PËRBALLUESI I SULMEVE TURKE

0
326

Gjergj Kastrioti Skënderbeu komandanti më madhështor i armatës së vogël që njeh historia, patrioti i përjetshëm i shqiptarëve.
Palltoja Skënderbe, një veshje kureshtare e petkut të zi, e rrethuar me të zezë dhe e stolisur me xhufka të zeza, ishte një simbol kombëtar i shqiptarëve për më shumë se 500 vjet. Në të vërtetë, kështu shqiptarët mbanin zi për Gjergj KastriotinSkënderbeun, heroin kombëtar shqiptar, i cili për 25 vjet gjatë shekullit XV mbrojti lirinë e vendit të tij të vogël kundër sulmeve turke, atëherë fuqia më e madhe ushtarake dhe më fitimtare e Evropës.
Në atë kohë, Papa Nikolla V i dha titullin Atleti i Krishtit, një papë tjetër e emëroi atë Kapiten Gjeneral i Ujit të Bekuar, ndërsa i treti, Papa Piu II, qe i penguar vetëm nga vdekja për t’i ndihmuar atij në udhëheqjen e kryqëzatës kundër turqve.
Edhe pas vdekjes, gjeneratat e nderuan Skënderbeun si hero të Krishtënizmit. Një libër për jetën e tij në latinishte u përkthye në shtatë gjuhë kontinentale dhe u ribotua 30 herë.
Në shekullin XVIII, gjenerali Volf (Wolfe) nga Kvibeku (Quebec) ka thënë që ai është komandanti më madhështor i armatës së vogël që njeh historia. Fisniku Bajron (Lord Byron) e përshkroi atë në Childe Harold (Fëmija Harold); emri i tij pati jehonë edhe në një poemë të Longfellout.
Skënderbeu – Askender Bej (Princi Aleksandër), siç e quanin turqit, nuk e fitoi mbretërinë e tij deri në moshën 40 vjeçare. Nga kjo kohë e deri në vdekjen e tij, me armatë, që kurrë nuk kishte më shumë se 15.000 ushtarë, 25 vjet qëndroi dhe i theu forcat e dy sulltanëve më të mëdhenj të historisë turke, Muratit II dhe Mehmetit II.
Ekspeditë pas ekspedite u dërgua kundër këtij prijësi të disa fiseve buzë Adriatikut dhe, deri sa të gjithë mbretërit e Evropës dridhëshin përpara flamurit me hënë, Skënderbeu e detyroi sunduesin e Lindjes dhe Perëndimit t’a pranojë atë si Mbret të Shqipërisë – dhe pati guxim t’i jap ligjërata për ta nxitur atë të kthehet në të krishter.
Fuqia dhe guximi personal i Skënderbeut, bujaria dhe trimëria e tij u shndërruan në legjendë. Dy herë në karrierën e tij ai pranoi thirrjen për të luftuar personalisht kundër komandantit të ushtrisë së armikut dhe në të dy rastet ai e përuli pashën turk. Por edhe ky njeri çeliku, siç ishte Skënderbeu, nuk do të kishte pasur mundësi t’a mbrojë vendin e vet shumë kohë prej vështirësive të mëdha vetëm me mbizotërim të aftësive të tija luftarake. Fshehtësitë e fitoreve të tija të njëpasnjëshme ishin në zotërimin e artit të befasisë dhe bindja e tij që vetëm numrat kanë pak kuptim, përveç nëse përdoren në mënyrë mjeshtërore.
Taktikat tronditëse e mundësuan atë që në çdo rast t’i bëjë të pavlerë forcat mbizotëruese turke, ndërsa numri i luftëtarëve kurrë nuk e brengosën atë dhe vetëbesimi i tij i frymëzoi ushtarët e tij të bëjnë atë që dukej e pamundshme.
