Petro Luarasi – Në përkujtim të Kongresit Kombëtar të Lushnjës.

0
165

Lavdi mirëbërësit britanik ,frymëzues e mbrojtës i Kongresit!
Parathënie e librit: Morton F.Eden ” Shqipëria…”
Krahas Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, i cili ngrehu sërish pas shekujsh robërie simbolin kombëtar, flamurin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, synohet të ndriçohen, siç e meritojnë, veprimtaritë e qindra atdhetarëve të shquar, nga tërë trevat etnike shqiptare e diaspora, të cilët me sakrifica e therrori të tejskajshme programuan, përgatitën dhe realizuan dëshirën shumëshekullore të popullit shqiptar për pavarësi.
Gjithashtu synohet të njihen dhe të vlerësohen edhe të gjithë ata që kontribuan për ideimin, themelimin, ndërtimin dhe forcimin e shtetit sovran shqiptar.
Në këtë përvjetor historik, kombi shqiptar ka rastin të tregohet fisnik me mirënjohjen dhe nderimin e tij kundrejt miqve të shquar të huaj, të cilët me përkushtimin e tyre e ndihmuan të rilindë duke mbrojtur e shpallur vlerat e tij, përkundër përfoljeve e lakmisë së armiqve shovinistë. Atyre ua ka më të madhin borxh, jo vetëm për t’i përmendur, por dhe për t’i vlerësuar siç e meritojnë.
Në vargun e miqve të shquar të huaj, përkatësisht atyre anglezë, prej Lord Bajronit deri tek shqiptarofilët e mirënjohur Hebrey Herbert e Mary Edith Durham, meriton nderimin e shqiptarëve edhe Morton F. Eden.
Morton Frederick Eden (16 qershor 1865 – 2 janar 1948) qe djalë i vetëm i familjes fisnike britanike të Charles Calvert Eden dhe Cecile Freiin von Sinner, të cilët patën edhe vajzat Evelyn e Violet. Mbas arsimimit të përgjithshëm, ai ndoqi traditën familjare duke iu përkushtuar karierës në fushën e shërbimit ushtarak dhe informativ.
Në vitin 1889 u caktua të shërbente në Australi ku për 25 vjet u dallua si eksplorues i trevave të virgjëra të kontinentit.
Udhëtimet plot aventura e vëzhgime të rëndësishme që ngërthehen në rajone të gjera në jug e lindje të Australisë, në Tasmani, Hong-Kong e SHBA, përgjatë periudhës 1890-1940, i ka përshkruar në ditarin e tij i cili gjendet në dorëshkrim në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Australisë. Kjo lëndë e ka frymëzuar shkrimtarin Jim Barrett për të shkruar librin mbresëlënës “The first bushwalker: the story of Fred Eden” ( “Eksploruesi i parë: historia e Fred Eden”)
Ndërkohë, si ushtarak, Morton F. Eden mori pjesë në luftën e Boerëve.
Në mesin e vitit 1915, ai u caktua në vartësi të shtabit të përgjithshëm të forcave aleate me qendër në Selanik. Si anëtar i stafit të Misionit Britanik u ngarkua për të ndjekur ngjarjet në Shqipëri deri në nënshkrimin e armëpushimit mes palëve ndërluftuese. Në vitet 1916-1919 veproi në Korçë si agjent i shërbimit anglez Inteligence Servic dhe në periudhën 1919-1920 u gjend në stafin e Gjeneral Phillips-it, komandant i trupave angleze në përbërje të forcave aleate me qendër në Shkodër.
Për aktivitetin e gjerë dhe meritat e spikatura, në vitin 1919 u vlerësua Anëtar i Urdhërit të Perandorisë Britanike (M.B.E)
Në këtë kohë Morton F.Eden u shqua në ndërgjegjësimin e atdhetarëve shqiptarë për fatet e vendit në momentet delikate të mbarimit të luftës, për qartësimin e tyre mbi synimet e vërteta të diplomacisë evropiane dhe të fqinjëve shovinistë, për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Lushnjës, për ndihmesën gjatë luftës së Vlorës në dëbimin e trupave italiane nga Shqipëria, për forcimin e shtetit dhe ushtrisë shqiptare, etj.
