Pesë vite më parë, u nda nga jeta, miku ynë i shtrejtë, regjisori, aktori, muzikanti, “Mjeshtri i Madh” Fatbardh Smaja.

0
204

Nderim dhe respekt për veprën e tij njerëzore dhe artistike!

Më poshtë do të lexoni një shkrim të studiuesit, Xhahid Bushati, për veprën artistike të Fatbardh (Bardh) Smajës.

Fatbardh (Bardh) Smaja

1.

Ajo është një rrugëz… Të tilla ka plot qyteti im, Shkodra. Ajo rrugëz mban kujtime, fsheh kujtime dhe jeton me kujtime.

Ndalem para një dere të kësaj rrugëze. Këtu lindi babai i Bardhit, Hasani, një artist që nuk i mungonte buzëqeshja. Një kupletist famëmadh. Shtëpia e tij – teatri “Migjeni”. Pas ca vitesh, këtu, do të vinte nuse Lejlaja, një grua tipike shkodrane. Nazike. E ditur në profesionin e saj të librares. Jetonte mes librave. Fat për librat! Pas shumë vitesh do të vinte nuse nga larg, nga Berati, Merita, një aktore e talentuar, që u dha jetë plot personazheve, me interpretimin e saj. Shtëpia e saj, përsëri, teatri “Migjeni”.Pas disa viteve do të lindnin Fisniku, që më vonë do të mbaronte për regji filmi, e Sara që do të mbaronte Universitetin e Arteve dhe do të bëhej aktore dhe regjisore. Aq sa gjatë një interviste Bardhi do të thoshte: “Jam shumë i lidhur me teatrin. Unë pothuajse jam rritur në teatër. Babai im Hasan Smaja, aktor i estradës dhe prestixhator ka punuar për shumë vite aty. Kur u diplomova, erdha si aktor. Por aty kam edhe bashkëshorten time Merita Smajën, edhe ajo aktore. Më pas, ndoshta, do vijë dhe vajza Sara, e cila vazhdon Akademinë e Arteve për aktrim. (Në fakt, pas disa vitesh, ajo erdhi…).”

Në këtë shtëpi, më, 02.09.1956 lindi Fatbardh Hasan Smaja. Miqtë, shokët, dashamirët nëpër vite dhe deri në çastin e fundit të jetës, e thërrisnin: Bardh (i). Dhe me këtë emër: Bardhi unë do të komunikoj gjatë gjithë shkrimit.

2.

Një ditë Bardhi, me at’ zërin e tij melodik si një poezi e pambaruar, tha: “Tani…, lamtumirë fëmijëri!” E ftonte Shkolla Artistike “Prenkë Jakova”, ku kreu 12 vite për instrument (klarinetë). Në këtë copëz jete, bota e Bardhit djaloshar u mbush me tinguj, të cilat i fali: në mjedise shkollore, në koncerte brenda dhe jashtë Atdheut, në festa të ndryshme, në gëzime familjare të shkodranëve e më gjerë e më gjerë… Magjia e klarinetës së Smajës nuk ishte e vështirë të njihej në formacionin muzikor ku bënte pjesë. Më pas, diplomohet në Universitetin e Arteve, (në degën e aktrimit) Tiranë. Vit pas viti nisën udhëtimet copëzat e jetës së Bardh Smajës. Në vitet 1980 – 1999 – aktor e regjisor në teatrin “Migjeni”, në vitet 1998 – 1999 – Drejtor i televizionit “Shkodra TVl”, në vitet 1992 – 2002 – Drejtor në radio Shkodra, në vitet 2002 – 2008 – aktor e regjisor në teatrin e Vendlindjes, në vitet 2008 – 2015 – regjisor, në vitin 2015 e deri sa u nda nga kjo botë, ishte Drejtor e regjisor i këtij teatri. Edhe pse ishte drejtues i këtij institucioni, kohën e jetës së tij, orët, minutat e sekondat e fundit ia fali me gjithë shpirt dramës “Kandili i argjendit” të autorit shkodran Martin Camaj. Po e thërriste nga harrimi për ta përjetësuar në skenën e teatrit të “Shkodrës seme” – siç thoshte në një poezi Camaj. Po e thërriste për t’i thënë jetë skenike, për t’i dhënë magjinë, që di ta japë veç Teatri… e Teatri Shkodran.

3.

