me Greqinë, e jo strategji për tu përballu me kundërshtarët!
    Gëzuar e një vit me më shumë shëndet e më paqësor!
    O.M
    29-12-2020

Burimi/Facebook