P L A T F O R M Ë PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE

0
117

Nga Gjokë Dabaj

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4687
Pashtriku.org, 27. 11. 2015:

SHËNIM PËRKUJTUES

Këto ide unë i kam shtjelluar në librin tim “Strategjia e shqiptarëvet”. Madje, krejt ai libër, i cili synon të jetë një manifest kombëtar për shekullin XXI dhe për shekujt që vijnë, çon pikërisht te arsyeja që shqiptarët e kanë TË DOMOSDOSHËM krijimin e një INSTITUCIONI gjithshqiptar dhe që unë e kam emërtuar PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE. Është arsye madhore, të cilën pjesa e mençur, pjesa racionale e shqiptarëvet, duhet ta analizojë me seriozitetin e duhur.

ARSYETIMI IM
Kombi shqiptar është aktualisht MË MIRË se në kohët e derisotme. Kjo shihet në një varg realitetesh. (Nuk po i numërojmë këtu këta realitete, sepse nuk është ky qëllimi.) Jemi MË MIRË, por NUK MUND TË THEMI SE JEMI MIRË. Të ndarë në 6 shtete, të shpërndarë në të gjithë Globin, me gjendje e ngjarje nga më të hidhurat, si këtu në Atdhe, ashtu edhe nëpër vende ku kemi mërguar! Mjafton ky fakt, për të konkluduar se NUK JEMI MIRË.

Mirëpo, alarmi më i madh vjen nga parashikimi i së ardhshmes. Jo ndonjë parashikim bestyt, por parashikim realist, mbështetur në ç’ka ndodhur dhe në ç’po ndodh, brenda nesh edhe rreth nesh.

Brenda nesh ka DISKORDANCA permanente dhe të rrëzikshme. (Nuk po i numërojmë, pasi secili shqiptar, i informuar dhe i kthjellët, është në gjendje që t’i shohë vetë.)

Në kombet rreth nesh po rriten nacionalizmat me përmbajtje SHOVINIZMI dhe NAZIZMI.
Në shtetet e Evropës dhe më gjërë, po shfaqen kriza ekonomike që sjellin zi të gjithanshme.
Krizat, nëse ecet në këtë rrugë “përmirësimesh” kozmetikë, do të sjellin prishje ekuilibrash në shkallë Evrope dhe në shkallë botërore. BE-ja, sot është, nesër, për fatin tonë të keq, mund të mos ekzistojë më. Mund të copëzohet, ose kushedi ç’mund t’i ndodhë tjetër. Kushedi ç’formë mund të marrë nesër BE-ja! NATO-ja, sot ekziston, por nesër, për fatin tonë edhe më të keq, kushedi si mund të përfundojë.

Pikërisht për këto arsye e shumë të tjera, të cilat kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me ekzistencën tonë, ne shqiptarëvet na kërkohet të mendohemi SERIOZISHT. Të mendohemi TANI e jo kur të jetë tepër vonë.

Ndodhemi në një shkallë demokracie, të atillë që lejohen organizimet. Unë them që duhet ta shfrytëzojmë këtë kohë demokratike, sepse më vonë mund të pendohemi rëndë. Ta krijojmë INSTITUCIONIN tonë TË PËRKUJDESJES dhe, pastaj, në ardhshin ditë më të mira, aq më mirë, por, në ardhshin ditë më të këqia, asgjë nuk do t’i mbrojë shqiptarët më mirë se një i këtillë INSTITUCION i yni gjithpërfshirës.

Të huajt na COPËTUAN! Na COPËTUAN e na STËRCOPËTUAN! Tragjikisht na kanë COPËTUAR! Na kanë poshtëruar dhe na kanë masakruar! Pjesërisht, EDHE PËR FAJIN E PARAARDHËSVET TANË!

Ne, të sotmit, duhet të gjejmë mënyra PËR T’U BASHKUAR dhe për t’i parandaluar tragjeditë mbi fëmijët dhe mbi nipërit tanë të ardhshëm.
PARASHTRIMI SHKURTIMISHT: Përkujdesja Gjithshqiptare duhet të jetë një INSTITUCION, i cili të marrë përsipër për t’u përkujdesur për secilin shqiptar kudo që të ndodhet. Parimi filozofik është ky: Vetëm duke u përkujdesur për secilën pjesë të një tërësie, sigurohet ekzistenca e asaj tërësie.