Intervistë nëpër vite… (1)

Bardhi: “Dalja ime e parë ka qenë me një trupë amatore. Aty erdhi regjisori Elez Kadria për të vënë në skenë dramën “Përmbytja e madhe”. Unë kisha rolin e Gjergjit. Shfaqja u pëlqye, po ashtu edhe interpretimi im. Nisur nga kjo shfaqje, Elez Kadria (tani nuk jeton më, – shënimi im Xh. B.) ishte ai që më futi në mendje se unë mund të shkoja për aktrim, pasi kisha një zë të bukur dhe talent. Po unë isha muzikant dhe, nuk e kisha çuar në mendje një gjë të tillë. Më pas, unë shkova për aktrim e rolet erdhën njëri pas tjetrit nëpër vite.”

Intervistë nëpër vite… (2)

Bardhi: “Librin e kam shok. Më ndihmon të kaloj çaste të vështira. Me librin lidh kujtimin e babës. Atë e mbaj mend gjithmonë me libra në dorë. Gjatë gjithë kohës lexonte. Unë atëhere habitesha. Më vonë kuptova magjinë e tij (të librit). E, për më tepër kisha dhe nënën që shiste libra (librare). Ajo na sillte gjithë letërsinë më të mirë botërore. Sot vazhdoj sërish të lexoj shumë. Por bashkëshorten e kam manjake të librit. Shpesh i them me të qeshur: “Nëse ndonjë ditë bie tërmet, ne do të na mbysin librat, se i ka shpërndarë gjithkund nëpër dhomë.”

4.

Po të ndjekim me kujdes aktivitetin teatror, si në dramaturgjinë shqiptare, ashtu edhe në dramaturgjinë e huaj; Bardhi la në ‘testamentin’ e tij mbi 50 role si aktor. E nisi me rolin e Palit në dramën “Gjaku i Arbërit” të autorit Fadil Kraja, për të vazhduar me një recital poetik për Migjenin, ku recitoi poezinë: “Urim për vitin 1937”. (E donte Migjenin!.. E donte aq shumë, sa 70 % të poezive të këtij kolosi, i dinte përmendsh.) Më tej. Interpretoi rolin kryesor në dramën “Hetimi” të shkrimtarit Peter Vajs, e cila ishte përshtatur e inskenuar nga regjisori Serafin Fanko. Më tej. Bardhi shkruan në kujtimet e tij: “… por roli më i dashur imi është ai që kam luajtur në dramën “Korrupsion në pallatin e drejtësisë” të shkrimtarit Ugo Beti.” Më tej. “Fundi i një gjakmarrjeje”, “Fejesa e Blertës” (të xhiruara në vitin 1994), “Ngjyrat e moshës”, “Sa afër paska kenë!?..”, “Tregim për Makbetin”, “Drinner Party”, “Britma e kohës”, etj.

Nga viti në vit, krahas fushës së aktrimit, regjisura kishte filluar të bëhej ‘shumë e dashur’ për Bardhin. Si pakuptuar, ajo po i hynte në “racion” aktorit Bardh Smaja. Tani skena teatrore priste ngjyrat dhe dritën e regjisorit Bardh Smaja. Priste ajo platformat e tij regjisoriale, konceptet estetike, vështrimet ndaj veprave dramaturgjike, punën me aktorët, mizanskenat, dekoret, etj., etj. Se Bardhi, qysh në vitet studentore, artin e interpretimit ia kishin mësuar Profesorët Timo Flloko, Vangjush Furrxhi, etj. Në këto vite, Bardhit nuk i ndahej magjia e Kadri Roshit, Sandër Prosit e Tinka Kurtit. Se Bardhi kishte një dashuri të kahmotshme për muzikën, ndërkohë që merrej me pikturë. Se Bardhi mendonte që muzikën, pikturën dhe interpretimin t’i bënte bashkë, të bënte pra, një sintezë të tyre gjatë inskenimit të teksteve dramaturgjike. Se Bardhi kishte një humor të veçantë. E kishte si ushqim të përditshëm. Kur i pëlqente humori, çonte kokën dhe buzëqeshte, i shkëlqenin sytë dhe e shoqëronte me gishtin e tij tregues si për të thënë: “Ah, po!..” – dhe tundte kokën herë pas here, duke e shoqëruar ritmin e saj me të qeshura çlirëse e kumbuese. Ja, pra, me një përgatitje të tillë, me një kulturë që do ta thellonte në të ardhmen, po i hynte kësaj rruge të vështirë, që kishte emrin: REGJISURË. Ky emër nisi të merrte ‘jetë’, veçanërisht pas viteve ’90. Nisi me komedinë “Për një L.” të autorit Ismet Drishti. (Ishte viti 1996). Komedia përkonte me një periudhë shumë të vështirë për teatrin.