Terreni i vrazhdë i vendlindjes së tij, malet e larta, luginat e thella dhe pyjet e shpeshta ia mundësuan atij, më shumë se një herë, të lëvizë një ushtri të vogël rreth krahut të frontit turk që përparonte.
Nuk ishin të rastit dy fitoret më madhështore të Skënderbeut në Orosh, luginë e gjerë nëpër të cilën forcat turke ishin të lejuara të marshojnë, derisa shqiptarët i prisnin në luginat e ngushta me pyje të thella, ku ishte e pamundur që ata të vihen re. Mënyra e betejave të tij, megjithëse e përshtatur kushteve specifike, gjithmonë ishte gati e njëjtë. Një ushtri të vogël e angazhonte përballë turqve, ndërsa me shumicën e ushtarëve, Skënderbeu befasisht sulmonte fshehtazi mbas shpine.
Kur Sulltani i urdhëroi komandantët e tij që kurrë të mos sulmonin të parët, por të presin në kamp derisa Skënderbeu të paraqitet në terren të hapur, shqiptarët krijuan taktika rrëmujëse për të shtyrë turqit që t’i lëshojnë pozitat e tyre të fortifikuara.
Gjergj Kastrioti, sikurse u pagëzua Skënderbeu, lindi aty më 1403, djali i katërt dhe më i vogël i Gjon Kastriotit, fisnikut të Krujës, një ndër liderët e shumtë të Krishtërimit, nga të cilat shtete Shqipëria u nda më vonë. Pesë vjet më herët, Hëna Turke triumfoi në tokat jugosllave dhe, në fillim të shekullit XV, ushtritë e sulltan Muratit II pushtuan Ballkanin. Gjon Kastrioti e kuptoi se rezistenca ishte e pashpresë, bëri një marrëveshje me Muratin para se të shkatërrohet edhe territori i tij.
Me këtë marrëveshje, Gjon Kastrioti u bë i varur prej Portës (Konstandinopojës) dhe, si shenjë besimi, i dorëzoi katër djemtë e tij si peng, për t’u edukuar nën urdhrin turk.
Përderisa kështjella e Kastriotëve në Krujë u shndërrua në qendër të pushtetit turk, Gjergji, atëherë 2 vjeç, u detyrua që së bashku me vëllezërit e tij të heqë dorë prej fesë së krishterë – së paku në emër. Turqit ia vunë emrin Askender Bej ose Aleksandër Bej (Princi Aleksandër) i cili më vonë u bë Skënderbe.
Djalosh i gjatë dhe i zhvilluar, Skënderbeu ia tërhoqi vëmendjen herët Sulltan Muratit me akte trimërie dhe me aftësi ushtarake. Para se t’i mbushte 20 vjet, ai u zgjodh gjeneral në ushtrinë turke dhe udhëhoqi ekspedita fitimtare në Azinë e Vogël dhe në Serbi, ku sipas biografistit të tij latin, ai gjithmonë u përpoq t’i kursej forcat krishtere. Gjatë tërë kohës, djaloshi luftëtar u mësua t’a kontrolloi gjuhën, zemërimin dhe ndjenjat e tija, duke qëndruar i padepërtueshëm ndaj përpjekjeve dinake të sulltanit që t’a provokojë mospëruljen e tij.
Tre vëllezërit e tij vdiqën, me gjasë u helmuan, por Skënderbeu jetoi dhe ia arriti të mbajë pranë vetes disa bashkëkombës shqiptarë, përderisa priste të vijë rasti i tij. Kur babai i tij vdiq, në vend se t’a përcaktojë Skënderbeun në krye të Krujës, siç i takonte me trashëgim, Murati II ia dorëzoi vendin në duar të njërit nga pashëve e tij.
Skënderbeu atëherë ishte kah fundi i moshës 30 vjeçare, njeri me inteligjencë të madhe dhe fuqi e durim madhështorë. Në atë kohë, ai priste rastin e përshtatshëm duke mbajtur kontakte të fshehta me Shqipërinë dhe duke u përgatitur të sulmojë.