Anglezi Morton F.Eden, eksploruesi trim, ushtaraku i rreptë, agjenti dinak dhe politikani mendjehollë, në kontakt me popullin dhe realitetin tragjik, shfaq dhembshurinë e humanizmin prej miku të përkushtuar me mish e me shpirt për shpalljen dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të kombit shqiptar, duke rrezikuar edhe jetën.
Pas katër vjet veprimtarie të suksesshme në Shqipëri, më 1920, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqërisë Anglo-Shqiptare, me kryetar Sir Aubrey Herbertin dhe sekretare Ms.Mery Edith Durham. Sipas dëshmive të ndryshme, ai erdhi disa herë në Shqipëri dhe bashkëpunoi me mjaft personalitete shqiptare si Sulejman Delvina, Aqif Pashë Elbasani, Ahmet Zogu, Fan Noli,Abdi Toptani, Abdyl Ypi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj.
Sipas atdhetarit A.Këlcyra sinqeriteti i ndjenjave të Morton F. Edenit shprehej në interesimin dhe simpatinë që tregonte vazhdimisht për problemet shqiptare gjatë shumë viteve edhe kur nuk kishte asnjë lidhje pune.
Rëndësia e informacioneve të Morton F.Edenit dëshmohen edhe në librin “Miku më i madh i Shqipërisë: Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë moderne. Ditare dhe dokumenta” (f. 218) “Albania’s Greatest Friend: Aubrey Herbert and the Making of Modern Albania: Diaries and Papers 1904-1923) të përgatitur për botim nga studjuesi Bejtulla Destani. Atje paraqitet edhe një letër që Aubrey Herbert i dërgon përfaqësuesit britanik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sir Eyre Crowe, më 22 shtator 1919, në lidhje me gjendjen në frontin e Shqipërisë Jugore. Sir Herbert shkruan: ‘’Siç nuk kemi dyshim, ju do të dëshironit që grekërit të posedonin territoret e tyre dhe shqiptarët të Shqipërisë. Ne mendojmë se një test i ndershëm etnik duhej të bëhej meqë grekërit kanë djegur qytete e fshatra. Ata i kanë djegur sepse këto ishin të populluara nga një kombësi e huaj. Nëqoftëse do të lexoni raportin e Mr. Morton F.Eden (në atë kohë sekretar pranë shtabit të gjeneralit Phillips në Shkodër) i cili ka qenë në ato anë tre vitet e fundit, ndonjë dyshim që ju mund të kini rreth kombësisë do të tretet. Evidenca amerikane është veçanërisht e vlefshme meqë ata kishin njohuri të para luftës mbi vendin.” ëKëtu Sir Herbert ka parasysh informacionet e çiftit Kenedi (Kenedy) përkatësisht Violeta (Violett) dhe Fines (Phineas) misionarët e parë protestantë amerikanë në Shqipëri, të vendosur në Korçë më 1908ç
Personaliteti i Morton F.Eden, ndjeshmëria dhe përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare shqiptare shpalosen edhe në korespondencën e tij që gjendet në fondin e Edit Durhamit në Institutin Antropologjik Mbretëror, Londër (Royal Anthropological Institute, 50 Fitzroy Street, London W1T 5BT, United Kingdom, Durham, Mary Edith “collection” MS 57) . Atje gjendet edhe një letër e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës e nënshkruar nga Fan Noli, i cili ia drejton Komandantit të Trupave Aleate në Shkodër Gjeneralit Phillips dhe letra apel që Morton F. Eden i dërgon në gusht 1920 kryeministrit Lloyd George mbi invazionin e trupave serbe në Shqipëri.
Gjatë okupacionit fashist ai u bëri thirrje patriotëve shqiptarë që të ktheheshin një orë e më parë në atdhe. Ali Këlcyrës i tha: ‘’Kam besim dhe bindjen e plotë se Ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare në Shqipëri, sepse ajo rishtazi ka për të shpëtuar si në vitet 1912 dhe në 1920, me luftë në malet e saj dhe prej djemve të saj. Këto nuk janë vetëm mendimet e mia, por edhe të disa qarqeve politike londineze që merren me çështjet e Shqipërisë dhe të Ballkanit e sidomos miqve të Shqipërisë”.