Përkujdesja Gjithshqiptare, siç mund të vetëkuptohet, është INSTITUCION tejshtetëror, tejfetar dhe tejpartiak, që do të thotë se kjo Përkujdesje përfshin brenda vetes të gjithë shqiptarët, në cilindo shtet që ndodhen, cilësdo fe që i përkasin dhe në cilëndo parti apo shoqatë që bëjnë pjesë.

Pra, Përkujdesja Gjithshqiptare është një INSTITUCION, jo MBI shtetet, jo MBI fetë, jo MBI partitë, jo MBI shoqatat, por që synon t’i ketë në gjirin e vet, si pjesëtarë të vetët, pa i penguar veprimtaritë e tyre në sferat ku bëjnë pjesë, të gjithë pushtetarët shqiptarë, që e duan dhe e pranojnë një të këtillë organizim, të gjithë fetarët dhe besimtarët e cilësdo fe, të gjithë partiakët e cilësdo parti dhe të gjithë pjesëtarët e cilësdo shoqatë.

Fjala TË GJITHË, natyrisht, do kuptuar thjeshtë si DËSHIRË e si TENDENCË, sepse, në një të tillë organizëm, do të mund të të përfshihen VETËM ata shqiptarë që DËSHIROJNË. E unë jam i bindur se ata do të vinin gjithnjë duke u shtuar. (Nëse do të krijohej ky organizëm.)

Shtytja, nxitja, për të krijuar këtë INSTITUCION tonin, buron nga fakti që shqiptarët u janë nënshtruar në të kaluarën dhe vazhdojnë t’u nënshtrohen edhe në të tashmen, shumë rrëziqeve, që nga HUMBJA E IDENTITETIT deri te HUMBJA E JETËS, pa një arsye madhore. Është e vërtetë që ekzistojnë shumë shoqata e organizata patriotike, qoftë në Rep.e Shqipërisë e në Rep.e Kosovës etj, qoftë jashtë Atdheut, por gjithkush prej nesh mund të konstatojë që, që të gjitha këto janë të pamjaftueshme.

Janë të pamjaftueshme dhe do të mbeten të pamjaftueshme, edhe sikur të 2-fishoheshin apo 3-fishoheshin, sa kohë që nuk ka një fije, një fill, për t’i bashkuar në një organizëm të vetëm gjithpërfshirës.

Miliona shqiptarë kanë nevojë për një përkujdesje, KONKRETE e TË PËRDITSHME, sepse KONKRETISHT dhe PËRDITË ndeshen me probleme të pafund: papunësia, varfëria, mosmarrëveshjet njëri me tjetrin, pashkollësia, telashet me drejtësinë, gjaqet, mërgimi, sëmundjet, burgjet, mosshkuarjet mirë në familje, sherret, divorcet, jetimëria, vjedhjet, lypsaria, përdorimi i alkolit, përdorimi i drogavet, rrjetet e falsifikimevet, babëzia e korrupsionit, padrejtësitë nacionale… dhe prapë të tjerë dhe të tjerë probleme.

Kur themi probleme, nuk kemi parasysh vetëm të varfërit. Probleme kanë edhe të kamurit tanë, sado që dikush mund të thotë: “Kur të jem vetë mirë, s’kam nevojë për kurrfarë përkujdesjesh.” Por nuk do harruar që, si të pasurit, edhe të varfërit, janë pjesë e së njëjtës bashkësi, e cila quhet KOMB dhe, që një komb të qëndrojë më këmbë, që ai të mos shpërbëhet e të mos shkërmoqet, të mos dekompozohet (kështu siç po ndodh me ne në ditët e sotme), është E DOMOSDOSHME që dikush të përkujdeset për secilin pjesëtar të tijin.

FORMAT BAZË TË ORGANIZIMIT

Përkujdesja Gjithshqiptare ka vetëm 2 organe: organin QENDROR dhe një numër sa më të madh organesh VENDORË.

I.Organi qendror quhet Kryesia Qendrore e Përkujdesjes Gjithshqiptare. Ajo përbëhet prej 9 anëtarësh.

