Petraq Pali – Fragment nga Libri me rrefenja e tregime i Luan Cipit

0
187

…..
-U kthye nga Amerika, ku banon familjarisht prej shumë vitesh, poeti dhe shkrimtari Petraq Janko Pali. Ai, i lindur në Qeparo dhe i rritur në qytetin e Vlorës, gurrë gdhendës i talentuar në profesion, në të ri kreu katër shkolla të mesme teknike, përfshirë atë të mësuesisë, mjekësisë dhe të ndërtimit. Në plotësim të amanetit të babait të tij, atdhetar të nderuar Janko Pali, (shkrimtarit dhe mësuesit të merituar). I biri, Petraq Pali, edhe pse në moshë të thyer, kur të tjerë bashkëmoshatarë grisin kohën kafeneve, nisi dhe përfundoi me sukses Universitetin për jurisprudence dhe u laureua për avokati.
Petraq Pali ka dy dekada që shkruan, për t’i vënë në dobi të njerëzve energjitë e pashtershme që disponon, mallin dhe dashurinë për Atdheun e vet dhe për t’i lënë të paharruara e mbresëlënëse kujtimet e tij të pafundme jetësore. Ai ka mbushur 20 libra me poezi, reportazhe, rrëfenja të bukura, portrete e deri romane. Librat e tij edhe pse të thjeshta e pa komplekse të sajuara artificialisht, pasqyrojnë ngjarje të vërteta dhe mësime të vlefshme, që lexohen me endje dhe po i nise nuk i lëshon dot nga dora, se të bëjnë për vete.
Kur e takova Petraq Palin, që ka ardhur nga Amerika, si çdo vit për të pushuar dhe për t’u çmallur me shokët dhe vendlindjen, midis të tjerave ai me tregoi:
Erdha nga Nju Jorku në Rinas me një avion Turk, që na solli transit deri në Stamboll. Kur na u desh të ndërronim avion, destinacioni u ndryshua dhe ne duhet te lëviznim pa pasur kohë, për të kërkuar e gjetur portën tonë të hyrjes. Koha ishte e paktë dhe unë duhet të shoqëroja dhe të ndihmoja edhe dy shqiptarë tepër të moshuar hallexhi, që nuk dinin asnjë fjalë anglisht, çka më rrezikoi humbjen e avionit të radhës. Po, desh zoti, me valixhet e tyre zvarrë e kapëm minutën e fundit.
Kënaqësia që shprehte për këtë stërmundim dukej qartë në sytë e qeshur të Petraq Palit. Unë e dalloja gëzimin e tij më shumë nga të tjerët, sepse e njihja nga afër këtë bujar të lindur: I dija përpjekjet për të ndihmuar bashkatdhetarët e ngelur rrugëve të Greqisë; dija ndihmën e dhënë në disa raste për pritjen, strehimin, ushqimin dhe akomodimin e emigrantëve Qeparotas, Shqiptarë e deri Kosovarë në Amerikë; hapjen e një shkolle pa pagesë për fëmijët shqiptar në Amerikë; çeljen dhe drejtimin e suksesshëm të faqes letrare internetike “Qeparoi” në Amerikë, etj.
Kështu, përfundimi logjik i plakut të urtë “Njerëz të mirë gjen kudo” për mua, fitoi të drejta përgjithësuese dhe kjo më lehtëson, duke e ngritur në shkallën më të lartë besimin dhe shpresën se gjithnjë e më shumë njerëzit e mirë, vizionar e bamirës, do arrijnë të zgjidhen e të vendosen edhe deri në Qeveri, Parlament dhe Presidencë, si dhe ata do të merren vesh për një politikë mirëkuptuese njerëzish të mirë.
Atëherë edhe sentenca e Sokratit “Politika është arti i marrëveshjes për të administruar shtetin” kam besim se do realizohet plotësisht.
Vlorë, më 29.4.2012

Burimi/Facebook/Petraq Pali