Petro Luarasi – Lule për çiftin Kenedi

0
311

”Trupi im është këtu, por zemra ime është në Shqipëri. ”
Violet Bond – Kennedy
Petro Luarasi
Lule për çiftin Kenedi
Fondacioni Kenedi – 1908
Në mediat shqiptare po përmendet gjithnjë e më shpesh veprimtaria bamirëse e fondacionit “Kenedi “ me qendër në Korçë që po ndihmon shtresat në nevojë, fëmijët jetimë, vajzat e dhunuara dhe të moshuarit e brezit të tretë. Organizon edhe kurse trajnimi dhe aktivitete të shumëllojshme me vlera edukative, social-kulturore e sportive. Ky fondacion mbahet mend edhe për ndihmën e madhe që ka dhënë për të përballuar nevojat e të shpërngulurve gjatë luftës në Kosovë.
Fondacioni “Kenedi” e ushtron aktivitetin e tij të suksesshëm në Shqipëri që prej vitit 1991 duke e zgjeruar stafin me punonjës të kualifikuar dhe të rinj vullnetarë të përkushtuar .
Drejtuesit të fondacionit, misionarit protestant anglez z. Ian Loring, i është akorduar titulli “Qytetar nderi i Korçës” për kontributin e tij humanitar shumëvjeçar, një shprehje e mirënjohjes së qytetarëve korçarë dhe institucioneve shtetërore.
Për t’iu përmbajtur së vërtetës historike dhe identitetit, sqarohet se Fondacioni Kenedi -1908 mban emrin e Phineas Kennedy, i cili i ka shërbyer popullit shqiptar nga 1908-1939…. toka e përdorur aktualisht nga Fondacioni u ble fillimisht dhe përdorej nga Kennedy gjatë kohës së qëndrimit të tij në Shqipëri . Emri në përdorim, "Kenedi", është thjesht drejtshkrimi shqip i emrit.1. (fondacioni kennedy http://www.kenedifoundation.org/about-us/why-kenedi)
Në këtë mënyrë themeluesit e Fondacionit “Kenedi” përkujtojnë me nderim misionarin e parë protestant amerikan dhe vijojnë me vendosmëri traditën e hershme të mirëbërësve anglo-amerikanë në Shqipëri.
Të pasur jemi, të mjerë na bënë
Historia e misionarëve bamirës anglo-amerikanë në trevat shqiptare, kushtet historike kur janë shfaqur, rezultatet që kanë arritur në dobi të kombit tonë dhe personaliteti i tyre, meritojnë më tepër vlerësim e nderim. Ndonëse përmenden në artikuj, referate, disertacione e libra, përgjithësisht as kanë zenë vendin e merituar në programet arsimore dhe literaturën akademike, as janë nderuar me dekorata apo emërtime objektesh e rrugësh, përkundër nivelit të propaganduar të marrëdhënieve.
Në “terr padije” janë lënë edhe bamirësit protestantë amerikanë me në krye Rev.Phineas B.Kennedy, për jetën dhe veprën e të cilin ende nuk është botuar ndonjë monografi.
Ndër ata që ia kanë përmendur vlerat shquhet bashkëpunëtori i tij, Rev. Edwin Everett Jacques (1909-1996) i cili ka punuar në Shqipëri në periudhën 1932-1940 dhe ka botuar kujtime interesante për historinë dhe vlerat e shumanshme të kombit shqiptar.
Ai analizon dhe argumenton pasuritë e kombit shqiptar të cilat ia kanë harruar, mohuar dhe luftuar duke shfrytëzuar edhe vetizolimin e shqiptarëve për ta bërë, sipas Uinston Cërcillit, “nje gjeegjëze, e mbështjellë në një mister brenda një enigme”.
Në analizën dhe zbërthimin e enigmës ai deklaron troç: “ Ky popull i lashtë pellazg shënon një datë më të hershme se zhvillimi i civlizimeve të Greqisë dhe Romës..ìdentitetin e vet etnìk…gjuhën dhe lirinë ia kërcënuan të dyja perandorìtë e krishtera, e Lindjes dhe e Perëndimit, se gjatë okupimit shtypës 500-vjeçar të Shqipërisë nga sundimtarët turq e braktisën fqinjët e saj katolikë romakë dhe ortodoksë grekë’’. 2. (Edwin Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Kartë e Pendë, Tiranë, 1998)
Studjuesi Edwin E. Jacques analizonte edhe politikën e verbër të udhëheqësve shqiptarë të regjimit diktatorial dhe qëndrimin e çuditshëm mediatik, aq aktual edhe për situatat e sotme, e cila bie pre e falsifikimit dhe diktatit mbi historinë. Nuk e pasqyronin si duhet në opinionin publik të vërtetën e ndihmës tradicionale amerikane në njohjen si shtet , përkrahjen e vazhdueshme diplomatike, humanitare, teknike, mjekësore, financiare e arsimore. Anashkalonin rolin e komunitetit më të madh e më të organizuar të mërgimtarëve shqiptarë, besnikë e entuziastë, që herë pas here i kanë ardhur ne ndihme mëmëdheut.
