Palestine dhe Izrael.

0
76

Duke marrë shkas nga ngjarjet aktuale, nga sa mbaj mënd në të kaluarën, por edhe duke u bazuar në shkrime të Guardian, Reuters e BBC, një vështrim ky jo tepër i gjatë, njohës, pa shumë detaje, për historikun e marrëdhënieve të izraelitëve me palestinezët. Si sot, 14 Maj 1948, pra para 73 viteve u shpall krijimi i shtetit të Izraelit. Së pari, duhen rrëzuar, nuk duhen marrë parasysh dy mite.
E para, problemi Izrael-Palestinë nuk është një mosmarrëveshje që ka ekzistuar “për shekuj” siç lexon shpesh në internet. Hebrenjtë dhe palestinezët, si dhe grupe të tjera njerëzish, kanë jetuar relativisht të qetë në rajon për shekuj me radhë. Tensioni filloi 100 vite më parë, mbas Luftës së Parë Botërore kur rajoni u nda zyrtarisht për herë të parë në “shtete-kombe” nga Britanikët.
E dyta, gjithashtu nuk është një mosmarrëveshje që ka të bëjë me fenë, edhe nëse shpesh paraqitet si pretekst. Arsyet për tmerre të tilla të njerëzimit lidhen gjithmonë me mbijetesën. Mbi të gjitha, rajoni i Lindjes së Mesme ka qenë pothuajse gjithmonë një “mozaik” i kulturave të ndryshme që bashkëjetojnë relativisht në mënyrë paqësore.
I gjithë rajoni që tani quhet “Lindja e Mesme” për një kohë të gjatë ishte një krahinë e Perandorisë Otomane, siç ishte për shembull i gjithë Ballkani. Nuk ishte e ndarë në shtete-kombe dhe nuk kishte kufij – kishte thjesht rajone administrative në të cilat popuj të ndryshëm aty jetonin së bashku. Pra nga pikpamja administrativo-juridike i gjithë rajoni ishte territor osman. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Perandoria Osmane e mundur (e cila më vonë u ri-quajt në Turqinë e sotme) u nda në shumë territore, ku shumica e territoreve të saj në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë u vunë nën kontrollin e fitimtarëve të luftës, domethënë Francës dhe Britanisë, të cilët as më shumë e as më pak vizatuan një vijë në hartë, duke injoruar gjeografinë dhe realitetin e njerëzve të zonës dhe thanë: “nga këndej e tutje do komandoj unë dhe, nga andej e tutje do komandosh ti. (Traktati Sykes-Picot).
Pra Britania mori kontrollin e rajonit, të njohur si Palestinë, nga Perandoria Osmane pas disfatës së saj në Luftën e Parë Botërore. Kjo tokë ishte e banuar nga një shumicë arabe dhe një pakicë hebreje. Për shkak se koncepti i kolonive tashmë ishte i tejkaluar, këto territore të reja nuk u quajtën koloni as britanike dhe as franceze, por u bënë “shtet-kombe të pavarur” kufijtë e të cilëve do të përcaktoheshin nga britanikët në negociata me vendasit dhe fuqitë e tjera të mëdha. Tensionet midis dy popujve filluan të përshkallëzohen kur bashkësia ndërkombëtare e udhëzoi Britaninë të krijonte një “strehë kombëtare” në Palestinë.. për hebrenjtë. Për vetë hebrenjtë këto ishin tokat e tyre stërgjyshore dhe… për palestinezët ishte atdheu i tyre.
Në atë kohë, shumica dërrmuese e banorëve të zonës ishin arabë myslimanë dhe jo hebrenj. Hebrenjtë, të cilët për shkak të vendndodhjes së tokave të tyre stërgjyshore ishin detyruar në periudha të ndryshme të historisë (që nga kryqëzatat) të shpërndaheshin si emigrantë në pjesë të ndryshme të botës, ishin disi si një “komb pa shtet”, pra një grup njerëzish me një identitet të përbashkët kulturor dhe vetëdije kolektive, por ata nuk kishin një zonë që të ishte e tyre – ata ishin të shpërndarë në pjesë të ndryshme të botës dhe kudo që ishin përbënin një pakicë, pra dhe shpesh konsideroheshin si qytetarë të klasit të dytë. Kështu ngadalë filloi një lëvizje intelektualësh hebrenj të Diasporës rreth vitit 1900 (Kongresi i Zionit 1897 në Basel të Zvicrës) ku filluan të flasin për nevojën për të krijuar një shtet në të cilin populli hebre mund të jetonte i pashqetësuar. Donin toka që i konsideronin të tyret. Kështu filloi të rindizet si kurrë më parë ndjenja kombëtare e komunitetit hebre.
