Paulin Pali “I madhi i të mëdhenjëve”

0
166

Ai përpunoi dhe pastroi“Ahengut të Shkodrës” , që ka rreth 1000 këngë që nga viti 1500 e deri në ditët tona. Me Tef Palin dhe Kol Gurashin gjatë gushtit të vitit 1955 kanë incizuar në Radio Tirana rreth 350 këngë të ahengut shkodran, për Institutin e Krijimtarisë Popullore. Ai lindi në vitin 1905 nga një familje fisnike dhe i rritur me këngën e bukur Shkodrane. Ai e filloi punën pranë Radio Tiranës në vitin 1937 e deri në vitin 1967. Paulin Pali ishte njohës i shkëlqyer i këngës Shkodrane sepse u edukua me të që fëmijë. I ati Ndoci ishte klarinetist, i vëllai Karlo Pali ishte instrumentist, njeri aktiv dhe kompozitor i disa këngëve shumë të bukura si “Në kohë të mbrëmjes në pranverë”, ”Të kam dasht e prap të du “,”këndon bylbyli poshtë te zalli “,”Ska ma t’bukur se pranverën”, “Të kam dasht e edhe të du”….etj. Në Moskë në vitin 1956 në Balshoj Teatër në ansamblin tonë, kënga e tij “Këndon bylbyli posht te zalli” pati një sukses të rrallë. Karlo i binte Bracit (instrument me tela) dhe deri në vitet e fundit ai kishte orkestrën e tij ku në këtë formacion ishin: Shefqet Kruja, Kol Vjerdha, Deto Haxhi, Rexhep Zaganjori me këngëtar Shyqyri Alushi. Gjithashtu dhe kushërinjtë e tij vepronin në këtë fushë siç ishin Nush Pali e Tef Pali, kështu që Paulini u rrit në një ambient të tillë dhe u formua si një krijues , mbledhës dhe përpunues e poet duke kultivuar pa reshtur këngën popullore qytetare shkodrane e duke e bërë atë me karakteristika të vërteta kombëtare dhe duke përhapur në të gjitha trevat shqiptare dhe në të gjithë botën ku jetojnë shqiptarët. Paulini ishte nxënësi dhe miku më i afërt i Ndrek Voglit një kompozitor i shkëlqyer i këngëve popullore nga i cili u ndikua shumë prej shpirtit të tij prej artisti virtuoz, i cili i mësoi edhe instrumentin e Bracit. Shkollë tjetër për të ishte Kol Gurashi dhe Sait Hoxha ku nga ata mësoi disiplinën dhe kërkesat e larta në trajtimin rigoroz dhe zhvillimin e mëtejshëm të këngës shkodrane. Nuk ishte vetëm një përgatitje por ishte dhe dashuria dhe pasioni i tij i madh që kishte për këngën Shkodrane. Si instrumentist dhe orkestrues shumë i mirë ai formoi orkestrën e Radio Tiranës me njerëz shumë të talentuar dhe të pasionuar. Kjo orkestër u formua në vitin 1937 dhe grupi përbëhej nga këta artistë:
Kel Sota – Këngëtar i grupit
Ahmet Avdyli – Violinë
Pjeter Nikolla – Kitarë
Zef Gruda – Klarinetist
Paulin Pali – Brac dhe ishte drejtues i grupit.
Me këtë orkestër dhe më vonë me të tjerë ai punoi aktivisht ,ai zbuloi dhe përgatiti këngëtarë duke i ndihmuar ata atë shfaqnin talentin e tyre. Paulini ishte me të gjitha vetitë më të mira, i qeshur, i dashur dhe kërkues për më të mirën. Ai për shumë vite orkestronte dhe punonte me orkestrën dhe këngëtarët dhe pastaj “LIVE” këndoheshin në transmetim direkt këngët në Radio Tirana me një profesionalizëm të pashoq.
Bashkëpunëtorët e tij kanë shprehur konsideratën e tyre për Paulinin:
Xhevdet Hafizi -Zoti Paulin Pali ishte mësuesi i ynë, ishte i qeshur, i butë , i ëmbël dhe i palodhur. I donte të gjithë njëlloj pa dallim moshe gjinie apo fetare, (në kohën që u lidh për jetë me një të fesë myslimane, Sanije Shaqiri Pali këngëtare, nuk ishte fort e zakonshme dhe me reaksion). Ai punonte me përkushtim me të rinjtë.
