Paulin Z. Zefi – RËNIA E KOSTANDINOPOJËS (29.05.1453).

0
24

Rrethimi i kryeqytetit të Perandorisë së fragmentarizuar Bizantine, Kostandinopojës, nga armata perandorake osmane, e cila udhëhiqej nga vetë sulltan Mehmeti II, zgjati 53 ditë (06.04.1453 – 29.05.1453). Përsa i përket numrit të përgjithshëm të forcave osmane, shifrat variojnë sipas autorëve të ndryshëm. Kronisti bizantin, L.Halkokondili e ngre numrin deri në shifrën e pabesueshme prej 400.000 vetash, Dukas e zbret në 265.000, Gj.Sfrances deri në 258.000, historiani ushtarak S. C. Tucker është midis shifrave 100.000-200.000, Nicolò Barbaro e redukton në 165.000, J.J.Norwich e zbret në 100.000, por F.Babinger është i mendimit se shifra më e pranueshme nuk duhet t’i ketë kaluar më shumë se 80.000 veta (1). Në radhët e ushtrisë osmane ishin angazhuar edhe 1.500 kalorës serbë, të dërguar nga despoti, Gjergj Brankoviç (2). Ndërkohë që flota e krishterë, e ankoruar në Gjirin e Bririt të Artë, numëronte vetëm 26 anije, flota e madhe osmane e angazhuar në detin Marmara dhe Ngushticën e Bosforit përbëhej nga 126 anije, 75 prej tyre me madhësi mesatare, 31 galera dhe 20 anije që shërbenin për transportimin e kuajve. Ushtria osmane komandohej nga vetë Sulltan Mehmeti II, Zagan Pasha, Sulejman Baltoglu dhe Hamza Beu. Nga burime të ndryshme del se Kostandinopoja mbrohej nga një efektiv që nuk i kalonte 10.000 veta (3), por sipas kronistit bizantin, Gjergj Sfrances, i cili është angazhuar personalisht me regjistrimin e burrave të armatosur me porosinë e veçantë të perandorit Kostandini XI, rezultojnë vetëm 4.983 grekë dhe 2.000 vullnetarë të huaj pra, vetëm 6.983 veta në total (4). Regjistrimi i kryer nga Sfrances jep numrin e përgjithshëm të forcave të armatosura që mbronin qytetin së bashku me ekuipazhet e 26 anijeve të ankoruara në Gjirin e Bririt të Artë dhe këtij autori duhet t’i besojmë plotësisht. Midis trupave të huaja vullnetare bie në sy prania e 700 gjenovezëve, 600 dezertorëve osmanë, 200 harkëtarëve të dërguar nga Selia e Shenjtë, që ishin vendosur aty që më 26 tetor 1452, nën udhëheqjen e legatit papal, kardinali Isidor i Kievit dhe 500 luftëtarë nga Venecia, Napoli e Spanja. Numri i mbrojtësve do të kishte qenë më i madh, por natën e 26 shkurtit 1453, ishin larguar fshehtas nga Briri i Artë: 7 anije, 6 kretase dhe 1 veneciane, që komandohej nga kapiteni Pietro Davanco dhe bashkë me ta u larguan nga zjarri i luftës që pritej të shpërthente, edhe 700 ushtarë. Në se llogarisim gjatësinë e mureve prej 20.53 km, i bie që një ushtar i garnizonit të kryeqytetit perandorak bizantin, duhet të mbronte krejt i vetëm, 3 m gjatësi lineare përballë mizërisë së armatës perandorake osmane. Pra, kjo ishte një detyrë ushtarake shumë e vështirë dhe praktikisht e pamundur, përballë sulmeve të mizërisë së pafundme të turqve-osmanë. Trupat mbrojtëse bizantine të Kostandinopojës komandoheshin nga vetë perandori bizantin, Kostandini XI Paleologu, Duka i Madh(Megas doux) Loukas Notaras dhe kushëriri i perandorit, Teofil Paleologu. Komandën e përgjithshme të vullnetarëve katolikë e kishte njeriu, tek i cili varej shpresa e të gjithëve për të dalë fitimtarë, gjenovezi, Giovanni Giustiniani-Longo, pas tij vinte baili venecian, Girolamo Minoto, kapiteni katalanas, Pere Hulia, spanjolli, Don Francisco de Toledo, i mbiquajtur “Akili i ri” dhe kapiteni venecian i flotës tregtare të Tanës në Detin e Zi, Alvise Diedo. E ndërsa 600 ushtarët osmanë që mbronin muret e Kostandinopojës luftonin nën komandën e princit Orhan Çelebiu. Historiani rumun, N.Jorga, thekson faktin se lufta e fundit për mbrojtjen e qytetit të Kostandinopojës ka patur më tepër një karakter kalorsiako-latin, sesa fanatiko-grek dhe kjo konstatohet nga prania e madhe e luftëtarëve perëndimorë të vendosur në muret e kryeqytetit perandorak bizantin. Gjatësia e mureve të Kostandinopojës ishte 111 stade romake ose 20.53 km dhe ndahej në tre mure:
a)Muri i brendshëm, me trashësi 4.5-6 m, i lartë 12 m dhe i përforcuar nga 96 kulla me gjerësi 10-12 m dhe lartësi 15-20 m.
b)Muri i jashtëm, me trashësi 2 m, lartësi 8.5-9 m dhe i përforcuar me kulla rrethimi me gjerësi 4 m dhe lartësi 12-14 m.
c)Muri i ulët dhe hendeku, që shërbenin si vija e parë e mbrojtjes, ishin të vendosur në një distancë prej rreth 20 m nga muri i jashtëm. Muri i ulët ishte i ndërtuar deri në një lartësi prej vetëm 1.5 m mbi nivelin e terrenit dhe ndodhej në anën e brendshme të hendekut, i cili ishte mbi 20 m i gjerë dhe 10 m i thellë.