Rasti erdhi dy vjet më vonë, më 1443, kur ai, së bashku me një komandant tjetër turk, u dërgua të luftojnë kundër invadimit hungarez nën komandën e Janosh Huniadit.
Forcat otomane u mblodhën përpara Nishit, në Moravë. Të krishterët dërguan një çetë në anë tjetër të lumit dhe për habi të jeniçerëve turk, Skënderbeu papritmas tërhoqi burrat e tij.
Efekti në moralin e turqve ishte shkatërrues. Radhët e tyre u lakuan, u thyen dhe u shkatërruan. Në këtë rrëmujë, Skënderbeu dhe shqiptarët shkuan e rrethuan sekretarin e sulltanit. Ata e detyruan atë me majë të shpatës që të nënshkruajë një dekret mbretëror për pashën e Krujës që t’ia dorëzojë pushtetin djalit të Gjon Kastriotit.
I pajisur me këtë, Skënderbeu dhe përkrahësit e tij marshuan fuqimisht në anën tjetër të gadishullit. Në Krujë pasha, duke mos dyshuar asgjë, pranoi dekretin dhe kur ra nata, qytetarët u ngritën dhe në emër të Lirisë e dërmuan garnizonin turk. Në qytetet përqark, trupat turke shpejt u detyruan të dorëzohen dhe Skënderbeu u shpall mbret i shqiptarëve.
Skënderbeu nuk priti shumë për sulmin i parë kundër mbretërisë së tij. Në të njëjtin vit, me një armatë prej 40.000 ushtarësh, Ali Pasha famëmadh u dërgua t’a shfronësoj Skënderbeun.
Njëkohësisht, vullnetarët u derdheshin në Kalanë e Skënderbeut, në faqe të malit dhe, kur këshilltarët e tij e pyetën se a kishte burra të mjaftueshëm ose a do të ishin të nevojshme taksat, ai bërtiti “Burra të mjaftueshëm? Kam tepër”. Dhe ashtu, ai i ktheu në shtëpi gjysmën e vullnetarëve dhe marshoi kundër Ali Pashës me 15.000 burra, ushtrinë me të madhe që e kishte udhëhequr deri atëherë. Ai e mundi Alinë në Malet e Dibrës. Vitin e ardhshëm, Fizour Pasha, me një ushtri prej 6.000 kalorës, humbi afër Ohrit nga një ushtri shqiptare prej vetëm 3.000 burrash.
Turqit pastaj dërguan Mustafë Pashën ta udhëheqë një ekspeditë tjetër kundër Shqipërisë. Mustafa udhëhoqi dy ushtri, secila e përbërë nga 15.000 burra. Të dyja humbën, prej të dytës mbeten të prera 10.000 trupa në Orosh.
Pas shtatë viteve fushatash të pafrytshme për t’i “urtësuar” shqiptarët, sulltan Murati filloi të humbë vullnetin. Ai i ofroi Skënderbeut paqe dhe vetëqeverisje të plotë të Shqipërisë me kusht që ai t’i paguaj Portës kontribut vjetor. Skënderbeu e refuzoi dhe ia ktheu drejtpërdrejt, duke u nënshkruar “Gjergj Kastrioti, me mbiemër Skënderbe, Ushtar i Jezu Krishtit”. Natyrisht, Murati u zemërua: “Njeri i palumtur”, u ngërdhesh ai. “Pra ke plan për një vdekje të paharruar? Shumë mirë. Unë do të vijë në vorrimin tuaj”.
Pastaj vetë Murati marshoi kundër Krujës me një ushtri prej 150.000 ushtarësh. Por ai kot e rrethoi Kalanë e Skënderbeut me muaj dhe së fundi u tërhoq dhe së shpejti vdiq në Adrianopojë. Për 18 vjetët e ardhshme, sulmet u bënë nga djali dhe trashëgimtari i Muratit i pamëshirshmi dhe i zellshmi Murati II. Ai, prej 23 sulmeve ushtarake kundër Skënderbeut, të gjitha i humbi përpos njërës. E vetmja që nuk e fitoi Skënderbeu ndodhi më 1452 para mureve të Beratit, kryeqytetit të babës së gruas, e cila ishte e okupuar nga turqit. Në majin e kaluar, Skënderbeu u martua me Andronikën, vajzën e fisnikut të Epirit, Arianit Komnenit.