1.KRYETARI, i cili drejton dhe koordinon krejt veprimtarinë e Institucionit. Është menduar që selia e tij të jetë në Prizren, sepse Prizreni është qyteti ku është krijuar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, por edhe për arsye të tjera. Selia e Kryesisë, aty ku zhvillon veprimtarinë e vet kryetari, ka edhe administratën përkatëse, natyrisht, me rrogë.

2.NËNKRYETARI, i ngarkuar për punët me personalitetet e Kombit tonë të të gjitha sferave, si dhe për lidhjet miqësore me të huajt. Për nënkryetarin nuk është e detyrueshme ta ketë selinë në Prizren, por ai duhet të jetë një njeri shumë i aftë dhe duhet të lëvizë shumë, për të kontaktuar me njerëzit. Në përgjithësi, të gjithë anëtarët e Kryesisë, përveç kryetarit, kanë shumë për të udhëtuar, përndryshe, ata nuk do të mund kurrë ta kryejnë misionin e madh të Përkujdesjes.

3.ANËTARI I PARË, i ngarkuar për punët me konfesionet fetarë, me klerikët, me kryeklerikët. Natyrshëm, të gjithë klerikët shqiptarë duhet të jenë pjesëtarë të Pëkujdesjes Gjithshqiptare. Nga puna e tyre varet shumë vazhdimi apo mosvazhdimi i mirëkuptimit ndërkonfesional ndër ne. Ky anëtar i Kryesisë së Përkujdesjes sonë është mirë, madje duhet të vijë nga radhët e klerikëvet. Dhe duhet ditur që edhe në këtë fushë ka shumë për të bërë.

4.ANËTARI I DYTË, i ngarkuar për punët me mërgatën tonë të hershme: me arvanitët, me arbëreshët e Italisë, me arbëneshët e Zarës dhe me të tjerë, kudo që ata të ndodhen, në Greqi, në Itali, në Kroaci, apo nëpër vende të ndryshëm të Botës. Ky, zakonisht, është: ose arvanitas, ose arbëresh i Italisë apo i Zarës, por mund të jetë edhe nga të tjerë shqiptarë, me kusht që t’i njohë mirë komunitetet në fjalë.

5.ANËTARI I TRETË, i ngarkuar për punët me mërgatën tonë të 2 shekujvet të fundit. Edhe ky, doemos, duhet të zgjidhet nga të mërguarit, i përkushtuar, i ditur, por veçanërisht i aftë për t’i kryer punët tepër të vështira me mërgatën tonë disamilionëshe.

6.ANËTARI I KATËRT, i ngarkuar për punët me shqiptarët autoktonë në Rep.e Greqisë, në Rep.e Sërbisë dhe në Rep.e Malit të Zi. Ky do të jetë: ose nga çamët ortodoksë, ose nga Kosova Lindore, ose nga shqiptarët që jetojnë në “rripin” prej Çakorrit në Ulqin. Gjithsesi, me cilësi të larta organizuese, por edhe diplomatike.

7.ANËTARI I PESTË, i ngarkuar për punët me shqiptarët në Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë. Selia e tij, në njërin prej qytetevet tanë të atjeshëm. Duhet të ketë kapacitetet e nevojshëm, jo për përçarje, por për të realizuar BASHKIMIN. Kur themi BASHKIMIN, është fjala në radhë të parë për shqiptarët që jetojnë atje.
8.ANËTARI I GJASHTË, i ngarkuar për punët me shqiptarët në Rep.e Kosovës. Selia në Prishtinë. Njeri që di dhe mund ta çojë Rep.e Kosovës, me rrugën më të shpejtë dhe më të sigurtë, në përmbushjen e amanetevet të atyre që kanë dhënë jetët për atë Kosovë. Për atë Kosovë, e cila është pjesa më e qenësishme, më jetike, e krejt Shqipërisë.

  1. ANËTARI I SHTATË, i ngarkuar për punët me shqiptarët në Rep.e Shqipërisë. Selia në Tiranë. Do të mjaftonte që ai të bëhej përçues i një fryme për të luftuar FRONTALISHT e BASHKARISHT një numër të pafund mangësish të kësaj bashkësie shqiptare, e cila sot do të duhej të ishte të paktën në nivelin e bashkësisë së kroatëvet.