Bardhi, në rrugën e nisur, herë pas here “takohej” me metodologjitë e konceptet e regjisorëve: Esat Oktrova, Serafin Fanko, Elez Kadria, Violeta Sekuj, etj. Por Bardhi po vinte me një profil që kishte të përveçmen e tij, po ashtu dhe ngjyrat e tij regjisoriale. Po vinte një regjisor, ku si aktor i përkiste një brezi, i cili u përball me periudha të vështira të realitetit shqiptar. Por këto vështirësi nuk e stepën. Dashurinë dhe pasionin për artin nuk ia lëkundën askush. Përkundrazi, në vite, ai zgjeroi rrënjët drejt artit. Po përmendim disa pjesë nga punët e tij si regjisor: *”Vizita e fundit” (autori: Albri Brahusha, 1999), “Ishulli i Shitenit” (autori: Albri Brahusha, 2001) –Festivali alternativ ndërkombëtar “Skampa” Elbasan-, *”Le ultime lune”, “Luaj për mua në violinë” (autori: Gazmend Krasniqi) –Festivali mbarëkombëtar i interpretimit “Bylis” Fier-, *”Vizita e fundit” (tragjikomedi, autor: Albri Brahusha) – Festivali ballkanik i komedisë në Korçë, Festivali mbarëkombëtar në Preshevë, Festivali kombëtar i dramës shqipe në Tiranë. Kjo pjesë i dha dhe trofeun si “Regjisori më i mirë”. (Në shtypin e atyre viteve (2003), në një shkrim me titull: “”Migjeni”, 3 çmime në Kosovë”, lexojmë: -Tragji-komedia “Vizita e fundit” e shkrimtarit të talentuar shkodran Albri Brahusha, ishte shfaqja më e goditur dhe më e suksesshmja e turneut. Kjo pjesë solli edhe marrjen e 3 çmimeve: loja më e mirë homogjene; regjia më e mirë (Fatbardh Smaja); aktorja më e mirë (Merita Smaja).

Por hapësirat regjisoriale të Bardhit rriteshin nga njëra shfaqje në tjetrën, teksa i vinte ato në skenë. Përherë i palodhur, përherë aktiv. Mbronte metodologjinë dhe filozofinë e tij. Shumë herë e kam parë ‘të shqetësuar’ për pjesën që do vinte në skenë. Këtë ‘shqetësim’ e përcillte edhe atëherë kur me të shoqen Meritën e miqtë e tij pinte kafenë mbrëmjeve atje te “Tullat e kuqe”. Për të plotësuar më tej portretin e tij, po përmendim edhe këto pjesë që mbajnë emrin e regjisorit Smaja, si: “Talent i rrallë”, “Neni 55”, “Rreth e rreth Shkodrës jam sjellë”, “Eldorado”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “I sëmuri për mend”, “Zeneli”, “Rëndësia e të qenurit i sinqertë”, “Hyr fjalë nga dole (autori: Gëzim Kruja), “Miqtë e Tanos”, etj.

Në punën e tij regjisoriale, Bardhi ishte prirur që në marrëdhënie me aktorin t’i gjente atij gjuhën, të veçantën. Në vend të pasionit të orientohej drejt aktrimit, drejt realizimit të personazhit që do të interpretonte. E, përsëri në kujtimet e tij, Bardhi thoshte: “Kënaqësia ime më e madhe është kur shoh të realizuara e të harmonizuara të gjitha komponentët e shfaqjes, siç janë: interpretimi, muzika, skenografia, ndriçimi.”

Veprat e vëna në skenë në teatrin e Vendlindjes dhe jashtë tij, në Kosovë e më gjerë; nuk i kanë shpëtuar dhe studiuesve apo kritikëve të dramës. Duke folur për tragjikomedinë “Vizita e fundit” ose fundi i një alkimie, studiuesi Sokol Haliti, duke e cilësuar atë si një shfaqje provokuese, gazmore e tragjike, në mes të tjerave thotë: “Detajet regjisoriale të regjisorit Farbardh Smaja ishin të shkëlqyeshme, ku me një thjeshtësi mizanskenike përpunohej një material dramaturgjik i servirur nga shkrimtari Albri Brahusha”.