Morton F.Eden kontribuoi familjarisht në luftën kundër fashizmit duke mbetur me mendje e zemër pranë kombit shqiptar deri sa u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare.
Morton F. Eden njihet pak dhe i dyzuar ndër shqiptarët e sotëm. Ai vlerësohet në disa shkrime gazetash e opinione të viteve 20-30-të, haset si “agjent i huaj” tek ndonjë paragraf i Historisë së Shqipërisë të shkruar gjatë sistemit diktatorial apo në ndonjë memuar, korespondencë a dokument arkivor të botuar vitet e fundit. Sidoqoftë, personaliteti i tij, humanizmi dhe dashuria për shqiptarët, provohen nga sa dëshmojnë bashkëpunëtorët e tij, por dhe më shumë nga kundërshtarët, të cilët theksojnë se ai vepronte me ndërgjegje e jo pse ia kërkonte pozita e misioni si zyrtar britanik.
Ndër ato pak shkrime të botuara mbi veprën dhe meritat e Morton F. Eden, dallohet ekstrakti i studjuesit Uran Asllani me referenca e opinione personalitetesh bashkëkohës. Ai argumenton bindshëm se “majori Iden, agjenti anglez i kongresit të Lushnjës”, edhe vetëm për këtë kontribut të vyer duhej të vlerësohej nga historianët shqiptarë dhe burokracia shtetërore me studime, dekorata dhe emërtesat institucionale përkatëse që i takojnë normalisht rangut të shërbimit të tij madhor.
Rivlerësimi ndaj tij dhe albanofilëve të tjerë anglezë të kryesuar nga miku i madh Sir Hebrey Herbert, do t’i përgjigjej denjësisht kuotës së marrëdhënieve miqësore me Mbretërinë e Bashkuar edhe si përkrahëse e madhe e pavarësisë së Kosovës.
Në hyrjen e librit “Miku më i madh i Shqipërisë: Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë moderne. Ditare dhe dokumenta”, Noel Malcolm shkruan: “Kur vizitoi Herberti Shqiperinë e Jugut, në shtator 1913, një turmë e grumbulluar përballë banesës thërriste: O Paladin i Lirisë, i bekuari i nipërve tanë…Por e vërteta e hidhur është që shumica e nipërve të këtyre shqiptarëve mirënjohës nuk janë në gjendje të bekojnë emrin e Aubrey Herbert dhe madje as nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për të.” A është në nderin e kombit shqiptar që ky mënjanim nga regjimi diktatorial çuditërisht të vazhdojë edhe në ditët e sotme ndaj këtij personaliteti të rangut të lartë, i cili në krye të një grupi të vogël filoshqiptarësh anglezë si Morton F.Eden, Edit Durham etj, realizoi mrekullinë e shpalljes, njohjes dhe analizimit me simpati të problemit shqiptar në qarqet britanike, historikisht të lidhura me politikat shoviniste të vendeve fqinje.Në pragun e 100-vjetorit të Pavarësisë, ne shqiptarët le të shprehim mirënjohjen për miqtë tanë të cilët na ndihmuan aq shumë kur qemë të rrezikuar nga coptimi dhe asimilimi kombëtar.
Morton F. Eden ka dhënë edhe një tjetër kontribut të çmuar, si albanolog, me veprën “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre” (“Albania: its discontents and their origin”, 1920).
Ky libërth i përmendur në literaturën e huaj albanologjike për origjinalitetin dhe objektivitetin e mesazheve “magjike”, tepër domethënëse për vlerat dhe historinë e kombit shqiptar, përbën një “xhevahir” i cili ndriçon me nuancat e tij jetësore, vizionin, misionin, strategjinë, mendimin historik, politik dhe diplomatik të kombit shqiptar. Ai i ndriçon popullit të thjeshtë dhe përfaqësuesve elitarë të tij shumë të fshehta dhe enigmën e madhe: Shqipëria, si ka qenë e si duhet të jetë, sipas këndvështrimit të qarqeve mike dhe armike. Në përgjithësi na kujton veprën “Shqipëtarët” (“The Skypetars“) të albanofilit amerikan George Fred Williams, të botuar thuajse në të njëjtën kohë, me të njëjtin qëllim dashamirës por me një spektër më vezullues.