Muret madhështore të Kostandinopojës përmbanin shumë hyrje të ngushta dhe nëntë porta kryesore, të cilat ishin ndërtuar duke shpuar mespërmes muret e trefishta dhe kalonin mbi hendekun e madh, por identifikimi i saktë i disa portave është shumë i debatueshëm për një numër arsyesh që lidhen kryesisht me të dhënat e kronistëve bizantine, të cilët japin më shumë emra sesa numri i portave ekzistuese. Ndërsa Gjiri i Bririt të Artë, ku mbrojtja e mureve paraqiste vështirësitë më të mëdha, u bllokua me zinxhirin e gjatë dhe të pakalueshëm për anijet e flotës armike (5). I paraprirë nga topat dhe makineritë e tjera të rrethimit, Sulltan Mehmeti II mbërriti përballë mureve të Kostandinopojës, më 2 prill 1453 (6). Kronikat thonë se topi më i madh ishte 9 m i gjatë, 20 cm i trashë, me kalibër 750 mm (75 cm) dhe ishte në gjendje të lëshonte gjyle me peshë 600 kg, nga një largësi prej më shumë se 1.500 m (7).. Plot 2 muaj, shkurt dhe mars, kishte zgjatur transporti i topit të madh dhe dy topave të tjerë më të vegjël nga Edirneja për në Kostandinopojë, rrugë e cila në kushte normale mund të përshkohej brenda dy ditëve. 50 pendë qe tërhiqnin përpara, 200 burra ecnin anash për të mos i lënë ata të batoheshin dhe punëtorë rrugësh së bashku me shumë gërmues shkonin përpara duke hapur rrugën nga do të kalonin këto armë gjigande (😎. Për të shkatërruar muret e Kostandinopojës u instaluan plot 70 topa dhe bombarda të madhësive të ndryshme (9). Pasi u fiksuan në vend këto mjete të artilerisë së rëndë dhe të gjithë luftëtarët e ushtrisë osmane ishin pozicionuar nëpër vendet e caktuara, më 6 prill 1453, sulltan Mehmeti II lëshoi sinjalin për fillimin e sulmit kundër mureve të qytetit (10). Sulmi u drejtua pikë së pari kundër mureve veriorë të qytetit e sidomos kundër portës “Pempton”, e cila u zgjodh nga turqit si pika më e dobët e mbrojtjes bizantine (11). Përsa i përket ditës së parë të luftimeve, jemi të prirur t’i besojmë kronistit personal të Mehmetit II, Tursun Beut, i cili ka qëndruar pranë sulltanit gjatë gjithë kohës, duke hedhur në letër ngjarjet më të rëndësishme. Ai shkruan se në çastin kur Mehmeti II dha sinjalin e luftës, “Jehona e bandës perandorake të tambureve dhe tingulli i daulles e bririt prej tunxhi gjëmuan gjer lart në Veshin e qiellit. Prej hingëllimës së kuajve, tërmeti i aradheve ngriti gjer në majat e maleve një re pluhuri të ngjashme me atë të Ditës së Gjykimit.” (12).” Mbrojtësit e Kostandinopojës qëndruan heroikisht përballë makinerisë së tmerrshme luftarake dhe mizërisë së pafundme të ushtarëve të Perandorisë Osmane edhe pse ishin në dizavantazh të theksuar në raport numerik. Megjithatë, muret e trefishta të Kostandinopojës, që gëzonin statusin e pathyeshmërisë për shekuj me rradhë, nuk i rezistuan për shumë kohë goditjeve të bombardave që kishte prodhuar mjeshtri metalderdhës dhe inxhinieri hungarez, Urban ose Orban, nga qyteti Brashov i Transilvanisë në Mbretërinë e Hungarisë(sot Braşov, Rumani). Fillimisht Urbani ia kishte ofruar këto shërbime perandorit bizantin, Kostandin XI Paleologu, por duke qenë se ai nuk kishte patur mundësi për ta paguar sipas kërkesës, Urbani ishte paraqitur pranë Sulltan Mehmeti II dhe ky i fundit kishte rënë dakord që ta paguante me çdo lloj çmimi, sado e lartë të ishte kërkesa e topçiut të krishterë hungarez. Në përfundim të ditës së parë u shkatërrua një pjesë e mureve mbrojtëse pranë portës së Karsios, por pavarësisht përpjekjeve të osmanëve për t’u futur në qytet, ata u zmbrapsën disa herë me rradhë prej mbrojtësve. Bombardimi sistematik rifilloi më 11 prill dhe vazhdoi papushim për gati 48 ditë me rradhë (13). Në pamundësi për ta marrë qytetin me forcën e armëve, osmanët tentuan që ta pushtojnë në befasi dhe aksioni u zhvillua gjatë mesnatës midis datave 17-18 prill, por pas 4 orë përpjekjesh të padobishme, sulmuesit u detyruan të tërhiqen. Më 20 prill përfundoi në disfatë të plotë edhe sulmi i flotës osmane, që u zhvillua para syve të Sulltan Mehmetit II, por ai ndryshoi taktikë dhe më 22 prill, kaloi nëpër tokë një pjesë të flotës së vet, nga ngushtica e Bosforit për në ujërat e Gjirit të Bririt të Artë (14). Për këtë qëllim, turqit kishin ndërtuar një strukturë të gjatë komplekse me dërrasa e trarë, të ngjashme me një ulluk dhe anash me parmakë, të cilit ia kishin lyer fundin me dhjam dashi dhe kau e mbi të transportuan anijet, duke i rrëshqitur me ndihmën e trarëve dhe rrulave. Pasi anijet turke, për habinë e të gjithëve, u hodhën në ujërat e Bririt të Artë, filluan betejat detare, që u afruan deri pranë mureve dhe iniciativa e veprimeve sulmuese kaloi dukshëm në duart e palës turke. Më 24 prill, gjylet me peshë deri në 600 kg, që hodhën bombardat osmane kundër qytetit, rrëzuan muret që ndodheshin pranë Portës së Romanos, por për habinë e madhe të sulltanit, mbrojtësit i rindërtuan gjatë natës, duke i mbushur me materiale të ndryshme. Më 5 maj, Mehmeti II urdhëroi që të vendosen topa edhe në Gallatë dhe që andej të qëllohej çdo anije që ndodhej e ankoruar në