Po piketat e Bardhit si regjisor, cilat ishin për këtë pjesë? Po përmendim disa prej tyre: *Çdo të ndodhë sikur një “shoqëri”: Të kërkojë me çdo kusht të veçojë individin? Ta persekutojë atë, ta shmangë qëllimisht, duke e shkatërruar. *Kush ka përgjegjësinë për këtë dëm kolosal që u shkaktohet njerëzve? Kush do ta çojë në vend të drejtën, njeriun dhe shoqërinë?.. *Sa dëshirohet të respektohet ana e dukshme dhe e padukshme e raportit midis vlerës dhe antivlerës, në një proces shoqëror të paekuilibruar, ku kakofonia (profania) mund të bëhet dominante, duke u shndërruar, kështu, në një banalitet total, dhe… ku mediokriteti kthehet në virtyt.

Dhe në fund shënimi regjisorial: “Vizita e fundit” e dramatugut të talentuar Albri Brahusha është një vepër e deheroizimit, mospajtuese me himnizimin e të rëndomtës artificiale, ku një shoqëri e goditur nga fatkeqësitë, nuk arrin të zgjidhë përfundimisht konfliktin me veten dhe të tjerët.”

Ndërsa Albri kujton: “Bardhi, ishte një derë e hapur për të gjithë. E njoha sapo ishte kthyer nga ShBA, ku debutonte në orkestër si klarinetist. Sikur të ishim njohur gjithmonë, kushedi ku. U bëmë miq shumë shpejt dhe, pas një viti takimesh intensive rezultati ishte “Vizita e fundit”, një tekst që unë shkruajta por ishte Bardhi që më udhëzoi, ishte mësuesi, udhërrëfyesi. Suksesi nuk vonoi në 1999 ky tekst u vu në skenë në teatrin “Migjeni” prej tij dhe jehona i kaloi kufinjtë e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë. Pas kësaj nuk u ndamë më. Ishim një duet miqsh dhe artistësh që nuk mund të rrinim pa njeri-tjetrin. “Ishulli i Shitenit” erdhi pastaj. Tani vonë Bardhi dhe Merita që e kishin filmimin e kësaj pjese, e kujtonin me nostagji “Ishullin…”, si një teatër me nota mistike e poetike. Bardhi ishte poet, i pëlqente letërsia e gjallë, ishte shumë fin në shijet e tij, nuk ” hante” çdo lloj letërsie. Më pas u shkëputëm. Unë jetova 12 vite larg Shkodrës. E ruajtëm miqësinë. Kur u riktheva sërish në vitin 2012 intensifikuam takimet tona të zakonshme. Vuri në skenë “Eldoradon” në 2014, një komedi që e kishim projekt që në vitin 2002. Humori i tij në tavolinë dhe në skenë, inteligjenca, bujaria, aftësia për të të dëgjuar me vëmendje, aftësia prej vëzhguesi, interpretimi gjallë i historive pa fund, imagjinata dhe lakonizmi, etj. – këto cilësi e veçori do t’i mbaj mend gjatë. Artisti i vërtetë dallon nga kallpët pikërisht se ka sens mase, nuk e tepron nuk harxhon energji të tepërt. Vështirë të tregoj atë që kam në zemër për të në kaq pak rreshta. Unë e kam të gjallë, nganjëherë kur më merr malli e thërras e më vjen me buzëqeshjen e tij të bukur e më thotë: “Ke pasë të drejtë, njeriu ka frikë jetën, por jo përjetësinë.” I them: “O mik i rrallë, do ta jepja gjysmën e përjetësisë për të biseduar edhe një ditë me ty në këtë jetë.”

“Luaj me mua në violinë” shënon arritjen e radhës për trupën shkodrane. Pas prezantimit në qytetin e Shkodrës (29.11.2003), sikur u ka kujtuar të gjithëve se traditat teatrore shkodrane nuk shlyhen kollaj. I përgjigjen realitetit. Dhe kështu ndodhi… Autori i kësaj pjese shkrimtari dhe studiuesi Gazmend Krasniqi, përmes notave dramatiko-tragjike solli edhe një herë të freskëta problemet e mëdha sociale dhe psikologjike, në të cilën po kalonte familja e tronditur shqiptare.

