Pjeter Logoreci – KOHË SHKËRDHATË ….

0
40

Ndër vitet e diktaturës, në nji fermë të Shkodres, punonte Lodovik G…, nji agronom shkodran sa zotni e i edukuem aq edhe talent e i apasionuem në punën qi bante, por që keqtrajtohej nga spijuj e komunistë të fermës (qi ishin me shumicë), vetëm se kishte studjue në Itali. Nji ndër kto spijuj parazit ishte shoku Brahim, nji komunist jugor, mustakoç si Stalini, i dhjamosun nga puna e të tjerëve, që, për me u dukë “ma i partishëm” se të tjerët, lshonte publikisht akuza e epitete të rrezikshme për agronomin novator e atdhetar tuj e quejtë publikisht: ai borgjezi…., ai kryqi…, ai italiani, …agjenti italianve…..
Shkaku i ktij shkrimi që më kujtoj kohnat e diktatures, diskriminimin, spijujtë bolshevikët të tipit Brahim, u ba një foto imorale me të cilën u ballafaqova në internet.
Nji nga femijët e spijunit stalinist Brahim, pozonte në FB, tuj mbajtë në duer me “krenari” pasaporten italiane, që sapo e kishte marrë.
Si thika më goditen në zemër fjalët që komentojshin foton, ku e “italianizuemja” e quente Italinë ATDHEU IM I DASHTUN….
ITALINË, për të cilen, babai kriminel Brahim, kishte rrenue jeten e nji akademiku e të familjes së tij të pafajshme, të intelektualit atdhetar që nuk pranoj nji karrierë të sigurtë në Itali, për tu kthye me i sherbye Shkodres e Atdheut…
Kjo asht dëshmija e jeme, moralin mundeni me e nxjerrë vetë….
Pjeter Logoreci

Burimi/Facebook