skelë. Osmanët organizuan 2 mësymje të mëdha, më 7 dhe më 13 maj, në mënyrë që të shfrytëzonin të çarat që kishin shkaktuar nëpër mure gjylet e rënda të bombardave, por mbrojtësit i sprapsën me shumë sukses. Reparti i vogël i mbrojtësve të qytetit, duke sfiduar vdekjen, luftoi me egërsi për të shmangur fundin e sigurt dhe vetë perandori Kostandini XI, me guximin dhe burrërinë e tij, u bë shembull për luftëtarët e tij (15). Më 19 maj, Mehmeti II urdhëroi që të ndërtohej mbi Bririn e Artë një urë e madhe prej druri, e cila do të lidhte Gallatën me bregun e qytetit të Kostandinopojës. Megjithatë, çdo përpjekje e turqve përfundoi në dështime të përsëritura. Duke vlerësuar situatën e vështirë, më 21 maj, Mehmeti II dërgoi një ambasador në qytetin e Kostandinopojës për t’i ofruar Kostandinit XI heqjen e rrethimit, nëse ai do të dorëzonte qytetin. Përveç kësaj, i premtoi se do ta njihte si guvernator të përgjithshëm të Peloponezit dhe se do ta lejonte jo vetëm atë, por të gjithë qytetarët bizantinë që të largohen të qetë e duke marrë me vete pasurinë e tyre. Kuptohet se Kostandini XI i hodhi poshtë këto propozime dhe kjo përgjigje krenare e detyroi Mehmetin II që të thërrasë në takim krerët më të lartë të shtetit osman për të vendosur mbi veprimet e mëtejshme. Pas kësaj mbledhje, më 24 maj, Sulltan Mehmeti II, me sugjerimin e Sheh Akshemseddinit, shpalli në kampin e vet se më 29 maj do të jetë dita e sulmit të përgjithshëm nga toka dhe nga deti, për pushtimin e kryeqytetit të Perandorisë Bizantine (16). Gjatë kohës kur po vijonin bisedimet për të arritur traktatin e Paqes, më 23 maj, bizantinët kapën robër dhe torturuan dy oficerë turq, të cilët u treguan për vendndodhjen e të gjitha tuneleve turke që ishin gërmuar poshtë mureve të qytetit. Prandaj më 25 maj, pasi trupat e krishtera zbuluan tunelet, i shkatërruan ato me sulme të ashpra, që u zhvilluan nëpër galeritë nëntokësore dhe në fund përdorën “Zjarrin grek” për t’i shembur ato plotësisht. Më 26 maj, Mehmeti II mblodhi sërish këshillin e luftës, ku deklaroi se rrethimi kishte zgjatur me të vërtetë shumë dhe se ishte koha për t’u hedhur sa më shpejt në sulmin përfundimtar (17). Duke filluar nga data 26 maj, u ndezën zjarre të shumta jo vetëm në kampin osman, por edhe mbi anijet e flotës. Gjatë kësaj nate të frikshme, që bizantinët po e kalonin vetëm me lutje drejtuar Zotit për të shpëtuar nga robëria turke, komandanti i fuqishëm gjenovez, Giovanni Giustiniani-Longo, pasi meremetoi Portën e dëmtuar të Romanos, përballë së cilës ndodhej vetë Sulltan Mehmeti II, u takua me Admiralin dhe Dukën e Madh(Megas doux) të trupave bizantine, Loukas Notaras. Katoliku i devotshëm gjenovez i kërkoi fanatikut ortodoks greko-bizantin që ta ndihmonte për të mbrojtur portën ku pritej të përqendrohej sulmi i përgjithshëm i turqve, më 29 maj, por ky i fundit e quajti të panevojshme shtimin e forcave në atë vend ku po luftonin latinët. Atëherë midis tyre shpërtheu një grindje e ashpër, sepse me shumë të drejtë, Giovanni Giustiniani-Longo e quajti Loukas Notarasin tradhëtar të atdheut dhe prandaj u desh ndërhyrja e vetë perandorit Kostandini XI, për të ftohur gjakrat e katolikut vullnetar dhe ortodoksit mosmirënjohës vendas. Sipas F.Babinger, “Giustiniani ishte kullë e vërtetë në betejë, ndaj edhe shënjestër e përhershme e smirës së kundërshtarëve (18).” E ndërsa Loukas Notaras ka hyrë në histori, duke u bërë i njohur për qëndrimet e tij antilatine dhe shprehjen plot mllef: “Do të preferoja më mirë të shihja në kryeqytet çallmën turke, sesa mitrën latine (19)!”, që e ka thënë pikërisht në grahmat e fundit të ekzistencës së Perandorisë Bizantine. Përveç paaftësisë dhe makutërisë së Loukas Notaras, rënia e Kostandinopojës lidhet edhe me tradhëtinë e dy murgjve ortodoksë grekë, të cilët groposën jo pak, por plot 70.000 guldenët e arit që ua kishte besuar perandori Kostandini XI, me qëllim për të financuar rindërtimin e sistemit fortifikues të kryeqytetit perandorak! Sipas njoftimit të ipeshkvit të Mitilenit(Lesbos, Greqi), Leonardo Giustiniani, nga ishulli Hios, paratë e groposura nga dy murgjit grekë u zbuluan nga ushtarët turq gjatë plaçkitjes sistematike të Kostandinopojës. Natën midis 28 dhe 29 majit, qyteti u sulmua nga të gjitha anët dhe beteja e vërtetë u zhvillua në luginën e Likusit (20). Pak pasi zbardhi dita, Giovanni Giustiniani-Longo u godit nga një shigjetë, e cila i çau parzmoren dhe i depërtoi në gjoks (21). I plagosur rëndë, duke mbrojtur Portën e Romanosit, ku ishte përqendruar sulmi kryesor i osmanëve, ai e braktisi betejën, gjë e cila shkaktoi dezertimin dhe tërheqjen e plotë të luftëtarëve gjenovezë. Perandori Kostandini XI i shkoi nga pas duke iu përgjëruar me fjalët rrënqethëse: “Vëlla, qëndro si burrë, mos na braktis në këtë çast të vështirë! Nga ti varet shpëtimi i këtij qyteti. Kthehu përsëri në postin tënd! Ku po shkon, ashtu (22)…?!” Sipas F.Babinger, i cili bazohet tek njoftimet e kronistëve bizantinë, Giovanni Giustiniani-Longo iu përgjigj shumë ftohtë perandorit, me