Shënime regjisoriale: “Jam shumë i lumtur që jam pikërisht regjisor i kësaj drame kaq domethënëse, kaq sinjifikative, kaq prekëse dhe, që është bërë pjesë e jetës sonë të përditëshme. Një dramë moderne. E ndërtuar në lojën e dy aktorëve. “U përballa” me të dhe “bisedova” përmes një eksperience 20-vjeçare si aktor dhe 10-vjeçare si regjisor. Dy aktorët (Arben Spahia dhe Merita Smaja) vetëm me anë të dialogjeve dhe monologjeve, kanë sjellë në skenë larminë e personazheve të tjera, njësoj si të ishte skena plot. Mendoj se, poetika e tekstit dhe magjia e teatrit transmetuan për spektatorin mesazhe dhe emocione të veçanta. Shfaqja përshkohet nga lëvizje, fjalë, gjeste që variojojnë nga çmenduria në një hipokondri të thellë brenda një hapësire vetëburgimi, mbushur me libra e fletë të shkapërdara, me shishe alkooli e molla gjysmë të kalbura e gjysmë të kafshuara.”

Mendime të spektatorëve: *Dramë e besueshme dhe e ndjerë. *Lojë e bukur, aspak e mërzitshme. *Një dramë që i bënte një analizë të thellë problemeve sociale dhe psikologjike në familje dhe, pikërisht në një familje artistësh. *Violina ishte një detaj i bukur në dramë.

Përsëri shënime regjisoriale: “Deri tash në teatrin “Migjeni” kam vënë 6 vepra dramaturgjike. (Është viti 2000.) Kujtoj se nga të gjitha shfaqjet, më e mira është “Vizita e fundit” e shkrimtarit Albri Brahusha, me të cilin erdhëm edhe para publikut prishtinas. Siç duket akumulimi im artistik u shpreh pikërisht në atë realizim artistik. … Se teatri duhet të ecë me këmbët e veta e jo të presim gjithçka nga shteti. Se… nëse nuk lëvizim, atëhere do të mbesim pa teatër. E kjo s’bën të ndodhë duke ditur se kemi potenciale të mëdha aktorësh e regjisorësh.”

Vitet kalojnë… Emri i regjisorit Bardh Smaja bëhet më i dukshëm, më i pranishëm në jetën e teatrit shqiptar. Emri i tij shoqërohet me platforma interesante dramaturgjike. Rrezëllin vështrimi i një regjisori kërkues, i pakënaqur nga vetvetja.

Dhe një fakt, nga një shkrim gazete. “Në kuadrin e prezantimit të ‘Javës së Kulturës Shkodrane’ në Ferizaj (Kosovë)… trupa e dramës “Migjeni” u paraqit me komedinë “Hyr fjalë nga dole”, tekst i aktorit humorist Gëzim Kruja, i mbindërtuar sipas motiveve të Kristo Floqit. (regjisor Fatbardh Smaja). Autori i tekstit të komedisë “Hyn fjalë nga dole”, Gëzim Kruja (Artist i Merituar), ka ruajtur subjektin dramatik të Floqit, por njëkohësisht ka arritur që të ndërtojë thuaja një konflikt të ri dhe dinamik dhe risemantizues tekstual, bazë kjo shumë e mirë për regjisorin Smaja, i cili me një trupë teatrore siç është “Migjeni”, nuk e pati shumë të vështirë për të dhënë një mesazh tepër të qartë artistik, që komunikon në mënyrë të shkëlqyeshme në kohën e tashme, kur shoqëria shqiptare në përgjithësi (andej e këndej kufirit), duke qenë në kapërcyell të tranzicionit, karakterizohet me njerëz që për zot kanë shpallur interesin, vrapin për pasurim të menjëhershëm, smirën, xhelozinë dhe luftën e bërrylave, duke harruar të mirën dhe çdo virtyt tjetër të njerëzishmes.”

