PJESA E FUNDIT – PREGATITJET PER DITEN E VERES

0
114

Sazan Guri

– Peri i Marsit nuk duhej të hiqej deri ditën e solcitit pranveror të kohëve pagane, ose të Shëngjergjit të kohëve të pas Krishtit apo deri ditën e Novruzit të kohëve pas Islamizmit. Kësodore, festat e pas krishtit paskeshin qenë shpikur njëherë, si 25 dhjetori, 6 janari 14 marsi, thjesht ndrruan të zonë – nga festa pagane në festa fetare, por që të gjitha kanë për bazë rregullin natyror që nuk është shpikur me grekët e me latinët, e as me egjyptianët e sumerët, por me atë popull që erdhën pas atlantidës, prej larg (pellazg), pas ciklit akullnajor 23,000 vjet para Krishtit. Madje, i madhi Naim dhe tanë rilindja thotë për këtë popull se ka lind para Hënës. Në kuptimin, se kur ky popull filloi të mendonte për gjëmat e natyrës, si për ciklin akullnajor, përmbytjen e madhe, ata, aty nga mijëvjeçari i dhjetë zbuluan rolin e Hënës në këto procese, ku sot në shkencat gjeologjike, ky proces ndikues i Hënës në tokë është më se i vertetuar. Le të kthehemi gjene te dita e verës. Siç thamë më lart, java e dytë e marsit, pra java para 14 marsit ose e thënë si at’herë “Të afruanit e verës” mbart detyra të tjera përgatitore: Shtëpitë lyheshin me gëlqere, për të thënë se iku mugëtira, grija, errësira dhe hyri dita, drita, dielli. Vezet lyheshin me fletë qepe, (kujtoni ditët e pashkëve që bëjnë të lyejmë vezët me të kuqe), fëmijët gostiteshin me ara, bajame, etj. Gratë delnin në lëndinat e sapo lulëzuara, e mblidhnin 14 llojë lakrash të egra dhe gatuanin byrek e kulaçë, ku vihesh një monedhë leku dhe të gjithë shtyheshin e nguteshin kush e gjente, aq sa krijohesh hareja për ditët e para e të mbara të vitit, dhe se atij që i binte quhej njeri me fat. Këto skena, sikundër shumë vërsnik të tjerë, autori i ka shijuar e ndijuar si të papërsëritshme, ku ky brez, sot, gjynah që nuk arrin t’i prek dot. Lakra e lakrori gatuhesh me miell misri, për t’i bërë një “dush” të mirë sistemit të zorrëve të lodhura me yndyrnat e dimrit. Zojat merrnin lule thane, lule kumbulle, lule pjeshke dhe i vendosnin te dera e shtëpisë, ndërkohë që te pragu i shtëpisë vendosnin një plis të thatë bari për fat e m(b)arësi, si për të thënë se si lule do të jetë jeta jonë, dhe si për t’i dhënë fjalën natyrës e mjedisit se si ky plis bari do të mbajmë. Ai që ngrihej i pari ditën e verës, shiste gjumin e dimrit dhe i thoshte me humor e shaka vllait, motrës apo mikut se të kam shitur gjumin e dimrit, ose nxitonte të mbushte ujë i pari, ç’ka mendohesh se merrte fat e mbarësi. Mëmat e shtëpisë zienin vezë, me ujin e të cilave lahej fytyra e pjestarëve të familjes, duke e forcuar atë me vitaminë kalcium për të përballuar diellin. Pra, dita e verës, ditë vetëm e popullit para hënor, para europian, para ilir, para helen para romak, ditë unikale, emblemë e popullit shqiptar. Madje, aktori i madh Astrit Çerma e tregon thjesht dhe ambël si një ballukume elabasani ardhjen e ditës së verës. Në anët e Elbasanit – thot ai – deri tash vonë tregohej se “e Bukura e dhéut”, me një qerre të artë tërhequr nga Zogjtë e Qiellit çdo vit, dy javë para marsit, zbriste andej lart nga Çerma e Nikajve (Çermenika) dhe vinte që të “trembte” acarin e shkurtit për të gëlu jeshilllëkun, për të lulëzuar lulen dhe për të rinuar gjethen. Kudo ku shkelte kama e të bukurës së dheut ledhatohej nga menekshet dhe karakaftet që përpara saj i “hardhonin” në tokë Zogjtë e Qiellit. Për të pritur të Bukurën e Dhéut dhe Zogjtë e Qiellit, njerëzit vishnin rrobat më të reja dhe ma të bukura, vendosnin në kyçin e dorës verore bërë nga fije shumëngjyrëshe lini ose pambuku, hapnin sepetet prej dru lisi, nxirrnin zairet të ruajtura nga viti i shkumë, pala fiku, arra, lajthi, mollë e ftonj të thatë, e tjera dhe ja falnin. Ndërsa për zogjtë e qiellit gatuanin një lloj ambëlsine, të