këto fjalë: “Atje, atje ku vetë Zoti do t’i dërgojë këta turq” dhe më pas u hodh në një anije dhe u nis për në Gallatë, për të mjekuar plagët (23).” Largimi i tij shkaktoi rrëmujë në kampin e të rrethuarve dhe e përshpejtoi fitoren turke (24). Kronisti osman, Tursun Beu, e përshkruan sulmin e përgjithshëm me “goditje topi, predha mushketash dhe falkonetesh, heshta, shigjeta e shtiza harbaletash që fluturonin nga brenda e nga jashtë më të panumërta nga ç’janë pikat e shiut në muajin prill. Kur niseshin e drejtoheshin, ngjasonin me lajmëtarin e lutjes të të drejtëve, tek zbrisnin e binin poshtë ishin si fatkeqësia e dekretuar prej qiellit (25).” Vetë perandori bizantin u vra, duke luftuar heroikisht gjatë përleshjes me sulmuesit, kur ata depërtuan në muret e qytetit dhe ngritën flamurin turk. Pak çaste më vonë, anijet e flotës osmane zbarkuan në breg dhe ekuipazhi i tyre u fut në qytet. Më 29 maj 1453, një javë pasi kishte ndodhur eklipsi i hënës, të cilin mbrojtësit e qytetit e kishin interpretuar si një shenjë shumë ogurzezë, turqit u hodhën mbi muret e lashta duke pushtuar Kostandinopojën. Të vetmit që vazhduan të bënin akoma qëndresë ishin disa grupe të vogla ushtarësh bizantinë. Ndërsa civilët e pashpresë u strehuan brenda Katedrales së Shën Sofisë, me shpresën se në ato çaste do të ndërhynte Zoti për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, por jo, sepse në fakt ndodhi krejt e kundërta, askush nuk erdhi t’i ndihmojë dhe ata u përballën me një tragjedi të llahtarshme. “Luftëtarët(turq) u përhapën njëlloj si helmi, duke depërtuar nëpër të gjitha gjymtyrët e organet e qytetit (26)”, -thotë kronisti Tursun Beu, i cili ishte edhe dëshmitari okular i këtyre ngjarjeve dramatike, që ndryshuan rrjedhën e historisë së njerëzimit. Në mesditë rrugët e Kostandinopojës ishim skuqur nga gjaku, shtëpitë ishin bosh, gratë dhe fëmijët ishin përdhunuar ose u ishte prerë gjuha, kishat u bënë rrafsh me tokën, ikonat ishin shqyer nga kornizat dhe librat e shenjtë ishin grisur (27). Banorët e qytetit, që kishin kërkuar më kot strehim në Katedralen e Shën Sofisë, u kapën dhe u kthyen në skllevër, ose u vranë menjëherë sapo turqit depërtuan brenda këtij objekti religjioz përrallor, duke shkallmuar portat, të cilat i çanë me sëpata. Brenda në Katedrale u zhvilluan skena tmerri të papërshkrueshme: Ikonat e shenjta u thyen, pasi iu morën gurët e çmuar, u plaçkitën të gjitha reliket, objektet e arta dhe të argjendta, teshat e meshës u përdorën për mbulesa kuajsh, kryqit iu vu një skufje jeniçerësh dhe u shëtit për t’u tallur. Altarët u shërbyen ushtarëve turq si krevate, djepa, tavolina ku hanin vetë, ku u jepnin tagji kuajve dhe mbi to bënin orgji me djem dhe me vajza bizantine (28). Pavarësisht këtij tmerri, kronikat thonë se priftërinjtë qëndruan heroikisht dhe vazhduan ceremoninë kishtare deri sa turqit-osmanë i martirizuan para altarit (29). Por sipas J.J.Norwich, edhe sot e kësaj dite ka nga ata që besojnë se dy prej tyre, me kupat në dorë, u zhdukën pas murit jugor të katedrales së Shën Sofisë, prej nga do të dalin vetëm kur Kostandinopoja të bëhet sërish një qytet i krishterë dhe atëherë ceremonia do të vazhdojë aty ku u ndërpre (30). Pasi mbaruan punë me pushtimin e qytetit, për tre ditë me rradhë, osmanët iu përveshën punës për plaçkitjen e çdo kishe, banese private dhe gjithçka tjetër që u dilte përpara syve. U shkatërruan vlera të pallogaritshme, monumente arti, dorëshkrime të çmuara, ikona të shenjta dhe objekte kulti (31). Gjatë këtyre tri ditëve, qyteti i lashtë ju nënshtrua orgjive, therjeve dhe masakrave të pamëshirshme (32). Nëse nuk iu besojmë kronistëve bizantinë, që ndonjë historian turkofil i trajton me rezerva, atëhere po i referohemi kronisti osman, Tursun Beu, i cili përcjell panoramën e plotë të këtyre ngjarjeve. “Gazinjtë shtynin përpara turma me djelmosha e vasha kërthizëkristalta, sikurse luanët e leopardët ndjekin pas kopenë e gazelave. Nga pallati i princit(Pallati i Kostandinit XI) dhe nga shtëpitë e të pafeve të pasur e të begatë u nxorën aq shumë orendi e enë ari dhe argjendi, gurë të cmuar, lloj-lloj sendesh e cohërash, saqë faqja e dheut të sillte ndërmend vargun: “Do t’i nxjerrë dheu jashtë të vdekurit e vet.” (Kurani 99:2). “Dhe do të thotë njeriu: Ç’të ketë vallë?!” (Kurani 99:3) prej habisë nga ai bollëk pasurish e të mirash (33).” Në pasditen e 30 majit 1453, Sulltan Mehmeti II hyri në Kostandinopojën e lashtë, të cilën tashmë e quajti me emrin turk Stamboll, kaloi me kalë nëpër qytet deri pranë Katedrales së Shën Sofisë, ku edhe u fal, sipas ritit islamik (34). Por gjëja e parë që i panë sytë brenda këtij objekti madhështor, ishte një ushtar turk, që me një tërbim të egër po shkallmonte me sëpatë pllakat e mermerta të dyshemesë së Katedrales. Sulltan Mehmeti II e pyeti se përse po i shkatërronte pllakat dhe turku iu përgjigj: “Se janë të të pafeve!” I zemëruar në kulm me këtë lloj barbarie, Mehmeti II e goditi atë me shpatë, duke i bërtitur: “Nuk ju mjafton gjithë kjo plaçkë