Por këto toka stërgjyshore – të cilat ata vetë i konsideronin si vendi i tyre i duhur – janë banuar për shekuj kryesisht nga arabë. Ç’faj kishin dhe këta? Midis vitit 1920 dhe për dy dekadat e ardhshme, gjithnjë e më shumë hebrenj filluan të mblidhen aty, sidomos edhe mbas masakrës së tyre, holokaustit gjatë LDB. Filloi të intensifikohej dhuna jo vetëm midis hebrenjve dhe arabëve, por edhe midis këtyre dhe autoritetit britanik. Kështu filloi një histori të cilën Britania kishte përgjegjësinë për ta menaxhuar. Me sa duket nuk e bëri ashtu siç duhej, me një menaxhim më serioz dhe mbase gjithçka që po ndodh sot.. mund të ishte shmangur. Ndofta është bërë edhe me qëllim, politika “përça e sundo”.. të lësh gjithmon probleme me pasoja për të ardhmen! Si psh. India me Pakistanin (kanë probleme) ose edhe në Qipro midis komunitetit turk në minorancë me atë grek (problem i pazgjidhur). Ndofta Franca ka menaxhuar ndryshe. E ngjashme situata e krijuar në Ballkan mbas ’90.. me probleme të pazgjidhura akoma sot. Me siguri do jetë një vijë politike e elitës.
Në 1947, Kombet e Bashkuara votuan në favor të ndarjes së Palestinës në dy shtete, arabe dhe hebreje, një plan i cili parashikonte një Jeruzalem “ndërkombëtar”. Plani u pranua nga udhëheqësit hebrenj, por u refuzua nga pala arabe dhe nuk u zbatua kurrë. Në pamundësi për të zgjidhur problemin, britanikët u detyruan të largoheshin në 1948, kur udhëheqësi hebre David Ben Gurion shpalli krijimin e shtetit të Izraelit në 14 Maj 1948, si sot 73 vite më parë. Palestinezët reaguan. Pasoi lufta e parë, me trupa nga shtetet fqinje arabe që u futën në teritorin e Izraelit. Me mbarimin e luftës vitin që pasoi, Izraeli kishte rimarë teritorin e tij, ndërkohë që Jordania mori të quajturin Bregu Perëndimor dhe Egjypti mori Ripin e Gazës. Jeruzalemi u nda më dysh ku Izraeli mbajti pjesën perëndimore dhe Jordania atë lindore. Ndërkohë reth 800.000 palestinezë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre duke u larguar për në Liban, Siri dhe Jordani, ku akoma sot jetojnë nëpër kampe refugjatësh.
Luftimet e shekullit të 20-të bënë të anullohej çdo negociatë dhe shpresë për zgjidhjen e problemit izraelito-palestinez. Në të ashtuquajturën luftën e 6 ditëve, në fillim të Qershorit 1967, brenda gjashtë ditëve Izraeli arriti të mposhtë ushtritë e tre vendeve arabe (Egjyptit, Sirisë dhe Jordanisë) dhe trefishoi territorin e tij duke aneksuar Jeruzalemin Lindor, Bregun Perëndimor të lumit Jordan, Rripin e Gazës, gadishullin Sinai të Egjyptit dhe Lartësitë Golan të Sirisë.. Pasoi lufta e quajtur Yom Kippur ku ushtritë e Egjyptit dhe të Sirisë koordinuan dhe filluan sulmet e tyre në të njëjtën ditë 6-25 Tetor 1973 dhe pikërisht ditët e festës së Ramazanit hebraik. Ushtria e izraelit duke luftuar në dy fronte jo vetëm arriti të përballojë por edhe i zmbrapsi ushtritë siriane në Malet Golan dhe shkoi deri 30 km afër Damaskut dhe në jug perëndim rrethoi Armatën e Tretë të ushtrisë egjyptiane në qytetin Suez duke qenë vetëm rreth 100 km larg Kajros.
Opinioni politik dhe ai shoqëror botëror, shumë i shqetësuar u ndodh përpara një diçkaje tepër alarmante ku duhej të ndërhynte domosdoshmërisht, për të parandaluar dhe shmangur një fyerje të pashembullt, një ofendim tepër përulës që po i ndodhte botës muslimane arabe. Dhe ndërhyri. Nuk duhet harruar që mbas krahëve të palëve ndërluftuese ndodheshin edhe dy superfuqitë botërore të atëhershme USA dhe BRSS, që mund ta quash se luftonin midis tyre në prapaskenë.. në prapavijë. Pra u arrit armëpushimi në 25 Tetor. Këtu mbaj mënd në ekranin e tv RAI kryeministren e Izraelit Golda Mayer shoqëruar nga ministri i mbrojtjes Moshe Dayan duke vizituar ushtarët në vijën e parë të frontit për tju komunikuar armëpushimin dhe ndërkohë që ushtarët qanin jo nga gëzimi, por nga që nuk i lanë të vazhdonin e të mbaronin njëherë e mirë me armiqtë që i kishin sulmuar. Pasoi në 1978 Marrëveshja e Camp David, ku Sinai ju kthye Egjyptit dhe Egjypti u bë vëndi i parë arab që njohu zyrtarisht Izraelin si shtet të pavarur.