Vetë kreu i diktaturës, në përpjekje për të djegur e shkulur me rrënjë traditën e hershme historike dhe kontributin e gjerë anglo-amerikan, deklaronte me papërgjegjshmëri historike e morale: “Zogu ua hapi portën agjentëve të spiunazhit amerikan të cilët erdhën në Shqipëri nën maskën e misionarëve si Kenedi , të filantropëve dhe edukatorëve si Erikson…që luajtën një rol të ndyrë kundër pavarësisë dhe lirisë së popullit shqiptar deri kohët e fundit” (!!!) 3. (E.Hoxha . Sukseset e Republikës Popullore të Shqipërisë. 11.8.1950, Vepra 7, f.404)
Sajoi dhe akuzën politike: “Ata kishin përgatitur njerëzit e tyre për të punuar në të ardhmen kundër Shqipërisë dhe popullit shqiptar” 4. ( E.Hoxha, Raport në Kongresin I të PPSH, Vepra 5, 8.11.1948, f. 192 )
Urdhëroi të hartoheshin listat e zeza me qindra intelektualë që kishin studjuar apo punuar në shkollat apo institucionet bamirëse amerikane, të cilët i përndoqi sistematikisht, i persekutoi dhe i dënoi familjarisht. Ndër të parët që vuajtën terrorin qenë familjarët e fisit Qiriazi- Dako, motrat Parashqevie Sevasti aq të madhërishme për kontributin e tyre në kulturën, arsimimin, dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare. U shuan nga faqet e historisë kombëtare dhe programet shkollore edhe kontributi 30-vjeçar i çiftit Kennedi dhe dhjetra bamirësve të tjerë të huaj.
Kontribute të çiftit Kenedi
Personaliteti dhe veprimtaria e vyer e Rev. Phineas Barbour {Barber} Kennedy (14. 6. 1867 – 4.5. 1963) dhe zonjës së tij Violet R. Bond-Kennedy (19.6.1870 – 27.12. 1952) është pasqyruar në shkrime të miqve anglo-amerikanë A.Herbert, E. Durham, M.Eden, T. Ericson, E. Jacques, ndërsa në Shqipëri në vitet 1908-1939 dhe pas ndryshimeve demokratike janë vlerësuar nga P. N. Luarasi, F. S.Noli, motrat P.Qiriazi S. Qiriazi, S. Luarasi, I. Gogaj, V. Duka, K. Bevapi, F. Cakolli, etj.
Rev. Phineas B.Kennedy dhe zonja e tij Violet B. Kennedy erdhën në vendin tonë në një situatë të vështirë për mbijetesën e shkollës shqipe.
Violet Kennedy, e bija e misionarit protestant Luis Bond, u miqësua me Sevasti Qeriazin kur jetonin në qytetin e Manastirit. Mësoi prej saj gjuhën shqipe, historinë, zakonet dhe sfidat me të cilat përballej kombi shqiptar, prej nga i buroi edhe dashuria dhe dëshira për të ndihmuar me të gjitha mënyrat kombin shqiptar.
Në kushtet e luftës së ashpër ndaj shkollës shqipe të vajzave, në vitin 1908, motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia, kërkuan mbrojtje dhe përkrahje financiare nga misioni protestant anglo-amerikan, me të cilin kishin bashkëpunim të hershëm që në Manastir. Bordi amerikan me qendër në Boston i dërgoi për ndihmë shoqen e fëmijërisë Violet B.Kennedy me bashkëshortin Rev. Phineas B. Kennedy që qe diplomuar në Universitetin Princeton, të cilët u aktivizuan menjëherë në stafin e shkollës shqipe sapo mbërritën në Korçë më 26 mars 1908.