dhe robër? Ndërtesat e qytetit më përkasin mua!” dhe ushtarin e pagdhendur e tërhoqën menjëherë prej këmbësh, duke e hedhur jashtë në rrugë (35). Që nga kjo ditë, gjysmëhëna zëvendësoi kryqin dhe katedralja e Shën Sofisë u kthye në xhami (36). E mrekullueshmja dhe e papërsëritshmja “Shën Sofia”, e ndërtuar me urdhër të perandorit ilir të Bizantit, Justiniani I, midis viteve 532 – 537 mbi themelet e dy kishave më të hershme dhe e projektuar nga Isidori i Miletit dhe Antemiusi i Tralesit, katedrale që nga vetë emri Sancta Sophia(lat.) ose Αγία Σοφία(gre.), do të thotë “Urtësia e Shenjtë” dhe që i kushtohet Jezu Krishtit, tani do të njihej si xhamia turke Ayasofya. Më 27 dhjetor të vitit 537, gjatë ceremonisë solemne të inaugurimit të Shën Sofisë, Justiniani i Madh i ngriti sytë e duart lart nga qielli, duke thirrur: “Solomon, ta kam kaluar!” Këtë thirrje të mbushur me krenari legjitime para Zotit dhe para njerëzve, ai ia drejtoi djalit të Davidit, Solomonit, mbreti i tretë i Izraelit dhe njëri ndër 48 profetët, sipas Talmudit hebraik, i cili gjatë mbretërimit të vet në vitet 970 – 931 p.k. ndërtoi Tempullin e Parë ose Shtëpinë e Parë të Zotit mbi tokë, në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit. Por a mundej ta imagjinonte Justiniani i Madh i Ilirisë nga Tauresium i Dardanisë, që pikërisht në këtë Katedrale përrallore të ndërtuar prej tij për të rivalizuar mbretin Solomon të Izraelit, 916 vite më vonë, një pushtues barbar me origjinë nga malet Altai të Mongolisë, me hordhitë e tij, do ta përdhoste këtë vend të shenjtë, duke e kthyer në një vend orgjie dhe që në vijim këtu do të praktikoheshin ritualet e një besim të ri, doktrinë, e cila në kohën e tij akoma s’kishte lindur…?! Por sidoqoftë, Sulltan Mehmeti II, i mahnitur nga bukuria e kësaj kishe, urdhëroi transformimin e saj në xhaminë kryesore të kryeqytetit të ri dhe të të gjithë Perandorisë Osmane e pasi u hoqën kryqet së bashku me statujat dhe ikonat, por nuk u dëmtuan afresket, të cilët u mbuluan me suvá, u planifikua t’i shtohej një minare e parë në pjesën juglindore. I magjepsur nga bukuria e saj gjatë vizitës së zhvilluar më 20 tetor të vitit 1931, At Gjergj Fishta i shkruan provincialit françeskan, At Vinçens Prenushit (1885-1949), se: “Sh. Sofija âsht nji mrekullí arti e madhníje. Jam bindë kúr e kam pá”. E tillë ajo vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite! Festimet për pushtimin e Kostandinopojës nga turqit-osmanë kulmuan pranë pallatit perandorak bizantin. Vetë Mehmeti II dhe turqit e tjerë, u dehën me verë dhe kaluan në orgji me femra e meshkuj, ashtu siç kishin vepruar një ditë më parë në Katedralen e Shën Sofisë. Kufomës së perandorit të fundit bizantin, Kostandini XI, që u gjet midis një grumbulli kufomash pranë Portës së Romanosit, iu pre koka, të cilën turqit e vendosën mbi majën e shtyllës së Augusteumit, dhe më pas e futën në një kavanoz të çmuar. Humanisti dhe matematikani, Teofil Paleologu(Theophilos Palaiologos), që ishte kushëri i perandorit, kishte vdekur përkrah tij gjatë zhvillimit të betejës së fundit, kur turqit depërtuan brenda mureve të qytetit. Komandanti gjenovez, Giovanni Giustiniani Longo (Ioannes Iustinianus Longus) dhe shpresa më e madhe e bizantinëve, pasi u plagos rëndë dhe e braktisi betejën në kulmin e saj, ai vdiq në ishullin Hios, më 1 qershor 1453. Princi osman, Orhan Çelebiu, që ishte angazhuar në luftë përkrah bizantinëve duke komanduar 600 ushtarë turq, u mundua të arratiset, por e tradhëtuan, dhe mbeti i vrarë. Kardinal Isidori i Kievit, i njohur edhe si Isidori i Selanikut, arriti t’i shpëtojë masakrës pasi u tregua shumë dinak. Ai i përjetoi tmerret e pushtimit të Kostandinopojës nga turqit dhe arriti të shpëtojë, pasi rrobat e veta të kardinalit ja veshi një trupi të vdekur, që dergjej në rrugicat e qytetit dhe vetë u vesh si një varfanjak, duke mos ngjallur asnjë lloj dyshimi. Ushtarët turq e prenë kokën dhe e hodhën nëpër rrugë, duke besuar se i përkiste Isidorit, ndërkohë që kardinali i vërtetë u dërgua me anije në Azinë e Vogël së bashku me një numër të burgosurish krejt të parëndësishëm, si një skllav. Më pas, ai u arratis nga robëria, ose e bleu lirinë e tij dhe u kthye në Romë, ku shkroi një tregim rrënqethës për tmerret e pushtimit të Kostandinopojës në një letër drejtuar Papa Nikollës V. Admiralit dhe Dukës së Madh, Loukas Notaras, i cili pak kohë më parë kishte thënë se “Do të preferonte më mirë të shihte në kryeqytet çallmën turke, se sa mitrën latine”, iu plotësua dëshira, sepse Mehmeti II, që po atë ditë i kishte premtuar në shtëpinë e tij kur i vizitoi gruan e sëmurë, se do ta emëronte qeveritar të qytetit, pak çaste më vonë e preu në Besë pa u shqetësuar për fjalën e dhënë, duke urdhëruar që t’i pritej koka atij dhe djalit të vet 14 vjeçar. Kokat e viktimave u ekspozuan përpara sulltanit, i cili urdhëroi që trupat e tyre t’i linin pa i varrosur. Përpara pushtimit osman, Kostandinopoja kishte rreth 40.000 – 45.000 banorë, por gjatë luftimeve u vranë 4.000 veta, 