Marije Kraja – Kishte veti të rralla drejtuese, ishte përpunues i gati tërë “Ahengut Shkodran”, ishte i qetë, i ëmbël, i dashtun me të tan’, ishte kërkues dhe shumë i rreptë gjatë emisionit muzikor. Ai të mësonte me e kënduar këngën deri në detaje sa që gjatë transmetimit direkt, nuk gabonte asnjë instrument a këngëtar .
Luçije Miloti: – Jam njoftë me Paulinin qysh në vitin 1947 atë vit që erdha në Tiranë. Ai ka qenë mësuesi, edukuesi formuesi , pra njeriu më i afërt i imi. Ishte i ëmbël, i drejtë, i përkushtuar, me të mësuar gjithçka deri në imtësitë e këngës. Ku nuk kemi shkuar për koncert, në fusha, miniera, kantiere, reparte ushtarake, në skenat e kryeqytetit dhe në të gjitha qytetet. Nuk vijnë njerëz të mëdhenj si ai.
Bik Ndoja : – Vitet e ushtrisë i kalova më shumë me të, aty në podiumin e Radio Tiranës duke mësuar e duke kënduar këngën e bukur Shkodrane. Tashti e kujtoj me shumë mall se ai i bëri të pavdekshme pjesën më të madhe të këngëve Shkodrane.
Drita Papajani : – Për mësuesin tim dhe të gjithë këngëtarëve të grupit, ruaj një respekt të veçantë atëror, një respekt të jashtëzakonshëm. Ishte mësues, kërkues, gjykues, sepse ishte ekspert i këngës së bukur Shkodrane. Pra siç e shohim më lart gjatë viteve që punoi në Radio Tirana ai ishte mësues dhe bëri shumë këngëtarë të shquar si: Bik Ndoja, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizin, Bajram Spahiu, Pjetër Gjergjin, Kel Sota, Emil Milotin, Luçije Milotin , Drita Papajani, Despina Trimcev, Sadete Toska, Sanije Shaqiri (Pali), Hajrie Harapi, etj..
Respekt të pakufishëm për të gjithë krijuesit dhe ekzekutuesit që na dhanë gjatë dekadave perlat (Thesarin ) e këngës popullore shkodrane , që mbushën zemrat dhe shpirtin e popullit, të cilat populli ka ditur t’i ruaj e t’i mbajë gjallë këto këngë që nuk do të shuhen dhe nuk do të harrohen asnjëherë, por ajo do të transmetohet brez pas brezi pavarësisht nga anti-muzika që qarkullon sot. Krahasoni këngën “Karajfilat që ka Shkodra “ ose “Mbeta gjithë ditën hijeve “ etj, etj me këto tallavatë ose këngët që janë pa identitet ose me identitet të huaj që këndohen si shqiptare, që këndohen nga këngëtarë të papërgjegjshëm dhe dhunues të këngës tonë të bukur Shqiptare të cilat dhe pse janë 70,80,100-vjeçare, qëndrojnë dhe shkëlqejnë mbi llumin e sotëm. Kënga e jonë është si një burim me ujë të pastër, që sado t’i hedhësh bojë të zezë , nuk e ndot dot. Është për t’u përgëzuar fort festivali i këngës “Lule borë” në Shkodër, që pasuron për çdo vit repertorin e këngës Shkodrane, por natyrisht që duhet të jemi shumë fanatikë të fizionomisë sonë kombëtare. Shkrova për Paulin Palin sepse me kontributin e tij, të përkushtuar dhe punën kolosale, ai qëndron fort në piedestalin e këngës popullore qytetare Shkodrane. Dhe për këtë shërbim të lartë ndaj artit tonë meriton respektin dhe mirënjohjen e thellë për të mos e harruar kurrë. Madhështinë e tij ja jep fryti i punës së tij të palodhur të cilin populli ndonëse nuk e di kush e ka bërë këto këngë të mrekullueshme, i këndon me shumë endje dhe i përcjell ndër breza. Sot ka shumë “Mjeshtra të mëdhenj” e deri “Nderi kombit”që mund të jenë hije e zbehtë ndaj madhështisë së Paulin Palit. Me këtë nder që i ka bërë kombit tonë, Paulin Pali, ai peshon shumë rëndë në piedestalin e artit tonë të pastër Shqiptar, si “Më i madhi i të mëdhenjve”!

Burimi/Facebook/Shkodra Jone