Kritiku Zija Vukaj duke e quajtur dramën “Hana e janarit” (autori: Lisandri Kola, 2013) – një kërkim zanafillor i teatrit antik ndalet në konceptin dhe risitë që solli regjisori Smaja në punën e tij regjisoriale. “Zgjidhjet regjisoriale intuitive dhe inteligjente, kanë sjellë risi gati të pazakontë për spektatorin. Së pari, kemi lojën me objekte skenike. Konkretisht, janë tri objekte kyçe që fantazia e regjisorit Smaja i ka bërë determinuese për fatet e dramës. Shalli që vjen si dhuratë, varet dhe rri pezull gjatë gjithë dramës si një parashenjë e padeshifrueshme, që përbën në finale një nga kyçet më të rëndësishme të simbolikës kompozicionale. Së dyti, imazhi i femrës enigmatike, që sodit nga përtejbota ironinë e fateve njerëzore: të sajin dhe të atyre që janë në këtë botë, por tashmë të gatshëm për të vdekur shpirtërisht dhe së treti, statuetat në sfond, mishërim i indiferencës njerëzore, i asaj pjese të shoqërisë që i kundron dramat e individit, në mos me cinizëm, me ftohtësinë e një spektatori të ftohtë e të pamëshirshëm.”

Në përmbyllje të këtyre këndvështrimeve, me të drejtë studiuesi Naser Shatrolli, siç duket i ka ndjekur si me “qerpik të syrit” shfaqjet e regjinë e Bardh Smajës, arrin në këto përfundime, që mendojmë, se janë esenca e këtij profili regjisorial: “Bardh Smaja sendërton një model dramatik në shfaqje duke gërshetuar korelacione zhanresh, teatri verbal dhe figura, ku në qendër është stili i tij, pastaj dizajni grafik i tablosë, rrjedhimisht sendërtohet në frymë artesh pamore dhe filmike duke i vendosur personazhet në plane, dhe mendësia muzikore shtjellohet si “sikur” dramaturgjik – jemi në shfaqje, bëjmë teatër – shkruajmë teatër, këto janë gjetje – “bilur” ideor, të cilën, autori rrjedhën historike, të bëmat që ndodhin aty për aty, i formatizon në mister dramaturgjik. … E kam njohur nga afër regjisorin Bardh Smaja. Ishte brenda apotekës së vet. Pasuria e tij, nëntoka e tij kulturore ishte shumëllojshmëri ‘ilaçesh’, të cilat i ka përdorur arsyeshëm dhe bindshëm në shfaqje, situata, rrethana, dhe përecje skenike. … Pra, regjisori (Bardhi) para së gjithash dinte e nuhaste organisht dramaturgjinë, ishte njohës praktik i regjisë, aktrimit, muzikës, me këtë epitet ai ka rezonuar përgjatë dyzet vitesh jetë në teatër.”

5.

Askush nuk e mendonte se, puna e fundit artistike e Bardhit do të ishte drama “Kandili i argjandit” të autorit Martin Camaj. Siç thotë artikullshkruesi Ndoj Mëhilli: “… Me rastin e 90-të vjetorit të lindjes, mbërrin në skenën e Teatrit Migjeni të Shkodrës i madhi Martin Camaj me dramën “Kandili i argjandit”, e cila u vu në skenë , nga regjisori Bardh Smaja, i cili duhet të përgëzohet për iniciativën e guximshme, pasi vendosja në skenë e dramave të autorëve shqiptarë është parë me mëdyshje gjatë kësaj dekade nga regjisorët tanë. … Mjerisht, më duhet ta mbyll këtë artikull me zymtësinë e vdekjes së parakohshme të mikut tim dhe të mikut të një pjese të mirë të shkodranëve, regjisorit Bardh Smaja, i cili e mbylli karrierën e tij si regjisor, pikërisht me vendosjen e dramës “Kandili i argjandit” të Martin Camajt. … Shpirti i tij pushoftë në paqe!”

Shkodër, shtator 2016 – 2019.

Skedë teatrore

13 vite më parë, më 28.10.2006, në skenën e Teatrit “Migjeni”, iu paraqit spektatorit shkodran premiera: “Surpriza” (tragjikomedi), autor: Fadil Kraja. Regjisor e skenograf: Fatbardh Smaja.

Interpretuan: Besniku – Besnik Çinari, Vili – Zyliha Miloti, Titi – Anton Krosaj, Violeta – Merita Smaja, Koçoja – Frederik Fistani, Dori – Rajmonda Marko.

Inspektor skene – Sabah Baxha, Efektet zanore – Fatmir Gokovi, Ndriçimi – Arben Meshnuni, Piktor – Hysni Halili, Grimi – Albert Shiroka, Garderoba – Shaqe Pepa, Teknikë skene: Mikel Vuksani, Kolec Sermi.

Arkivi i teatrit

Burimi/ Facebook / Teatri Migjeni, Shkoder