Paulin Z. Zefi- “ZOTI I VETËM DHE I VËRTETË ËSHTË ZOTI I IZRAELIT”

0
149

“ZOTI I VETËM DHE I VËRTETË ËSHTË ZOTI I IZRAELIT”, i cili, për ata që e besojnë: “Tokën e Shenjtë” nuk ia ka premtuar askujt tjetër, përpos popullit të Izraelit.
■ Doktrina e Krishterë dhe më vonë Islami, kanë lindur dhe janë zhvilluar si derivate të Hebraizmit. Bibla dhe Kur’an-i janë qartas fotokopje dhe variante “të përmirësuara” të Tanakh-ut Hebraik. Të gjithë objektet e kultit të krishterë dhe islamik, që ndodhen në Jeruzalem dhe më gjerë në “Tokën e Shenjtë”, janë të ndërtuar kryesisht mbi substruksione më të vjetra, pra mbi strukturat murale ekzistuese, hebraike. Të gjithë profetët e përmendur në Bibël janë hebrenj ose paraardhës të tyre dhe vetë Jezu Krishti është një hebre i kulluar. Nga 25 profetët e përmendur në Kur’an, 24 janë hebrenj ose paraardhës të tyre dhe vetëm Muhamed bin Abdullahu është arab beduin. E gjithë bota e qytetëruar u detyrohet hebrenjve, jo vetëm në aspektin religjioz, por për shumëçka. Sa për palestinezët, qofshin ata myslimanë apo të krishterë, ata kanë të drejta mbi “Tokën e Shenjtë” po aq sa kanë të drejta serbët mbi Kosovën. Përderisa në Tanakh dhe më vonë, në Bibël dhe në Kur’an, ekziston e shkruar se është pikërisht ZOTI, i cili, “Tokën e Premtuar” ja ka dhuruar popullit të Izraelit, atëherë kush janë ata “të vdekshëm (me demek, besimtarë)”, që mendojnë se ZOTI nuk ka të drejtë?!…
■ Për aq kohë sa palestinezët do të kërkojnë me këmbëngulje “zhdukjen e Izraelit”, kurrë nuk do të ketë një paqe pëfundimtare në rajon. Po ashtu, për aq kohë sa militantët e Gazës do të vijojnë të godasin me raketa mbi vendbanimet izraelite dhe më pas të struken si burracakë, duke përdorur civilët e pafajshëm (pleq, gra e fëmijë) si mburoja njerëzore për t’u përballur me kundërsulmet e ushtrisë izraelite, normalisht që do të vriten njerëz të pafajshëm dhe kjo është tragjedia më e madhe. Përsa u përket atyre që derdhin lot krokodili për viktimat palestineze: pse nuk derdhni lot edhe për fëmijët kurdë, që po vriten çdo ditë nga ushtria turke apo për fëmijët jemenas, që po masakrohen nga ushtria saudite?!… Apo, jeta e myslimanëve të Kurdistanit dhe të Jemenit është krejt e pavlerë në raport me jetën e myslimanëve të Palestinës?!… Për të krishterët, që u dhimbsen palestinezët: pse nuk ju pashë ndonjëherë të mbani qëndrime mbi fatin e Yazid-ëve të Sirisë dhe Irakut apo për të krishterët e pafajshëm që po vriten gati përditë në Nigeri nga organizata terroriste islamike, Boko Haram?!… Dhe e fundit: “merruni me hallet e popullit tonë, sepse na dalin dhe na teprojnë”!… Me fatet e “Tokës së Shenjtë” merret tjetërkush dhe “AI” e ka zgjidhur këtë çështje, duke ia lënë “me tapi hyjnore”, Patriarkut Abraham, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre.
P.S.: Kaq përsa i përket aspektit religjioz të këtij konflikti.
Për aspektin historik, atë gjeostrategjik dhe gjeopolitik, duhen shkruar e botuar studime të veçanta dhe të ndara në disa volume…