30.000 u kthyen në skllevër, dhe pjesa tjetër u vendosën në një lagje të veçantë të qytetit, por që shumë prej tyre u arratisën. Sipas historianit amerikan, E.Jacques, shumë nga dijetarët e Kostandinopojës, e cila kishte shërbyer si ruajtësja e trashëgimisë intelektuale të antikitetit, u arratisën nga ky qytet me ardhjen e turqve, duke marrë me vete në perëndim thesaret e tyre kulturore dhe një kontigjent i rëndësishëm prej tyre u vendos në Voskopojë të Korçës, në fshatin e vogël, që më vonë u bë një qytet me 60.000 banorë dhe për 350 vite gëzoi prestigj e famë të madhe për Akademinë, bibliotekën publike e për shtypshkronjën e parë në Ballkan (37). Nga ana tjetër kemi edhe kontributin vendimtar të renegatëve arbër për pushtimin e Kostandinopojës…! Ata ishin: Zagan Pasha ose Zağanos Paşa, Hamza Beu, Ballaban Badera dhe Ulubatli Hasan. Kuptohet se më i rëndësishmi nga të gjithë ishte Kapudan Pasha(Admiral i madh) dhe më vonë Veziri i madh i Perandorisë Osmane, i cili asokohe mbante detyrën e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë(1453) apo miku më i besuar Sulltan Mehmetit II, arbëri i islamizuar Zagan Pasha ose Zağanos Paşa. Disa historianë e japin me origjinë greke ose serbe, por nëse i referohemi historianit turk, Halil Inalçık(1916-2016), Zagan Pasha ishte djali i komandantit të shquar arbër, Vrana Konti, të cilin osmanët e kishin marrë peng që në fëmijërinë e tij të hershme! Komandanti i dytë i rëndësishëm ishte Hamza Beu, vëllai i ish-vezirit të madh Bajazid Pasha. Bajazidi renditet i 8-ti në rradhën e vezirëve të Perandorisë Osmane dhe ka shërbyer në këtë detyrë në vitet 1413-1421. Hamza Beu u bë komandant i flotës osmane gjatë rrethimit të Konstandinopojës, duke zëvendësuar në këtë detyrë, Sulejman Baltoglu, kur ky i fundit dështoi të ndalojë kalimin e tre galerave gjenoneze dhe të një anije bizantine gjatë bllokadës osmane të qytetit. Pas Hamza Beut, por jo më pak i njohur, vinte komandanti Ballaban Badera, për të cilin thuhet se ishte i pari që sulmoi dhe depërtoi brenda mureve të pathyeshme të Kostandinopojës (38). Po ashtu, edhe arbëri tjetër i turqizuar, Ulubatli Hasan ose Hasani nga fshati Ulubat i Bursës(1428-1453), kalorës timarli-spahi dhe i glorifikuar si martir turk, i cili ishte i pari që vendosi flamurin turk mbi muret e trefishta të Kostandinopojës, por gjeti vdekjen pasi u godit në trup nga harkëtarët bizantinë me 27 shigjeta. Pas tyre vërshuan rreth 100.000 ushtarë osmanë, që përgjakën rrugët e qytetit, duke masakruar 4.000 bizantinë, ku disa prej viktimave ishin arbër ortodoksë dhe në këtë mënyrë kaq brutale, Perandoria e lavdishme Bizantine(395-1453) mori fund së ekzistuari, duke dalë nga skena e Historisë! Burimet arkivore veneciane me titull “Acta Albaniae Veneta, XXII, No.5989” (“Archivio di Stato di Venezia”) na njoftojnë se kur të dërguarit e Senatit Venecian e përcollën në Romë lajmin e hidhur për rënien e Kostandinopojës, më 8 korrik 1453, Papa Nikolla V thirri me zë të lartë, duke u shprehur me fjalët: “Turpi i Krishtërimit…!” dhe më pas uli kokën duke u shkrehur në vaj (39). Panoramën e plotë të atmosferës së ngjarjeve që u zhvilluan në Romë gjatë vitit ogurzi 1453, e përshkruan pothuajse në çdo detaj, historiani dhe diplomati gjerman, baroni Ludwig von Pastor, tek vepra e tij shumë voluminoze (16-volume) me titull “Geschichte der Päpste seit dem Ausgang des Mittelalters (Historia e Papëve, në periudhën e Mesjetës së Vonë) e botuar në vitin 1886. Duke përshkruar tronditjen e thellë që kishte përjetuar Europa Perëndimore dhe sidomos Selia e Shenjtë në Romë pas 8 korrikut 1453, Ludwig von Pastor shkruan se: “Tmerrit që lajmi hapi në Romë iu shtua menjëherë edhe frika e madhe, mbasi lajme të mëtejshme bënin me dije se të pafetë kishin futur në dorë anijet e flotës papnore dhe se turqit po ndërtonin një flotë prej 300 anijesh për t’i gatitur edhe Romës së vjetër fatin që kishte pësuar Roma e Re. Të gjitha njoftimet përputheshin në faktin se përshtypja që bëri mbi Papën dhe mbi kardinalët, lajmi i rënies së Kostandinopojës, ishte me të vërtetë dërrmuese. Megjithatë, ndjenja mbizotëruese në mendjen e Nikollës V dhe në të gjithë Perëndimin ishte më tepër frika e përparimeve të mëtejshme të të pafeve sesa keqardhja për grekët (bizantinët – P.Z.), të cilët, me pandershmërinë e tyre në lidhje me Bashkimin e Kishave dhe me urrejtjen që nuk dështuan të shfaqnin kurrë për latinët, kishin tjetërsuar simpatinë e pjesës tjetër të të ashtuquajturit Krishtërim. Për më tepër, grekët e pasur nuk kishin qenë po aq të gatshëm për të bërë sakrifica materiale për mbrojtjen e metropolit të tyre, sa nuk kishin dashur të linin mënjanë armiqësinë e tyre (40).” Sulltani i ri, tashmë u mbiquajt Mehmeti II Fatih (Pushtuesi, Ngadhënjimtari), u vetëshpall “Kaysar/Çezar(Perandor) i Romës së Re dhe asaj të Vjetër, sulltan i dy tokave(Rumelia dhe Anadolli) dhe i dy deteve” (Deti i Zi dhe ai Mesdhe). Por fyerja më e rëndë për të gjithë të krishterët e botës ishte njohja e këtij sulltani gjakatar si