thatë, pa sherbet. Kjo lloj ambëlsine duhej të shkërmoqej thërrime – thërrime dhe të vendosej në pllaka guri e vende të thatë që Zogjtë e Qiellit ta çukisnin. Thërrimet e saja nuk duhet të binin përdhe, sepse “ishte gjynaf”. Zogjtë e Qiellit mund të “idhnoheshin” dhe mund të mos e binin, siç duhet erën luleve dhe jeshillëkun e barit…Kjo rrëfenjë e vjetër, si edhe shumë rrëfenja të tjera, kanë të bëjnë me simbolin e festës së Ditës së Verës, ballakumet. Por është një ambëlsinë në Elbasan që quhet FULI. Është një ëmbëlsir’ “e thatë” pa shërbet. Një ëmbëlsirë me disa karakteristika tepër të veçanta, si ambëlsirë vetëm e qytetit të Elbasanit dhe e askujt tjetër, ku çuditërisht nuk lidhet me as rrethinat pranë të Elbasanit. Gatuhet me miell gruri, me vaj ulliri dhe tlynë, (thonë edhe me miell thekre). Bëhet si ëmbëlsirë vetëm kur lind fëmija ose në përvjetorë lindjesh dhe në asnjë gëzim tjetër. Pra, ka të bëjë me “lindjen”, me ripërtëritjen dhe me vazhdimin. Veçori tjetër është, kur hahet kjo ambëlsirë nuk duhet që asnjë thërrime të bjerë në tokë se është gjynah (kujto zogjtë e Qiellit). E fundit veçori është se hahet me dorë nga.
Me 5 mars deri në datën 10 mars, natën, grupe djemsh prej 3-4 vetësh, të moshës 15-20 vjeç në fshatin Grevë, Tomorricë, Skrapar dilnin shtëpi më shtëpi. Vinin te dera dhe këndonin këngën e Ditës së Verës: Teksti, i përcjellë nga pleqt e moçëm është si më poshtë vijon: Ozi-bozi, doli martallozi, Erdhi dit’e verës, hiqi llozin derës / Aga be, o aga be, zgjuar je, apo po fle? / Zgjuar jam, po pi duhan, Me çibuk të qelibartë. / Bëj zamet, ngrihu nga gjumi, Të ligat t’i marrtë lumi…………. / Ja na jep, ja na thuaj s’ka, se u gdhi, u bë sabah, se do marrim, rrugën la. E zonja e shtëpisë i jepte plakut a djalit vezë, arë, mollë dhe ky dilte te dera ua jepte dhe ata shkonin te shtëpia tjetër dhe kështu vazhdonin te të gjitha shtëpitë e fshatit. Këta gostiteshin si grup, jo veç e veç. Këta ishin lajmëtarët e ditës së verës. Më datën 13 mars, fëmijët merrnin degë thane dhe i vendosnin te harku i portës. Në mbrëmjen e datës 13 mars, atëherë kur kishte edhe 1 a 2 orë ditë (pra, mbasdite), çdo shtëpi ndizte diçka e bënte tym. Tym bënin të gjithë fshatrat e Tomorricës. Në darkë, gratë zienin vezë dhe përgatisnin edhe arët, edhe fiqtë e thatë për fëmijët e fshatit, sepse në mëngjesin e 14 marsit të gjithë fëmijët e fshatit, djem e vajza, të moshës: djemtë deri 14 vjeç e vajzat deri 12 vjeçe, grupe-grupe dilnin për ditë vere. Vinin te dera e shtëpisë dhe këndonin këngën e ditës së verës. Gratë çonin te njëra – tjetra vezë, arrë, fiq, byreksheqere, (tip gurabijesh), ndërsa burrat kryenin vizita te njëri-tjetri, bënin muhabet me meze, raki, këngë e dolli. Për ditën e verës gratë, krahas përgatitjeve të tjera, thernin një pulë, të cilët kishin një muaj që e mbanin lidhur, e ushqenin veçantë të tjerave me brumë e thelpinj arre. Më 13 mars mbasdite, gratë zienin një tenxhere misër me hi, jo gjatë, aq sa të merrte valë, pastaj e lanin në çezmë, në shoshë, ku bashkë me hirin, dilte edhe lëvorja e kokrrave të misrit. Misrin e zier e hanin me të shoqëruar me arrë. (Vetëm të provoni misër të bardhë kokërr zhveshur nga lëvorja të shoqëruar me thelpinj arre)! Kokrrat e misrit mund të përziheshin edhe me sheqer. Pra, 14 marsi ishte (është) dita e verës. Fshatarët merrnin masa ta organizonin sa më mirë. Zonjat e shtëpisë ushqenin bagëti të imta e pula t’i thernin atë ditë, zienin vezë misër, përgatisnin gjellë e ëmbëlsira. Gjëja e taksur për ditë vere (zakonisht pulë) therej në trungun e një peme. Me gjakun e saj lyheshin pemë dhe fëmijët në ballë e faqe. Kësisoj, “Dita e Verës” është Dita më paqësore, më paqësorja, sepse ajo vjen nga larg, thellë nga fëmijëria e shoqërisë njerëzore. Vjen ashtu, siç vjen gjithmonë fëmijëria: Me lodra dhe lojëra.