Një nga pengesat kryesore në konfliktin e gjatë janë vendbanimet izraelite të ndërtuara në territoret që palestinezët i konsiderojnë si shtetin e tyre të ardhshëm. Këto janë vendbanime hebreje të quajtura edhe kibbutz-e, të ndërtuara edhe me kontribut vullnetar nga gjithë bota, në territore të aneksuara në Luftën Gjashtë Ditore, zakonisht në Bregun Perëndimor, Lartësitë Golan, Jeruzalemin Lindor (dhe ish Rripin e Gazës, nga ku izraelitët u larguan më vonë). Sipas ligjit ndërkombëtar, këto janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Sipas Rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB, “Vendbanimet izraelite në territoret e okupuara Palestineze nuk kanë fuqi ligjore dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar”. Aq më tepër sot, në zgjidhjen e problemit përbën pengesë edhe statusi i Jeruzalemit. Kombet e Bashkuara në 1949 menjëherë pas themelimit të shtetit të Izraelit, e vendosën qytetin nën statusin e “corpus separatum” – një entitet i veçantë, domethënë, nën kontrollin ndërkombëtar – diçka që nuk u zbatua kurrë. Sot Izraeli e ka shpallur kryeqytet. Një tjetër pengesë përbën edhe riatdhesimi i palestinezëve të dëbuar në 1948.. që nuk e pranon Izraeli.
Një muaj më parë, në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit, palestinezët protestuan kundër “kufizimeve të ashpra e të panevojshme” nga policia izraelite që i pengonin ata të mblidheshin në shkallët jashtë Portës së Damaskut, në Qytetin e Vjetër – një simbol për palestinezët me një traditë jozyrtare për tu grumbulluar mbrëmjeve. Pas disa ditësh tensionesh dhe incidentesh, situata arriti kulmin në fund të prillit kur qindra izraelitë të ekstremit të djathtë dolën në rrugë, duke brohoritur parulla të tilla si “Vdekje arabëve”. Mes zemërimit në rritje, atmosfera tashmë e tensionuar u përkeqësua nga një vendim gjykate që pritet të merret nga një gjykatë izraelite ku autoritetet do të dëbojnë dhjetra palestinezë nga lagjja Sheikh Jarrah e Jeruzalemit Lindor, në favor të kolonëve hebrenj. Shumë familje hebreje pretendojnë se kanë humbur tokën e tyre në Sheikh Jarrah gjatë luftës që shpërtheu me krijimin e shtetit të Izraelit. Sipas ligjit izraelit, hebrenjtë që mund të provojnë se zotëronin tituj toke para vitit 1948 kanë të drejtë të kërkojnë pronën e tyre. Ky ligj nuk zbatohet për palestinezët që kanë humbur shtëpitë e tyre në Jeruzalemin Perëndimor. Kështu familjet palestineze dhe kolonët hebrenj janë përfshirë në një betejë të stërgjatur ligjore. Udhëheqja palestineze flet për “spastrim etnik” që synon “Judaizimin e qytetit të shenjtë”, Izraeli këmbëngul se nuk ka diskriminim dhe është një “mosmarrëveshje ligjore midis individëve”, duke akuzuar palën palestineze për nxitje të dhunës.
Në bazë të ligjit, hebrenjtë e lindur në Jeruzalemin Lindor janë shtetas izraelitë, ndërsa palestinezëve në Jeruzalemin Lindor u garantohet një status qëndrimi i përhershëm, i cili sidoqoftë mund të revokohet nëse ata jetojnë jashtë qytetit, dmth mungojnë për një kohë të gjatë. Megjithatë ata kanë të drejtë të aplikojnë për shtetësi, diçka që shumica dërrmuese e palestinezëve vendos të mos e bëjë, jo vetëm sepse është një proces i gjatë dhe i pasigurt, por kryesisht sepse nuk njeh kontrollin, pra administratën e Izraelit. Aspak optimist është opinioni i analistëve dhe i gazetarëve ndërkombëtarë të cilët vlerësojnë se nuk ka zgjidhje të afërt për situatën, të paktën në të ardhmen e afërt. Nuk përjashtohet edhe mundësia që faktorë të tjerë të jashtëm sot, dmth vende autarqike musulmane që kanë ambicje dhe përpiqen të luajnë rolin e liderit të botës muslimane dhe që nuk shikojnë pozitivisht afrimet dhe aleancat e Izraelit me disa vende arabe, përpiqen të ndezin zjarre aty, për të minuar edhe politikat e Izraelit me këto vende.
Dhimiter Mosko

Burimi/Facebook