lider shpirtëror, “Ethnark” ose “Miletbashi”, i të krishterëve ortodoksë që jetonin brenda territorit të Perandorisë Osmane, pra popujt ortodoksë të Azisë së vogël dhe Ballkanit, si: bullgarët, serbët, arbërit e Arbërisë Jugore, vllehët, grekët dhe çdo komunitet tjetër ortodoks që përfshihej nën juridiksionin e Patriarkanës së Kostandinopojës, duke qenë të lidhur ngushtë si në aspektin shpirtëror, administrativ, kulturor, fiskal dhe atë ligjor. Titulli i lartë politik dhe shpirtëror i Ethnarkut, i akorduar për armikun më të madh të krishtërimit dhe qytetërimit europian, iu dorëzua këtij përbindëshi nga kleriku i paskrupullt grek, Georgios Kourtesios Skolarios. Famëkeqi G.K.Skolarios kishte qenë kundërshtari i perandorit të fundit bizantin, fatkeqit Kostandini XI Paleologu dhe agjenti i fshehtë i Sulltan Mehmeti II gjatë rrethimit të Kostandinopojës, i cili më pas e shpërbleu duke i dhënë pozicionin aq të lakmuar të Patriarkut Ekumenik të Kostandinopojës, më 6 janar 1454. Që nga ajo ditë, kundërshtari më i vendosur i bashkimit me Kishën Katolike dhe shërbëtori i bindur i sulltanit, Georgios Kourtesios Skolarios, do të njihet si Patriarku Gennadios II Skolarios. Shkrimtari i madh francez, François-Marie Arouet de Voltaire, te eseja e tij me titull “Essai sur les mœurs” (Chapitre XCI.De la prise de Costantinople par le Turcs), shkruan që, “Sikur perandorët grekë(bizantinë) të kishin qenë Skënderbej, Perandoria Lindore do të kishte shpëtuar!” Pas pushtimit të Kostandinopojës, Sulltan Mehmeti II Fatih, tani e drejtoi të gjithë vëmendjen e tij drejt nënshtrimit të Hungarisë dhe sidomos pushtimit të plotë të Arbërisë, që do t’i mundësonte kalimin për në Itali. Tani e tutje, gjatë fushatave pushtuese të udhëhequra në Ballkan, mizëria e madhe e ushtarëve turq të Mehmetit II Fatih, nuk do të thërrisnin vetëm me fjalët “Allahu Akbar”, por kryesisht, duke bërtitur deri në kupë të qiellit me thirrjet: “Roma, Roma”…! Ishte pikërisht rënia e Kostandinopojës në duart e sulltan Mehmetit II Fatih, paniku i madh që u përhap në të gjithë Europën dhe politika aktive e Papa Nikollës V, që solli jo vetëm afrimin midis Mbretërisë së Napolit dhe Republikës Veneciane, por edhe nënshkrimin e traktatit të paqes në Palazzo Broletto, në Lodi, Ducato di Milano, më 9 prill të vitit 1454, duke i dhënë fund Luftërave të Lombardisë(Guerre di Lombardia), që u zhvilluan gjatë viteve 1423 – 1454. Tashmë, shtetet ndërluftuese italiane, si: Republika Veneciane, Mbretëria e Napolit, Republika e Firences, Dukati i Savojës e Markezati i Monferratos, nga njëra anë dhe Dukati i Milanos, Republika e Gjenovës, Republika e Firences e Markezati i Mantovas, nga ana tjetër, i dhanë fund konfliktit, duke i bashkuar qëndrimet e tyre me Selinë e Shenjtë dhe kundër armikut të përbashkët, Perandorisë Osmane. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u mundua të përfitonte nga gjendja e rënduar psikologjike e aristokracisë dhe klerit europian që në gjysmën e dytë të vitit 1453. Në fillim iu drejtua për ndihmë Papës Nikolla V, Alfonsit V, Republikës Veneciane, Republikës së Raguzës, por edhe Dukës së Burgundit, me të cilin kishte vendosur marrëdhënie të mira diplomatike që në vjeshtën e vitit 1451, kur ambasadori i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, abati Lazër, prift katolik dhe rregulltat i Urdhërit të Shën Benediktit në Arbëri, regjistrohet në oborrin e sovranit të pasur, Filipi III ose Filipi i Mirë(Philippe le Bon) në Dijon(Francë). Pas kthimit të ambasadorëve në Arbëri, në fund të vitit 1453, kemi edhe nisjen e vetë Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në Itali, i cili vizitoi Romën dhe Napolin përt’u takuar personalisht me Papa Nikollën V dhe Alfonsin V të Aragonës. Gjatë këtij udhëtimi ai ishte u shoqëruar edhe nga proveditori venecian i Lezhës, Pietro Marcello dhe kjo mësohet nga një vendim i Senatit Venecian, që mban datën 9 tetor 1453 (41). Me sa duket, bëhet fjalë për një “udhëtim të fshehtë” të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Itali (Romë dhe Napoli), udhëtim që u ka shpëtuar si Dh.Frangut ashtu edhe M.Barletit. Ai, e ndërmori këtë mision të rëndësishëm në kohën kur ambasadorët e vet, Pal Kuka, Nikollë Erizi dhe Gjon Perlati, të dërguar në Napoli pranë Alfonsit V, u kthyen në Krujë pa arritur ndonjë rezultat konkret (42). Papa Nikolla V e priti me nderime të mëdha e duke i dhuruar 5.000 monedha ari, ndërsa Alfonsi V i caktoi një pension vjetor prej 1.500 dukatësh dhe i premtoi dërgimin e trupave të tjera ushtarake, topa dhe armë të ndryshme. Menjëherë pas rënies së Kostandinopojës, politika ekspansioniste e Alfonsit V të Aragonës ndryshoi kurs, duke u kthyer në një politikë mbrojtëse, sepse tashmë i trembej një fushate ushtarake osmane që do të mund të drejtohej kundër Italisë. Prandaj monarku i fuqishëm i Mbretërisë së Napolit shpresonte t’i bënte malet e Arbërisë vijën e përparuar të mbrojtjes së mbretërisë së tij nga rreziku osman dhe për këtë arsye, përveçse shtoi mbështetjen financiare