Kjo është përbërja e Kryesisë së Përkujdesjes Gjithshqiptare. Hollësitë, që, doemos, janë të shumta, do të mund të parashtrohen në kohën kur t’i hyhet krijimit të këtij INSTITUCIONI.
II.Organi i dytë i Përkujdesjes, siç e thashë, përbëhet prej një numri të pakufishëm organesh vendorë.

Me fjalë të tjera, organi i dytë formohet prej një numri të pacaktuar njësish vendore, të përhapura kudo ku ka shqiptarë. Në një të ardhshme, nëse shqiptarët do ta quajnë të nevojshëm një organizim të këtillë, numri i këtyre njësive vendore parashikohet të arrijë në 150 mijë. Kuptohet, kjo do të mund të ndodhë VETËM GRADUALISHT, duke filluar nga NJËSHI. (Dhe, më vonë, duke ingranuar edhe shtetet apo shtetin shqiptar në këtë punë). Këta organe vendorë unë i kam quajtur FJALËMIRA TË GJUHËS SHQIPE.

FJALËMIRA E GJUHËS SHQIPE përfshin nën juridiksionin e vet një numër të kufizuar, pra, një numër të vogël familjesh shqiptare, rreth 100 familje ose më pak, të cilat jetojnë territorialisht afër njëra-tjetrës. Dua të theksoj që në fillim, që ky INSTITUCION i Përkujdesjes Gjithshqiptare as që do të kish kurrafarë kuptimi, pa ekizistencën e FJALËMIRAVET të veta.

Përshkrimin më të hollësishëm të këtij organi lokal të Përkujdesjes, unë e kam bërë në njërin prej shkrimevet të mi, publikuar në portalin “Pashtriku” me titull “Fjalëmira e Gjuhës Shqipe”. Këtu po jap vetëm një paraqitje të përmbledhur, në mënyrë që lexuesi të mos detyrohet për t’u marrë me hollësira.

Secila Fjalëmirë e Gjuhës Shqipe duhet të ketë një LOKAL, një AMBIENT, ku njerëzit të kenë ku të mblidhen. Ky është themeli i funksionimit të një Fjalëmire, madje, ky është edhe themeli i funksionimit të krejt Institucionit tonë të Përkujdesjes. Nuk ke ku e bën përkujdesjen, nëse nuk ke një VEND për t’u mbledhur.
Pas një analize të fundit, konkluzioni im është që, LOKALI (shtëpia, ndërtesa), e cila duhet t’i ngjajë një faltoreje kombëtare, brenda Atdheut, duhet të jetë pronë e përhershme, e përjetshme, e Përkujdesjes.

Pra, e blerë ose e dhuruar. Ndërsa jashtë Atdheut (dmth jashtë kufijvet të Shqipërisë Gjeografike, e cila këtu në Ballkan shtrihet në 6 shtete), mund të jetë edhe ambient që përkohësisht të merret me qera. Por, udhëzimi përfundimtar është ky: Ndërtesa ku do të zhvillohen ceremonitë dhe veprimtaritë e tjera të Përkujdesjes, e quajtur prej nesh solemnisht Fjalëmirë e Gjuhës Shqipe, është mirë të jetë gjithkund pronë e përjetshme e Përkujdesjes.
Në krye të çdo Fjalëmire vihet, emërohet, një person i specializuar për këtë punë dhe që paguhet për punën që bën. Si rregull, ai (ose ajo) duhet të jetë i (ose e) diplomuar për gjuhën shqipe, por duhet të ketë edhe cilësi të tjera, si aftësi për të punuar me njerëzit, erudicion të gjithanshëm, në histori, në gjeografi, në drejtësi, në etnokulturë… emërtimi i këtij nëpunësi është: Ligjërues i Fjalëmirës së Gjuhës Shqipe, ndërsa njerëzit që komunikojnë me të, si rregull, e thërrasin profesor (ose profesoreshë).

Punët kryesore të një Ligjëruesi të Fjalëmirës së Gjuhës Shqipe janë këto:

1.Në çdo javë, zakonisht të shtunën mbas dite, organizon dhe drejton ceremoninë javore të Fjalëmirës. Rregullat e kësaj ceremonie të përjavshme janë rigorozisht të përcaktuara.