Kjo martesë, përveç lidhjes së tij me njërën ndër dinastitë më të fuqishme në Shqipëri, ia siguroi atij një grua të bukur; është thënë se Andonika ishte “ide e vërtetë dhe shembull i bukurisë së përsosur”. Dështimi i Skënderbeut për të marrë Beratin ndodhi për shkak se në vend që menjëherë t’a sulmoj qytetin, ai dëgjoi këshilltarët që t’i lejohet qytetit dy javë armëpushim. Kjo i mundësoi pashës turk, Sevalit, kohë të mjaftueshme për grumbullimin e përforcimeve prej 40.000 ushtarësh, të cilët e rrethuan qytetin. Mirëpo, humbjet e Sevalit ishin të shumta.
Për Republikën e Venedikut, e cila atëherë ishte zaptuese e bregdetit të Shqipërisë deri në Durrës, Skënderbeu ishte kërcënim i interesave të saj gjatë viteve të betejave. Por më 1453, një vit pas Beratit, Muhameti dridhi Evropën duke zaptuar Konstadinopojën. Të gjitha shtetet e krishtera i dridhi fitorja e Turqisë; tash Skënderbeu u pranua edhe nga Venediku si kampion i krishtërimit kundër të pafeve.
Muhameti vendosi të pajtohet me Skënderbeun për një armëpushim 10vjeçar dhe pranoi kërkesën e Skënderbeut, që të njihet Mbret i Pavarur i Shqipërisë, pa kurrfarë detyrimi ndaj Konstadinopojës.
Mirëpo, shumë kohë para mbarimit të armëpushimit, Skënderbeu, me urdhrin e Papës luftëtar Piu II, e theu atë duke udhëhequr një kryqëzatë kundër turqve. Më 1464, Papa Piu vdiq dhe Skënderbeun e braktisën aleatët; Muhameti e rrethoi Krujën.
Kruja mbrohej derisa Skënderbeu shkoi në Romë për ndihmë te Papa Pali II, trashëgimtari i Piut. Gjatë kthimit për në shtëpi, luftëtari madhështor u sëmur dhe u dergj në krevat në Lezhë, atëherë koloni e Venedikut. Ky krevat do të bëhet krevati i tij i vdekjes. Atij i erdhën lajmet që turqit kishin plan të sulmojnë. Ai u ngrit nga krevati dhe brohoriti për kalin dhe veshjet e tij ushtarake, pastaj u shtri përsëri, duke pëshpërit një porosi të fundit: “Thoni atyre se do të më shohin nesër në betejë”.
Kur fjalët depërtuan nëpër radhët turke, vetëm përmendja e emrit të Skënderbeut shkaktoi panik, komandanti u tërhoq pa shkrepur asnjë goditje. Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468, në Lezhë; brenda disa muajve turqit pushtuan Shqipërinë.
Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, i cili për 25 vite ruajti lirinë e shtetit të tij të vogël kundër turqve të mbifuqishëm.

*Marrë prej The Daily Telegraph Mirror, April 30, 1992:46.

E mundësoi për revistën Buzuku Gjergji Jakut Gjeks Kol’Jakut, Braticë, Ulqin, tash në Brisbane, Australi

Përktheu nga anglishtja Besnik Simë Dobreci, Braticë, Ulqin, tash në Vancouver, Kanada.

Shih BUZUKU 16, 2004:45. Përgatiti S.Gj.Dobreci.

http://www.buzuku.info