Në veprën e Edenit përshkruhet prejardhja e shqiptarëve dhe europianizmi i tyre i natyrshëm, kontributi i tyre historik e kulturor në Europë, prapaskenat politike në vorbullat e luftës së parë botërore, ngjarjet madhore dhe personazhet kryesore historikë, interesat që mbajnë peng kombin shqiptar, ballafaqimi i platformës së Rilindjes Kombëtare me politikat shoviniste antishqiptare, tendencat e kombit shqiptar në rivalitetin midis Perëndimit dhe Lindjes, etj.
Në vepër mbizotëron mendimi se “gjendja e pakënaqshme në Shqipërinë e sotme, është krijuar nga fakti që nuk u është dhënë konsiderata e duhur aspiratave të popullit shqiptar për shkak të interesave të fuqishme që synojnë prishjen e Shqipërisë.”
Ky mesazh është aktual edhe në shek.XXI, kur pak gjë ka ndryshuar për kombin tonë i cili për të përballuar sfidat e rreziqet duhet të bashkojë e të bashkërendojë tërë gjymtyrët e energjitë e tij në tërë popullatën e “Komunuelthit shqiptar” në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, në Greqi, Turqi e kudo.
Sikurse u deklaroi zyrtarisht parlamentarëve shqiptarë z. Behgjet Pacolli, si President i Kosovës, “me këtë qasje, unë dua t’i thërras ndërgjegjes suaj kombëtare, vetëdijes suaj politike, aftësive tuaja profesionale, për të menduar pak: A duhet të kënaqemi me këtë nivel të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, shpirtëror mes veti?… Ne duhet t’i japim kuptim sakrificave të mëdha historike të heronjve tanë të përbashkët, angazhimit shekullor të paraardhësve tanë, duke hapur pista të reja bashkëpunimi.” (1)
Se përse ndodh kështu, cilët janë faktorët e aktorët e kësaj gjendje ka dashur të na e sqarojë edhe përkthyesi i kësaj vepre, atdhetar Skënder Luarasi, i cili shprehej: “Më dhimbset e vërteta në histori dhe do të isha i lumtur të ndriçoja, në dritën e së vërtetës, qoftë dhe ndonjë ngjarje ose persona të kësaj historie të së kaluarës. Se ja, do s’do, vjen një kohë, kur duhet të bëjmë bilancin e jetës e t’i japim përgjigje shoqërisë: Ç’i lamë vendit tonë?”
Vepra e Edenit, “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre”, e përkthyer prej origjinalit nga Skënder Luarasi në vitet 60’, u bllokua në Institutin e Historisë pa e parë dritën e botimit. Indikacionet e saj rastisën të gjenden në regjistrat e institutit ku vepra e pabotuar përcaktohej si përkthim i Skënder Luarasit.
Materialin e plotë të daktilografuar fatmirësisht e gjeta në një nga dosjet e përkthyesit, i cili edhe si historian nuk bëri kurrë pazar me të vërtetat historike.
Në kushte të vështira censure, ai nuk rreshti së shpalluri nderimin e tij ndaj jetës dhe veprës së miqve të vërtetë të kombit shqiptar duke shkruar me dashuri edhe për albanofilët anglezë: Lord George Byron, Lord Tennyson, Sir Aubrey Herbert e Lady Elisabet Carnarvon, Lady Mary Worthey Montag, Lucy M.J.Garnett, Mary Edith Durham, etj.
Botimi në shqip i veprës “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre” në prag të festës së 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë është një dëshmi mirënjohje ndaj albanofilit Morton F. Eden dhe përmbush dëshirën e hershme të atdhetarit Skënder Luarasi për t’ia bërë të njohur kombit shqiptar. (*)


Në përkujtim të 95-vjetorit të Kongresit Kombëtar të Lushnjës, ndër programet festive u shfaq edhe një film dokumentar ku ndër delegatët shqiptarë të kongresit u publikua edhe fotoja dhe kontributi i konsullit anglez Morton Frederik Eden.