Mbas katër muajsh rezistence e përpjekjesh të atdhetarëve dhe përkrahjes së qeverisë amerikane, me anën e Ambasadës së SHBA në Konstandinopojë, më 23 korrik 1908 u shpall Kushtetuta liberale e xhonturqve që e lehtësoi përkohësisht situatën. Studjues të ndryshëm kanë përshkruar punën vetmohuese të çiftit Kenedi për mbrojtjen e shkollës shqipe të vashave, e cila mbijetoi e vetme, deri në shpalljen e pavarësisë, përballë presionit të pushtuesve dhe qarqeve shoviniste greke. Në atë kohë Phineas B. Kennedy shkroi : “Ata mund të kërcënojnë prindërit dhe fëmijët , por ne do të vazhdojmë t’i mbajmë brenda shkollës në konvikt dhe e vetmja gjë që mund të bëjnë është që të më marrin mua nga shtëpia me forcë – sepse unë kurrë nuk do të lejoj të mbyllet kjo shkollë’’. Qe meritë e madhe e çiftit Kennedy që e mbajtën të gjallë këtë symbol të arsimimit dhe emancipimit të femrës shqiptare dhe që pas luftës botërore e vijuan në kushtet e reja me shkollën private ‘’Kennedy”. Por vetëm qeveria e Fan Nolit e njohu zyrtarisht më 10.9 1924 si shkollë qytetëse me 5 klasë, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Në program ishin edhe mësimet fetare në gjuhën anglisht. Shkolla në fillim u hap me 30 nxënës, djem e vajza, ofroi edhe sistemin parashkollor dhe kishte dy mësues shqiptarë. Një vit më vonë numri i nxënësve arriti në 57 dhe gjatë vitit shkollor studionin 123 nxënës. Jepnin mësim 10 mësues: Violet Kenedi, Edvin Xheks (Jacques), Dorith Xheks ( Jacques), Mila Gjogoreci, Ollga Plumbi, Shega Uçi, Persefoni Treni, Praksithe Plumbi, Leftera Kosova dhe Aspasia Efthim. 5 (I.Gogaj.1995. Shkollat Amerikane në Shqipëri. Tiranë: Drita. f.20)
Me shtimin e nxënësve, çifti Kenedy hapi edhe një konvikt me pagesë duke caktuar për çdo nxënës një shumë vjetore, e cila ishte e lidhur me gjendjen ekonomike të nxënësit.
Nxënësit që përfundonin shkollën 5-vjeçare merrnin një diplomë analoge
me atë të shkollës shtetërore shqiptare të shoqëruar me një çertifikatë të veçantë që u
jepte të drejtën të pranoheshin në kolegjet amerikane.
Deri në vitin 1933 shkolla Kenedi kreu një veprimtari shembullore, u përgatitën me qindra nxënës, disa prej tyre u bënë edhe pjesë të stafit mësimor.
Me zbatimin e reformës “Ivanaj “ dhe ligjit për shtetëzimin e shkollave të huaja në Shqipëri, u mbyll edhe shkolla amerikane e Korçës. Bashkëshortët Kenedi i bënë një vizitë ministrit Ivanaj dhe i thanë: ’’Ne e kemi dashur Shqipërinë, ne kemi ndihmuar që shkolla shqipe e vajzave në Korçë, e vetmja në gjithë Shqipërinë, të mos mbyllej nga qeveria turke , ne kemi pritur e përcjellë rilindasit. Shkolla jonë nuk është si të tjerat të huaja , prandaj mos na e mbyllni. Mirash Ivanaj Iu përgjegj: ’’E besoj që e keni pas dashtë Shqipërinë. Tash është koha me e provue përsëri që ende e doni, tue mos kundërshtue mbyllje e shkollës suej. Interesi kombëtar e lyp me u shtetëzue të gjitha.’’ 6. (S.Luarasi. Kujtime)
Edhe pas reformës ‘’Ivanaj’’ çifti Kenedi e vazhdoi veprimtarinë humanitare, të ndihmuar nga Kelly G. Tuckers dhe Edwin E. Jacques me të shoqen Dorotia.
Për një nivel më të lartë arsimor
Studjuesit vlerësojnë se zanafilla e arsimit dhe pedagogjisë amerikane në Shqipëri nis me ardhjen dhe veprimtarinë e çiftit Kenedy të cilët u bënë udhërrëfyes për programe të tjera arsimore amerikane.
Rev. Phineas B.Kennedy dhe zonja e tij Violet B. Kennedy përmenden edhe për kontributin në ideimin e platformës dhe rritjen e nivelit arsimor me synim ngritjen e shkollave të arsimit të mesëm.
Historia e çeljes së Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me aktivitetin, vizionin dhe platformën arsimore të misionarëve amerikanë të përfaqësuar nga çifti Kennedy, të cilët menduan të plotësonin edhe dëshirën e atdhetarëve elbasanas për një institucion arsimor me program të përshtatshëm.