për Gjergj Kastriotin-Skënderbeu, duke i dhënë edhe 1500 dukate të tjera në vit, ai gjithashtu e nxiti Papa Nikollën V që t’i dërgonte Prijësit Arbër 1000 këmbësorë dhe 200 kalorës, por mbështetja e Atit të Shenjtë ishte mjaft e kufizuar për shkak të vështirësive financiare dhe problemeve në Gadishullin Apenin (43). Kontributet e grumbulluara nga Selia e Shenjtë dhe shtetet e tjera, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i depozitonte pjesërisht në një bankë të qytetit të Raguzës dhe i tërhiqte me urdhër-pagesa të veçanta, siç na del nga disa akte financiare apo letra kredenciale që mbajnë vulën dhe nënshkrimin e tij (44). Ndryshe nga Gjon Gazulli, që u ngarkua nga Kastrioti me misione politike e diplomatike, vëllai tjetër, Pal Gazulli, përfaqësoi interesat e tij financiarë në bankat e Raguzës dhe bashkë me Palin, një detyrë të tillë për llogari të Kastriotit e kryen edhe qytetarë raguzanë, si: Rajan Kasneci, Paladino de Gondola dhe Ninazo Vukosaliç (45). Me ndërmjetësimin e Republikës së Raguzës, udhëheqësi i fuqishëm arbër hyri në një marrëveshje me Hungarinë dhe Serbinë dhe së bashku me këta dy shtete do të formonte një front ushtarak të përbashkët antiosman “Arbëri-Hungari-Serbi”. Pavarësisht ndihmës nga disa shteteve katolike të Europës Perëndimore pas thirrjeve të përsëritura të Papa Nikollës V, në të vërtetë ata që u angazhuan seriozisht për të mbrojtur Krishtërimin dhe qytetërimin europian,ishin vetëm dy popuj martirë dhe dy figura emblematike: arbërit, nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut dhe hungarezët, me në krye Janosh Huniadin. Jo më kot, analistët raguzanë shkruanin asokohe, se: “Bota e krishterë i kishte mbështetur shpresat te Skënderbeu nga ana e detit dhe te Huniadi në viset e Danubit.”
BIBLIOGRAFIA:
1)- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 343; F.Babinger, Mehmet Pushtuesi, I, f. 134.
2)- N. Malcolm, Kosova: Një histori e shkurtër, f. 129.
3)- S. C. Tucker, Battles that Changed History, An Encyclopedia of World Conflict, f.148.
4)- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 344.
5)- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 396.
6)- R.Mantran, Historia e Perandorisë Osmane, f.89.
7)- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 343.
8)- F.Babinger, Mehmet Pushtuesi, I, f. 137.
9)- S. C. Tucker, Battles that Changed History, An Encyclopedia of World Conflict, f.148.
10)- S. C. Tucker, Battles that Changed History, An Encyclopedia of World Conflict, f.149; J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 343; C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 171-172.
11)- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 396.
12)- Tursun Beu, vep. cit. f.31.
13)- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 344.
14)- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 396.
15)- Ibidem… f. 396.
16)- LP.Todière, Les deniers cézars de Byzance, f. 192, M.Maksudoglu, Veshtrime mbi historine osmane, f. 65.
17)- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 346.
18)- F.Babinger, vep. cit. f.143.
19)- M.Maksudoglu, Veshtrime mbi historine osmane, f. 64-65; E.Jacques, Islamizimi i Shqipërisë nën turqit, f. 49.
20)- R.Mantran, Historia e Perandorisë Osmane, f.92.
21)- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 348.
22)- F.Babinger, Mehmet Pushtuesi, I, f.144.
23)- Ibidem… f.144.
24)- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 396.
25)- Tursun Beu, vep. cit. f.37-38.
26)- Ibidem… f.39.
27)- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 348.
28)- F.Babinger, Mehmet Pushtuesi, I, f.146-147.
29)- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 348-349.
30)- Ibidem… f. 349.
31)- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 396.
32)- S. C. Tucker, Battles that Changed History, An Encyclopedia of World Conflict, f.150.
33)- Tursun Beu, vep. cit. f.44.
34)- R.Mantran, Historia e Perandorisë Osmane, f.92.
35)- F.Babinger, Mehmet Pushtuesi, I, f.148.
36)- E.Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f.209; S. C. Tucker, Battles that Changed History, An Encyclopedia of World Conflict, f.150.
37)- E.Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f.209.
38)- C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 328.
39)- A. Plasari, Skënderbeu: Një histori politike, f. 456.
40)- L.Pastor, The history of the Popes, from the close of the Middle Ages (Drawn from the Secret Archives of the Vatican and other original sources), Volume II, John Hodges: Agar Street, Charing Cross, London, 1891, f. 273-274.
41)- Јован Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 41-42, Doc. Nr. 72.
42)- G.Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 114.
43)- A.K.Brackob, Scanderbeg: A History of George Castriota and the Albanian Resistance to Islamic Expansion in Fifteenth Century Europe, f. 101.
44)- J. Drançolli, Gjin Gazulli, f.73 & 123.
45)- P.Xhufi, Skënderbeu. Ideja dhe ndërtimi i shtetit, f. 210.
Nga: Paulin Zefi, Lezhë: 29.05.2022.

Burimi/Facebook/Autori