Bashkia e qytetit të Lushnjës e vlerësoi me titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin: “Misionar i Shqipërisë në kohë të vështira, dha kontribut të veçantë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës”. Nga ana e tij Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, të cilit iu dorëzua ky titull, u shpreh: “Shteti im ka qenë prezent me trupin diplomatik për të stabilizuar fatet e Shqipërisë. Ndërsa Konsulli Eden ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit në momentet kur ekzistenca e shtetit shqiptar vihej në rrezik.”
Ndër ata që ndihmuan këtë publicitet veçoj studjuesin Engjëll Zerdelia me librin e tij të suksesshëm ‘’Kongresi Kombëtar i Lushnjës’’, që i kushtoi vëmendjen e duhur edhe kontributit dhe nderimit të miqve të huaj me në krye Morton F. Edenin. (2)
Sikurse në raste të tjera harrese, për personalitete dhe ngjarje të rëndësishme kombëtare, atdhedashësit shqiptarë shqetësohen përse do të duhej të kalonte rreth një shekull për ta përmendur dhe vlerësuar konsullin anglez që jo vetëm ‘’ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit’’, por dhe për shumë e më shumë vepra bamirësie ‘’në ditët e sterrosura’’ për shqiptarët?!
Dritë-hijet e kësaj enigme: rrethanat, tjetërsimi i të vërtetës, atentatet dhe kërcënimet deri në nivelet më të larta ndërqeveritare, që çuan në largimin e tij nga detyra dhe përpjekjet për t’ia shuar përjetë emrin dhe veprën, i qartëson më së miri studjuesi grek Lampros Psomas, edhe pse bazohet në interesave politike greke.(3)
Përmes dokumentave dhe kritereve profesionale ai zbërthen paradokse dhe u jep përgjigje dilemave: Nga kush e përse akuzohej dhe si u largua nga detyra Konsulli Eden? A qe ai një ushtarak i aftë, i bindur dhe i përkushtuar në ushtrimin e detyrave shtetërore që i qenë ngarkuar nga eprorët? Informacionet që u dërgoi autoriteteve britanike qenë objektive apo sajesa në favor të shqiptarëve për përfitime vetiake?
Mbi të gjitha paraqet interes konkluzioni i studjuesit se akuzat që iu bënë Konsullit Eden se kinse shpërdoronte detyrën duke sajuar rrethana të paqëna për mbrojtjen e të drejtave dhe trojeve të shqiptarëve, se dizinformonte shtetin britanik për interes të një kompanie private nafte, qenë akuza të pa provuara. Dhe këto sajesa që i përkasin një situate të tejkaluar shekullore marrëdhëniesh ndërshtetërore u imponohen kancelarive përkatëse prej një shekulli, për paradoks edhe vetë politikës dhe historiografisë shqiptare, që pasardhësit të mos njohin e vlerësojnë aftësinë profesionale dhe që të nderojnë humanizmin shembullor të Konsullit Eden, si mbrojtës i të drejtave shtetformuese të shqiptarëve dhe tërësisë territoriale të nëpërkëmbur mizorisht.
Ndjenja atdhetare më obligoi të përkthej dhe botoj edhe studimin e dytë të tij, ‘’Shqipëria dhe fqinjët e saj’’, botuar në korrik të vitit 1921, të cilin ia ofroj pa komente shqiptarëve të përgjegjshëm.
Petro Luarasi
——————-
(1) Nga fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, në Parlamentin Shqiptar: “Aspiratat tona kombëtare, në përputhje me rregullat e hapësirës evropiane”, më 21 Mars, 2011.
(2) Engjëll Zerdelia, Kongresi Kombëtar i Lushnjës, Agim Bakushi ,Tiranë , Emal, 2014, 220 f.
(3) Lampros Psomas, A Spy in Albania: Southern Albanian Oil and Morton Frederic Eden, International Journal of Intelligence and Counter Intelligence, Volume 28, 2015 – Issue 3.
http://www.academia.edu/…/A_Spy_in_Albania_Southern_Albania…

Burimi/Facebook