Sipas studjuesit Kujtim Bevapi mendimi për të ndërtuar një kolegj në Elbasan qe vendosur nga misionarët amerikanë në Shqipëri, bazuar dhe nga udhëzimet që vinin nga qendra. Në një letër që zoti Kenedi në Korçë u dërgonte klubeve patriotike të Elbasanit “Bashkimi” e “Vllazëria”, më 28 maj 1909 , ndër të tjera shkruante:
“Miq të shtrenjtë elbasanas! Shoqata jonë amerikane na ka autorizuar neve që të hapim një kolegj për djem shqiptarë. Kemi në plan që të ketë edhe një degë industriale. Shkolla do të jetë e hapur për të gjithë djemtë e rinj dhe dëshira jonë është që pagesa të jetë aq e vogël, saqë dhe djemtë e varfër tëmund të përfitojnë nga privilegjet e saj…një ndërtesë të shëndetshme dhe të bukur, ku të ketë ujë të rrjedhshëm, të mirë e të pijshëm… Nëse ju jeni dakord ne vendosim të vijmë në Elbasan, unë nga Korça dhe Z.Erikson nga Tirana…. Për Shoqatën tonë Amerikane, Sinqerisht i juaji Phineas B. Kennedy.”7 (AQSH, Fondi 102, Dosja 50, viti 1909-Letra të Shoqatës Amerikane në Shqipëri dërguar klubit “Bashkimi” e “Vllazeria” në Elbasan)
Përgjigja e atdhetarëve qe: “ I detyrohemi dhe i jemi mirënjohës për jetë Misionarisë Amerikane, me padurim presim që puna e bërë dhe e menduar të fillojë të marrë mish dhe eshtra…” Klubet e Elbasanit vunë në shërbim të kolegjit si fillim 100 lira turke. Misioni Amerikan bleu truallin në Krastë dhe pritej vetëm fillimi i punimeve. Por autoritet turke, më pas nuk lejuan të ngrihej kolegji, duke dhënë pretekste të ndryshme. Kjo ngjarje shtyu atdhetarët të themelojnë në 1 dhjetor 1909 shkollën Normale të Elbasanit.” 8.
(K.Bevapi, Përvjetori i 100-të, A është Normalja e Elbasanit universiteti i parë shqiptar? “55”, 28 .11.2009 f.15)
Historianët kanë vlerësuar edhe kontributin e misionit protestant anglo-amerikan për organizimin dhe përfundimin me sukses të Kongresit të Parë të Manastirit (14-22.11.1908). Komisioni i Punës së Alfabetit i kreu punimet në shtëpinë e Gjergj Qiriazit, i cili qe nënkryetar i Kongresit dhe anëtar i Komisionit. Ndër 35 protestantët e tjerë, të përfshirë edhe në udhëheqjen e Kongresit të Alfabetit, ishin: Grigor Cilka, nënkryetar i Komisionit; Parashqevi Qiriazi, sekretare e Komisionit; Kristo Dako, pjesëmarrës. Mes tyre gjendej edhe Violet Kennedy, vëzhguese e misionit amerikan protestant.
Bashkëshortët Kennedy shfrytëzonin të gjitha mundësitë për të realizuar misionin e tyre si protestantë dhe miq të kombit shqiptar. Phineas B.Kennedy, ishte i mirënjohur në grupimin studentor të Universitetit Princeton dhe aktiviteti i tij përmendej shpesh në organin “Princeton Alumni Weekly” duke siguruar mbështetje morale e financiare.
Në një artikull të revistës “Princeton Alumni Weekly” njoftohej se Rev. Phineas Barbour Kennedy dhe zonja e tij, si veprimtarë përfaqësues të Bordit Amerikan për Misionet e Huaja, “po zhvillojnë një veprimtari intensive mes turbullirave në Ballkan. Ata janë pozicionuar në Korçë, Shqipëri, ku në vijim të aktivitetit misionar kanë ngritur një shkollë për vajza. Ndërsa ushtritë kanë luftuar para mbrapa këtij vendi bashkëshortët Kenedi kanë kryer një shërbim të madh në shpërndarjen e ndihmave mes njerëzve të uritur ndër fshatra. Me okupimin e Korçës nga grekërit, zoti dhe zonja Kennedy janë përzënë dhe gjenden tashmë në Selanik, ku po qëndrojnë përkohësisht… Sipas fjalëve të një anëtari të Bordit ata po rezistojnë me trimëri të madhe të gatshëm për të përmbushur detyrat e Fondit Amerikan.’’9.
(Princeton Alumni Weekly, The alumni, Volume 13, nr 33, 21 maj, 1913 , f.630.)
Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Hollandë e Luksemburg, John W. Garrett, me karierë diplomatike 16 vjeçare, në një artikull për të diplomuarit e seminarit në Princeton shkruan:
“Shumë nga ne e njohim Shqipërinë në një mënyrë abstrakte dhe tani një i diplomuar në vitin 1891 në Princeton është duke punuar atje për më tepër se katër vjet së bashku me gruan e tij të devotshme. Rev. Phineas B. Kennedy, i cili përfaqëson Bordin Amerikan të Misionarëve të Huaj, është me në Korçë, Shqipëri duke bërë shumëlloj punësh të vlefshme kristiane. Puna më e rëndësishme e tyre është një shkollë për djem e vajza, me kolegj dhe eventualish për tu mësuar njerëzve gjuhën e tyre. Në një letër drejtuar një shoku të shkollës ai thotë “Ambicia jonë më e lartë është të përgatisim mësues për këtë komb i cili sikurse e dini është duke u rilindur”. Një nga studentët e tij është në Kolegjin Lafayete, një kolegj tjetër në Mount Herman dhe dy të tjerë pritet të vinë në këtë vend vitin tjetër. Rreth tridhjetë të tjerë janë pothuajse gati. Cfarë mundësie e mrekullueshme për të krishterët e sherbimit patriotik të ndihmojnë këtë të diplomuar të Princtone dhe gruan e tij heroinë që gjatë luftës rezikojnë pandërprerë jetën për shqiptarët.”10. (John W. Garrett,The Alumni, Princeton Alumni Weekly,Vol.20, nr.1,15.10. 1919, f. 66)
Me dhjetra artikuj në gazeta e revista amerikane dhe të komunitetit shqiptar në SHBA përshkruajnë aktivitetin e gjerë të çiftit Kennedy, jo vetëm si misionarë protestantë, por edhe si luftëtarë të përkushtuar të humanizmit, lirisë dhe drejtësisë.
Rev. Phineas B.Kennedy dhe zonja e tij Violet B. Kennedy kryen një aktivitet shembullor humanitar në ndihmë të popullatës shqiptare të dëbuar nga banesate tyre në Shqipërinë e Jugut, Kosovë e Dibër. Shtypi i kohës shprehte mirënjohjen ndaj tyre për informimin e opinionit publik ndërkombëtar dhe ndihmën që u dhanë muhaxhirëve në ullishtat e Vlorës, në vitin tragjik 1914, kur andartët therën, dogjën e vranë fëmijë, gra e pleq. Mbi 57 fshatra me 1451 shtëpi në Kolonjë u bënë shkrumb e hi. Afro 60.000 vetë nga Kolonja, Dangëllia, Përmeti, Skrapari, u nisën muhaxhirë drejt Vlorës.
Ka të dhëna se Rev. Phineas B.Kennedy njihej me presidentin Uillson, dikur pedagog në Universitetin Princeton dhe ka influencuar tek ai dhe Departamenti i Shtetit për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Konferencën e Paqes në Paris (1921). Ai strehoi në shtëpinë e tij, në Korçë, të deleguarin e presidentit, ambasadorin Jozef Haven. Teufik Mborja shkruan se Haveni u vendos ne shtepine e nje misionari amerikan, te quajtur Kenedi, që e njihte mjaft mire qytetin. Kenedi e siguroi ambasadorin se Korca eshte thjesht shqiptare ’’ Raporti perfundimtar u hartua nje muaj me pas dhe qe vendimtar per qendrimin amerikan. Qeveria e Athinës i paraqiti Uashingtonit një notë proteste, ku akuzonte J.Havenin të blerë nga shqiptarët.
Përshkruam disa nga kontributet e mirëbërësve tanë Rev. Phineas B.Kennedy dhe zonjës së tij Violet B. Kennedy të cilët u larguan përfundimisht nga Shqipëria më 1939 duke ia dorëzuar drejtimin e misionit çiftit Eduin e Dorotia Xhejks (Jacques). Ata tërë jetën menduan e punuan për Shqipërinë duke i mbajtur lidhjet me qarqet atdhetare shqiptare dhe me fëmijët e mikut të tyre Petro N. Luarasi: Dhimitrin, Skënderin e Shegën.
Lule për çiftin Kennedy
Në varrezën: Brook Avenue Presbyterian Cemetery
North Plainfield, Somerset County, New Jersey, USA
gjendet pllaka memoriale (Grave Memorial) nr.14542785 ku shkruhet:
Phineas B. Kennedy (1867 – 1963)
Violet Bond Kennedy (1870 -1952)
Missionary to Albania
Asleep in Christ 1 Cor. (Corinthias) 15:18

Burimi/Facebook