2.Në njërin prej intermexove, të kësaj ceremonie, realizohet kontributi monetar i pjesëmarrësvet, i domosdoshëm për funksionimin normal të krejt këtij INSTITUCIONI. Edhe rregullat e këtij kontributi janë rigorozisht të përcaktuara, në mënyrë që të shmanget çdo mundësi abuzimi.

3.Po në ditën e shtunë, pasi të ketë përfunduar ceremonia, banorët vendorë, që bëjnë pjesë në juridiksionin organizativ të Fjalëmirës, paraqesin problemet personalë ose gruporë, të cilët kërkojnë një zgjidhje. Numri i problemeve që kanë shqiptarët në kohën tonë është aq i madh, sa vetëm kjo do të duhej të na motivonte mjaftueshëm për ta krijuar këtë organizëm.

4.Gjatë gjithë javës, Ligjëruesi i Fjalëmirës bën përpjekje për t’i zgjidhur ose vënë në rrugën e zgjidhjes problemet që i janë parashtruar. Të shtunën tjetër ai i raporton komunitetit për rezultatet e përpjekjevet të tija. Për të njëjtat gjëra dhe për krejt punën e vet Ligjëruesi i dërgon raport të përjavshëm edhe Kryesisë së Përkujdesjes.

5.Ligjëruesi i Fjalëmirës ka detyrë të përhershme edhe mbledhjen e thesarit kulturor të komunitetit, të cilit ai i shërben. Edhe këtu ka aq shumë punë, sa do të mjaftonte vetëm kjo, si motiv për t’i hyrë kësaj pune me gjithë seriozitetin e duhur. Është fjala edhe për mbledhjen e sistemimin e thesarit kulturor, por edhe për ruajtjen dhe kultivimin e tij.
Me gjithë zemërimin e fuqishëm që mund të kemi, duke parë përditë, ngjarje pas ngjarjesh, indinjuese dhe revoltuese, prapëseprapë, nuk besoj se është nevojshme tani të dalim e të bërtasim: VËLLEZËR SHQIPTARË! Të themi: MBLIDHUNI!

Të themi: BESOMËNI MUA! Nuk është, pra, e nevojshme të lëshojmë KUSHTRIMIN e të vëmë kujën. S’është koha për britma e për çirrma patetike, midis tjerash, edhe sepse ato nuk janë tashmë të dobishme. As për tubime dhjetëra e qindramijësh, s’është koha. Është koha kur njerëzit, në këtë rast shqiptarët, duhet të veprojnë MENÇURISHT. Të meditojnë, të kontaktojnë, të ulen e të bisedojnë, pa cmirë, pa xhelozi, pa prapamendime, pa fodullëk, pa mendjemadhësi.

Përkujdesja Gjithshqiptare nuk është thirrje për luftë. As Fjalëmira e Gjuhës Shqipe nuk do të bëhet kurrë vatër e luftënxitjevet dhe e kryengritjevet. Prandaj edhe janë quajtur: PËRKUJDESJE dhe FJALËMIRË.

Krejt problemi është, që kjo nismë TË PROPAGANDOHET. Këtu ka shumë rol MASMEDIA jonë. Të shkojë, mençuria punëmbaruese, mençuria punëkryerëse, te veshi i dëgjuesvet dhe te syri i lexuesvet. Ta marrë përsipër këtë punë sidomos BREZI I RI i shqiptarëvet, ajo pjesë e rinisë sonë, 25-30-vjeçare, që I KA: KTHJELLTËSINË, LARGPAMËSINË DHE VULLNETIN e nevojshëm, për t’i kryer punët ashtu si të jetë më e mira, për Kombin, të cilit i përkasin, por edhe për kohën, në të cilën jetojnë.

Kontaktet: pashtriku-pz@hotmail.de & gj.dabaj@yahoo.com

Nr.Cel: 00355 692567880,

Gjokë Dabaj – Durrës, 12 shkurt 2013.
……………………………………………………………….
Më poshtë lexoni të plotë platformën në formatin “PDF”:
GJOKË DABAJ: PLATFORMË – PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE
http://www.pashtriku.org/…/gjoke%20dabaj%20plaforme%20perku…

Burimi/Facebook